SPECIALE – GJERGJ BOJAXHI, MILIARDERI QË KËRKON LËMOSHË

0
631

Nga Habjon Hasani

Ju uroj nga zemra Pashkët”, – shkruante sot në faqen e tij në Facebook Gjergj Bojaxhi, një politikan në tentativë dhe biznesmen i fuqishëm.

Me zemër Bojaxhi duket pranë qytetarëve; por me mendje ai ka qenë diku tjetër 24 orët e fundit, pasi një hetim i befasishëm penal e ka vënë atë në epiqendër të një skeme fiktive në tregun e naftës ku dyshohet se janë pastruar disa qindra milionë dollarë; ndërsa Bojaxhi dyshohet dhe për fshehje të pasurisë.

Deri në vitin 2005 ai ishte një askush, por një sugjerim i Genc Rulit tek Berisha, bëri që Bojaxhi të kthehej në Shqipëri e të katapultohej zv/ministër i Energjitikës; pas disa vitesh qëndrimi në SHBA ku ai punonte si ekonomist.

Ishte një ndër mijëra ekonomistët e angazhuar në projektet e Bankës Botërore, por kur prezantohej në Shqipëri, mediat nuk harronin asnjëherë të theksonin se zv.ministri i Energjitikës kishte punuar për Bankën Botërore, duke krijuar një imazh të ekzagjeruar për karrierën e tij në SHBA.

Por Gjergj Bojaxhiut i trokiti fati në një periudhë të artë, pasi në vitin 2006 kur ai punonte si zv/ministër, qeveria Berisha ishte duke rishikuar disa kontrata energjitike të dhëna nga Fatos Nano, ku më delikatet ishin TEC-i i Vlorës dhe Petrolifera.
Me këtë të fundit Bojaxhiu u mor posaçërisht; ishte personi kyç i qeverisë në negociata dhe pas disa muajsh bisedimesh dhe tensioni, qeveria Berisha firmosi vënien në punë të Petroliferës me kapacitet të plotë.

Bojaxhi e mbështeti kompaninë e Petroliferës në negociata dhe koncesionari fitoi një biznes të jashtëzakonshëm dhe me leverdi për të kryer operacione portuale të logjistikës; ngarkim-shkarkimit në Vlorë për hidrokarburet.
Një kantier i vërtetë pune dhe paraje nisi të funksiononte prej vitit 2006.

Bojaxhi vijoi karrierën e vetë si zyrtar shtetror, pa lidhje me Petroliferën në dukje. Ai nga zv/ministër u emërua drejtor i KESH, më pas dhe në OSHEE e më tej kaloi dhe drejtor i Policisë Ndërtimore gjatë qeverisjes Berisha.

Gjergji ngjit Everestin

Më 15 Qershor 2012 bashkëshortja e tij znj.Jola Bojaxhi së bashku me katër të tjerë themelojnë kompaninë “EVEREST”, e cila për nga emri që mbante, dukej si një kapriço e vetë Gjergjit, sepse ai e ka pasion malin e Everestit, madje e ka ngjitur atë në ekspeditë.

Akti i themelimit të kompanisë “Everest”, Qershor 2012.

Kompania e re kishte si objektiv të saj tregtinë e naftës cilësore. Kjo kompani u inkuadrua si një operator pranë koncensionarit të Petroliferës.

Koncensionari i Petroliferës e kishte të ndaluar me ligj që të bënte tregti nafte. Petrolifera mund të ofronte logjistikë për kompanitë që e tregtonin, por në asnjë mënyrë nuk mund të tregtonte edhe vetë naftë. Ajo ofronte vetëm shërbime të natyrës së magazinimit dhe ngarkim-shkarkimin e hidrokarbureve në Vlorë për kompanitë që e tregtonin.

Por kompania “EVEREST” dukej pikërisht si një artificë për të shmangur këtë detyrim ligjor.

Sepse siç zbuloi më pas Autoriteti i Konkurencës, një nga aksionarët kryesorë të kësaj kompanie, firma italiane “Superba srl” ishte në fakt një firmë me aksione në “Everest”, por njëkohësisht edhe aksionarja më e madhe e kompanisë Petrolifera.
Pra Petrolifera, atë që nuk e arrinte dot nëpërmjet emrit të vet, e arriti duke ngritur kompaninë “Everest”, ku themeluese ishte edhe bashkëshortja e z.Bojaxhi.

Kjo është ndoshta spërdredhja më e fortë e konfliktit të interesit të ndodhur në tregun e hidrokarbureve, ku bashkëshortja e zv/ministrit Bojaxhi 6 vite pasi i shoqi kishte negociuar koncensionin, futet aksionare bashkë me koncensionarin në një kompani-grackë që i shërbente Petroliferës të bënte atë biznes që ligji ia ndalonte.

Një konflikt interesi i dyfishtë, ku protagonist ishin vetëm dy aktorë: Petrolifera dhe çifti Bojaxhi.

