SHQIPJA DYKRENARE – poezi nga Zymer Mehani

0
1067

Zymer Mehani

SHQIPJA DYKRENARE

Qiellit të kaltër
Fluturon pa pushim
Kaltërsi për të gjetur shqim
Shqipja dykrenare
E Flamurit tim

Krahët si shigjeta
të prehtë
Dy sytë vigjilentë
E agimin çeli
Me të prehtin sqepth

Anembanë vërtitet
Mbi Alpet Shqiptare…
N’Adriatik e Jon
Dhe u ul për t’mbetur
Në fushën e kuqe
Të flamurit tonë

Shqiptarëve ndër shekuj
N’beteja u priu
Për t’shtrenjtën liri
Shqipja dykrenare
N’Flamur kuqezi


MBI QERPIKUN TËND

Mbi qerpikun Tënd
Porsi krah Shqiponje
Dua t’pushoj, ARBA
Mori vashë Kosove

Mbi tëndin qerpik
Dua t’më zërë gjumi
N’ëndërr të më shfaqesh
Me flatra pëllumbi

Zjarr’ i dashurisë
Dhe shikimi Yt
Zemrën ma ka grisë
Më ngjall a më mbyt

ARBA, vashë shqiptare
Me dy sytë e zi
Ti je jeta ime
Të kam dashuri


DIJE KOMANDANT

T’përshëndes nga zemra
Ty o Komandant
Eja shifi dreqërit
Eja shifi djajtë
N’sofrën e lirisë
Tash kanë zanun vend
Herë shtyhen me b’rryla
Rend edhe pa rend
E di se hidhërohen
Por do t’i përmend.
Eja Komandant
Shih n’tonat konaqe
T’përulemi te varri
Me lot nëpër faqe
E di komandant
Se t’kemi hy n’hak
Sot me ZAJEDNICË-n
E dje me BAJRAK…
E di Komandant:
Shqipja t’priu n’luftë, burrë
Nder’ i Shqiptarisë-
Kuq e zi Flamurë
E sot Komandant
K’ta bënë vepra t‘marra
Siç është ZAJEDNICA,
Flamuri me Lara
T’ lutem Komandant
Më dëgjo e mbaj vesh
Disa renegatë
I kanë shti veshtë n’lesh
Tani kanë ndryshue
Kur erdhen n’kry’ t’ vendit
Kanë bërë pasuri
Sa Bjeshk’t e Kelmendit
Mos u shtang si gur
Komandant, shiko
Këta po na vjedhin
E po bëjnë çkado
M’vjen keq Komandant
K’to fjalë me t’i thënë
Se dhe nga uria
Që s’kanë çka me ngrënë
Po na vdesin njerëzit
N’këtë anë e n’at’ anë
T’përshëndes o Komandant
Sot po jetojmë n’paqe
T’përulen tek varri
Nuk kanë sy as faqe
Varfëruan Kosovën
Varfëruan konaqe
Këta bastardë t’ndytë
Ti s’je duke ditë
E hangrën Kosovën
Po, pasha dy sytë
Kjo klasë politike
Hiq pa fije frike
Humnera thelluan
Tradhëtinë kultivuan
Rrug’t na i shtru’n me ferra
Zemrat na i bënë t’mjera.
Këtyre matrapazëve
S’ka që u bjen n’fije
Dije Komandant,
Po t’rrejnë: “BAC U KRYE!”


