SI PO E PRISHIM GJUHËN SHQIPE, V

1
343

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Në gjuhën shqipe bëhen gabime të shumta e të shumëllojta jo vetëm në drejtshkrim e drejtshqiptim, por edhe në përdorimin e formave gramatikore, siç janë gjinitë e emrave e të mbiemrave, vetat e foljeve apo trajtat e shkurtra të vetorëve etj. Më poshtë shqyrtohen disa prej tyre.

Shmangie në lidhje me gjininë vërehet edhe në përdorimin e përemrit pronor “ynë”, që shoqëron emrat e gjinisë mashkullore.
Ai pothuajse është hequr nga përdorimi, ngaqë shumica e njerëzve thonë “populli jonë”, “vendi jonë”, në vend të “populli ynë”, “vendi ynë” etj. Siç shihet, gjinia femërore në gjuhën shqipe ka fituar mjaft terren dhe “femërorizimi” është” bërë një dukuri shumë e përhapur, ndërkaq që nuk vërehet ndonjë rast “mashkullorizimi”. Çdo të bëjë gjuhësia?

Si do të përballet ajo me këtë prirje të përgjithshme për “femërorizim” të përcaktorëve të gjinisë mashkullore? Do të vazhdojë të ruajë rregullat e vendosura dhe do të këmbëngulë për zbatimin e tyre, do t’i heqë fare përjashtimet, për ta thjeshtuar gjuhën, apo do t’i shtojë ato, për t’iu përshtatur realitetit gjuhësor?

Veë këtyre që u thanë, përdoren mjaft shpesh pa nevojë fjalë dhe shprehje të huaja, si në të folur, po ashtu edhe nëtë shkruar.
Puna për pastrimin e gjuhës sonë të njësuar letrare nga fjalët dhe ndërtimet e huaja të panevojshme, që mbështetet në një traditë të pasur duke nisur që nga Rilindja, ka ardhur duke u forcuar gjithnjë e më tepër pas Çlirimit të vendit. Në shtypin tonë, jo vetëm në organet gjuhësore e periodike, por edhe në shtypin e përditshëm, janë botuar dhe vazhdojnë të botohen artikuj e materiale të ndryshme për këto çështje.

Këto kanë qenë dhe janë një ndihmë e madhe për punën me gjuhën. Në fazën e sotme të zhvillimit të gjuhës letrare, kur kjo gjuhë është bërë pronë e masave të gjera punonjëse dhe kur edhe terminologjia teknike e shkencore ka marrë një përdorim mjaft të gjerë, del nevoja që puna për pastrimin e gjuhës letrare kombëtare nga huazimet e panevojshme të marrë nja karakter më të organizuar dhe përmasa më të gjera.

abandonoj kal. Nuk ka ndonjë arsye të përdoren në gjuhën tonë fjalë të tilla si abandonoj, abandonohem, i abandonuar që kanë hyrë si huazime nga vitet 30, kur shqipja ka fjalë të bukura, të kuptueshme për të gjithë që kanë të njëjtin kuptim si: lë, lë pas dore, braktis, i braktisur, p.sh.: Nuk e kanë lënë shpresat. S’e lë pas dore punën. Braktisën anijen. Shtëpi e braktisur.

abnegacion, ~i m. Kjo fjalë e huaj zëvendësohet plotësisht me fjalën shqipe vetëmohim, e cila për nga kuptimi nuk ka ndonjë ndryshim me huazimin, p.sh: Vetëmohim i lartë. Punë plot vetëmohim. Luftoi me vetëmohim.

abonim, ~i m., abonoj kal., abonohem vetv., abonuar (i, e) mb. Këto zëvendësohen plotësisht me fjalët shqipe pajtim, pajtoj, pajtohem, pajtimtar, që kanë nisur të përdoren me këtë kuptim që në fillim të këtij shekulli. Ato kanë marrë një përhapje të madhe në gjuhën e sotme, megjithatë ende dëgjohen edhe fjalët e huaja, të cilat janë krejt të panevojshme. Mund të themi fare mirë: Kam pajtuar vajzën në revistën “Pionieri”. U pajtova për një vit në gazetën “Bashkimi”. Pajtimet në shtyp bëhen dy herë në vit. “Zëri i rinisë” ka shumë pajtimtarë etj.

1 KOMENT

  1. I nderuari Zymer Mehani,

    Plotesisht pajtohem me çdo shkrim tendin dhe shembujt qe i ke dhënë.
    Un vetem po e shtoj nje shembull lidhur me zevendesimin e fjaleve te huaja ne gjuhen SHQIPE si vijon:

    Fjala ….emri, mbiemri: Zymer Mehani, shumë lehtë mund te zevendesohet me per shembull fjalen…
    Dardan Iliria, Per shembull…

    Un per shembull e kam pase emrin Mahmut Gllavurda… dhe e kam zevendesuar me emrin Dardan Gashi

    Ishte kenaqesi.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here