RAMIZ KELMENDI – NJË SHEKULL DIJE DHE DRITE

0
677

Xhemail Peci

NJË URTI E LARTË, NJË KOLOS I LETRAVE SHQIPE, FIGURË POLIEDRIKE E PISHTAR I GJALLË I KULTURËS KOMBËTARE SHQIPTARE, RILINDËS I KOMBIT TË VET, TIRTE QË ME ZJARRIN E FJALËS SHQIPE GJAKONTE PËR NJË ATDHE TË LIRË E TË BASHKUAR, LUIGJI PIRANDELLO I ROMANIT SATIRIK SHQIPTAR, ALBERTO MORAVIA I LETRAVE SHQIPE, BALZAKU SHQIPTAR ME MË SHUMË LIBRA TË SHKRUARA E TË PËRKTHYERA SESA VITE MBI SUPET E TIJ; TALENTI I TIJ EPIK (profesor Hasan Mekuli), PENA E TIJ E ARTË, (akademik Rexhep Qosja) BIR I RUGOVËS KRESHNIKE (kritiku Vehap Shita) KLASIKU MODERN I FJALËS SHQIPE, TITAN I PËRKTHIMEVE, MOLIERI I LETRAVE SHQIPE, MJESHTRI I KONTRASTIT, KRIJUESI I MIRËFILLTË, SHPËTIMTARI I DASHURISË, ZËDHËNËS I KOHËS ME VEPRËN E TIJ, MEMORIE E GJALLË E BREZAVE, MREKULLI E KOMUNIKIMIT TË QARTË, NJERI I ARTIT AQ SA EDHE NJERI I KULTURËS, NJERI DHE ARTIST, ENCIKLOPEDI E GJALLË, NJËRI NDËR STILISTËT MË TË PËRKRYER TË LETRAVE SHQIPE (profesor Prend Buzhala), SATIRË QË FSHIKULLON ME ZJARR PËRCËLLUES (studiuesi Hashim Baftiari), KRESHNIKU I FJALËS SË ËMBËL, NJERI I LETRAVE PËRBALLË PËRBUZJEVE, SOKOL HALILI I LETRAVE SHQIPE, KALORËS I LETRAVE DHE ARTEVE, GAZETARI EMBLEMË I KOSOVËS, IKONA E GAZETARISË KOSOVARE, DOAJENI I SAJ, FIGURË EMBLEMATIKE, FIGURË PIKANTE E FIGURË MARKANTE E LETRAVE SHQIPE, DHE LIGJËRUES I PËRJETSHËM I FAKULTETIT TË GAZETARISË “FAIK KONICA”.

Me rastin e kalimit në amshim të profesorit, publicistit, veprimtarit e shkrimtarit Ramiz Kelmendi

“Populli që nderon njerëzit e vet të mëdhenj, njerëzit e vet të rrallë, shkrimtarët, artistët, shkencëtarët, para së gjithash e mbi të gjitha -nderon veten. Një popull që u ngre përmendore figurave dhe personaliteteve të veta më të nderuara, ai popull, para së gjithash e mbi të gjitha, i ngre përmendore kulturës së vet, qytetërimit të vet, historisë së vet. I ngre përmendore vetvetes.”
Ramiz Kelmendi

Ramizi ka rrënjë të Lisit të Gjakut

Dr. Zymer Ujkan Neziri

I

SOT, REPUBLIKA E LETRAVE SHQIPE,
ËSHTË NË DHEMBJE, PIKËLLIM E LOT!

R

Sot, letrat shqipe mbetën pa njërin prej përfaqësuesve të saj më të denjë, tregimi shqiptar mbeti pa mjeshtrin e vet të rrallë, novela shqiptare mbeti pa vrojtuesin e hollë të vijave dhe vrragëve të jetës njerëzore, romani shqiptar mbeti pa njërin prej njerëzve me një dhunti të rrallë narrative, kritika letrare shqipe mbeti pa qasjen e tij aq origjinale, polemika shqiptare mbeti pa elegancën e fjalës së tij të latuar holl e të gdhendur aq bukur, publicistika shqiptare mbeti pa njërën prej penave të saj më të ndritura, gazetaria shqiptare mbeti pa doajenin e saj, dramaturgjia shqiptare mbeti pa njërin prej lëruesve të saj më të zotë, memoristika kombëtare mbeti pa njërën prej mendjeve më të kthjellta të saj, kultura shqiptare në përgjithësi mbeti pa ikonën e vet, jeta mendore dhe shpirtërore e një kombi të etur për dije dhe për dritë, mbeti pa emblemën e vet aq të dashur.

Fusha e përkthimeve si histori e mirëfilltë e qytetërimeve dhe e urave mbeti pa përkthyesin e vullnetit të çeliktë, tribuna e intervistave mbeti pa njeriun e fjalës së ëmbël e aq shumë të dashur, katedrat e letërsisë mbetën pa edukatorin dhe profesorin, tribuna letrare mbeti pa ligjëruesin e saj të shquar e gojëambël, armata e lexuesve të shumtë mbeti pa romancierin e vet aq të preferuar, e bukura dhe e madhërishmja mbetën pa shijuesin dhe adhuruesin e tyre të madh, kuadrot e dala nga mëngët e duarve të tij – nëpërmjet Fakultetit të Gazetarisë “Faik Konica” mbetën pa profesorin dhe pedagogun e shquar, studimet për Faik Konicën mbetën pa konicologun e tyre të devotshëm, Verrat e Llukës e rrugëtimi biblik për pajtim e bashkim kombëtar, mbetën pa mentarin e veprimtarin e tyre të pandalshëm;

Rugova kreshnike mbeti pa birin e saj fisnik e bujar, Kosova mbeti pa burrin e mençur e të rrallë, i cili në ballë të tij ashtu sikurse edhe në ballë të veprës së tij kishte për mision dhe vizion dashurinë mes vëllezërve të një gjaku e të një gjuhe – pajtimin, bashkimin dhe përparimin e tyre; Rrënjët e Lisit të Gjakut sot mbetën pa njërin prerj pinjojve të tij më të denjë, mendësia shqiptare mbeti pa urtësinë e tij të lartë, bota e kulturës kombëtare shqiptare mbeti pa figurën e vet poliedrike e pa pishtarin e saj të gjallë, kokrrat e kripës arbërore mbetën pa Nestorin e tyre të urtë, Breznitë Orëmira mbetën sot fizikisht pa Ramiz Kelmendin.

Sot, Republika e Letrave Shqipe, është në dhembje, në pikëllim dhe në lot!

Sot, gjuha shqipe ndjeu një zbrazëtirë të thellë, për shkak se njëri prej stilistëve të saj më të denjë, i cili ia kishte falur asaj durimin e vet prej shenjtori dhe qëndismën prej filigrani, shkoi në amshim.

Sot, Republika e Lirisë, të cilën ai e kishte gjakuar aq shumë, e përcolli drejt përjetësisë, njërin prej luftëtarëve të vet më të shquar të dritës, i cili me penën e tij, me veprën e tij, me fjalën e tij, me djersën e tij si dhe me shembullin e tij, i kishte kontribuar aq shumë mendësisë sonë, duke hapur shtigje e trasuar rrugë në Republikën e Letrave Shqipe, në fushën fisnike të artit të fjalës së shkruar: në Republikën e Letërsisë.

Sot, u ndamë vetëm fizikisht nga ai, por shpirtërisht do të jemi gjithmonë me të e me veprën e tij, me fjalën e tij të urtë e me porosinë e tij të madhe, me shembullin e tij frymëzues e udhërrëfyes prej pishtari të gjallë të kulturës kombëtare shqiptare, sepse Ramiz Kelmendi është krijuesi që mishëron të gjitha tiparet dalluese të një personalitetit letrar, krijues dhe intelektual tek i cili shkrihen kombëtarja dhe universalja, si në kuptimin e madhështisë ashtu edhe në kuptimin më fundamental të gjakimit drejt lirisë.

Ramiz Kelmendi është një Nestor i urtë e një mentar i hollë. Ai sot e mot, mbetet një urtësi e lartë e një shkrimtar i shquar, të cilit i është falur epiteti nga më të rrallët e gjithsesi edhe nga më të bukurit në letrat shqipe: Kreshnik i fjalës së ëmbël; talentin e të cilit me të drejtë profesori erudit Hasan Mekuli e ka cilësuar si talenti i tij epik, penën e të cilit akademiku Rexhep Qosja me të drejtë e ka quajtur pena e tij e artë, veprën e të clit profesor Prend Buzhala e ka quajtur një mrekulli e komunikimit të qartë.
Në njërën prej intervistave të tij (Letërsia ime është pjellë e padrejtësive të sistemit totalitar), pyetjes: “Jeni pedagog me shumë vjet përvojë pune. Tash a ndjeni mall dhe dëshirë që të ligjëroni para studentëve?”, Ramiz Kelmendi i është përgjigjur se një gjë e tillë është një mall i përjetësisë.

