Sa ishte dega e LDK-së demokratike ?

0
413

Nga Xhafer LECI

Si mi fali 5 minutat e tij Martin Çuni dhe, nga kush e pse u larguan nga kryesia e degës bashkë me Idriz Zeqirajn më 1996?!
Diskutimi im në Kuvendin e Degës së LDK-së, Bonn, 29 Tetor 1994

Të nderuar zonja dhe zotërinj të kryesisë së punës, delegatë dhe miqë të ftuar;
Do të më lejoni të shfaq disa mendime të mia rreth punës, arritjeve dhe problemeve që kemi, me synimin e mirë për të kontribuar në çështjen tonë të përbashkët dhe në të mirë të kombit.

Funksionimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës në diasporë ka qenë një domosdoshmëri historike dhe i ka shërbyer të mirës së vendit. Rreth saj janë tubuar masa më e madhe e popullit të Kosovës. Ajo me veprimtarinë e saj e ka bërë të njohur çështjen tonë në të gjitha instancat ndërkombëtare dhe është fakt se ajo tashmë është bërë një çështje e shtruar për zgjidhje më shumë se kurrë më parë. Nga kjo parti u krijuan edhe premisat që të formohet shteti dhe qeveria e parë e zgjedhur me votën e lirë të popullit. Unë i thash këto për të parë se janë arritur gjëra me vlerë dhe në këto arritje dega e LDK-së në Gjermani ka meritat e saj të veçanta, por është një kohë kur duhet bërë shumë më tepër.

Unë nuk jam krejt kundër mendimit të organizimit shqiptar në klube dhe shoqata, por është e parakohshme dhe e dëmshme tani shuarja e subjekteve politike. Nuk mund të ndërmarrësh një formë të re pa i ndërtuar strukturat e saj dhe nuk mund të prishësh të vjetrën, kur ajo është ende e dobishme. Një farë lodhje dhe tërheqje që vihet re te disa aktivistë nganjëherë edhe aktivist të vjetër, tregon se kemi çfarë të përmirësojmë dhe unë këtu desha të them se na mungon informimi. Njerëzit nuk po informohen si duhet, nganjëherë nuk informohen fare dhe kjo lë shteg për dezinformime.

Zyra për informim e LDK-së me seli në Stuttgard duhet të gjejë mënyra të reja për informim të duhur dhe të shpejt të aktiveve të saj. Çdo ditë nga Kosova vijnë informacione të shumëta për situatën e atjeshme, por me sa dij unë, me përjashtim të anëtarëve të kryesisë në degë dhe disa nëndegë, të tjerët nuk informohen fare. Unë e kam fjalën për informimin në linjë partie, e jo thjesht për lajme dhe kuriozitete. Ka disa vjet që flitet për një gazetë të LDK-së dhe tash së fundi dëgjuam se u muar vendimi për gazetën “Dardania”, si organ i LDK-së në diasporë. Askush nuk din se ku është fati i kësaj gazete në qoftë se nuk ka fonde. LDK-ja duhet t’ia bëjë të qartë Qeverisë, mbledhjen miliona markave si kontribut për Fondin që tani për tani nuk po quhet më fondi i Kosovës, por Fondi i Qeverisë dhe kjo e fundit e ka për detyrë të ndihmojë LDK-në.

Ne na duhet informim më cilësor dhe si do ta realizojë kryesia e degës këtë është punë e saj, por është fakt se mjaft njerëz po çorientohen. Informimi me kohë dhe i drejtë do t’i ndalte thashethënat se si filani u bë i pasur, se fondet e qeverisë po keqpërdoren, pse dha dorëheqje XY nga kryesia e LDK-së. Pra, janë krijuar grupacione partiake të majta e të djathta. Një shkak tjetër është se ne vetë po jemi indiferentë ndaj disa çështjeve. Ka raste që në kryesitë drejtuese të rangjeve të ndryshme po zgjidhen edhe njerëz që nuk e meritojnë. Ne heshtim kur ata zgjidhen dhe kur shkojmë në terren njerëzit na thonë ju atje ishit por nuk folët, pse u zgjodh filani. Ose rasti tjetër.

