Shugurimi i martirëve të Kishës Katolike në Shkodër – akti ma i shejtë në historinë klerit katolik në Shkodër

1
638

TONIN TOMA

Aleksandër Sirdani ndrysh i thirrur në emër edhe Lekë lindi më 1892 në Bogë të Kelmendit. Ishte frat Jezuit, folklorist, etnograf e publicist.

I lindur në një familje malësore të njohur t’asaj krahine, i vdiq e ëma kur ishte pesë vjeç. I ati, Dakë Sirdani, mbetur i vejë e duke mos dashtë të martohej përsëri iu përshkushtua edukimit të të bijve, Marinit dhe Lekës. Shpërngulen për në Gucí ku kishin miq e të afërm. Varfëria e madhe e bëri Dakën me lypë ndihmë nga hoxha i Gucisë. Me të marrun vesh se djemët i përkisnin një familje katolike, zbret me to në Shkodër duke trokitë ndër institucionet katolike.[1] Ku Leka 7 vjeçar pranohet në kolegjin Saverian. Më tej iu mundësua të vijonte studimet në Austrí, në Innsbruck. Me të ardhur në Shqipëri, çon meshën e parë më 24 prill 1916.[2] Shërbeu si famullitar në Malcí të Madhe, Reç, Shkrel, Bogë.

U përkushtua për mbledhjen e pasurisë shpirtërore kombëtare: legjendat, mitet, përrallat, fjalët e urta, traditat deri tek bestytnitë e lashta që ndesheshin nepër malësi. Bashkë me miqtë e tij, Át Donat Kurtin e Dom Nikollë Gazullin, porsi bleta nektarin mblodhën një pasuri shpirtërore që do ishte korpusi i vërtetë etnografik i popullit shqiptar. Më 1945 Dom Lekë Sirdani ishte famullitar në Bogë, kur dhe nisi hatashëm persekutimi dhe perndjekja. Me datë 26 korrik 1948 Dom Leka, si e thërriste populli, i mbushun me mllef për çka po ndodhte, por edhe me një besim gati biblik, në meshën e së djelës, atje në Bogën e tij, u tha besimtarëve: “Vëllazën e motra, nji re e zezë na ka mbulue, por mos u trembni, sepse edhe ajo do të kalojë e një re e bardhë do të vijë përsëri e na do të dalim përsëri në dritë si gurët e lumit mbas shiut kur dielli i shkelqen”, duke huazuar vargun e famshëm nga Eposi ynë i artë i Kreshnikëve. Më 27 korrik 1948, duke gjetë si pretekst fjalët e predkut të një dite më parë, e arrestuan, e tërhoqen rrëshanë mbas kalit prej Boge në Koplik, sa arriti në burgun famëkeq të Koplikut pa këpucë e veladon saqë nuk dallohej çfarë ishte, ku filluan mbi të, ashtu si edhe mbi meshtarë të tjerë, torturat më çnjerëzore. [3]

Ndër veprat e përmbledhura që ai botoi qenë «Shqyptari i vogël» (Kangë për Strehe Foshnjore Fillore. Perktheu prej gjermanishtes nga D. Aleksander Sirdani, Shkoder, 1930.), «Kallxime popullore» (Shkoder, 1933), «Fjalë ari» (Shkoder 1928.), «Legjenda e gjethes së purrinit», «Frati i ri». Nder të tjera shkroi në poezi Dekalogun (Dhjetë Urdhnimet) për m’i ba ma të lehtë në mësi, po ashtu dhe «Martiri i Eukaristís» (Sh. Tarçizi). Vepra tjera: «Nora e bukur», Shkoder, 1942; «Mbretnesha e vogël», Shkoder 1934; «Para frontit të hireve», Kangë të divoçme, përktheu Aleksandër Sirdani, Shkodër 1934; «Folklore». Përmbledhje vrojtimesh përmbi zakonet edhe gjuhën popullore të botueme në revistën «Leka» ndër 11 vjetët e para. III. Kangë vajtime. Mbledhë prej Aleksandër Sirdanit, Tiranë, 1940.