Por, të hysh në botën letrare dhe intelektuale të një kombi si figurë emblematike, të jesh në botën mendore, kulturore dhe shpirtërore të një kombi klasik i gjallë; të rrezatosh dritë, dije, kulturë, paqe, vëllazëri dhe pajtim; të jesh rilindës i kombit të cilit ke krenarinë t’i takosh, të ligjërosh me pasion dhe me përkushtim lëndën kombëtare “Histori e letërsisë shqiptare nga Rilindja e deri sot”, të jesh një nga hartuesit e Apelit të 215-të intelektualëve, të jesh bashkorganizator i Kuvendit për Bashkimin e Pajtimit Kombëtar; të jesh pjesë e një rrugëtimi biblik për tek tubimi historik në Verrat e Llukës, të themelosh dhe të pagëzosh Fakultetin e Gazetarisë me emrin e princit të gjuhës shqipe Faik Konica, të jesh me shkrimet dhe udhëpërshkrimet, me reportazhet dhe margjinat, me çapitjet dhe kristalet e mendimeve, i pranishëm për më shumë se 60-të vjet rrjesht, nëpër gazeta, revista, libra, monografi e krijimtari letrare të vazhdueshme, të mbledhësh kokrra kripe arbërore e rreze drite-të cilat lexuesi do t’i kërkojë me aq kureshtje, t’ia bësh lexuesit faqet e gazetave dhe të revistave dritare prej kah ai e sheh jetën dhe prej ku e kupton botën më bukur, të ngritesh me aq dinjitet kundër plagëve të shumta e kundër sëmundjes së mendjemadhësisë, kundër kompleksit të kryelartësisë duke i bërë thirrje arsyes dhe modestisë; të bëhesh pjesë e mendimit të përditshëm dhe pjesë e pandarë e ndikimit të përditshëm në jetën dhe në kulturën e kombit të cilit i takon, dhe për të cilin gjakon në mënyrën më të përkryer, do të thotë të ligjërosh përjetësisht.

Nuk ka dyshim pra se pa penën e tij, pa udhëpërshkrimet e tij, pa prozën e tij, pa tregimet e tij, pa romanet e tij, pa dramat dhe melodramat e tij, pa publicistikën e tij, pa fejtonet e tij, pa reflekset e tij, pa margjinat e tij, pa çapitjet e tij, pa çapitjet e reja midis rrjeshtave – të tij, pa shkrimet tërthorazi troç – të tij, pa teatrin e tij, pa shkrimet e tij, jo vetëm letërsia, jo vetëm kultura dhe arti ynë, por në mënyrë të veçantë bota jonë mendore dhe shpirtërore, do të ishte shumë më e varfër dhe shumë më e zbrazët, sepse vepra letrare dhe publicistike e Ramiz Kelmendit është pasuri e jona e madhe, është pjesë e rëndësishme e kulturës sonë mendore dhe shpirtërore.

Është i nderuar një komb që ka një personalitet të tillë. Është më e begatuar një kulturë që ka në gjirin e vet një pishtar të tillë me flakë të gjallë ndriçuese, është shumë më e pasuruar nje letërsi që ka një penë të denjë e të artë si të Ramiz Kelmendit. Janë të lumtura ato brezni që kanë mundësi të shijojnë një thesar kaq të pasur letrar dhe publicistik. Gjithsesi, eshtë i nderuar një shkrimtar, të cilit i bën homazh një komb i tërë.

Ramiz, ja kush te ka dashur me gjithe shpirt! Ky popull shpirtbardhë, (për të cilin me krenarinë e ligjshme the se “ky popull ka jetuar e do të jetojë me shekuj”) dhe ky publik i mrekullueshëm, këta banorë të mbretërisë së lashtë të librit, që nuk t’u ndanë për asnjë çast, as kur të ndiqnin 7-të e as kur të përndiqnin 77-të.

A

Ramiz nuk mund të besoj se nuk do të takohemi më tek Ringsi, aty ku dilje shpesh dhe ku kishe dëshirë ta kundrojë jetën në lëvizje e sipër, aty ku kishe dëshirë ta shikoje botën në rilindje e sipër. Nuk do të mund të besoj se nuk do të drekojmë prapë tek Pishat së bashku, për të folur gjërë e gjatë, për Republikën e Letërsisë dhe për Republikën e Lirisë, për ato debolesat tona të përbashkëta, që aq shumë lidhen me gazetat dhe me gazetarinë, por jo vetëm me to…

Por megjithatë një gjë është mëse e sigurt, se gjithmonë do të takohemi së bashku, ne adhuruesit e tu e të veprës sate rrezatonjëse, do takohemi sot e mot në sheshin e letrave shqipe.

Ramiz!

Na le, duke i mbushur 87-të kokrra jete. Një shekull dije dhe drite!
Ramiz! Sot, Dantes nuk ka kush t’i shkruajë!
Ramiz! Sa e vështirë qenka të thuash: Lamtumirë Ramiz!

Sepse Rugova dhe Kosova, atdheu dhe diaspora, në këtë ndërrim moti, nga majat e bjeshkëve lëshuan në mollëzat e faqeve ca pika loti!

M

Sërish një janar me acar. Një janar që na i ka marrë gjithmonë njerëzit më të zotë, më të mirë! Të shpatës e të pushkës, të jataganit e të dyfekut, të penës e të dijes. Sërish janari. Por ky janar, më shumë se acar, sot ka një sfond të bardhë.

Sërish i njëjti zë. Po ai zë, zëri i shekujve shqiptarë, zëri që përkulë ujëvarat e bjeshkëve, zëri i lahutës hyjnore e zëri i zemër-thirrjeve.

Sërish e njëjta bardhësi. Si ajo e një dite vere, kur Rugova nxori nga arkat e thesareve të saj, shaminë e bardhë të lokemadheve të Rugovës kreshnike, duke e shpalosur atë palë-palë si një mall të valë nëpër fjalë, tek i tha Poetit të Vargut të Gjakut („Kosova është Gjaku im që nuk falet!“) :

Lamtumirë Poet! Të qoftë i lehtë dheu! Dhe Paqja: E Amshueshme!

Asnjë mermer nuk do të ishte më monumental. Asnjë ceremoni mortore nuk do të ishte më denjë. Asnjë komb nuk do të dinte të nderonte më shumë, më bukur!

Ramiz, është sërish po ajo bardhësi kur u shfaqe në ekranin e Radio Televizonit të Kosovës, kur fole gjithë dashuri në emisionin Kult, me një sfond librash gjithë përjetësi!

Si në janarin e vitit 2012-të, si në janarin e vitit 2017-të! Një sfond bardhësie me përmasa përjetësie.

I

Ramiz! Sot, kaq shumë po ma kujton atë thënien e madhe të Viktor Hygoit, të cilët e lartësove në ato të paharruarat Kokrra Kripe Arbërore:

“Shkrimtari, thonë, krijon në gjallje të vet bazament e përmendore, ndërsa ardhmëria është ajo që ia vë ose jo bustin!”

Dhe pikërisht sot, sot si asnjëherë tjetër, sot si kurrënjëherë tjetër, më vie ndërmend thënia e Jeronim De Radës se: “Me kalimin e kohës, erërat e botës e rrisin flakën e mendjes. Pena e atyre që do të dijnë ta përdorin si duhet do t’i durojë të gjithë shekujt.”

Pikërisht sot, më vie ndërmend ajo që e the vetë për De Radën:

Shpirtërisht e gjithsesi i prirë e i gllabëruar për letra e arte të bukura.
Ramiz, përse po ma kujton kaq shumë De Radën sot?!
Sepse gjurmëve të De Radës shkove e shkrove!
Sepse edhe vetë u gllabërove njëlloj, si ai bardi i madh i letrave shqipe:
Shpirtërisht e gjithsesi i prirë e i gllabëruar për letra e arte të bukura.

Ramiz!
Sot, Republika e Lirisë dhe Republika e Letërsisë, të puthin në dy faqe! Sipër të vënë ca kurora me lule, ca lulebore dhe ca trëndafila me manushaqe!
Sot e mot: Ramiz Kelmendi!
Si në vjershën e Gjergji Komninos kushtuar Jeronim De Radës:
Ndaj o Shembëll’ e së Mirës, shpirt’ i-yt le të shkëlqejë,
Sepse t’arthmet gjenerata, vallë kush do t’i ushqejë?
Vetëm hov’ i këngës s’ate me një tingull të malluar
E në vargjet shekullore do të mbetet si pasqyrë,
Se, një vlerë që s’mohohet, aq të lartë njerëzore,
Pati frym’ e punës s’ate, nga fuqija besimtare,
Sa në zemrat e të rinjve, t’është ngritur përmednore.

Pra, me dritën e mendimit të kulluar që Ti pate,
Frymëzo shpirtat e njoma pas të shenjtës gjurmës s’ate!

Z

Ramiz! Edhe sot, është po ai sfond bardhësie me përmasa përjetësie, si në atë që na la Zef Skiroi për De Radën (të cilin aq shumë e deshte, aq shumë e çmove, aq shumë e adhurove, dhe të cilin aq shumë e përjetësove):

“Udhëtimi i tij i fundit ndriçonte me një episod të denjë për legjendat më të bukura të etërve të shenjtë. Sepse me nderet që i bënë njerëzit kufomës së tij u bashkuan, si me vullnet hyjnor, ato të natyrës. Pranë varrezave, në çastin e lamtumirës së fundit të farefisve e miqve, nga një bajame e lulëzuar aty afër, u ngrit, e rrëmbyer nga era një re petalesh të bardha, që ra, duke e zbardhur të gjithë qivurin e të mjerit De Radë. Toka bujare e lindjes, duke pritur në gji trupin pa jetë, përshëndeste birin e vet të madh me buzëqeshjen e pranverës që po vinte dhe shumë veta në episodin tokësor deshën të shihnin shenjën e përqafimit qiellor të Zotit me shpirtin tepër fetar të Poetit”.

Edhe sot, një zemër-klithje e një zemër-thirrje si ajo që lëshoi Viktor Hygoi përpara arkivolit të Balzakut:

Honore! Ja kush të ka dashur me gjithë shpirt!

