ROMANI “MISTERET E NJË DASHURIE” I AUTORIT, RRAHMAN HYSENI – ME KARAKTER AKSIONI DHE MOBILIZUES

0
140

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Autori Rrahman Hyseni, njëri prej krijuesve tanë produktivë, si në prozë, ashtu edhe në poezi dhe me një përvojë tanimë të mjaftueshme letrare, me romanin “ Misteret e një dashurie” shtron, veç tjerash, çështjen që është e lidhur ngushtë me vetë interpretimin e kësaj vepre letrare, e kjo është çështja e përkimeve, e lidhjeve të prozës së tij me letërsinë gojore.

Nga këndvështrimi ynë konstatojmë se gjuha rrëfimtare e autorit në romanin “Misteret e një dashurie” i afrohet, edhe nga shprehimësia, edhe nga përmbajta krijimtarisë gojore (përrallës).

Mbështetja në letërsinë gojore (në përrallë) autorit Hyseni i ka mundësuar zgjerim të botës së tij fantastike. Prandaj, duke pasur këtë fakt parasysh, do t’i arsyetojmë mendimet e Novalisit (përfaqësues i romantizmit gjerman), i cili pat thënë: “Më shumë të vërteta kanë disa përralla se sa kronikat e shkruara nga njerëzit e dijshëm”, për të vazhduar më tej: “Besoj se në përrallë më së miri shpreh epshet e mia shpirtërore. Përralla është çdo gjë”.

E autori Rrahman Hyseni, me sukses të plotë ia ka dalë që kompozicionin e romanit të tij ta ndërtojë në bazë të shëmbëllimit me strukturën kompozicionale të përrallave, d. m. th. ia ka arritur që si model të ndërtimit të romanit të tij ta përdor kompozicionin e përrallës. Romani i Hysenit është shkruar duke u mbështetur në botën tematiko-motivore dhe në gjuhën e përrallave, duke i pasur ato si model krijues. Në këtë kontekst, autori një rol të veçantë ia atribuon heroit pozitiv të romanit dhe karakterit mobilizues, që e vërejmë në pjesën dërrmuese të romanit.

Në romanin “Misteret e një dashurie” çështja kryesore që të bie në sy është raporti në mes reales dhe imagjinatës, jofiksionit dhe fiksionit, të mundshmes dhe të pamundshmes. Ky raport jo vetëm që ka kushtëzuar realizimin e koncepcioneve të romanit të Rrahman Hysenit, po ka mundësuar realizimin e vetë strukturës kompozicionale dhe gjuhësore të veprës.

Bota tematiko-motivore dhe stili i përdorur në romanin në fjalë, i kanë mundësuar autorit të depërtojë në botën e dëshirave tona sa të thjeshta, aq edhe komplekse dhe të shtrojë disa kërkesa të rëndësishme, që kanë peshë për vetë jetën tonë. Elementi fantastik ka bërë që autori të mbajë gjallë vëmendjen e lexuesit, ta shetisë atë nëpër një botë magjepsëse, ku, që të arrihet qëllimi i dëshiruar, kërkohen sakrifica, por në të njëjtën kohë, para lexuesit, autori shtron kërkesa reale, kërkon zotimin e secilit për të sendërtuar detyrat, që janë në dobi për mjedisin ku jetojmë dhe për shoqërinë përgjithësisht.

Fillimi i romanit dëshmon për prirjen dhe kujdesin e autorit që lexuesit t’i ofrojë një vepër të konceptuar strukturalisht dhe artistikisht të realizuar me sukses. Në mënyrë fare të natyrshme autori na fut në botën e ideve të tij mbi rëndësinë e jetës dhe mbi botën magjepsëse të artit të fjalës.

Romani “Misteret e një dashurie” është i qartë dhe bën efekte të konsiderueshme, qoftë ideore, qoftë edukative. Rraman Hyseni ka arritur që përmes një tematike të botës përrallore të shtrojë disa kërkesa ndaj nesh, që ne ta kuptojmë botën në atë mënyrë, që ta ndërlidhim me punë dhe me përpjekje për një të ardhme më të lumtur për ne. Kryeprotagonisti i romanit ka në vete shumë veti pozitive. Ai shpreh gatishmërinë t’i shkojë në ndihmë secilit, nëse i kanoset rreziku. Ai dëshiron që secili të jetojë i lirë dhe të mos e rrezikojë tjetrin. Secili të gëzojë të drejtat dhe lirinë e vet etj.

Elementet ideore të romanit nuk shprehen përmes pohimit e deklarimit, por përmes rrëfimit të aksioneve. Pra, janë fryt i aksioneve, të natyrshme dhe bindëse. Në këtë mënyrë arrijnë efekt më të madh dhe artistikisht dalin më të plota.

Tërë romani “Misteret e një dashurie” ka karakter aksioni dhe mobilizues. Roli i heroit pozitiv është i dukshëm dhe efektiv.
Veprën “Misteret e një dashurie” të autorit Rrahman Hyseni e karakterizon një stil i rrjedhshëm. Struktura kompozicionale është harmonike dhe i ka mundësuar autorit të vë në pah shumë kërkesa ideore. Stili i rrjedhshëm ka mundësuar që këto ide dhe porosi të dalin të qarta dhe të lënë mbresa të thella. Bie në sy gjuha e pasur, dialogjet e shumta, të ndërtuara bukur, që kanë strukturë të rregullt, pastaj lidhja e harmonishme e disa episodave dhe kapërcimi prej njërës në tjetrën, sintaksa e fjalisë etj. Të gjitha këto elemente dëshmojnë se romani në fjalë do t’i qëndrojë kohës dhe do të jetë përherë aktual si art i fjalës.

Romani “Misteret e një dashurie” i Rrahman Hysenit, i ndërtuar në bazë të botës tematiko-motivore dhe strukturës së përrallës, shërben për lexuesit si një përvojë e vlefshme – na përgatit secilin që e lexojmë, për t’u ballafaquar më guximshëm me jetën reale, me vështirësitë, me të nesërmen që na pret. Kjo na imponohet, para së gjithash, përmes vlerës, dimensionit artistik, që aq natyrshëm shprehet në këtë roman.

SHKRUAJ NJË KOMENT