NUK E DI

Një kohë që erdhi besuam
Diku në një ditë qershori ‘99
Se fituam lirinë me shekuj të humbur
E fituam nga tytat e pushkëve
të ushtarëve çlirimtarë

Nuk e di sot këtë atdhe
a po e nderojmë me të ndershmen punë
e vepra të pastra

Një kohë është tani, që nuk e di në është…
Punë dhe vetëm punë o shok o mik e vëlla
Se vetëm puna di të ngreh kala

Punë unë e punë ti
Ta lartësojmë këtë atdhe
Këtë vatër të shtrenjtë-
Djep të gjuhës sonë
A është mirë kështu si jemi
Nuk e di…


SHQIPTARI I VËRTETË

(Dëshmorit, Ferid Curri)

Ty, o vëlla shqiptar-
Dhe Shqipet majë shkrepash
Ta njohën qëndresën
Ty, o djalë thesar-
Dhe miq e armiq
Ta respektuan besën

Ti, o trim i rrallë-
Për këtë truall shqiptar
Luftën s’e ke ndalë
Kishe forcë graniti
Grushtin prej çeliku
Fuqi Titaniku

Ti, Ferid, o trim-
O dëshmori Ynë
Përherë luftëtar
Me Flamur kombëtar
Ushtar i atdheut
Për t’ shtrenjtën liri
Zemra Jote e artë
Dashuri e zjarrtë

Ti, Ferid, o vëlla –
I fortë sa më s’ka-
Për liri-Shkëmb mali
Për Shqipen-xixë stralli

Ty o Ferid Curri-
Kurrë nuk t’u ndal turri
Kala gur mbi gur
Me puthje në Flamur
U betove – burrë

Babai dhe nëneja
T’bekuan qe besa
Rrufe në beteja
Flakadan lirie
Shpresë për ditë të reja

Ti, Ferid petriti-
Mik e shkuar miku
I urtë për urti
Prore luftëtar
Për t’atdheut liri

Ty, Ferid, o vëlla-
Të kujtojmë pa pra’
Me Ty jem’ krenarë-
I vërtetë shqiptar


NË KOSOVËN TIME

Jam lindur
Në Kosovën time

U rrita
Në Kosovën time

Po punoj
Në Kosovën time

Dua të jetoj
Në Kosovën time

Dëshiroj të vdes
Në Kosovën time


MOTRA IME, VLORA…

Motra ime, Vlora
Ka zemrën pranverë,
Është e shpejtë si era,
Që fushat i merr.

E dashur, e urtë
E zellshme në mësime
Oh, sa shumë e dua
Vlorën, motrën time!

E pastër, e dëlirë,
E bukur si lulet,
E ngrohtë porsi dielli,
Që mbi male ulet.

Buzëqeshjet e saj
Jetën ëmbëlsojnë
Dhe këngët më të bukura
Në zemër të saj jetojnë.

Kujtime të shumta
Më lidhin me të,
Vlorën, motrën time
E dua sa s’ka më!


FLAMUR KUQEZI

Kosovë-Kala e gurit
Qell me kaltërsi
Ku fluturojnë Shqipet-
Flamur kuqezi
Kosovë- o Lulëkuqe
Sulltanë edhe krajla
Ta njohën SHQIPONJËN
Jo arrnin me lara
Burrat tu Kosovë
Syl Vokshi, Ymeri
Baca Isë në Vlorë
E Idriz Seferi
Një Flamur e puthën
N’t’cilin rri Skifteri
Plaku Bajram Curri
Shota e Azemi
Dhe Shaban Polluzha
U betua si burrë
N’Kuqezi Flamurë
Edhe Bacë Demaçi
Adem Legjendari
Shabani e Hamza
Fehmiu e Xheva
Zahiri me trima
U betuan n’ Flamur
Kur rri Gjeraqina
Tjetër Flamur s’duam
Se jemi shqiptarë
Shqipëri është Kosova-
NJË FLAMUR KOMBËTAR


MASKARENJTË

Matrapazë
Politikanë
Trushpëlarë
Ata janë

Psikopatë
Sysopatë
S’kanë mëshirë
Janë rrëshirë

Delegat
Deputet
Gjithçka t’merr
Dhe asgjë s’t’jep
Djaj e dreqër
Dhe lanetë
Dalshin fare
N’këtë planet

Ruaju popull
Mos zërë besë
Se k’ta dema
Janë t’pabesë
T’vjedhin
n’mbrëmje
“T’dojnë”
N’mëngjes
Se k’ta janë
Krejt faqezes