RAMIZ! …

Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës, i tokës bujare të lindjes dhe i tokës bujare të gjakut!
Ngushëllimet më të sinqerta Familjes së Nderuar Kelmendi, Familjes Emblemë në kulturën shqiptare!
Ngushëllime më të sinqerta, të gjithëve, emër për emër: që nga më i moshuari e deri tek më i riu!
Ngushëllime, gjithë farefisit Kelmendi!
Ngushëllime, botës shqiptare!
Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe nderimi për Ramiz Kelmendin!
Për jetë e mot, Ramiz Kelmendi do të mbetet një emër që e kemi dhe do ta kemi shumë për zemër!
Pa dyshim, edhe një dëshmi se Rugova është shamibardha jote Shqipëri!

II

RAMIZ, PSE SHKOVE?!

Ramiz! U nise dhe trokite në botën e letrave që kur kishe 16-të pranvera! U nise duke shkruar me pseudonimin “Hija e Lirisë”, hyre në portat e mëdha të Republikës së Letërsisë, dhe sot u përcolle nga ajo që e deshte aq shumë, nga Republika e Lirisë, për të cilën luftuan e punuan aq shumë breznitë orëmira.

Ramiz! Gazetat shkruan se: U shua Ramiz Kelmendi! Shkruan atë që na e the vetë për së gjalli, në atë nëntor të bardhë, në atë muajin më të dashur që nga fëmijëria jote, tek përuronim për herë të parë monografinë studimore në VI-të vëllime, kushtuar Juve.
Kur na the në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare (sot Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”): “Por disi e ndjeva veten me përshtypje. Duhet t’ua them. Duke ju dëgjuar çfarë that krejt për punën time letrare edhe për jetën time, edhe për mua si emër, unë me vete thashë: Paska vdekur Ramiz Kelmendi!”

Ramiz, atë ditë foli Dom Lush Gjergji. Edhe profesor Prendi, Prend Buzhala – studiuesi më i përkushtuar i vepërs sate, i cili për më shumë se 40-të vjet rrjesht e ndoqi atë hap pas hapi. Ramiz, atë ditë u përpoqa të them dy fjalë edhe vetë. Atë ditë shqiptarët ta falën edhe suksesin!

E sot, Republika e Letrave Shqipe është në dhembje, pikëllim e lot, sepse sot nga ngriu loti buzëqeshjen!

Ramiz! Gazetat u nxituan kur shkruan se: U shua Ramiz Kelmendi! U nxituan, sepse Ramiz Kelmendi nuk shuhet kurrë! Sa të ketë ujë në gurrë nga Bjeshkët e Rugovës kreshnike, për sot e mot, mes nesh do të jetë edhe Ramiz Kelmendi!

Do të rrojë vepra jote e fjala jote!

Dhe pikërisht për shkak të vlerave të mëdha ideo-estetike dhe përmasave të kësaj vepre, ne shprehim ndjenjat e falenderimit e të mirënjohjes së veçantë, si dhe respektin më të thellë për: Ramiz Kelmendin.

Të heshtin armët e të flasin librat!

Kjo është zemër-thirrja e jote, një zemër-thirrje e cila do të rrojë sa mosha e kësaj toke, dhe si e tillë ajo është e barabartë me atë që tha Gëte në momentet e fundit të jetës së tij:

U bëftë dritë!

Dhe se zemër-thirrja që të heshtin armët e të flasin librat, është e një kuptimësie dhe e një simbolike nga më të veçantat në gjithë jetën tonë mendore e shpirtërore.

Një zemër-thirrje e tillë e Ramiz Kelmendit, është e barazvlefshme me zemër-thirrjen e Pjetër Budit:

Qoftë për të mirën e dheut të arbërit!

III

R-RAMIZ, R-RILINDËS

Sa më shumë që e lexon dhe e studion njeriu veprën e Ramiz Kelmendit, aq më shumë fitohet përshtypja se ai ka një debolesë të veçantë për shkronjën L: Liria (nuk është rastësi që edhe pseudonimi i tij i parë ishte Hija e Lirisë), letrat, letërsia, Lulja e Kujtimit, Lypsat në lulishtë, lotët, apo edhe Lumo Skëndo, për të cilin u shpreh me aq madhështi: “Emri shumë i shenjtë i kombit shqiptar.” Pastaj Luvri, Lulja, Lumnija, dhe emri që e do më së shumti, siç e ka pohuar vetë në një intervistë, emri: Liridon…

L – si lumturitë. L – si Lukiani. – si libri. L – si lulemollët.
L – si Lukiani, kur shkrove: “S’ka fjalë më të dashur dhe më të ëmbël se fjala “atdhe”, ndaj e duan edhe vetë perënditë. Atdheu do konsideruar si nëna e përbashkët për të gjithë.”

Por më shumë se kaq, Ramiz Kelmendi shquhet për një debolesë edhe për një fjalë tjetër, të cilës i ka falë shumëçka, të cilës i ka falë gjithçka, fjalës: Rilindje. Ramiz Kelmendi është një Nestor i urtë e një mendje e hollë, një penë e mprehtë e gjithë dhunti, që trasoi rrugë e hapi shtigje, që la gjurmë të pashlyeshme në kulturën tonë kombëtare. Prandaj, të thuash Ramiz, do të thotë të thuash Rilindës. Jo vetëm pse shumëçka lidhet me Rilindjen, por sepse ai gjakoi gjithmonë për një Rilindje të vërtetë, që nga arbëreshët e Italisë, të Greqisë, e kudo gjetkë nëpër hapësirat shqiptare.

E Ramiz Kelmendi ka bërë thirrje në vazhdimësi: Atdheu është gjuha vetë.
Ernest Koliqi i falej urtisë dhe arsyes së gjykimit, duke thënë: Urti-Hyjni e moshës së pjekun!

Ndërkaq, për Ramiz Kelmendin libri është hyjni e dijes dhe se duke e mbrojtur librin si hyjni të dijes, ai e mbron të bukurën dhe të madhërishmen:

“Unë do t’ia nisja ma atë, të them pikën më neuralgjike timen gjatë gjithë jetës…Unë me librin e kam nisur dhe në qoftë se çfarëdo kam arritur në këtë jetë, të gjitha diplomat e mia, ose fakultetet e mia, si do të thoshte një shkrimtar i madh, lidhne me librin dhe i kam nga libri, me librin.” (Nga ditari im. Kujtime, Buzuku, Prishtinë, 2011, fq. 251-252)
Duke qenë njeri i librit dhe njeri i letrave, Ramiz Kelmendi na la porosinë e tij të madhe se: “Duhet t’i blatohemi me mish e me shpirt kombit. Njerëzit do mësuar që të mos ia kenë frikën kohës. Shkrimtari nuk mund të fshihet, as të ikën nga koha e vet, meqë dalë ka prej saj.”

Si adhurues i përjetshëm i gjinisë së bukur (siç është shprehur vetë në në 70-të vjetorin e shkrimtares Adelina Mamaqi, më 27 tetor 2009 në Prishtinë), Ramiz Kelmendi i ka folur ardhmërisë sonë, pra i është falur edhe përjetësisë.

R – si harresa. R – Ramiz si sfidues i harresës, e veçmas riharresës. Emri i tij, jeta e tij dhe vepra e tij, së bashku me gjithë forcën e gjakut të fisit, i kundërvihet harresës dhe riharresës.

Dje tek “Rilindja”. Me shkrime tek “Rilindja”. Edhe me ligjërimet, po tek Rilindja. Tek Rilindja Kombëtare Shqiptare. Tek Rilindja e tek rilindësit trima e të mençur. Edhe tek arbëreshët e Italisë, ku u gëzove dhe kur u lumturove aq shumë, kurrë thirre nga thelpinjtë e zemrës sate, për një Rilindje të Dytë. Kur e nise nga aty ku e la De Rada: Gjaku ynë i shprishur tha De Rada. Ramiz, kur e the për ne, për breznitë orëmira, e për këtë atdhe: “Gjaku i Arbërit po vlon. Ndër arbëreshët, po zien, po vlon, po gurgullon….”

Pa më thuaj, Ramiz Burri, kush e tha më bukur? Ramiz, kush e tha më bukur se Ramizi vetë? Kush?

E njëlloj si tek Rilindja, edhe tek Ringsi. Gjithmonë R. Gjitmonë, R, sepse të thuash Ramiz, don të thotë të thuash: Rilindës.

Gjithmonë i tillë. Edhe në faqet e gazetave e të revistave, të librave e të kronikave. Edhe tek Shkolla e Lartë Pedagogjike. Edhe tek Verrat e Llukës. Edhe tek Fakulteti i Gazetarisë.

Rilindës me mendje e me zemër. Edhe me shpirt. Veçmas kur më pyet, mua studiuesin e veprës sate: Ç’ke që më kërshirosesh kështu?!

Besoj se pajtohemi që të dy. Nuk ka rastësi! Ka vetëm bardhësi. Që kur ta vunë si në pagëzimin si një ogur të bardhë, atë kryeshkronjë që të rri si një emblemë e rrallë përmbi ballë, atë emër që e kemi aq shumë për zemër; kur në ato qëndismat prej filigrani në majë të penës sate, thure fjalë si ca margaritarë të rrallë e kur kohës i shuajte mall:

R.
Ramiz.

R.
Rugovas.

R.
Ashtu siç thonë rugovasit:

Ramiz.
Ramizi dhe Rilindja:

“Saktësisht, unë gazetar jam vetëm dy vjet më i ri se “Rilindja”; kjo lindi më 12 shkurt 1945, e unë botova shkrimin tim më të parë në këtë gazetë – dy vjet më vonë.” (Nga ditari im. Kujtime. fq. 114)

IV

DY DASHURITË E MËDHA TË RAMIZ KELMENDIT

Dy janë dashuritë e mëdha të Ramiz Kelmendit: Shqipëria dhe letërsia.