Në kuvendin e dytë zgjedhor të degës në Gjermani, që ishte më 21.11.1993 në Leonberg të gjithë ishim dëshmitarë se si u zhvilluan zgjedhjet, nëse kishte manipulime apo jo në zgjedhjen e kryesisë dhe posaçërisht të kryetarit. Ne i dhamë vetë atij votëbesimin, duartrokitem rizgjedhjen e tij, por pas zgjedhjeve dolën disa artikuj në gazeta ku flitej për manipulime. Ne ishim më shumë se 200 veta dhe heshtëm, madje edhe bashkëpunëtorët e afërt. Kjo u lë vend fjalëve, shton intensitetin e veprimtarisë kundër LDK-së, intensitet që nganjëherë rritet edhe nga njerëz të LDK-së që thonë se kanë sharrën në dorë. Është koha që lëvizja jonë për Republikën e Kosovës të ngritet në një nivel më të lartë në të gjitha instancat. Mendoj se nuk është më koha që Republika e Kosovës të barazohet këtu në Gjermani me degën e LDK-së.

Nuk është e rastit që pastaj njerëzit shkojnë në degë edhe për strehim e për dhjetëra e dhjetëra çështje tjera. Ndërtimi i strukturave paralele kërkon që edhe në perëndim të fillojë sendërtimi i tyre. E shoh të arsyeshme që Republika e Kosovës të ketë përfaqësi të saj në vendet perëndimore, ashtu si e kanë në Tiranë serbët. Edhe tash të dërmuar nga bllokada po shpenzojnë me miliona për idenë e pansllavizmit, ndërsa ne s’po bëjmë sa duhet për propogandimin e çështjes sonë. Ne e falënderojmë me zëmër qeverinë demokratike të Tiranës, por kjo nuk mjafton. Kush do ta informojë çdo ditë perëndimin? Kjo nuk është detyrë vetëm e LDK-së, por shteti ka përfaqsitë e veta. Mua më duket se këtu në perëndim disa herë po veprojmë me metoda centriste, ku çdo gjë pritet të zgjidhet vetëm nga një njeri, apo një njeri merr çdo gjë në duart e tij.

Në diasporë tashmë veprojnë mjaft parti politike, klube, shoqata dhe shoqëri. Ato kanë programe të ndryshme, por unë mendoj se kur është fjala për çështje të mëdha dhe ngjarje të rëndësishme, ne duhet të jemi më të bashkuar, të dalim me një zë, të paraqitemi si duhet, jo njëherë në një tubim shkojmë 50 mijë veta, e herën tjetër dy-tre mijë. Bota nuk mirret me partitë tona. Ajo i sheh protestat tona dhe thotë se i ra vrulli aktivitetit të shqiptarëve. Organizoi kohët e fundit Lëvizja një protestë në Bonn. Punë e partisë së tyre. Nuk kishim asnjë udhëzim duhej përkrahur apo jo, askush nuk na informoi, ndërsa anëtarësia pyeste do të shkojmë apo jo në Bonn? Kështu besoj i kanë pyetur edhe kryetarët e aktiveve tjera.

Një tjetër thoshte pse nuk shkojmë! Kur u thua se nuk e organizon LDK-ja por Lëvizja, pyesin përsëri se pse nuk dalim të gjithë, edhe ata shqiptarë janë, etj. Pra nga ky rast unë e kam fjalën se duhet gjetur gjuha e përbashkët me partitë tjera që të bëjmë veprime të matura, me peshë e jo thjesht për interes të njërës parti. Kosova është e të gjithëve, ajo nuk e ka tepër asnjë shqiptar të saj. Raporti intelektual dhe punëtor në perëndim shpeshherë është i çuditshëm. Kohët e fundit tek ne kanë dalë mjaft intelektualë të fushave të ndryshme.

Disa prej tyre mendojnë se vetëm ata duhet të jenë kudo dhe kurdo në krye, se ata dinë shumë gjëra, se janë të shkolluar etj. Disa punëtorë, drejtues partiakë mendojnë se këtu janë më moti dhe më të vjetër, se e njohim gjendjen më mirë, se materialisht janë më të përgatitur, se kanë mundësi më të mëdha të punojmë, etj. Mendoj së të dy palët janë gabim dhe për këtë mendoj se ky raport duhet të shtrohet si një çështje e rëndësishme në kryesinë e degës dhe të nëndegëve. Gjërat duhet thënë qartë.

Nëqoftëse vazhdohet me anashkalimin e problemeve mund të vijë puna sa populli në emigracion të lodhet, të largohet nga partitë dhe është fakt se pjesëmarrja në mbledhjet e aktivive ka rënë shumë dhe se pagesës së 3%-it nuk po i përgjigjet si duhet as anëtarësia e LDK-së. Kështu ndodhi edhe me akcionin për shkollën shqipe. Vetëm patriotizmi i popullit dhe puna e aktivit tonë bëri që në zonën tonë, megjithëse jo e madhe të tubohen 20 mijë marka, por kaluan shumë ditë heshtje, nuk kishim asnjë informim se kush do ta udhëhiqte aksionin, pse ky akcion bëhej tani dhe jo më heret.

