STUBLLA E KARADAKUT – JEHONA E FUQISHME E SHQIPTARIZMËS

1
703

Dr. Dom Lush Gjergji duke ligjëruar mbi Shën Terezën Tonë

REPORTAZH:
NË FUNDJAVËN QË E LAMË PAS:

Të premten e kaluar, në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ultë “Dom Mikel Tarabulluzi” u hap edicioni i 27-të i manifestimit tradicional, në përkujtim të Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë “Takimet e Dom Mikelit 2016”. Në temën bosht të akademisë shkencore “Nënë Tereza dhe shqiptarët” ligjëruan: Dr Dom Lush Gjergji, Visar Zhiti dhe Dom Valentino Salvoldi. Vdekja e shkencëtarit themelues të Muzeut të Shkollës së Parë – Dr Dom Gjergj Gjergji – Gashi, na e vetimponoi heqjen e pikave artistike nga programi i sivjemë. Në Orën e Madhe Letrare çmimin tradicional Agim Ramadani e fitoi Xhavit Beqiri. Sivjet interesimi i mediave për këtë manifestim ishte rekord.

Shkruan: Engjëll KOLIQI, Stubëll, shtator 2016

Në fundjavën që e lamë pas, në Stubëll të Karadakut, komuna e Vitisë, u mbajt manifestimi tradicional, në përkujtim të Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë “Takimet e Dom Mikelit, për të 27-tën herë me radhë. Edhe sivjet, si zakonisht ky manifestim kishte përmasa mbarëkombëtare, bile edhe ndërkombëtare, sepse muarën pjesë edhe ligjërues nga jashtë, nga Italia.

Manifestimi filloi të premten, më 23 shtator, në shkollë, me një program shumë të pasur kulturo-artistik, me rastin e Ditës së Shkollës, që çdo vit kremtohet në vigjilie të “Takimeve të Dom Mikelit”. Nxënësit më të mirë në këtë program u nderuan me mirënjohje speciale, nga drejtoria e shkollës.

Mbrëmja e së premtes u hap me gëzim të madh, me arritjen e mysafirëve të çmueshëm, si: ambasadori i Shqipërisë në Selinë e Shenjtë e shkrimtari ynë shembullor Z. Visar Zhiti, artisti e shkrimtari i shkëlqyer shkodran, nga Viena – Ragip Dragusha dhe skuadra e kompletuar e RTSH-së nga Tirana (TVSH dhe Radio Tirana), shoqëruar nga Liljana Çerri, punonjëse në Presidencën e Shqipërisë. Mirëpo gëzimi nuk zgjati shumë, sepse këtë mbrëmje u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Stubëll, shkencëtari, patrioti, humanitari e misionari i Nënë Terezës në Shqipëri, për shumë vite, themeluesi i Muzeut të Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë (këtu në Stubëll) – Dr. Dom Gjergj Gjergji – Gashi.

Edicioni i 27-të i këtij manifestimi u hap të shtunën, në ora 9:30, me meshën solemne, udhëhequr nga Ipeshkëvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji. Bashkë me vikarin gjeneral të Ipeshkëvisë së Kosovës – Dr Dom Lush Gjergjin, merrnin pjesë dhjetëra priftërinjë, nga shumë famulli të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Pas meshës u organizua akademia shkencore, ku tema bosht ishte “Nënë Tereza dhe shqiptarët”. Akademia, si zakonisht është hapur me këndimin e Hymnit Shqiptar, nga okteti i ansamblit “Kemal Azizi” nga Vitia dhe me intonimin e Hymnit të Republëikës së Kosovës. Pastaj hapjen solemne e kanë bërë: Famullitari i Stubllës Dom Albert Jakaj dhe zyrtarë të Komunës së Vitisë dhe të Ministrisë së Kulturës të Republikës së Kosovës. Me shumë devocion, për shenjtëreshën shqiptare kanë ligjëruar: ambasadori i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë – Visar Zhiti dhe biografët e Nënë Terezës – Dr Dom Lush Gjergji dhe Dom Valentino Salvoldi, ardhur nga Bergamo e Italisë.