Gjergji bëhet skeptik
Viti 2012 nuk ishte thjesht viti kur Gjergj Bojaxhi nëpërmjet bashkëshortes nisi një biznes bashkë me koncensionarin që dikur e kishte mbështetur si zv/ministër, por ishte njëkohësisht dhe koha kur ai po jepte shenja të forta pakënaqësie me qeverinë Berisha.

Kulmi arriti një vit më vonë, në vitin 2013, kur vetëm dy javë para zgjedhjeve, në një intervistë të dhënë për median, ai goditi pa mëshirë kryeministrin Berisha, duke u bërë i vetmi zyrtar i rangut të lartë në PD që i përmendte publikisht Berishës problemet e fëmijëve.

Bojaxhi foli hapur mbi aktivitetin e dyshimtë të Shkëlzenit dhe Argitës, fliste për degradimin e qeverisë Berisha, ndërsa vetë ishte i vetmi zyrtar i lartë që kishte të gdhendur në letrat e kompanisë “Everest” konfliktin më arbitrar të interesit që një zv/ministër shqiptar mund të ketë pasur ndonjëherë.

Zgjedhjet e vitit 2013 i fituan Rilindësit, Bojaxhi u fokusua në biznes dhe duhet thënë se biznesi pati një shpërthim të fortë ekspansioni dhe suksesi.
Vlera dhe volumi i aktivitetit të kompanisë “Everest”u 20-fishua dhe “Everest” u kthye një ndër 10 kompanitë më të fuqishme në vend.

Kjo rritje galopante u shoqërua dhe me disa veprime dhe spërdredhje në paketën e aksionarëve.
Transferimi i aksioneve

Një nga operacionet e transferimit të aksioneve në kompaninë “Everest”

Bojaxhi u bë administrator i kompanisë ku gruaja ishte aksionare bashkë me Petroliferën.
Më pas aksionere hyri dhe vjehrra e tij, ca më vonë vjehrra i bleu aksionet një ortaku të quajtur Altin Fani sepse ky u tërhoq dhe shkoi administrator i Vilma Nushit në koncensionin e Check-upit, e në fund, Gjergji ia bleu të gjitha aksionet vjehrrës së vet duke u futur aksioner me letra në këtë kompani.

Qeveritari që kishte negociuar me Petroliferën në vitin 2006, befas gjendej ortak me Petroliferën në vitin 2015, në një kompani që kishte kapur majat më të larta të fitimeve, majat e Everestit.

Gjergji vesh këmishë të bardhë

Që prej vitit 2014 Bojaxhi nisi të kishte një prezencë sistematike në media, kryesisht në median pro-qeverisë rilindëse.
Ai u mbështet sidomos nga Eduart Zaloshnja. Ky i fundit drejton një institut statistikash; dikur ka qenë ortak me ministren rilindëse Milva Ekonomi, por ka dhe valencën e ‘analistit të pavarur statistikor’ ndonëse rezultatet e statistikave të tij e kanë pasur shpesh marzhin e gabimit më të lartë se diferencat e subjekteve.
Zaloshnja per Bojaxhiun

Një prej shkrimeve të Zaloshnjës

Zaloshnja u bë papritur promotori politiko-mediatik i Gjergj Bojaxhiut; të njëjtën gjë kishte bërë dikur dhe me Kreshnik Spahiun deri kur ky i fundit shpalli divorc me Edi Ramën.

Bojaxhi nisi të mbante një këmishë të bardhë me të cilën dilte shpesh në media, Zaloshnja nga ana tjetër nuk linte panel televiziv pa përmendur se Bojaxhi ishte e vetmja shpresë për një të djathtë me integritet.
Ky kombinacion u intensifikua sidomos në vitin 2015 gjatë zgjedhjeve lokale kur Bojaxhi u propozua nga nisma NE-Tirana për kryetar të Bashkisë së Tiranës.

Kjo ishte një nismë që kishte në gjirin e vet shumë profesionistë të papërlyer me aferat e politikës dhe u prit me pozitivitet, sidomos në pjesën elitare të kryeqytetit. Bojaxhi në përfundim të zgjedhjeve arriti të kapë afro 15 mijë vota në Tiranë.
Por në Dhjetor 2015 ai nuk ra dakord me mbështetësit e tij në Ne-Tirana për mënyrën se si do konfigurohej kjo nismë në të ardhmen. Gjergji propozonte një parti ku ai të ishte kryetar me kompetenca të forta.

Oponentët e tij brenda nismës donin një kryetar ndryshe, ku prevalonte kuorumi dhe jo forca e individit.
Por ende pa u ndarë mirë se ç’do bëhej me NE-Tirana, Bojaxhi, me një lëvizje surprizë dhe pa vënë në dijeni mbështetësit e dikurshëm të NE-Tirana, shpalli në Janar 2016 nismën e tij personale për një parti të re politike. E shpalli në Facebook.
Ndërsa kjo ishte një e papritur për shumicën e anëtarëve të nismës NE-Tirana, pakënaqësitë nxorën në pah dhe disa detaje interesante të kësaj nisme.