Dy janë frymëzimet më të mëdha të Ramiz Kelmendit: Rugova dhe Peja. Që të dyja janë frymëzim i përjetshëm i tij, sepse Rugova dhe Peja kanë shpalosur nga brezi në brez, dy mesazhe të një bardhësie dhe përjetësie monumentale, shpalosur së pari nga shamitë e bardha të lokemadheve të Rugovës Kreshnike, dhe dalur nga palca e zemrës së Ramiz Kelmendit: Të heshtin armët e të flasin librat.

Dy janë shpërblimet më të dashura për Ramiz Kelmendin, Qytetar Nderi i Pejës, dhe Shpërblimi për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”.

Dy janë qytetet në të cilat Ramiz Kelmendi ka dashur të vend-ndodhet: Ulqini dhe Gjakova.

Dy janë qytetet më të dashura të Ramiz Kelmendit, dhe me të cilat ai e ndante zemrën e tij: “Vendlindja ime, po, është Peja. Por, vend-dashja ime është Gjakova”.

E para ia ka mbjellur dashurinë për letërsinë, kurse e dyta ia ka falur mundësinë për të pagëzuar e për të përjetësuar emrat që deri atëherë nuk ishin dëgjuar: Visar, Migjen dhe Nita.

Dy janë mbishkrimet që Ramiz Kelmendi i ka nxjerrur nga pluhuri i harresës, duke i nënvizuar aq thekshëm në publicistikën e tij antologjike.

I pari është mbishkrimi i formuluar nga fjalët e qartësisë transparente dhe lapidare, me të cilat Elena Gjika i shkruante Jeronim De Radës: “Të mos vdesim pa e parë të valojë i lirë Flamuri i Skëndërbeut mbi Kështjellën e Rozafatit!”

I dyti është mbishkrimi, përkatësisht emblema ilire, të cilën Jeronim De Rada ia ka falur në mënyrën më të hijshme dhe më të madhërishme në gjithë letrat tona – Elena Gjikës, duke iu drejtuar asaj me epitetin nga më të rrallët, nga më të bukurit e nga më kuptimplotët: Mirësia juaj engjëllore!

Dy janë figurat embelmatike të cilave Ramiz Kelmendi u është falur me ndjenjën e respektit më të thellë dhe të mirënjohjes së veçantë.

I pari është babai i tij, Jakup Brahimit – të cilit siç na e ka pohuar vetë, i ka rënë në gjunjë, në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje të pakufi.
I dyti është babai i “Albanias” – Faik Konica, për të cilin pat thënë me krenari dhe mburrje: “Për mua Faik Konica është mendimtari më i madh i botës shqiptare. Atij – edhe pse ka vdekur, unë edhe në këtë moshë i ngritem në këmbë.” (Ramiz Kelmendi, në emisionin Oksigjen, Radio Televizioni i Kosovës, 9 mars 2012).

Dy janë “etërit” e tij të gazetarisë: Faik Konica dhe Masar Murtezai (“babai im i gazetarisë”).

Dy janë kritikët më të shquar dhe njëkohësisht bashkëkohanikë të tij, nën thjerrzën e të cilëve nuk ka qenë aspak e lehtë të kalohet, ashtu siç nuk ka qenë aspak e lehtë që të kalohen porvimet e letërsisë tek ta (në lëndën e Letërsisë botërore – tek i pari, si dhe në lëndën e Estetikës – tek i dyti) pikërisht për shkak të kritereve të drejta letrare dhe estetike që kishin ata: Profesori erudit Hasan Mekuli, dhe akademiku Rexhep Qosja.

I pari ia ka dhënë epitetin aq shumë të merituar: Talenti i tij epik. Duke shtuar më tej se Ramiz Kelmendi është: “Një personalitet më kompleks prej krijuesi. Prozator i formuar dhe më përvojë. Ai na përvetëson me trajta farfuritëse të observimit dhe të komponimit në prozë, si dhe me aftësinë që një temë të thjeshtë ta shfrytëzojë maksimalisht dhe ta shtrojë letarisht. Satirën e vet nuk e drejton kundër njerëzve, por kundër dobësive të tyre dhe pengesave e shprehive njerëzore…Shkrimtar me stil dhe individualitet letrar të veçantë, të cilit gjithsesi i takon një vend i posaçëm në prozën shqiptare. Ai këtë vend e zë me autoritet, si shkrimtar i frytshëm, i cili në mënyrë permanente begaton opusin e tij dhe popullariteti i të cilit nuk bie ndër lexuesit.

Bota që paraqet Kelmendi është specifike dhe komplekse…Ramiz Kelmendi është gjithsesi një fizionomi e veçantë letrare… Ai është identifikuar shpirtërisht dhe emocionalisht me njerëzit e rij dhe kureshatrë. Duke kundruar lindjen e botës së re, ai sheh shumë qartë edhe krijimin e një altruizmi të ri. Ramiz Kelmendi thekson prirjen për portretizim psikologjik të turmës. Bota që paraqet Kelmendi është specifike dhe komplekse. Opusi tregimtar i Ramiz Kelmendit është dëshmi e sprovave dhe e horizonteve të kësaj proze.”

I dyti, ia ka falur gjithashtu epitetin aq fort të merituar: “Pena e tij e Artë! Njëri nga gazetarët e rrallë. Njëri prej prozatorëve të parë të shquar. Njeri dhe Artist. Publicist i shkathët. Militant i të vërtetës. Njëri ndër gazetarët më të mirë shqiptarë në përgjithësi. Dëshmitar historik i popullit të vet. Figurë emblematike e letërsisë shqipe…si njëri prej gazetarëve më të mirë të Kosovës. (Rexhep Qosja. Dëshmitar në kohë historike (1996-1974), Ditari I, Tiranë, Toena, 2014, fq. 437.)

Duke e vlerësuar më tej figurën poliedrike të Ramiz Kelmendit, akademiku Rexhep Qosja ka theksuar se: “Jetës i përkulet njeriu dhe arti. Por ai është përkulur në mënyrë prometheistike. Në shkrimet e tij prej gazetari, mbizotërojnë letrari dhe artsiti. Dëshmitar historik i fatit të popullit të vet. individualitet prej krijuesi e tregimtari.”

Dy janë mësuesit tjerë të radhës, të Ramiz Kelmendit: Esad Mekuli (“babai im i letërsisë”) dhe Ernest Koliqi.

Për të parin është shprehur gjithashtu me pietet, me admirim, me aq respekt dhe me ndjenjën e thellë të mirënjohjes e të falenderimit, duke e quajtur atë si babain e të gjithë krijuesve në letërsinë shqipe të shkruar në ish shtetin federal:

“Nisa punën si reporter i lirë në gazetën “Rilindja”. Vijova të shkruaj tregime dhe t’i botoj në revistën letrare “Jeta e Re”, nën përkujdesjen dhe ndihmën prindërore të Esad Mekulit”.

Ndërkaq, të dytit – Ernest Koliqit, gjithashtu i ka dalë hakut me zemër-thirjen e tij aq fisnike dhe po aq krenare:

Falë u qofsha të gjithë mësuesve të mi ernestkoliqianë!

Dy janë femrat të cilat e kanë nxitur neurasteninë krijuese të Ramiz Kelmendit: Ajkuna e Desdar Osman Agës dhe Dylbere Gjelina, për emrat dhe për bukurinë e të cilave kishte dëgjuar (siç na e ka pohuar vetë në Ditarin e tij) nga daja i vet: Arif Zhuji.

Dy janë lidhjet e tij të para me letërsinë: Ulqini dhe Ulqinakja.

Çuditërisht, dy janë shkrimtarët, tek të cilët Ulqinakja ka ushtruar ndikim dhe ka ngjallur frymëzim të veçantë. Në letërsinë spanjolle – tek Miguel de Servantes Saavadera, dhe në letërsinë shqipe – tek Ramiz Kelmendi:

“Një ulqinake sa e këndshme aq edhe e mençur”, siç do të shprehej shkrimtari, duke sqaruar: “Është shumë e vërtetë se dashuria, lindja dhe lidhja me letërsinë e ka zanafillën pikërisht siç thatë – jo në NDONJË gocë, po te – NJË GOCË. Madje edhe ajo – ulqinake. Ndaj edhe më i pari tregim në jetën time u frymëzua nga ajo dhe mban titullin “Barka e peshkatarit”. Isha student asokohe dhe një – djalë i dashuruar”.

Dy janë qytetet të cilat ngado shkonte e ngado vente, ashtu si edhe Shqipërinë, Ramiz Kelmendi i merrte gjithmonë me vete: Peja e fëmijërisë dhe e rinisë së tij, Peja me bukuritë e saj dhe me historitë e saj (me të drejtë është thënë se Kafka është Praga, dhe Praga është Kafka. E njëjtë gjë mund të thuhet edhe për Ramiz Kelmendin dhe për Pejën), si dhe Ulqini – vendlindja e tij letrare.

Dy janë pasionet e mëdha të Ramiz Kelmendit: Pena dhe letra. Pena sepse ai besonte në misionin fisnik të fjalës, dhe letra sepse ai besonte se letra ka më shumë forcë sesa floriri. Sepse dhuntia e falur nga natyra si dhe dhe dija e fituar leximi i librave të shumtë, e kishin bërë të besonte në atë që e ka thënë Bajroni, se fjala dhe rima kanë fuqinë e një perandorie!

Dy janë figurat epike të cilat kanë mbetur në kujtesën e Ramiz Kelmendit: Pushkatimi makabër i Salih Ukellës (një levend që luftonte për lirinë e truallit të tij), dhe qëndresa heroike e Marie Shllakut përballë torturave më mizore.