Marin Sirdani (1885-1962) ishte frat françeskan, dhe historian i specializuar në Mesjetë.
Lindi në Bogë në një familje fisnike, e njohur edhe në treva të tjera të Veriut. I ati, Daka, e humbi herët të shoqen e mbet i vej, e dy djemtë ngelën jetimë: Marini shtatë vjeç, Aleksandri dy vjet më i vogël. I ati, që nuk desht të martohej më, iu kushtua rritjes së fëmijëve. Boga e ashpër dhe e vorfën, konfliktet ballkanike që kishin shpërthyer në të katër anët, e bënë edhe më të vështirë jetën e familjes Sirdani. Boga, e gjendur nën pushtimin osman e nën trysninë e Malit të Zi, i cili i përkrahun nga Serbia e Rusia, kërkonte territore të reja në dëm të fqijëve, i kishte kthyer malësorët në atë gjendje, sa me të vështirë mbijetonin.

I gjendur në këto rrethana, Dakë Sirdanit iu desh ta linte fshatin e tij dhe u strehua në Gucì, ku kishte miq e të afërm e ku, gjithsesi, jeta ishte pak ma e mirë. Vorfnia e madhe i ngushtoi që t’i lypshin ndihmë hoxhës së Gucisë. Me të marrur vesh se fëmijët ishin nga familje katolike, që t’i ndërronte fenë, i uli në Shkodër dhe trokiti ndër institucionet katolike. Në moshën 9-vjeçare Marinin e futi në Kolegjen Françeskane. Ai e mbajti mend gjithnjë fytyrën e atij hoxhës mjekër dendur, që e kishte çuar tek dera e fretënve, e nderonte kujtimin e tij dhe vazhdimisht thoshte se Hoxha i Gucisë kishte qenë “nji shêjt musliman shqiptar”.[1] Marini, si kreu edhe shkollën e mesme në Kolegjin Françeskan (apo Liceun e Fishtës, si i thonin shkodranët), zgjodhi Urdhnin e Shën Françeskut. Kolegji françeskan ishte një çerdhe shqiptarizmit dhe, kur u rrit Marini, kërkonte të kishte ideal jete Marin Barletin[1]. Mbasi vijoi studimet e larta në Gratz të Austrisë, në vitin 1916 kthehet në Atdhe dhe shugurohet meshtar.

Vitet e para të meshtarisë Atë Marini shërbeu në Kthellë, Pishkash, Bazë-afër Burrelit e Matit, kohë e zona të cilat ai do t’i shfrytëzonte për botimin pak vite më vonë të veprës “Skenderbeu simbas gojëdhanave”. Vepër e cila plotësonte boshlleqet e detajet për të cilat e kishte porositur Atë Shtjefën Gjeçovi, mbi gjithë traditën popullore, toponomastiken dhe legjendat mbi Heroin Kombëtar. E transferuan nga Pishkashi si mësues në Troshan. Mbas Luftës së Parë Botërore filloi aktivitetin si shkrimtar e historian. Në vitin 1922 e thërrasin në Shkodër, pranë Kolegjit Françeskan, ku bashkë me Atë Gjergj Fishtën, Atë Pal Dodajn e Imzot Vinçens Prenushin, e shumë intelektualë të shquar të Shkodrës, çelin të parin lice me cikël të plotë i stilit klasik, të cilin e emëruan “Illyricum”. Atë Marini do jepte aty Histori dhe Doktrinë të Krishtenë; në të njëjtën kohë u bë strumbullari i një rrethi intelektualësh të rinj shkodranë të fushave të ndryshme. Profesori i ditur u emërua më vonë Drejtor i Gjimnazit.

