S`dum Babën

0
1653

Koha.net

Bekim Kupina, 30 Prill 2016

Autoritetet kosovare duhet ta kenë një dokument të shkruar strategjik, i cili qartazi e përcakton rrugëtimin e Kosovës së paku në 20 vjetët e ardhshëm. Ai do të konfirmonte orientimin dhe përcaktimin perëndimor të Kosovës dhe rikonfirmimin se Kosova nuk është shtet islam, pavarësisht se ka një dominim të myslimanëve, porse është shtet qytetar me aspirata evropiane. Mbi të gjitha, rregullimi i saj shtetëror nuk bazohet në përkatësi religjioze, porse mbi baza konstitucionale. E kjo premisë e qartëson pozicionimin e shtetit sekular, i cili duhet të vazhdojë të mbetet i tillë sot e gjithherë.

Një krismë e vockël e një gote çaji që i ra nga dora shegertit në një kafene skaj Teatrit, çau në copëza xhamin me të cilin ishte mbuluar çezma dyshekullore.

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) kishte sjellë xhamin me arsyetimin e qëndrueshmërisë së përhershme, por çuditërisht investimi turk pësoi pa e përjetuar përjetësinë nga gota e pijes tradicionale të këtij shtetit – çajit.
Si në kronikat e Perandorisë, në fillimvjeshtën e vjetme xhami ishte thyer teksa prapa perdeve në Teatër po jepej shfaqja me titullin “Babai”.

Kjo s`ka të bëjë asgjë me Baba Dovletin, porse ngjarja që rrodhi paralelisht me shfaqjen, rikujton pashmangshëm sintagmën “dum Babën”, që në kohën e Perandorisë ishte kumt ogurzi kundrejt qenies shqiptare.

Si duket fatit historik s`ka mundësi t`i ndahemi!
Një javë më parë, teksa krerë të lartë të shtetit po prisnin kampionen Majlinda Kelmendi, shërbyes të Aeroportit tashmë të koncesionuar nga turqit po u binin fort me lugë gotave të çajit të rusit, sikur për të ngadhënjyer ndaj pritjes që po zgjaste. Sall dy, nga ajo mori shtetarësh kishin refuzuar çajin.

Turk elhamdulilah!, siç shkruante dikur Esad Mekuli: “Po, s’jemi turq, nuk jemi! Jo kurr’! Ta dinë të tanë: Shqiptarë dhe t’parët i kemi. Feja prej kombit s’na ndan! Jo, s’jemi turq!

Janë po këta zyrtarë shteti, të cilëve çaji me sheqer ka nisur t`u vijë paksa i hidhur, sepse tashmë po duket në horizont se kjo vëllamëri me turqit po shkon përtej të lejueshmes. Kjo ambicie ekonomike e Turqisë po ambalazhohet me njëfarë supremacie, paternalizmi e deri te influenca kulturore, të cilën po e shtrijnë gradualisht nëpërmjet investimeve nëpër xhami, apo objekte kulti që lidhen me trashëgiminë islame.

Por nuk ka asnjë investim përmbajtjesor në ndërtimin e shkollave të reja, teksa haptazi insistohet të hapen shkolla në gjuhën turke, në të cilat vijuesit nga mësimi kalojnë në indoktrinim duke mbajtur gjallë maksimën “dum Babën”.

Në korrikun e vjetëm, TIKA ka vazhduar aktivitetin e saj joqeveritar, duke betonuar kalldrëmin shqiptar të mjeshtërve në një rrugë afër Muzeut të Kosovës. Krejt kjo me miratimin e autoriteteve kulturore të Kosovës.

Ish-ministri turk i Arsimit, Omer Dincer, gjatë një vizite në Kosovë më 2011, ka kërkuar rishikimin e librave të historisë. Një kërkesë të tillë, autoritetet turke nuk e kanë bërë veç ndaj Kosovës, por edhe ndaj disa vendeve fqinje me Kosovën. Pretencioze në relacion me zhvillimet aktuale, sepse kjo Turqi po tenton sërish ta zgjerojë territorin e saj, jo në mënyrë klasike, me pushtim nga brenda, por duke krijuar vasalitet nga klasat politike të vendeve që dikur i sundonte.