V

SA HERË QË DO TA KUJTOJMË RAMIZ KELMENDIN

Sa herë që do të flasim për gjuhën, për kombin dhe për atdheun, gjithmonë do të kujtojmë fjalët e ligjërimit të tij fjollor:

“Atdheu është gjuha vetë. Mendoj dhe shkruaj shqip. Gjuha është shpirti i një kombi…GJITHË SA JEMI DHE KUDO QË JEMI. DUHET T’I BLATOHEMI ME MISH E ME SHPIRT KOMBIT…”

Sa herë që do të flasim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e kulturës shqiptare, gjithmonë do të kujtojmë atë që për Ramiz Kelmendin, e ka thënë me aq respekt dhe me një elegancë aq të rrallë, fisniku i fjalës shqipe Prend Buzhala:

“Secili libër i tij e ka poetikën e risisë. Ai është Njeri i Artit aq sa është edhe Njeri i Kulturës…Ai është Njeri dhe Artist…Klasiku modern, titani i përkthimeve, Molieri i letrave shqipe, mjeshtri i kontrastit, krijues i mirëfilltë, shpëtimtar i dashurisë, zëdhënës i kohës me veprën e tij, memorie e gjallë e brezave, enciklopedi e gjallë, mrekulli e komunukimit të qartë…

Ramiz Kelmendi na shfaqet më shumë sesa ç’është një personalitet, ai është një MEDIUM I GJALLË ku gërshetohen kohët dhe historia jonë, letërsia jonë dhe kronika jonë, arti ynë dhe shpirti ynë… Do të thoshim se Ramiz Kelmendi është ndër stilistët më të përkryer të letrave shqipe, një MAG I LETRAVE SHQIPE.

Barleti na shfaqet si sinonim i epokës kastriotiane. Kështu është edhe me kronistin Ramiz Kelmendi. Kosova e kaq e kaq kthesave historike, nuk mund të përfytyrohet pa kronikën e tij të gjallë e nëpër dekada.”

Sa herë që do ta krahasojmë veprën e tij të madhe me veprat e tjera të mëdha, sërish do të citojmë me krenarinë e ligJshme, profesorin dhe studiuesin më të përkushtuar të veprës së tij-Prend Puzhalën, i cili e ka përcjellur në vazhdimësi për 40-të vjet rrjesht krijimtarinë letrare dhe publicistike të Ramiz Kelmendit:

“Le të themi se për letërsinë tonë emri i Ramiz Kelmendit është i rëndësishëm pikërisht ashtu sikundër janë të rëndësishëm emrat e Servantesit, Rablesë, Erazmit të Roterdamit, Suiftit, Didërosë, Volterit apo Bokaçios për letërsinë europiane, dhe ashtu sikundër janë të rëndësishëm për letërsinë shqipe emri i Çajupit me komeditë e tij satirike, i Gjergj Fishtës me poemat e tij satirike, i Faik Konicës me “Doktor Gjilpërën”, i Kristo Floqit me komeditë e tij satirike, i Dritëro Agollit me romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, apo i Kolë Jakovës me romanin “Fshati midis ujërave”, e deri te Qamil Buxheli me romanet e tij.”

Sa herë që do të flasim për mendjet e ndritura të kulturës sonë kombëtare, gjithmonë do të kujtojmë zemër-klithjen e Ramiz Kelmendit: A ka Zot që i harron këta?

Sa herë që do të flasim për bujarinë dhe fisnikërinë e tij, gjithmonë do të kujtojmë fjalët e Darling Ismail Vlorës, për Ramiz Kelmendin:

“Rasti e pruri t’i shtrëngoja dorën, ta dëgjoja teksa ligjëronte e të bisedoja pak çaste me të…Këto ditë, ndërsa lexoja mbi Panairin e 12-të të Librit në Prishtinë, do më tërhiqte vëmendjen, në mënyrë krejtësisht të veçantë, një shprehje e bukur e shkrimtarit tonë të madh, i cili, në shenjë respekti ndaj veprës së Gjergj Fishtës, Zekeria Rexhës, Anton Çettës e Nënë Terezës do të shprehej se po të ekzistonte mundësia do t’i kishte dhuruar të 80-të vitet e tij, mjaft që këta kolosë të jetonin. Kush tjetër, veçse Ramiz Kelmendit, mund të bënte një urim të tillë?”

Profesori Prend Buzhala me të drejtë ia ka falur epitetin aq domethënës Shpëtimtar i Dashurisë, sepse Ramiz Kelmendi është një urti e lartë. Ai është shijues dhe adhurues bukurie, njeri me sy për të bukurën dhe shkrimtar me penë për të madhërishmen.

Prandaj, sa herë që do flasim për dashurinë dhe pafajësinë e saj, gjithmonë do të kujtojmë epitetin që ia fali atij studiuesi Prend Puzhala, dhe sa herë që do të flasim për një pafajësi të tillë, gjithmonë do të kujtojmë atë apologjinë e famshme që kësaj pafajësie, ia thuri dora vetë Ramiz Kelmendi:

“Edhe unë fillova me dashtë çka don ajo. Madje dëshirojsha edhe frymë me marrë – si ajo.. Ajo kërkoi vetëm një akullore. E unë dojsha me ia dhanë krejt një ambëltore.”

Kaq bukur dhe me kaq përkushtim për pafajësinë e dashurisë ka folur vetëm Zeusi i Vajmarit, poeti i madh gjenial gjerman – Gëte-ja, duke shkruar në romanin e tij Vuajtjet e Verterit të ri: Një dashuri e pafajshme e gëzon dhe nuk e lëndon perëndinë!

Sa herë që do të flasim për bukuritë dhe për trimëritë e Rugovës kreshnike, sa herë që do të përshkojmë së ecuri ato Bjeshkë krenare e ato fusha të bukurive të pafundshme, gjithmonë do të kujtojmë atë himnin nga më të bukurit e nga më të rrallët, të cilin Ramiz Kelmendi ia thuri Rugovës:

“E gëzoi me lot Rugova sot dasmën e vet të madhe: nguljen solemne të shtyllës së parë, që do të sjellë dritë edhe në ato bjeshkë krenare.

Pashë koshutanasin në Haxhaj, edhe plakun e Drelajve, edhe shoqin e tij të Rekës s’Allagës, me të vetmet mburroja të kokës së tyre dinjitoze e të mustaqeve burrërore – shallat karakteristike – tek u shkonin lotët çurg n’ato ditë shiu e dasme mes pishash e rugovasish që preknin qiellin.

Derdhi lot gëzimi sot Rugova. Edhe qielli me të bashkë. Lot e gaz. E puthje. E lojë Rugove. E këngë të reja për rrugën e re të dritës, prej rugovasih të rinj kënduar. E fytyra të rrudhura që gazmojnë. E shkollare Rugove që shpërthejnë, që çojnë përpara.

Dasmë të madhe ka sot Rugova – u çel rruga e dritës…

E mbi të gjitha këto, mu ashtu edhe siç duket në të vërtetë: të josh Rugova aty sipër, me tërë atë diç të mahnitshme dhe të madhërishme që ndryn në bjeshkët e veta të larta, me atë mitin dhe misterin e vet, me ato doke e zakone (jehonën e ndonjërës syresh e ndjen edhe në vetvete, përmes gjakut të babait tënd të Drelajve dhe të nënës sate të Haxhajve), me gjithë atë dukjen ataviste të vet, me shtatin bjeshkë dhe me paraqitjen burrërore, me atë natyrë të virgjër, që shëmbëllehet aq bukur në sytë e tyre, me ato këngët e lahutave, të cilave ua thoshte aq melankolisht dhe aq bukur, daja yt, Arif Zhuji, nga i cili të zuri veshi së pari Gjeto Basho Mujin e Halilin, Gjergj Elez Alinë e Zukë Bajraktarin, si dhe ato dy femra, më të parat femra që i regjistroi veshi yt nga kënga e dajës në lahutë – Ajkuna e Dezdar Osman Agës dhe Dylbere Gjelina.” (Dashuria për Pejën) ”.

Sa herë që do të flasim për Teatrin Kombëtar të Kosovës, sa herë që do të ngjitemi shkallëve të tij, dhe sa herë që do të ulemi brenda këtij Teatri, ku ai la gjurmë të pashlyeshme, gjithmonë do të kujtojmë atë poemën e tij të rrallë e gjithë margaritarë për Ofelinë:

“Ajo fali sonte rozmarina në skenë.
Fali vjollca e krizantema. Borzilokë e manushaqe.
Ca nga këto i fali për kujtim.
Ca i fali për mejtim.
E unë po i fal, ja, një kurorë me dafina lavdie për Ofelinë.
Një kurorë me dafina për të parin hap të saj.
Një kurorë me dafina për natën e bukur që na fali.
Një kurorë me dafina për të nesërmën e saj.
Paç nder, prandaj, moj Ofeli, e mirë se na erdhe!
Edhe – mirë ardhësh!”

Sa herë që do të kalojmë pranë Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, sa herë që do të ulemi të lexojmë e të shfletojmë librat, të cilat i deshti aq shumë, gjithmonë do të kujtojmë atë mermerin monumental të ligjërimit të tij, kur foli aq bukur dhe aq madhërishëm, më 25 nëntorin e vitit 1982: “Datë mbi data në historikun tonë shpirtëror, “tempull mbi tempuj”, “vatër mbi vatra” është Biblioteka Popullore dhe Universitare e Kosovës”, të cilën me të drejtë e pat pagëzuar edhe vetë: “si zëdhënës krenar i mija e mija të gëzuarve e të përgëzuarve si unë”.