Ndërkohë shkruan veprat “Skenderbegu mbas gojëdhanash”[2] (kryevepra e tij, ku përmblodhi mbetjet e fundit të kujtimeve popullore arbnore për heroin e Kombit[1]), “Për historinë kombëtare”, monografia “Shqipnia e Shqiptarëve” më 1941, “Vepra kombëtare e Françeskanëve”, si dhe legjenda që sot janë në thesarin e kësaj lame në revistat “Hylli i Dritës” e “Leka” si shkrimet me vlerë: Për çka fajësohet Skënderbegu, Kontributi i katolikëve në Shqipní, Nora e Kelmendit, Vorri i Skenderbegut, etj; ashtu edhe në shumë gazeta të kohës, pse ai kishte aftësinë e rrallë të komunikonte me të gjitha shtresat, ashtu edhe me intelektualë të preardhjeve të ndryshme krahinore e fetare. Në kohën kur u ba edhe Dekan i Kuvendit të Françeskanëve të Lagjes Arra e Madhe në Shkodër, dëshmoi interesim të jashtëzakonshem e aftësi po të tilla në komunikimin me të rijtë tue tregue interesim e tue ba deri sakrifica, që ma se një herë i hapen edhe telashe, për arsimimin dhe edukimin e të rijëve. Tipizuese e rolit dhe e vlerave të tij si edukator do të mbesin fjalët e At Fishtës: “Rinia e Shkodrës nuk e di ende ç’personalitet i shquem gjendet në mes tyne”.

Atë Marin Sirdani ka qenë një ndër historianët tanë ma të dijtun, një historian që shquhej për paanësinë e analizës shkencore historike, një metodist që për fat të keq buk u muer shembull nga ata që ma vonë do ta zhbanin historinë. Kishte një bibliotekë shumë të pasun për historinë e Shqipërisë n’epokën mesjetare e n’ate të re me autorë si Ana Komnena, Kontakuzeni, Sonsovino, Du Cange, Barleti e Biemi, etj. Nga ato modernë Fallmerayer, Thallóczy, Gelcich, Jorga e Statdmuller e autor të historisë kishtare françeskane, Cezar Baroni, Gonzages, Fabianch, Mibocevich, etj. Dëshmitë e atyre që e kanë njohur e pikturojnë me admirim figuren e Át Sirdanit, historian herudit, njeri me kulturë të madhe, edukator i madh i rinisë, meshtar dhe superior shembullorë, filtër në kontrastin mes Kishës Katolike dhe Shtetit Shqiptar[2].

Përgatitja e tij e gjithanshme, vendosmëria dhe kthjelltësia se, sidoqoftë, duhej shpëtuar Kisha Katolike Shqiptare, i vuri më se një herë në vështirësi ata të Komisionit Qeveritar të kryesuem prej Tuk Jakovës. Tukun e kishte pasur nxënës në filloren e shkollës shtetërore, me të cilin kishte dhe raporte relativisht të mira. E mandej Komisionin me në krye vetë Mehmet Shehun, aqsa, për të heqë qafe një bashkëbisedues të vështirë, e futën në burg për të dytën herë, me akuzën (e paprovuar as me falsifikime në gjyq), se kishte bërë përpjekje me u lidhë me Vatikanin. U lirua nga burgu aty nga fundi i 1959 apo fillimi i 1960[3], dhe vazhdoi duke vepruar deri në fund në kuvendin e Arrës së Madhe. Vdiq nga tuberkulozi më 14 shkurt 1962, 77 vjeç, i rrethuar nga fretnit e Kuvendit[2].

Në revistën “Hylli i Dritës” Atë Marin Sirdani, bashkëpunëtor i ngushtë i kësaj reviste, flet për historinë e françeskanve në Shqipëri mbështetetur, pos në tjera dokumente edhe në një Regjistër – siç e quan ai të Provincës Françeskane Shqiptare të vitit 1720.

“…ky Regjistër kishte nji randësi si për historinë e fretenve në Shqipni, si edhe për historinë e vendit tonë”, – Át Zef Pllumi

Regjistri në fjalë, para se të hynte komunizmi në Shqipëri gjendej në arkivin françeskan në Shkodër, ku mbas vitit 1945, së bashku me materialet e tjera u grabit nga qeveria komuniste e u dërgua në Tiranë, ku më vonë u vu në Arkivin e Qendror Shqiptar

1 KOMENT

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here