Ruaju popull
Zemër ar
Se ti ke
Syrin kandar
I stër-regjur
N’hu,
N’litar

Njeh
çdo mashkull
Të shtëpisë
Se a ka diç
prej burrnisë
Se a është
Ai për Pazar
A për t’ruajtë
Derra, gomarë


PESHA E LIRISË

1.
Pyjet mund të kapërcehen
Me dorë yjet të rrëmbehen
Skifterët të zbuten
Lulet të këputen
Ylberët të kaptohen
Detet të zemërohen
Të gumëzhijnë qytetet
T’na dridhin tërmetet
Erërat të rebelohen
Pranverat të vonohen
Të zbehet kaltërsia
Por s’ falet veç LIRIA
Ajo është më e vlefshme
Se çdo gjë tjetër në botë,
Çmimi i saj është gjaku,
O pasha këtë tokë!

2.
Drurët mund të priten
metalet të shkrihen
E të shpohen gurët
Të shemben dhe muret
Të dremiten liqenët
Të zihen peshkaqenët
Luanët të zbuten
Oqeanet të lëkunden
Të zemërohet stuhia
Por s’ falet veç LIRIA
Ajo është më e çmueshme
Se çdo gjë tjetër në botë
Çmimi i saj është gjaku,
O pasha këtë kokë!

3.
Mund të shkulet dhëmbi
E të çahet shkëmbi
Bjeshka të rrafshohet
Dhe kreshta të pushtohet
Të thyhet çeliku
Të shterrojë Pacifiku
Të shembet Gjithësia
Të lëndojë dashuria
Por nuk mund të fitohet
Pa gjak Veç LIRIA
Ajo është më e shtrenjtë
Se çdo gjë tjetër në botë
Se rrënjët n’gjak i ka
O pasha këtë tokë!

4.
Mund të të vrasë këpuca
E të të bëjë pis lluca
Ora të të ndalet
E gjaku të falet
Të të hidhrojë vëllai
Të të vdesë babai
Nëna të të mungojë
Hëna të të verbojë
Të të digjet shtëpia
Por s’ duhet të zhduket
Plotësisht veç LIRIA
Ajo është më e nevojshme
Se çdo gjë tjetër në botë
Dhe është më e shtrenjta
O pasha këtë kokë!

5.
Mund të fiket ylli
E të të çkyhet fylli
Qyteti të sheshohet
Deti të tërbohet
Të shterrojë Adriatiku
Të shkrihet Antarktiku
Të ngrihet Afrika
Të digjet Amerika
Të matet Gjithësia
Por nuk mund të peshohet
Plotësisht veç LIRIA
Ajo është e papeshueshme
Se çdo gjë tjetër në botë
O pasha këtë tokë!

6.
Mund të mbërdhijë zjarri
E të gënjejë ari
Sytë t‘i çorrojë hiri
Të erret xhevahiri
Të heshtë bubureza
të freskojë dhe rrezja
Të llamburisë margatari
Që e nxjerrë detari
Me ngulm nga thellësia
Por nuk mund të shkëlqejë
asgjë si LIRIA
Ajo është më e ndritshmja në botë,
Çmimi i saj është gjaku
Pasha tokë e kokë!


M’THONË KOMANDANT GUR-KEM VEÇ NJË FLAMUR

Jam dali i Kosovës
Unë Komandant GURI,
Prore do t’valojë
Kuqezi FLAMURI!
Moj Kosovë kreshnike
Përherë ke lind burra
Të besës e t’fjalës
-S’njohim dy flamura

-Jem lidhë besa besë
Në emër të Zotit…
Se kemi veç Shqipen
E Gjergj Kastriotit

-Jo nuk duam kurthe
Dhe as imponime
S’e përbuzim kurrë
T’shtrenjtën Shqipen trime

Pa ndalë nëpër shekuj
Prore larë me gjak
Ti Flamur valove
N’çdo kullë e n’çdo prag