Sa herë që do të flasim për librin dhe kulturën e leximit, gjithmonë do të kujtojmë fjalët e tij të mëdha:

“Ja që më të madhin NDIKIM unë e kam pasur tërë jetën – LEXIMIN. Shkurt: LIBRIN. Gjithçka që kam arritur në letra është, po, “ndeshja” ime me jetën dhe njerëzit. Ore edhe më shumë se kaq janë librat dhe leximi i tyre”.

Sa herë që do të flasim e do të shkruajmë për Shqipërinë, atdheun tonë të dashur e të shtrenjtë, gjithmonë do të kujtojmë fjalët e Ramiz Klemendit:

“Gjithë ç’doja në botë, doja Shqipërinë. Atdheun tim. Me të cilën më njohën mësuesit e Ernest Koliqit. Ata që ma mbollën në zemër, që më mësuan se unë nuk jam pa atdhe, se unë nuk jam ‘jetim’, se kam gjuhën time, kam shtetin tim, kam popullin tim, kam historinë time, kam gjeografinë time-Shqipërinë. Falë u qofsha gjithë mësuesve ernestkoliqanë’…Gjithmonë, sa isha i ri, edhe mendoja dhe thoja: po të mos e shoh Shqipërinë, do vdes syhapur…Sepse atdheu është nëna jonë, është mëmëdheu, e nëna, mëma, mund të jetë edhe e çalë, fjala vjen, e verbër, e shëmtuar, po mëma gjithmonë mbetet mëma” (KUR ISHA 18 VJEÇ). “Kaluan vite dhe unë gjithmonë e mbajta të fshehur në zemër, në gjak, në shpirtin tim, ëndrrën e madhe që ta shihja atdheun tim”.

Për bashkëkohanikët e tij, bashkudhëtarët dhe bashkëmendimtarët

Sa herë që do të flasim për mallin e tij të kujtimeve të së kaluarës, e sa herë që njëlloj do të kujtojmë ata që lanë gjurmë në rrugën e madhe të dijes e të cultures sonë kombëtare, ne do të ecim po atyre gjurmëve dhe gjithmonë do të kujtojmë respektin me të cilin Ramiz Kelmendi shprehej për ta, si gjithmonë – gjithë pietet e mirënjohje:

“Esad Mekuli, me namin që gëzonte si baba i letrave shqipe në Kosovë”; “më të shumtën e herës duke pirë kafe e duke u kënaqur me njeriun që ma zbukuronte ditën me humorin e tij të këndshëm, me kritikun tonë Hasan Mekulin”; “Haki Hoxhën, gazetarin më të parë këtu ndër ne, që e shihja si të shenjtë dhe e adhuroja sepse kishte studiuar në Itali, unë e pata mësues. Model që e lakmoja. Shkollë që do të më bënte gazetar”; “Kisha drejtor njeriun që e adhuroja dhe e kam pasur model, njeri të urtë e të dashur gjithë jetën: Beqir Kastratin”. “Edhe profesori im i shqipes Kolë Marubi”; “Edhe pesë shokët e mi të shkollës (Engjëll Berisha, piktori ynë i famshëm, Skënder Rizaj, doktori i historisë, Shevqet Kelmendi, shkrimtar, Kamber Pajaziti dhe Osman Basha)”; “më të “rryerin” dhe më “profesionalistin” – Masar Murtezain; “Përshëndes me ngrohtësi e mall, kam kënaqësi të posaçme ushqyer miradije, tek takohem ndonjëherë me mësuesit e mi të gazetarisë, tashmë të pensionuar: me Hakiun, me Mustafën (Shala), me Sedatin…”; “Baca Haki”; për atë përkujdesjen dhe dashurinë atërore që s’e kurseu, pa teprim ditë e natë”, mirënjohja dhe respekti për Vehap Shitën “mësues timin në gazetari” e “mikun e jetës e të punës”; “Vëllaçkon” (Ali Hadrin).”…

Sa herë që do të flasim për njërin prej personazheve më të dashura për të – Ahmet Koshutanin (siç e quante vetë: “sugarin tim”), ne gjtihmonë do të kujtojmë fjalët e Ramiz Kelmendit:

“Isha i lodhur shpirtërisht, i dërrmuar, i sfilitur…Fillova të jetoj jashtë kohës, i mbyllur në vetvete, dyfish i mbyllur… Ç’përfytyrime të trishtuara!… Vëreja vetëm fytyra të vrenjtura, mbase edhe imja ishte e tillë, shikime të ndrojtura, biseda të thata, shkarazi, përshëndetje të përdhunshme dhe buzëqeshje të rreme… Luaja teatro me jetën, me kohën… Frymëzimet e mia për të shkruar vargje shteruan përdhunisht”.

Sa herë që do të flasim për personalitetin e tij, ne gjithmonë do të kujtojmë se rruga nëpër të cilën ka ecur Ramiz Kelmendi, ka qenë një rrugë gjithë sfida e vështirësi të mëdha:

“Banoja dhe ushqehesha në një familje kelmendase në fshatin e afërt Kosuriq. Më kujtohet që gjatë gjithë vitit shkollor kemi ngrënë një bukë të paimagjinueshme: shtresa e parë me miell, krejt tepsia me hithra, dhe maja prapë një shtresë e hollë me miell. Shkurt: një lloj urie dhe trajtimi gati shtazarak…Filluan burgosjet, – rrahjet, masakrat më mizore me trupin në ujë deri në fyt, gjithë ditën, varjet me këmbë përpjetë…serbët, madje edhe vetë udbashët, filluan t’u shesin – deri edhe me lira të kuqe, me shitje lope a pasurie – pushkët shqiptarëve. Flitej se një psuhkë a një revole është shitur me nga disa herë”.

Shkrimtari dhe fjala

Sa herë që do të flasim për misionin fisnik të fjalës, ne do të kujtojmë porositë e tij fisnike se: “Më shumë vret fjala se thika”, duke na përkujtuar se: “Më vrau fjala e rëndë, këndoi një poet i talentuar dhe, pa vonuar bëri vetëvrasje. Fjala e rëndë, jo rrallë, është më e fortë se pushka…Fjala letrare mund të çmohet vetëm po të jetë e fisnikëruar me ndjenja dhe e privuar nga gënjeshtrat e servilizmi i politikës së ditës, të mos themi të çastit”.

Sa herë që do të shkojmë tek Ringsi (aty ku u takuam më së pari), apo sa herë që do të drekojmë tek Pishat (aty ku nuk na la të paguanim kurrë), gjithmonë do të kujtojmë atë mallin e tij të madh, Malli i stampës, siç e citonte aq përmallshëm Ernest Koliqin, tek priste të shfletonte gazetat e ditës:

“Gjithë ç’shkrova për mbi një gjysëm shekulli, në gazetari, në publicistikë e madje edhe në letërsi, pikërisht këtë synim pata: të njoh veten. Të njoh: Shqiptarin. Të njoh popullin tim.

Shqipëria, si vendi më i bukur në botë

Ramiz Kelmendi është intelektuali i cili e ka sfiduar realitetin e kohës së tij në emër të një realiteti të ri: “ngritja në qiell një tjetër Shqipëri – Shqipërinë siç e kisha ëndërruar dhe siç dëshiroja të ishte”.

Është pikërisht një dashuri e tillë e cila e ka shtyrë që: “Dhe unë, ‘për inat të hasmit’, ua përshkruaja Shqipërinë si vendin më të bukur në botë, i tëri i shtruar me lule e me trëndafila”, duke shtuar:

“E kush, pos tradhtarëve, mund të mos e dojë dhe të heqë dorë nga Atdheu?!”

Për visaret kombëtare dhe librin shqip

Ramiz Kelmendi ka dashur që duke nderuar me respektin më të thellë, por edhe me kulturën e veçantë dhe me dhuntinë e rrallë, të përjetësonte visaret dhe thesaret mendore e shpirtërore të kombit tonë madje në atë mënyrë sa edhe i ka pagëzuar fëmijët e tij, duke e përjetësuar kujtimin dhe nderimin e njërit prej poetëve më të mirë të letrave shqipe, por edhe duke e përjetësuar kujtimin dhe nderimin e njërit prej krijuesve më të shquar arbëresh të kohës së tij, më konkretisht duke shprehur dashurinë e veçantë për njërën prej kryeveprave të Josip Relës, dhe njëkohësisht njërën prej kryeveprave të dramaturgjisë shqiptare, pra duke pagëzuar me radhë fëmijët e tij: Migjen, Visar dhe Nita.

Ramiz Kelmendi gjithashtu ka dashur që libri shqip të qarkullonte sa më shumë, pa gardh e pa ndonjë kufi artificial, që të qarkullonte e që akoma të qarkulloj, kudo ku ka shqiptarë dhe kudo ku janë arbëreshët. Ka dashur që kultura shqiptare të fliste mes veti, të shkëmbehej andej e këtej kufirit. Ka dashur që shqiptarët ta duanë njëri-tjetrin: njëqind për qind!

Në krye të Teatrit të Kosovës

Ramiz Kelmendin e ka ndjekur tërë jetën e tij pamja e pushkatimit makabër të Sali Ukellës, një levend malesh e një legjendë e qëndresës epike kundër dhunuesve të trojeve tona stërgjyshore. Sali Ukella, me pamjen sa prej kreshniku, po aq edhe prej martiri, kushtimisht sikur ka thirrur: Ramiz, mos më harro!