Debatet e brendshme

Nga debatet e grupit NE-Tirana për fondet e fushatës së Bojaxhiut

Në debatet e brendshme, disa anëtarë të NE-Tirana e akuzuan Bojaxhiun se, jo vetëm nuk ishte treguar korrekt me mbështetësit e tij, por se dhe në fushatën e vitit 2015 ai kishte fshehur fondet që kishte mbledhur si kandidat për kryetar bashkie dhe asnjëherë nuk i kishte zbardhur fondet e mbledhura, edhe pse NE-Tirana ia kishte kërkuar diçka të tillë për muaj me radhë.
Me një parti që e shpalli fshehurazi njerëzve që e mbështetën dhe duke i’u fshehur transparencës së fondeve të fushatës, me një biznes që ia shtonte milionat dita-ditës, papritur Gjergj Bojaxhi doli faqe botës dhe tha se do ndërtonte një parti politike që do mendonte për popullin e varfër shqiptar dhe do luftonte këtë sistem të padrejtë politik-ekonomik, që në fakt Gjergji ia kishte parë hajrin si në karrierë edhe në pasurim.

Oligarkut i qepin letrat

Nxitimi i Gjergj Bojaxhiut për të bërë partinë e re në Janar-2016 përkonte dhe me nxitimin e Edi Ramës për të qëruar hesapet me aleatin e vet, LSI-në.

Që prej Shtatorit 2015, Edi Rama dhe LSI u përfshinë në një luftë të ftohtë dhe të mbushur me dyshime dhe goditje nën brez ku spikaste dosja CEZ-DIA dhe regjia mediatike pro-Ramës e cila nisi sulmet ndaj aleatit të Ramës.
Një pjesë tjetër e mediave të Ramës, ndonëse ishte më e tërhequr nga goditja me dosjen CEZ-DIA, ishte e pakursyer në promovimin e Gjergj Bojaxhiut.

Sa më tepër rritej pakënaqësia ndaj qeverisjes së Ramës dhe sa më shumë shtohej rreziku i kanalizimit të votave të të pakënaqurve drejt LSI-së, aq më shumë promovohej dhe Gjergj Bojaxhiu në mediat e ndikuara nga Edi Rama.

Biznesi i Bojaxhiut forcohej, prezenca e tij mediatike trumbetohej, partia e tij po bëhej gati të konfigurohej, deri kur… dje një kronikë e beftë e Top Channel, informoi mbi një hetim për pastrim parash dhe fshehje pasurie. Top Channel tha se ky ishte një hetim i policisë, por të dhënat orientojnë se ky është një hetim që as nuk është iniciuar dhe as është orientuar nga policia e Saimir Tahirit, por ka qenë një hetim i ILDKPI-së dhe Prokurorisë, dy struktura që nuk varen ekskluzivisht nga Edi Rama.
Bojaxhi dyshohet se ka përfituar disa dhjetëra milionë dollarë nga llogari të paqarta në parajsa fiskale dhe ka kryer operacione fiktive për të marrë nëpërmjet vjehrrës së vet aksionet e kompanisë “EVEREST”.

Portalet proqeveritare kanë refuzuar ta publikojnë lajmin e Top-Channel për hetimin e Bojaxhiut.
Detajet e hetimit pritet të saktësohen në vijim. Bojaxhi i ka quajtur këto akuza si të montuara politikisht, madje ai përmendi dhe faktin se ishte shtetas amerikan duke shtuar se po të kishte bërë allishverishe do e kishin hetuar vetë amerikanët të parët.
Ftesa per dhurim ne faqen e Bojaxhiut

Gjergj Bojaxhi, faqja e Facebook-ut

Përtej deklaratës së z.Bojaxhiu, është e qartë se në SHBA nuk ka shumë gjasa të ndodhë që një ish-zv/ministër Energjitike të futet aksioner në një kompani me të cilën dikur ka negociuar dhe e ka certifikuar, e për më tepër në një kompani që shërbente për të fshehur gjurmët e shkeljes së kontratës së negociuar.

Duket si ato paradokset që i gjen shpesh dhe në faqen e Facebook-ut të z.Bojaxhi. Për shembull, ai po fiton miliarda me kompaninë e dyshimtë “Everest” dhe është shndërruar në një oligark të vërtetë, por njëherësh fton publikun që t’i japë donacione për partinë e tij të re që sipas z. Bojaxhiu, do ndihmojë shqiptarët të dalin nga varfëria dhe do luftojë sistemin që Bojaxhiun e bëri miliarder.

Rast i rrallë duhet thënë, një miliarder që kërkon lëmoshë. (!) / HashtagAL

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here