Flamur kuq e zi
t’kemi larë me gjak
Valo i lirë valo
N’çdo derë e n’çdo prak

Rrofsh Kosovë kreshnike
Moj e bukura zonjë
Ngreje lart në qiell
Flamurin me Shqiponjë

Jo nuk duam kurthe
Dhe as imponime
-S’kemi dy flamura
Por veç Shqipen trime

Jam djali i Kosovës
M’thonë Komandant GURI
I lirë k’tu valon
Kuqezi FLAMURI


POPULLI IM

Vallë si nuk u lodhe
Në shtigjet e shekujve
I ndjekur
I munduar
Dhe i përsekutuar
Vallë si qëndrove
Në mugëtirën e gjatë
Nëpër mote e stinë
Me suferinë dhe shtrëngatë
S’u bëre dot tjetër
Se e deshte jetën
Ti, populli im-
Guximtar prore
Ti, populli im-
Me fuqi vigane
Ndër vite dhe mote
U rrit qëndresa jote
U shndërrove n’legjendë
Që s’tretet n’harresë
Veç me shpatë e pushkë
N’histori bëre kthesë
Bijtë tu i mëkove
Me dashurinë për liri
Dhe shekujt i rrëmbeve
I ktheve n’fortesë
E në zemrat tona
Na shtove besë e shpresë

Ti, populli im
Ishe dhe je trim
Për dashuri ndaj Teje
Vargjet s’kanë mbarim


NËNË

Nga duart e Tua-
Më i ngrohti përqafim
Ninullat e tua-
Më i ëmbli Zë n’Rruzullim
Lot dashurie e dhembje-
Në sytë e tu – shkëlqim


HAMDI RAÇI IA THOTË KËNGËS

Një bilbil ndër gjithë bilbilat
Nëpër botë e në Atdhe
Kur këndon, çelin zymbylat
Seç na i çon peshë zemrat ne.

Tundet fusha e dridhet mali
Kur ia thotë ai Hamdi Raçi
Shpirt artisti e zemër ari
Djalë Kosove, bir shqiptari

Zëri yt shëron çdo zemër
Lumë si ne që t’kem vëlla
Zë i ëmbël, zë bilbili
Kënga jote rron pa nda’

Këngët tua na i dhurove
O bilbil, bilbil i Llapit
Zemrat tona na i pushtove
Prej Bajgore, n’Vlorë t’vlonjatit


I THASHË…

I thashë NJË YLBERI
Ma fal veç një ngjyrë
Më tha: S’TA FAL DOT

I thash dhe NJË YLLI
M’ fal atë vezullimë
Më tha: KËRKON KOT

I thashë dhe NJË PYLLI
Ma fal atë madhështi
M’shikoi me habi

I thashë NJË LUARESHE
Ma fal atë qerpik
Më tha: S’TË KAM MIK

I thashë NJË KETRUSHI
Ma fal atë sy-rrushi
Më tha:S’JE ASKUSHI

I thashë NJË DAFINE
Ma fal bukurinë
Më tha: ASNJË GRIMË

I thashë DALLËNDYSHES
Ma fal fluturimin
Më tha: PAÇ GËZIMIN

I thashë VALËS T’DETIT
Ma fal freskinë
Më tha: S’TË JAP, JO…

Të thashë Ty ARBORA
Ma fal dashurinë
Me zemër m’the: PO


NËSE DONI TA DINI

Nëse doni ta dini
Dashuri imja cila është
Pyetini lulëkuqet e Kosovës.
Pyetini kullat me gurë
E Shqipen në Flamur…

Dashuria ime cila është
Nëse doni ta dini
Pyetene këtë tokë me varre
këto fusha dhe male
E Shqipërinë e Madhe…

Nëse doni të dini
Për dashurinë time të shenjtë
Pyetene gjuhën, nderin,
E këtë atdhe të shtrenjtë


