REZALLA ME PUSHKË E TRIMËRI DHA BUKË E GJAK E DËSHMOR PËR LIRI

0
61

Hamdi Aliu “Rezalla në rrugëtim lirie”, botues autori, Prishtinë 2008

Milazim F. KADRIU

Fshati Rezallë gjendet në komunën e Skenderajt me një largësi rreth 10 kilometra nga Skenderaj. Ky fshat kufizohet me fshatrat: Polac, Makermal, Likoc, Kopiliq i Ulët, Tushillë, Marinë dhe Llaushë. Lagjet më të njohura të fshatit Rezallë janë: Mala, Aruçi, Dërguti, Aliu, Gashi, Hakolli, Rukolli, Zabeli, Ahmeti, Deliu etj. Mendohet se fshati ka rreth 800 shtëpi me lagjet dhe paralagjet e veta.
Libri “Rezalla në rrugëtim lirie” e autorit Hamdi Aliu u kushtohet dëshmorëve, martirëve dhe të zhdukurve të fshatit Rezallë në luftën e fundit në përpjekje për të ndriçuar sadopak jetën dhe veprën e tyre.

Fillimisht paraqitet një historik i shkurtër i këtij fshati të Drenicës heroike për të vazhduar më pas me një poezi që autori ia ka kushtuar fshatit Rezallë, të titulluar : “Këngë për Rezallën”

Shikoni këta lisa / Sa të gjatë janë / Duken se prekin / Diellin me hënë/
……………………….
Liria e Rezallës/ Nuk piku nga reja/ Me gjak e solli/ Vetë UÇK-ja/
……………………….
Trimat e Rezallës/ UÇK-së iu bashkuan/ Armikun shekullor/ Nga trojet e larguan/
…………………………….
Mbi njëqind veta/ Kriminelët vranë/ Për liri të Kosovës/ Jetën e dhanë/.

Rezalla e Skenderajt të Drenicës në historinë e saj përfshin shumë ngjarje dhe personalitete të njohura që u kanë prirë ngjarjeve që janë zhvilluar në këtë trevë po edhe më gjerë. E kaluar e Rezallës është shumë e pasur me ngjarje të ndryshme që nga kohët më të lashta e deri në luftën e lavdishme të UÇK-së që është një pjesë e sajë është temë librit të Hamdi Aliut. Jeta në Rezallë ka rrjedhë gjatë shekujve me batica dhe zbatica, që karakterizojnë jetën e drenicasve në veçanti, dhe të shqiptarëve në përgjithësi.

Një pjesë të tyre autori mundohet të ia prezantoj lexuesit duke i sjell në librin e tij monografik dhe lirisht mund të themi se nuk ka më bukur dhe më ndershëm se sa t’ia lësh një dokumentar fshatit të lindjes, kështu si ka vepruar autori Hamdi Aliu
Në krye të varrezave të fshatit ndodhet edhe Kompleksi Memorial për 100 rezallasit e rënë dhe të martirizuar gjatë kohës së luftës së UÇK-së kundër okupatorit shekullor serbosllav. Në këto varreza gjendet edhe varri i Sylë Rezallës, një personazh i njohur i këngëve të trimërisë, i cili ka jetuar në gjysmën e parë të shekullit 19-të.

Gjithmonë banorët e këtij fshati ishin halë në sy të okupatorit ngase ata njihen me një trashëgimi kombëtare që nga kohërat e hershme. Që nga viti 1942 – 1945 pushtuesi serb e kishte në shënjestër ngase në këtë fshat ishte Shtabi i Shaban Polluzhës. Në Rezallë serbo çetnikët që nga viti 1990 deri më 1997 si edhe në vise tjera edhe këtu rrahu, keqtrajtoi dhe plaçkiti shqiptarët me pretekst të kërkimit të armëve.
Rezalla vend i qëndresës dhe i luftërave heroike të bijve e bijave të sajë në radhët e UÇK-së, që me pushkë e trimëri dha bukë e gjak e dëshmorë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Vetëm më 5 prill të vitit 1999, në këtë fshat të Drenicës u vranë 38 persona. Forcat serbe bënë edhe një krim tjetër, sepse i zhdukën trupat e pajetë të viktimave shqiptare.

Monografia “Rezalla në rrugëtim lirie ”, është një pasqyrë e jetës dhe aktivitetit të një prej fshatrave të zonës së Drenicës. Andaj ky libër padyshim është ndërmarrje serioze për një periudhë të lavdishme të popullit tonë e në këtë rast të Rezallës së Drenicës heroike.

Vinë me radhë të gjitha ngjarjet historike që janë zhvilluar në këto anë deri në luftën e fundit që e zhvilloi Ushtria Çlirimtare e Kosovës për çlirimin e vendit. Më pas prezantohen biografi të shkurtra dhe fotografi të mbi 100 personave të prezantuar në libër e që janë dëshmorë, martirë, të zhdukur të këtij fshati. Secili nga ta është i prezantuar në pjesën e librit që është ndarë sipas lagjeve të këtij fshati. Aty prezantohen edhe të dhëna për mysafirët e vrarë në këtë fshat që në ditën ë rënies së tyre ata u gjendën në Rezallë qoftë në frontet e luftës apo si të strehuar nga fshatra tjera. Aty prezantohen edhe tre banor të këtij fshati të cilët ishin zhdukur më 1992 në një rrugëtim nga Mitrovica për në Beograd. Po ashtu në një pjesë të këtij libri autori prezanton edhe ata që i mbijetuan masakrës nga forcat serbe. Në fund është edhe fotoja e lapidarit që ruan kujtimin për të rënët e Rezallës ku aty para lapidarit janë renditur edhe fëmijët që u kanë përtërirë emrat të rënëve të Rezallës më 1999.

Redaktori i librit Riza Greiçevci nder tjera shkruan: ” – Atë që e bëri Skënderbeu me shpatë, e bëri UÇK-ja me luftë e gjak?

E kuptoj dhe besoj :
– Dhembja dhe gëzimi qëndrojnë në një lëvozhgë, përzierja e tyre është jo njerëzore! E paguat ardhjen e lirisë me gjak, me jetën e më të dashurve Tuaj. Nuk jeni të penduar, sepse, Ju i besoni Zotit, i besuat edhe UÇK-së : se vetëm me sakrificë e bukë e pushkë e gjak mund të hiqet qafesh shtriga e Ballkanit me emrin Serbosllavi, dhe ajo ndodhi, e turpëroi e hodhi në kokërr shpine dhe e fshiu nga Kosova Ushtria Çlirimtare e Kosovës, bijtë dhe bijat e Tuaja. Ky nderim dhe ky adhurim ndaj Të Madhit Zot, ndaj lirisë së Atdheut, do t’ua lehtësoj dhembjen dhe mungesën e më të dashurve Tuaj që sot nuk gjenden të gjallë në mes Jush, në jetë.

Ky dhe i tokës së Rezallës heroike nuk do t’ i shemb eshtrat e tyre , e as kujtimi për martirët dhe dëshmorët e kombit nuk soset mësa soset drita e diellit që e kemi përmbi krye”.

Ndërsa recensenti i librit Fadil H. Curri thotë se “ Kjo monografi le të jetë një përmendore kujtimi e nderimi në zemrat e familjarëve që kanë mbetur gjallë për më të dashurit e tyre, një nderim i gjakut dhe i jetës së tyre, një larje e borxhit e të gjallëve për shpirtin e gjakun e atyre që ranë për lirinë e pavarësinë e Kosovës jo vetëm nga Rezalla heroike e Drenicës”.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here