Të bashkëjetosh me krimin

0
328

Dionis Xhafa

Zgjohem në mëngjes. Sigurisht nën zhurmën e madhe të përditshmërisë, që vjen prej faktit se çohen të tjerët dhe qyteti thuajse zien. Jashtë ka makina, motorë dhe lloj-lloj mjetesh, që ta grishin qetësinë dhe të bëjnë të çohesh. Aq më tepër që ndonjë familjar i yti është duke parë televizion, e ka ngritur zërin në maksimum, dëgjon lajmet dhe ty të vjen të pëlcasësh, por nuk ke se çfarë bën. Zgjohesh me zor, ha pak bukë, ashtu i drobitur e sakatuar, lahesh, ftohesh nga fakti që je larë dhe vazhdon të ecësh rrugës, për të niur një ditë të re. Mendon se ja do ta pish një kafe në qetësi dhe kështu bën.

Pasi kalon afër qendrës së Tiranës, ulem në një kafe dhe aty lexoj si gjithmonë gazetën e përditshme. Ndërkohë, para teje ke dhe panoramën e shqiptarëve. Në gazetë lexon tmerret e ditës. Aty thuhet se njëri në Kukës kishte rrëmbyer vajza të vogla me qëllim që t’i trafikojë për në Kosovë e në Maqedoni. Aty thuhej se dhe ky njeri, pasi ishte liruar nga burgu, pas nja dy muajsh kishte vendosur të vrasë një person, në mënyrë të tmerrshme. I kishte thënë se do të të vras dhe se madje ky i vrari do ta mbulonte vetë arkivolin e vet me dhe. Ky ishte mendje e tmerrshme. Por, policia e kishte ndalur këtë vrasje dhe ky personi nga Kukësi kishte rënë në pranga. Imagjinoni, që ky personi sapo ishte liruar prej burgut. Në atë moment çova kokën dhe pashë përpara meje.

Aty pranë është “Dollari”, ky vend ku njerëzit sillen si të dehur dhe sikur kanë pirë. Aty luhet për çdo ditë ekonomia kriminale dhe ku s’merret vesh se kujt ia fut e kush. Jo vetëm kaq, por ke disi frikë të ecësh qetë, për shkak se mund të ketë kaq shumë njerëz rrugëve, që një Zot e di se për çfarë krimesh mund të jenë dënuar, në këtë vend ose në vende të Evropës. Ti sheh se krimi nuk është veç në gazetë, por edhe në përditshmëri. Në atë qytetarinë tënde, në atë qytetari që ta ka mësuar familja, nuk do që ta besosh se vendi yt paska kaq shumë kriminelë. Desha në moment t’iu them prindërve: “Ju më keni mësuar se shqiptarët janë njerëz të mirë. Po këta kriminelët, këta vrasës, gjakpirës, këta njerëz që vrasin bashkëkombasit e vet, pse more bëjnë marrëzi. Ç’është kjo kohë e çmendur kështu”. (turqeli hesapi! /AÇ)

Kështu, këto ide më shkonin ndërmend teksa pija atë lëng magjik, makiaton, pasi kafja ose lëngje të përafërta me të, janë kthyer tashmë në mesin e shqiptarëve si lëng magjik, pasi me kafe fliten të gjitha muhabetet me rëndësi në mesin tonë. Doja ta shijoja atë moment, duke pirë atë makiato, po po doja ta shijoja atë qetësi të momentit, pasi tërë kohës veç zhurma, tmerre e lemeri. Jo më, nuk doja tmerrin, lemerinë, nuk e doja aspak. Unë dua qytetarinë, lirinë, emancipimin, shoqërinë e begatë, por se jeta qenkërka kështu, ku të gjithë luajnë për të fituar dhe se ka nga ata persona që luftojnë edhe me rregulla të pista në rrugë, mjafton që të fitojnë. Kështu janë të shumtë dhe unë po mundohem t’i shmang.

Akoma nuk jam i sigurt nëse shumica e shqiptarëve, që janë ashtu siç e kam përshkruar më lart janë të këqij se kështu kanë lindur, pra nga natyra apo prej faktit se i tillë është realiteti, i mënxyrë e i poshtër, për ta bërë natyrën njerëzore, në fakt kafshërore. Unë do të doja shqiptarë të mirë, njerëz të begatë, ku secili të fitonte me mund e djersë pasurinë e pastër. Por, realiteti vështirë se është kështu. Realiteti është çmenduri e kohës së parasë, ku njeriu nuk njeh parim, nuk njeh as Zot, as shok, as mik, as gjak, por veç fuqinë e paranë, për të pasur pushtet, duke shtypur tjetrin.

Se liria është e çmuar dhe se për të pak luftojnë. E tërë situata është një tmerr i madh, i njerëzve që ecin si të çalë, në rrugë të ndyra e të pista, pa ditur si e nisin ditën dhe e mbarojnë, shumica të zhytur në papunësi. Kështu për shqiptarët kalon koha, si e çmendur, si e luajtur mendsh, si në tragjeditë e mëdha greke. Ashtu, duke menduar këtë lloj realiteti, u çova dhe mbarova edhe makiaton. Njerëzit jashtë prapë më dukeshin turma-turma, ashtu si zombie. Edhe kur, deri kur kështu? Deri kur dhimbja deri në asht? Deri kur varfëri që del hapur? Deri kur kockë në shi e në borë, që del hapur përpara syve? Deri kur, heu, kam me e pa këtë realitet zombie, të pështirë e të vështirë? Deri kur mor, shqiptar do të jesh mirë e jo në rrugë të pista e të fëlliqta, e të ndyet. Ngjan sikur këta njerëz janë shumë pranë varrit, pasi me një këmbë tanimë janë aty, se kjo veç jetë e gëzuar nuk është.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here