Në përfundim të kësaj tribune, Imzot Dodë Gjergji përcolli një porosi simbolike shumë domethënëse. “Kombi shqiptar, apo ne jemi një vazo e thyer sepse historia na ka dëshmuar se ne jemi të thyer e të copëtuar shpeshherë si fetarisht, territorialisht, politikisht, e në mënyra tjera, aq sa kemi mbërri ti ndajmë njerëzit në tradhtar e patriot e kështu me radhë. Nëse do të vazhdojmë kështu, atëherë kjo vazo do të mbetet e copëtuar dhe e shëmtuar gjatë gjithë të ardhmes tonë” tha ipeshkvi duke shpreh mendimin e tij, se duhet ti mbledhim copat e kësaj vazoje dhe siç tha ai, jo vetëm që t’ia kthejmë bukurinë që e ka pasur, por duke i ngjitur copat e saj me frymëzimin e Shën Nënë Terezës.

Manifestimi ka vazhduar me Orën e Madhe Letrare, ku poezitë e tyre i kanë deklamuar rreth 30 poetë, nga të gjitha trevat shqiptare. Shumë poetë janë ankuar për pamundësinë të paraqiten në këtë orë letrare, për shkak të shkurtimit të numrit të pjesëmarrësve. Lidhur me këtë, Këshilli Organizativ paralajmëron, që nga viti i ardhshëm poezitë paraqiten në konkursin që do të shpallet muaj më parë, që të mund të bëhet një seleksionim i denjë. Orën letrare e ka udhëhequr profresoresha e nderuar e letërsisë Dr Qibrije Demiri – Frangu. Juria e përbërë nga Prof Naime Beqiraj, Sabit Rrustemi e Bardh Frangu, ka ndarë tri çmime për poezitë më të mira, me emrin e heroit, poetit e artistit të kësaj ane Agim Ramadani. Çmimet, të parin Xhavit Beqirit, të dytin Selvete Abdullahut dhe të tretin Arsim Halilit, ua ka dorëzuar i vëllai i heroit – Dr Jashar Ramadani. Çmimi i veteranit të arsimit – Qeshk Ukaj sivjet iu dha arsimtarit të pensionuar ferizajas, me origjinë nga Stublla Tade (Jozë) Gjergji.

Për të nderuar shkencëtarin e patriotin e madh, gjetjen e dokumenteve për shkollat e para shqipe e themelimin e Muzeut të Shkollës së Parë në Stubëll – Dr Dom Gjergj Gjergji – Gashi, që ishte varrosur të nesërmen, Këshilli Organizativ kishte vendosur që të heqë nga programi pikat artistike – muzikore e humoristike, edhepse ishin të gatshëm të këndojnë këngëtarë nga ansambli vendor “Zëri i Karadakut” dhe mysafirët Nikollë Nikprela, Veli Sahiti – TRIX, Çun Lajçi dhe Ragip Dragusha, të cilët vetëm kanë deklamuar poezitë e tyre.

Në fund është hapur ekspozitë e jashtëzakonshme, me fotografi të mrekullueshme të Shën Terezës, me titull “Nëna e Dashurisë”, organizuar nga Drejtoria komunale e kulturës, e Vitisë e realizuar shumë bukur nga Zonja Adriana Marku – Sedaj. Këshiulli Organizativ ka shtruar koktej dhe drekë, kryesisht me ushqime të specialiteteve vendore.

Duhet theksuar interesimin e madh të mediave të shkruara dhe audio-vizuele, për këtë manifestim, që e kanë përcjellur shumë redaksi nga Kosova – radiotelevizione qendrore dhe lokale, si dhe ekipi i kompletuar i RTSH, nga TVSH dhe nga Radio Tirana.

1 KOMENT

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here