REVISTA LETRARE “JETA RE”-SIMBOL I TRADITËS LETRARO-KULTURORE TË SHQIPTARËVE TË KOSOVËS

0
798

E Përgatiti Prof. Zymer Mehani

Revista letrare “Jeta e re” doli për herë të parë në vitin 1949 dhe është revista më jetëgjatë në historinë e periodikut shqiptar prej gati dy shekujsh. Nismëtar për themelimin dhe kryeredaktor i parë i saj ka qenë Esad Mekuli, doajeni i letërsisë shqipe në Kosovë. Në vitin e saj të parë u botuan tre numra dhe numri i saj i parë i kishte vetëm 88 faqe. Si revista e parë letrare e shqiptarëve të Kosovës, e cila doli menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, ajo për një kohë do të botojë edhe tekste jashtë fushës letrare, si letërsi popullore, tekste të muzikologjisë dhe të gjuhësisë. Ndërkaq, nga viti 1950, “Jeta e re” bëhet revistë dymujore dhe del me faqe të shtuara, për t’u bërë pas një kohe revistë tërësisht letrare.

Në rrugëtimin e saj të gjatë, kjo revistë pati një ngritje të jashtëzakonshme dhe duke ecur me kohën, erdhi e u bë revista më prestigjioze në gjithë hapësirën kulturore të shqiptarëve. Sot, kur po i afrohet 70-vjetorit të daljes së numrit të parë të saj, ajo tashmë është bërë simbol i traditës, i identitetit letrar dhe kulturor të shqiptarëve të Kosovës. Në “Jeta e re”, përveç Esad Mekulit, i cili edhe e ka drejtuar revistën për 23 vjet radhazi, janë formuar e promovuar disa breza shkrimtarësh e personalitetesh të kulturës, si: Mark Krasniqi, Enver Gjerqeku.

Rexhep Hoxha, Ramiz Kelmendi, Rexhep Qosja, Nazmi Rrahmani, Adem Demaçi, Ibrahim Rugova, Din Mehmeti, Anton Pashku, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Bedri Hysaj, Fahredin Gunga, Qerim Ujkani, Beqir Musliu, Sabri Hamiti, Musa Ramadani, Flora Brovina, Edi Shukriu, Eqrem Basha, Hasan Hasani, Mehmet Kraja etj. Mirëpo, në fund të viteve ’80-të dhe përgjatë të ’90-ave, në rrethana të okupimit të egër serb, edhe ajo pësoi fatin e institucioneve të tjera shkencore, kulturore dhe arsimore të Kosovës. Ndonëse botimi i saj nuk u ndërpre, gjatë kësaj periudhe ajo doli me numra e faqe të reduktuara. Rrethana të pafavorshme, sidomos materiale, e shoqëruan edhe pas çlirimit të Kosovës, madje në 2006 qe ndërprerë pothuajse për tre vjet botimi i saj.

Megjithëkëtë, në vitin 2010, drejtuesi i saj, Demë Topalli, formoi një redaksi të re dhe “Jeta e re” filloi sërish rrugëtimin e saj, mirëpo tash me një koncept dhe fizionomi të re, me tre numra në vit me nga 400-450 faqe, duke pasuruar gjithashtu rubrikat ekzistuese dhe nga viti 2013 duke hapur rubrika të reja, të cilat përbëjnë bërthamën e revistës. Kështu, nga viti 2010 deri në fund të vitit 2015, në rubrikat e saj: Ligjëratë, Prozë, Poezi dhe Kritika/ Ese, pos autorëve shqiptarë, janë prezantuar mbi
100 autorë të huaj periudhash, rrymash e drejtimesh të ndryshme letrare.

Është për t’u theksuar këtu posaçërisht rubrika e re Dossier, hapur më 2013, në të cilën, në një hapësirë prej 50-60 faqesh, janë prezantuar autorë me famë, si: John Ashbery, Claudio Magris, Ann Beattie, Mark Strand, Roberto Bolanjo, George Steiner, Paul Muldoon, Edoardo Sanguineti dhe Philip Larkin. Po në këtë periudhë, revista “Jeta e re” ka botuar gjithashtu 22 intervista të shkrimtarëve të mëdhenj. Revistën “Jeta e re”, në rrugën e saj të gjatë, e kanë drejtuar:

1. Zekeria Rexha (drejtor, në numrin 1, 1949)
2. Esad Mekuli (kryeredaktor, 1949-1972)
3. Rrahman Dedaj (kryeredaktor, 1973 )
4. Rexhep Qosja (kryeredaktor, 1974 )
5. Hasan Mekuli (kryeredaktor, 1974-1981)
6. Ali D. Jasiqi (kryeredaktor, 1982-2000)
7. Sali Bashota (kryeredaktor, 2001-2003)
8. Demë Topalli (drejtor, 2004-2006)
9. Ag Apolloni (kryeredaktor, 2010-2013)
10. Agron Y. Gashi (kryeredaktor, 2013-vijon).

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here