Për aq vite sa ka qenë në krye të Teatrit të Kosovës, Ramiz Kelmendit i është plotësuar dëshira që Kosova të mos kishte më kurrë teatër ku do të luheshin lojërat makabre të krimeve më të shëmtuara – me Sali Ukellën si viktimë, por të kishte një teatër ku do të shkëlqente dramaturgjia shqiptare, të kiste pra një teatër përmes të cilit do të lartësohej e bukura dhe e madhërishmja, nëpërmjet të cilit do të fisnikërohej shpirti njerëzor, ndonëse historia na u përsërit prapë për të satën herë. Sidoqoftë, shkëlqimi i Teatrit të asaj kohe, në vete kishte shkëlqimin e fytyrës prej martiri të Sali Ukellës, ndërsa Teatri i Kosovës nënm udhëheqjen e Ramiz Kelmendit, në reportoarin e tij kishte në ballë dramat shqipe, dhe pastaj ato botërore.

Dashuria për Pejën, Ulqinin, Gjakovën, Shkodrën, Tetovën

Bleta shkon pas erës së luleve e shkrimtari shkon pas fjalëve, sepse fjala është ajo që i mbanë në flatrat e saj, gëzimet dhe pikëllimet e jetës njerëzore.

Edhe për shkrimtarin Ramiz Kelmendi kujtimet janë hijet që zbresin e që nëpërmjet fjalëve hidhen në letër “rrëmbyer nga tonet që depërtojnë shpirtin”, siç do të shprehej Ernest Koliqi.

Peja e fëmijërisë së tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme në mendjen krijuese të Ramiz Kelmendit: “si shpjegohet kthimi kaq i vonë kah vendlindja, kah fëmijëria…Sa tregimi, sa romani, sa drama me një të vetmen temë: Peja. Më afër: pejani. (Po pejanja? Pse jo edhe pejanja? Kush druan të shkruan për pejanen?)”.

Ramiz Kelmendi tërë jetën e tij ka pasur, siç thoshte vetë, një debolesë për Ulqinin, Ulqinin e Cafo Beg Ulqinit – si një klithje për hartën e coptuar, dhe për Ulqinaken – si një zemër-klithje për dashurinë e paharruar: “E shikoni ç’debolesë kam për Ulqinin?”

Ramiz Kelmendi e ka dashur gjithashtu Gjakovën, Malësia e së cilës gjatë historisë u bë çerdhe e atdhetarëve shqiptarë, e ku Haxhi Zeka e mësoi artin luftarak që prej moshës trembëdhjetë vjeçare. Gjakova është ajo e cila Ramiz Kelmendit ia fali fatin e vet: për të krijuar familjen e tij dhe për të pagëzuar fëmijët e vet nën simbolikën e tre emrave (Migjen, Visar, Nita), me të cilët donte të ngriste një institucion të ri e në vete, si vazhdimësi e kulturës shqiptare.
Ramiz Kelmendi ka pasur një dashuri dhe adhurim të veçantë edhe për Shkodrën, e bekuara e Zotit dhe dashnorja e shekujve – siç e quante Migjeni, e për të cilën Knjaz Nikolla i Malit të Zi, duke iu përgjigjur të birit Danillo në pyetjen se përse nuk po e merrnin Shkodrën meqë u kishte ardhur zogu n’dorë, u kishte thënë malazezëve: “Po ta marrim Shkodrën, pas dhjetë vitesh do të na marri Shkodra ne dhe nuk do të ketë më Mal të Zi. Shkodra është gropë e madhe e të gllabëron!”
Ramiz Kelmendi e ka dashur njëlloj edhe Tetovën, për të cilën eruditi i kombit Mithat Frashëri-alias Lumo Skëndo, e parandjente se pas Prishtinës, do të jetë vendi ku përfundimisht do të zgjidhet nyja e çështjes shqiptare:
“Do të vijë koha që politikat ndërkombëtare do ta verifikojnë dhe do ta ndreqin veten në Kosovë. Qendër e tyre do të jetë Prishtina, fjalën e fundit do ta thotë Tetova”.

VI

KUR TAKOHET SHKRIMTARI ME STUDIUESIN E VET

Jo vetëm “kur takohet prozatori me heroin e vet”, por edhe kur takohet me studiuesin e tij, sërish lind pyetja:

“Dhe çke që kërkon të më hysh në shpirt, të më bredhërisësh nëpër mend, të më çapitësh nëpër copëza jete?”

Përgjigja është e qartë. Është e vështirë t’i shpëtosh një fakti të pamohueshëm: Jo vetëm me moshën e tij, jo vetëm me peshën e viteve mbi supe, Ramiz Kelmendi të kujton kolosët e letërsisë.

Ai të kujton titajtë e saj djalosharë, të cilët u dashuruan në universin e artit letrar dhe më nuk e lëshuan kurrë penën nga dora, edhe pse në moshë të thellë.

Bukuritë e mahnitshme të Rugovës sikur shpalosin kujtime kohësh. E lahutarët të cilët mbanin lahutat në dorë edhe nga 30-të vjet rresht, shpalosnin nga to kronikat e kohës gjithë vija dhe vrragë.

Ndërkaq, Ramiz Kelmendi, me veskun e veprës së tij letrare e artistike, me fjalën gjithë rreshk bukurie, të kujton vigajtë e veprave letrare, kolosët e letërsisë, të cilët ua falën krye-veprave të tyre edhe nga 30-të vjet (si Firdusi e Fishta) e edhe nga 60-të vjet (si Zeusi i Vajmarit, Gëte).

Ramiz Kelmendi ka besuar në misionin e fjalës dhe e ka gdhendur fjalën shqipe me një dashuri dhe me një përkushtim proverbial. Një shqipe të pastërt si hoji i mjaltit, siç do të shprehej Mitrush Kuteli për Faik Konicën.

Fjala e gatuar me dritë perëndie, siç do të shkruante Nasho Jorgaqi për Lasgushin, Lasgushin i cili besonte thellë se: “Pa fjalë bota do të ishte memece. Fjala është çudia më e madhe e botës, mban gjithë ç’mendon e ç’ndjen njeriu.”

Për Ramiz Kelmendin, fjala ishte fryma e fundit!

“Ramiz Kelmendi e ka dëshmuar se sa e hirshme është gjuha shqipe. Sa e hyjnueshme.” Kështu do të shkruante njëri nga adhuruesit e shumtë të veprës së tij – Salih Kabashi, në shkrimin Me të shtunat e Ramiz Kelmendit.

Fjala letrare çmohet vetëm po të jetë e fisnikëruar me ndjenja. Prandaj për Ramiz Kelmendin çka nuk është letërsi, sikur e ka mërzitur. Çka nuk është e bukur apo edhe çka nuk është e madhërishme. Në konceptin e tij për jetën ai ka shprehur botëkuptimin e tij të qartë e që shënon një filozofi të thellë jetësore: Çka nuk dhemb nuk është jetë!

Koncepte këto të frymëzuara edhe nga bashkëmendimtai dhe bashkudhëtari i tij, njëri nga Katër Martirët Shkodranë, Kolë Parubi: “Jeta është përsëritje e vdekjes: Në ardhmëri unë kërkoj hakun tim. Zogu i arbërit cicëron shqip. Duhet të nxjerrim prej gjakut gjuhën e fjetur të nënës. Të flasim shqip.”

Në të vërtetë, kishte kohë që Ramiz Kelmendi ishte vënë në kërkim të së bukurës dhe të së madhërishmes: “Emra të bukur kanë vetëm vajzat e bukura.”

Dhe më shumë se kaq. Duke shkruar për Pashko Vasën, do të theksonte: “Ja që jeta, sidoqoftë, ndjek rrjedhën e vet. Në zemrën e pikëlluar dhe të nxirë të Pashko Vasës, si e dërguar prej hyjnish, vjen e hyn një tjetër qenie: vajza e quajtur Berta Lerish.”

Po Ramiz! Si e dërguar prej hyjnish!…

Ramiz Kelmendi është intelektuali i cili është quajtur me të drejtë gazetari emblemë i Kosovës, ikona e gazetarisë kosovare, doajeni i saj, figurë emblematike, figurë pikante e figurë markante e letrave shqipe, dhe i cili futej me aq pasion dhe me aq kulturë në thellësitë e shekujve letrarë, por edhe vihej në kërkim të gurrave të frymëzimit.

Letrat dhe arti i bukur e magjik i të shkruarit, për të janë kroje galdimi. Ato kanë një vesk të veçantë e gjithë rreshk bukurie: “Letrat janë një burim mrekullie. Ja që gudulisin jo pak kërshërinë tonë.”

* * *

Ramiz, prirem të them se nuk besoj në rastësi! Prirem të them kështu se as dashuria që kishe për “Rilindjen”, as puna që bëre aty me dekada, as shkrimet që thure, as fjalët që latove, as mendimet që shpalose, e as dashuria që ke për Ripërtëritjen, nuk mund të jenë kurrë rastësi.

Ramiz, më duket sikur po e dëgjoj atë zemër-klithjen tënde sikurse të Ernest Koliqi: Më ka lënë malli i stampës! S’e besoj dot! S’e besoj dot sepse koha kërkon gjurmët e penës sate. Koha kërkon kronikat e nënvizuara nga leximi me lapsin tënd të kuq. Kërkon kronikat e shpalosura në ballin e saj. Kërkon dhe i gjenë në thellësinë e shekujve letrarë. Dhe tek më pyet për të satën herë: “Ç’ke që më kërshërosesh kështu?”, është koha ajo që i gjenë dhe i lexon përgjigjet në mbretërinë e lashtë të shkrimit.

Vallë, a ishte rastësi kur Zef Serembe i shkruante mësuesit të tij të madh, Jeronim de Radës: Shpresa ma praron rrugën e djersës…

Kur i shkruante Dora D’Istrias: Ky popull trim do të tregohet i denjë për vetveten.

Po takimi me mësuesin e madh, Esad Mekulin? Rastësi ishte. Po ato perla e ato fjalë gjithë mall që thure, ato fjalë miradije, vallë, edhe ato ishin rastësi: Ramiz?

