TA NJOHIM FABULISTIN SHQIPTAR, PËLLUMB VELO!

0
330

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Pëllumb Velo u lind më 2 shkurt 1945 në Bishan të Vlorës. Qysh në rininë e hershme është marrë me pikturë dhe letërsi dhe me vonë me gazetari. Ka adhuruar si prozën dhe poezinë, por në veçanti fabulën. Përmendim këtu:

– Zëri i nënës më thërret (vjersha, 2002)
– Mall për vendlindjen (vjersha, 2003) – Dhelpra dhe gjahtari (fabula, 2006) – Kunadhja zyrtare (fabula, 2007) – Skilja e lagunës (fabula, 2008) – Fabulisti dhe gjallesat-1 (fabula, 2008) – Fabulisti dhe gjallesat-2 (fabula, 2009)
– Fabula të zgjedhura, 2009
– Kur merr zjarr e digjet pylli (fabula, 2008)
– Fabulisti dhe gjallesat- 3 (fabula të zgjedhura për programin mësimor të shkollës 9-vjeçare, 2011)
– Skilja dhe qukapiku (fabula, 2012)

Krijimi i parë është i vitit 1962, fabula “Dhia dhe keci'”. Muzë kjo që nuk u nda kurrë pavarësisht se autori ka trokitur vonë në portat e letërsisë, për shkak të rrethanave të jetës së vet. Ka botuar libra për fëmijë dhe të rinj duke kristalizuar dhe stilin e tij individual në fushën e fabulave. Fabulat e tij i drejtohen jo vetëm fëmijëve por edhe të rriturve. Kjo duket në pasurinë e fabulave të përmbledhura në vëllimet Dhelpra dhe gjahtari, Kunadhja zyrtare, Skilja e lagunës, si dhe fabulave të zgjedhura për nxënësit e shkollave

– Fabulisti dhe gjallesat.
Në përgjithësi krijimet e Pellumb Velos janë të thjeshta, shumë njerëzore dhe kanë jo vetëm vlerë morale, por edhe letrare.

Cilat janë disa nga veçoritë e fabulave të këtij autori?
Në përmbledhjen me fabula Dhelpra dhe gjahtari, të bie në sy gama e gjerë e tematikës si dhe lidhja e saj me problemet e shumta të ditës që po has shoqëria jonë sot.

Gjithashtu autori dallohet për stilin e tij origjinal të krijimit të fabulave.

Dikur, korba pendëzezë,
Turli sapunësh ka marrë.
Dëshirë e shpresë iu ndez,
Ngjyrën e zezë për të larë.
Kur e pa që nuk ndryshoi
Cop’e çik e bën pasqyrën
Hyn sapuni ta qetësoi:
– Unë heq lyrën dhe jo ngjyrën!
(Korba dhe sapuni)

Në vargun e fabulave të tij ka vetëm shqetësim, dhimbje për problemet që kalon vendi. Janë kafshët që flasin me gjuhën e njerëzve dhe që sjellin modele njerëzish apo fenomene shoqërore të goditura në shenjë. Përmbledhja me fabula Kunadhja zyrtare është e mbushur me probleme dhe ide interesante nga jeta e përditshme. Autori përdor një terapi të pasur artistike, duke filluar nga gjuha e pastër dhe e bukur, nga larmia e personazheve që përfaqësojnë botën shtazore. Nuk mungon as alegoria e nënkuptimi si një mjet elegant i përdorur artistikisht. Po ashtu, satira, sarkazma, ironia, krahasimet, antitezat, kontrastet e metaforat, si edhe dialogu, që autori e ka zgjedhur për të fshikulluar ligësitë shoqërore.

Ky libër me fabula është ndjenjë, emocion, madje dhe habi, pasi fabula e Pellumb Velos ka një këndvështrim filozofik. Fabulisti ia ka dalë të përcjellë bukur tek lexuesi mesazhe njerëzore që mbartin jo vetëm vlera morale, por edhe vlera letrare.