Pozicioni i palës kosovare karshi kërkesës për rishikim të librave të historisë është në stilin tërhiq e mos këput. Një komision i krijuar për këtë çështje ka bërë punë që kryesisht mbetet e panjohur për publikun.

E fundit me hapjen e konsullatës në zemër të Prizrenit, Turqia ngadalë, por sigurt, po rikthehet në këto anë, duke zbatuar me përpikëri thellësinë strategjike të ideologut Ahmet Dautogllu, aktualisht kryeministër i këtij vendi. Kjo njëfarë përmbushjeje e fjalimit të shefit të tij në Prizren, në tetor të 2013-s: “Jemi njerëz që kemi një histori, kulturë dhe civilizim të përbashkët, jemi pjesë të një strukture dhe jemi miq të njëri-tjetrit. Mos harroni, Turqia është Kosovë, Kosova është Turqi”.

Aktualisht i vetmi shtet që po ndërton objekt ambasade në Prishtinë është Amerika. Turqia ka siguruar një parcelë, në të cilën pritet ta ngrejë objektin. Të tjerat vazhdojnë diplomacinë e qirave. Kjo mund të jetë edhe një tregues se vendi ynë po kapërcen në përplasje të fuqishme për pozicionim ndërmjet dy civilizimeve – oksidentit e orientit.

Humbja e ritmit në këtë rrugëtim paraqet rrezik serioz për perspektivën e vendit, i cili ka veç një rrugë dhe atë njëdrejtimëshe – Evropën.

Jo t`i shpallim luftë Turqisë, porse autoritetet kosovare duhet ta kenë një dokument të shkruar strategjik, i cili qartazi e përcakton rrugëtimin e Kosovës së paku në 20 vjetët e ardhshëm. Ai do ta konfirmonte orientimin dhe përcaktimin perëndimor të Kosovës dhe rikonfirmimin se Kosova nuk është shtet islam, pavarësisht se ka një dominim të myslimanëve, porse është shtet qytetar me aspirata evropiane. Mbi të gjitha, rregullimi i saj shtetëror nuk bazohet në përkatësi religjioze, porse mbi baza konstitucionale. E kjo premisë e qartëson pozicionimin e shtetit sekular, i cili duhet të vazhdojë të mbetet i tillë sot e gjithherë.

Në turrin e Dautogllut për ridimensionim të kësaj pjese të Evropës, të cilën ai parapëlqen ta quajë “Ballkani otoman”, natyrisht se shteti ynë duhet ta ketë linjën e qartë. Në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që me çfarëdo investimi apo koncesionimi t`i përmbushet ambicia e Dautogllut për “transversalen jeshile”, projekt i vjetër ky për ndërtimin e një brezi të shteteve islamike, në kornizën e të cilit do të futeshin edhe ato nga Ballkani Perëndimor.

Fundja, shtetet normale, çfarë pretendohet të jetë edhe ky i yni, synojnë ndërtimin e relacioneve diplomatike korrekte, duke definuar qartë se cilat shtete janë mike, aleate, neutrale apo me prirje jomiqësore.

Në këtë sens, politika kosovare duhet me ngulm të ndërtojë marrëdhënie strategjike me shtete evropiane, duke e shndërruar në postulat të politikës së saj qëndrimin dhe synimin proevropian.

Sa më shumë që forcohet lidhja me Evropën, krijohet distancë e nevojshme me Turqinë, krejt kjo në funksion të stabilitetit afatgjatë të Kosovës. Pretendimet ekspansioniste të Erdoganit tashmë vërehen lehtësisht, madje jo vetëm ndaj kësaj pjese të globit, por gjithandej ku gjen mbështetje minimale për ta përuruar idenë për predominim të shtetit pasues të Perandorisë.

Më 2014, pashai i sotëm turk ka bërë një deklaratë sensacionale, sipas së cilës Kuba ka qenë e populluar me myslimanë përpara se të zbulohej nga Kolombo. Në këtë kontekst, Kerem Oktem, një profesor i studimeve turke në Universitetin e Gracit, në një deklarim të tij për “The Economist”, në lidhje me synimet e Turqisë pas ndërtimit të xhamive në Shqipëri, ka thënë se “ideja është që Turqia duhet të jetë udhëheqësi i gjithë botës myslimane“. Përfundimisht s`dum Babën, por preludin e simfonisë së gëzimit të Bethovenit – himnin evropian.

bekim.kupina@kohaditore

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here