S’TË KAM VËLLA

S’të kam vëlla
Ty turk e shkja
As ty, i gjori shqiptar
Që ndaj atdheut u bëre tradhtar
S’të kam vëlla
As ty, o i marrë
Ty “i kombit kosovar”
Heu, dalësh fare sa më parë
S’të kam vëlla
Ty që e theve besën
Që shan Nënë Terezën
Që për të varfërit pat ngjallur shpresën
Vëlla s’të kam Turk Erdogan As serb Milan…
Vëllezërit e mi quhen ALBAN…
S’të kam vëlla
As du me t’pa
Ty që kombin e tjetërson
E ke shtatë fytyra si kameleon
S’të kam vëlla
Ty që me pushtues bashkëpunon
Qenien shqiptare krejt e harron
Dhe Skënderbeun ti e mohon
Vëlla nuk të kam
Kurrë me ty s’jam
Ti që fyen Anton Çettën
Ti je i verbër s’e sheh t’vërtetën
S’të kam vëlla
As ta du fisin
Ty që urren Mark Krasniqin
Ty që mohove dhe të bardhë plisin
S’të kam vëlla
Ty që m’ hap varrë
Me atë flamurin larë përmbi larë
Unë si ti s’jam, por jam shqiptar
S’të kam vëlla
As t’kam pasë kurrë
Ty që nuk je, as ke qenë burrë
Ty që mohon Shqipen n’Flamurë
Atdhe imi është SHQIPËRIA…
As Vatikani e Arabia.


ÇFARË NA THUE ?!

(Për babain e “kombit kosovar”)

Çfarë na thue, Paçavure
S’ke grimë dije as kulture
Skënderbeun na e kritikon
Sy Shqiponjë- Kry’heroin tonë
I thua vetes analist
Por në shpirt na del fashist
Nuk ke lidhje me kulturë
Dhe shëmbëllen n’karikaturë
S’krenohesh që je shqiptar
Deklarohesh Kosovar…
Paraqitesh analist
Por je një opourtunist
S’mund të quhesh ndryshe n’jetë
Emri yt Millosh mund t’jetë
Është mëkat për t’Madhin Zot
Që je bërë për t’qarë me lot
Skënderbeu po t’ishte gjallë
T’i kish ndie gjithë këto fjalë
T’i kish shkulë dhëmbë e dhëmballë
Ta kish k’putë kryet me pallë
Ti bërllog e soj laneti
Pasha ty fare s’je n’ veti
Përgojon vlerat kombëtare
Se s’ke faqe, s’ke as marre
Kurrë s’ je soj i kombit tonë
Faqenxirë qofsh përgjithmonë.



MBUROJË PATE KRAHË VIGANËSH

(Ti, Atdhe!)

Sa furtuna të çmendura
Pamëshirshëm të rrahën
Sa dallgë të tërbura
Askurrë nuk të ndalën
Sa shekuj të rëndë robërie
I barte në shpinë
Për gjuhë, flamur e atdhe
Mbolle dashurinë
Sa gjokse e grushte burrash
T’mbrojtën me madhështi
Mic Sokoli, Adem Jashari-
E jona lavdi
Sa lulëkuqeve u ranë petalet
Nga erërat e stuhitë
Sa pëllumbave iu këputën krahët
Për liri dhe dritë
Sa ninulla kënduan nënat
Për bijtë tu flori
Sa petrita e shqipona
I fale për liri
Besën tënde kur e lidhe
E mbajte me çdo kusht
T’gjithë armiqtë seç i dërrmove
Me t’çeliktin grusht
N’histori udhëtimesh t’gjata
Ishe kështjellë qëndrese
Mburojë pate krahë viganësh
Para çdo pengese.


TI DIL, POEZI…

Edhe nëse loti
Më shkëlqen në sy-
Ti dil, poezi!

Edhe nëse agu
Zbardhëllon veç për Ty-
Ti dil, poezi!

Ti dil, poezi,
Se emrin e vet
Jeta harron pa ty!

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here