Edhe në librin me fabula Skilja e lagunës tematika e fabulave është e larmishme. Ato trajtojnë kryesisht fenomene sociale. Kanë ngjashmëri me fabulat e Ezopit, La Fontenit, por ndryshojnë prej tyre sepse kafshët, sendet dhe fenomenet, veprojnë në rrethanat dhe kushtet aktuale të ekonomisë së tregut dhe të dukurive e problematikës që ka shoqëria jonë e sotme.

Fabulisti Gjike Kurtiqi shprehet:… se ajo që të bën përshtypje kur lexon fabulën e Pellumb Velos është jo vetëm përmbajtja e saj dhe morali që sjell, por mbi të gjitha cilësia artistike e krijimit, është gjuha e pastër me figura të goditura dhe fjalë të zgjedhura nga një fjalor gjuhësor i pasur që i japin fabulës veçorinë dhe bukurinë e saj dhe e bëjnë të dallohet nga fabula e krijuesve të tjerë.
Përmendim një nga fabulat, Ujku dhe majmuni:

I pangren’ ujku qëkuri,
Një majmun desh të vriste,
Ndaj poshtë pemes vend zuri,
Urtë e butë e ftoi të zbriste:
– Eja posht’ o mik i vjetër,
Mik e shok si asnjë tjetër…
Majmuni, hazer xhevap:
– Kur u bë helmi sheqer?
Ti në tokë je një kasap,
Unë mbi pemë një xhongler…

Shkrimtari dhe studiuesi Bardhosh Gaçe në parafjalën e kësaj përmbledhje me fabula thekson se vargu poetik i këtij autori përcjell emocione e ndijime nëpërmjet personazheve kafshë që nënkuptojmë natyrshëm marrëdhëniet midis njerëzve. Në arkitekturen e fabulave të veta, Pëllumb Velo është gjithnjë në kërkim të detajeve, ngjarjeve e personazheve që krijojnë një larmi të motiveve që përcjellin mençuri, urtësi, filozofi, mesazhe për kohën dhe jetën. Fabulat e Pëllumb Velos janë të thurrura me një mendim të qartë poetik, të thjeshta e të kuptueshme nga të gjitha moshat e sidomos prej nxënësve të shkollave, tek të cilët ato përcjellin mësime e vlera artistike, estetike, morale e etike, duke luajtur një rol të jashtëzakonshëm në edukimin e tyre.

Fabula të tilla si ”Ferra dhe shalqiri”, ”Dreri, derri dhe kali”, ”Druvari dhe shkrepësja”, ”Dreri dhe palloi”, ”Bleta dhe dreri”, janë jo vetëm të arrira artistikisht, por edhe denoncuese të veseve dhe problemeve shoqërore.

Në fakt autori për burim e frymëzim ka thesarin e popullit, që përfaqëson. Në çdo varg e rresht, ndien kënaqësi prej bukurisë poetike, qesh e ngazëllehesh prej urtësisë profetike, mëson prej shprehjeve filozofike. Ja si shprehet ai në fabulën Pela dhe sorrka; Pela sorrkën pyet tek shkojnë:

-I urt’, i sert’, ku ndryshojmë?
Një e qeshur përshkon sorrkën,
Teksa flet e sodit mbrëmjen:
-I serti përdor forcën,
I urti përdor mendjen…

Në vëllimin me fabula, “Kur merr zjarr e digjet pylli” autori të mahnit me përshkrimin dhe motivet e larmishme që përcjell. Ai shkruan shkurt dhe godet fort. Ja si shprehet vetë në hyrje të librit:

Tek ky libër që botoj Veset ashpër kritikoj. Për fëmijë’, jet’ e Atdhe, Dashurisë i heq fre… Pëllumb Velo në fabula shquhet për origjinalitetin dhe mjeshtërinë. Ka humor të hollë dhe ngacmues, të zgjuar e me kulturë, vjen për lexuesit e çdo moshe i qartë, me individualitetin e tij krijues. Ai fton në artin e tij kafshët tradicionale të fabulës: dhelprën, ujkun, qenin, korbin, sorrën, derrin, gomarin, kalin…..por edhe sendet që janë më të përdorshme nga njeriu, ose pjesë e trupit apo të jetës së tij si:
këmba, këpuca, libri, fyelli, etj. E krijon fabulën brenda familjes së kafshëve apo të njeriut.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here