Unë mendoj se ka ardhur koha që të mos mbetet obligim vetëm i LDK-së aksioni i 3%-it, kurse qeveria vetëm të mburret se u tubuan kaq shuma të hollash, por të ndërmarrë një akcion të qartë për realizimin e këtij obligimi. Unë nga ky kuvend lus që të gjithë udhëheqësit e partive dhe kryetarët e klubeve dhe shoqatave të ulemi që të diskutojnë së bashku vëllazërisht në një tavolinë.
Bashkimi i tyre në një emrues do të detyrojë edhe qeverinë të mbajë qëndrim korrekt ndaj partive dhe shoqatave, sepse dikush e përkrah, dikush është kundër dhe nuk merret vesh se ku jemi, sikur kemi shtetin tash e 30 vjet.

Mbi të gjitha më e rëndësishmja është se secili prej nesh të mos shkëputet dhe të mos lodhet nga rruga që e kemi nisur. Atij që punon mirë dhe me devotshmëri duhet t’i themi të lumtë, ndërsa atij që e ka me hile, duhet t’ia tregojmë vendin. Apeli im për unitet nuk është për një unitet të rremë, sa të kalojë edhe kjo rradhë, por për atë unitet që i lartëson punët dhe afron ditën e madhe të lirisë.

Ju falënderoj për vëmendjen!

Xhafer Leci, delegat i Kuvendit të Degës, Nëndega e Baden-Wyrtemberg-ut, kryetar i aktivit të LDK-së në Kirchheim-Teck. Bonn, 29 Tetor 1994

Drejtuesit e mbledhjes, ku musafire nga Kosova ishte edhe zonja Edita Tahiri… ma ndërprenë diskutimin me pretekstin se i kisha kaluar 5 minutë sa kishte në disponim një delegat edhe pse unë nuk e tejkalova kohën më shumë se 4 minutë. Duke zbritur shkallëve nga foltorja, Martin Çuni dhe Faridin Tafallari u ngritën në këmbë dhe kërkuan nga ata se do m’i japin 5 minutat e tyre që unë ta përfundoja fjalën time. U ktheva dhe për 2-3 minuta e përfundova diskutimin.

Pas dy ditësh për këtë diskutim timin para delegatëve të kuvendit të degës së LDK-së, në Bonn të Gjermanisë, më 29.10.1994 në faqen e parë “Rilindja” shkruante se kinse pati edhe delegatë të tillë, të cilët ishin kundër organizimit në baza partiake, pra kundër LDK-së, që nuk ishte fare e vërtetë, ngase nga ajo kohë kaluan shumë vite dhe unë edhe sot jam aty ku isha.

Në vitin 1996 dega e LDK-së në Gjermani pa arsye e laguan antarin e kryesisë, Z.Idriz Zeqiraj, atdhetar, gazetar dhe ish i burgosur shumëvjeçar politik, me këtë rastë, në shenjë proteste u vetlague nga kryesia e degës, edhe atdhetari, gazetari dhe ish i bugosuri shumëvjeçar politik Z.Martin Çuni. Me këtë rastë dega e LDK-së në Gjermani mbetë pa dy antarë të kryesisë, intelektual e atdhetar të devotshëm.

Pra, sa ishte dega e LDK-së në Gjermani demokratike ?

Kam menduar se me kalimin e kohës do të ishte më mirë që organizimi i mërgatës shqiptare të bëhej nepër klube, shoqata e shoqëri përmes qeverisë së Kosovës në egzil, për shkak të përçarjeve brenda subjekteve tona partiake, që edhe sot mendoj ashtu. Por këtë nuk e dëshironin krerët e LDK-së, e as të LPK-së, në Kosovë e as në Diasporë, atyre më shumë u interesonte baza materiale…A nuk do të thotë se unë qysh atëherë vëreja atmosferën e keqe të hasmërive organizative në baza partiake.
Që nga atëherë i kanë rrënjët hasmëritë ndërpartiake që mjerisht tmerret e arritën kulminacionin dhe që, para,gjatë dhe pasë luftës u vranë njerëz të mëdhenj dhe të pafajshëm, nga njerëzit e LPK-së, sot të antarësuar edhe nepër parti tjera…!

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here