TA NJOHIM RAPSODIN E TALENTUAR, Z. TAHIR SEFERI

1
660

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Ndonëse gjindet në të shtatëdhjetat e tij, ai ende vazhdon t’i kontribuojë folklorit shqiptar në Maqedoni. Bëhet fjalë për Tahir Seferin, i lindur në vitin 1944, në Shqipëri, por që kishte migruar në Dibër të Madhe e më pas për t’u shpërngulur në Shkup së bashku me të parët e tij që në moshën 5-vjeçare. Për të, kënga dhe instrumenti i çiftelisë përbëjnë simbolin kombëtar shqipëtar, apo siç thotë ai “janë jeta ime”. I dashuruar pas muzikës së mirëfilltë shqipe, dhe për dallim nga të gjithë rapsodët e trojeve shqiptare, Tahir Seferi shquhet si më autentiku që ka njohur folklori shqiptar ndonjëherë. Pra ai vetë shkruan, vetë i bie çiftelisë dhe vetë këndon.

Ky artist me këngë mirret që nga fëmijëria, kurse më vonë nisi edhe të ushtrojë në instrumentin shqiptar, qiftelinë. Më pas, në
vitin1960 për herë të parë doli në skenë publikisht, me ç’rast filluan ta njohin shoqëria dhe shokët si këngëtar me stil të vetin. Pra, kem të bëjmë me një rapsod, instrumentist dhe kantautor, i cili që 55 vjet mirret me muzikë folklorike dhe ka një stil të veçantë të të kënduarit dhe të ekzekutimit në çifteli ; është orgjinal dhe nuk ka ndryshuar aspak gjatë karrierës së tij. Nuk imiton askënd. Në fillim ka qenë anëtar i AKV “Emin Duraku” në Shkup (prej 1967 -1977), tani në AKV “Ibe Palikuqi” – Shkup (që nga viti 1978 e deri më sot). Kënga dhe çiftelia janë krejt jeta e tij, e do këngën e mirëfilltë shqipe. Ka kënduar dhe këndon këngët popullore dhe këngët e vjetra qytetare, por folklorin e ka në gjak dhe në trashëgiminë familjare.

Sukseset e Tahir Seferit në karrierën muzikore janë të shumta si në vend ashtu dhe jashtë vendit, në Shqipëri, Turqi, Kosovë, Europë dhe Amerikë. Koncertet, manifestimet apo festivalet në të cilat mori pjesë ky këngëtar janë të shumta. Për 55 vjet, në skenën muzikore folklorike ka marrë pjesë diku më shumë se në 70 festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, ku është dekoruar me çmim të parë mbi 50 herë.

Shumicën e këngëve i shkruan dhe i përcjell vetë. Do veçoja një këngë, të cilën e shkruajti prapa skenës dhe e këndoi pas 15 minutash, me të cilën arriti sukses të madh dhe që jurinë dhe publikun i la pa fjalë. Andaj me këtë këngë fitoi vendin e parë.
Është kjo kënga për dëshmorin e kombit, Njazi Azemi – “Komandant Mjekra”.

Me të drejtë ky artist mendon se nuk duhet të ketë dallim mes tradicionales dhe bashkëkohores në folklorin muzikor shqiptar, varësisht nga stilet e ndryshme të këndimit apo dedikimit të këngëve, ngaqë tradicionalja nuk e duron bashkëkohorendhe nuk mund të ketë folkor bashkëkohor, sepse ai është një.

1 KOMENT

  1. Respekt të veçantë për rapsodin e mirfillt dhe shumë të talentuar z. Tahir Seferin, njëashtu është edhe miku im shumë i respektuar sepse njihemi bukur mirë me rapsodin dhe kemi qenë në shumë manifestime letrare së bashku, kështu që i uroj suksese dhe jetë të gjatë sa malet e Shqiprisë natyrale antike.

    Me respekt nga Halil Preniqi

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here