Po kur thirre se: Gjithë sa jemi dhe kudo që jemi. Duhet t’i blatohemi me mish e me shpirt kombit.

Po për gjuhën, kur the se gjuha e dhunuar krijon përbindësha. Kur citove Humboltin: Gjuha është atdheu i njeriut. Kur the se gjuha është atdheu vetë. Po kur citove Mitrushin tek çmonte gjuhën e Faikut: Një shqipe të pastërt si hoji i mjaltit.

Edhe kur nënvizove mendimin tjetër tepër të lartësuar: “Konica e quante gjuhën shqipe si lule e bekuar, që e ujiti djersa e Frangut Bardhë, pastaj Veqilharxhi, Kristoforidhi, Naimi e sa e sa të tjerë.” Deri tek Ramizi.

Po kujtimet me arvanitasit: “M’u ul në prehër çupulina me emrin aq të bukur “Elefteri”, të parën fjalë që e mësova nga Ksenofoni arvanit. Çupulina quhej Liri.”

Mbase do thuash prapë: Çfarë borxhi kam?!

E unë përpiqem të përgjigjem asaj pyetjes sate, jo (vetëm) në roman por në atë ligjërimin si hoje mjalte: Hajde që të patën borxh shkrimtarët shqiptarë: Fran Anton Santori, Sterjo Spasse, Jakov Xoxa a Ismail Kadare, Shtjefën Gjeçovi e të tjerë, po çfarë borxhi të pati ai bardi anglez, Ramiz?

Ja që i paskësh pasur borxh Nolit në Amerikë, dhe Noli e bëri Shekspirin të fliste shqip. Po ç’borxh të pati Shekspiri, kur e bëre të fliste prapë shqip në gjithë ato vepra të kompletit të tij në 10-të vëllime, të mbledhura aq bukur e me aq shije, si nuse mendimesh, siç u tha librave Saadiu, porti I madh I lashtësisë së Persisë.

Do më thuash se edhe kjo ishte një rastësi?!

Po kur the për firmën famëmadhe të Lumo Skëndos. “Alias: Mithat Frashëri: Për ta kthyer Kosovën në Votër…Emri shumë i shtrenjtë i kombit shqiptar Lumë Skëndo, alias Mithat Frashëri i Madh.”

Po kur nënvizove me lapsin tënd të kuq se ç’paskësh thënë Migjeni për Shkodrën: “Sa dëshira të flakta ushqej për këtë qytet! Dëshirat e mia janë shumë shumë më të sinqerta e më të mëdhaja se dashuria që pat Perëndia kur krijoi botën.”

Po Ramiz. Edhe për Pejën, kaq shumë dashuri ke. Edhe për Rugovën. Sa Migjeni për Shkodrën-dashnoren e shekujve. Sa dashuria që pat Perëndia kur krijoi botën. Edhe për Ulqininin, edhe për Gjakovën, për Tetovën gjithsesi.

Edhe sa Da Rada për Makin e tij. De Rada në penën tënde ramiziane: “Malli i De Radës për ta parë atdheun e vet, nuk iu shua kurrë. Ky është një mall i përjetësisë.”

Njëlloj edhe me mallin që ke për të ligjëruar përpara studentëve të gazetarisë. Një mall i përjetësisë, Ramiz!

Njëlloj edhe me atë dashurinë tënde të madhe: “Letrat janë burim mrekullie. Ja që gudulisin jo pak kërshërinë tonë.”

E pena jote e ndritur gudulisi gushën e tyre: letërsinë me gjithë ato hire:

“Pastaj të dy tretën në shtrojë bari kundërmues dhe tretën në gjire të thella të mushtit të gjakut.

Nata sapo kishte nisur të shtrojë një tis të hollë mbi Haxhajt…

Zot, kam kaq vjet që më mungon një Nonda Bulka kosovar!

Deri ku shtrihet Atdheu ynë? Deri ku arrin kënga e djepit shqip? Apo deri ku arrin vajtimi shqip?”

VII

ETËR DHE BIJ

Lasgush Poradeci për babain e tij

Lasgushi s’do ta arrinte këtë kurrë po të mos kish një baba aq mësimdashës. Teneqexhi ishte, po shkollën e kishte për zemër. Në fillim më çoi në Manastir dhe, si mbarova atje semimaturën, u ktheva në Poradec. E kuptonte që mendjen e kisha te shkolla. Unë i dhimbsesha. E ç’të bënte murgu? Veç meje kishte dhe Vanxhelin. Mund të mbajë dhe një fëmijë tjetër në shkollë, duke rrahur teneqe? Po atij i thoshin Sotir Shqiptari.

Kur isha unë fëmijë, në shtëpinë tonë bënim një jetë të thjeshtë familjare, patriarkale. Kështu, ishte jeta atëherë. Kjo jetë u prish në kohën e Luftës së Parë Botërore dhe nuk u ndreq më. Ne ishim tetë fëmijë; katër vëllezër: Vançi (Jovani), Vangjeli, unë (Lazari) dhe Pandeliu. Katër motra: Zografina, Naumka, Aspasia dhe Maria. Pra tetë. Nëna, nëntë. Babai dhjetë. Dhe këta dhjetë shpirt i mbante babai.

Babai kishte dyqan në Poradec. Dyqanin e kishte nja tre minuta rrugë larg shtëpisë. Dyqani ishte me tri të ndara: Njëra ishte depo, tjetra ishte dyqani vetëm dhe një si dhomë ngjitur me dyqanin e kishte që të priste miqtë e dashur. Atje nuk hynte kushdo. Babai ngrihej që pa gdhirë. Nëna ngrihej edhe më përpara. Kur ngrihej babai, nëna e kishte ndezur zjarrin në vatër dhe i kishte vënë kafenë. Babai pinte kafenë dhe shkonte në dyqan.

Ç’nuk mbante babai në dyqan!

Kusi e perusti, mashë e kaci, saç e jastagaç, qereste, hekurishte, pëlhurë, basmë. Të tëra i gjeje atje! Edhe syze mbante. Vije ti i provoje. Po të shikoje mirë, i merrje. Jo? – i lije. Babai mbante me vete gjithnjë kobure, revole. Kur vinte në shtëpi dhe binte të flinte, revolen e mbante atje, pranë jastëkut.

Të mos harrojmë se flasim për kohën kur ishin dy duar për një kokë, dhe kjo kokë kishte një revole në jastëk dhe një pushkë të varur në musandër, prapa derës.

Babai im punonte për Shqipërinë…Babai ka pasur një dashuri të jashtëzakonshme për shkollën. Nuk e lëvdoj sa e kam baba, po them kështu se kështu ka qenë.

Ramiz Kelmendi për babain e tij

Besoj të mos kem qenë asokohe më i madh se, shumë-shumë, 12-13 vjeç. I ndihmoja babait tim, të cilin e gjithë Peja e njihte jo si Jakup Kelmendi, pak-kush si Jakup Brahimi, (Ibrahimi ishte gjyshi im), por kryesisht dhe pothuajse vetëm si Jakup Rugovci. Këtë emër mbajti qëkur u “zhdjerg” nga Drelajt e Rugovës dhe, fillimisht punoi – si hamall (kujto njërin nga tregimet e mia të para – “Sadik Hamalli”!). Punoi një kohë si punëtor krahu, më vonë mbajti një “samar”, me të cilin barte thasët (kujto tregimin tim tjetër – “Rrrëfimi i njeriut me samar”!). Me kohë u “avancua”: bëri një karrocëz me dy rrotë, që e ngarkonte mirë e mirë dhe e tërhiqte. Kulmin e “karrierës” si hamall babai im e arriti kur u bë – “dikush”. Demek, jo hamall krahu, as njeri me samar, as hamall me karrocë dyrrotëshe, por bleu një qerre dhe me të dhe një kalë.

Pos bartjeve të tjera, të rëndomta, të përditshme, Jakup Rugovci, së fundi, gjeti një rugovase të re, Zake Zhuji, të motrën e vëllezërve -dajove të mi-Arif e Shaqir Zhujit, të katundit Haxhaj, dhe u martua me të. Me gjallje të vet, prindërit e mi u bënë-përkundër fukarallakëkut! – jo më pak se me 8 (edhe me shkronja: t e t ë!) fëmijë. gjashtë djem e dy vajza.

Ngritja e tij në “karrierë”, me kohë, u shpërblye me një kontratë që lidhi me Postën e Pejës për të bartur postën, thasët dhe pakot, nga Stacioni i trenit e deri në “Zallë” dhe mbrapa. Punoi e jetoi, më shumë punoi se jetoi, dhe – në një shenjë kohe – e hapi një dyqan të vogël, aty përballë Kasapëve, Furrës së bukës dhe “Pazarit të Vogël” të drithit. Shiste kripë, shqer, gaz, vaj, pezhgëve, sapuna, pasqyra, filxhana, gastare e cikërrima tjera si çdo bakllahane tjetër. Nga hamall, u bë bakall. E dyqani – bakllahane.

Me kohë, duke mos pushuar pothuajse kurrë, mori disa herë rrugën për Shqipëri dhe s’andejmi nisi të sjellë edhe beze, basma, shamia, çorapë dhe gjepura të tjera kësodore.

Pazarin më të madh e bënte Jakup Rugovci ditëve të mërkura, kur Peja kishte t’ashtuquajturin “Pazar të Vogël”. Pa ama tamam “pazar” e “pazarllëk” ai kishte ditët e shtuna, kur bëhej në Pejë – Pazari i Madh. Unë ia mbaja – “kacën”, kështu i thoshte babai arkës me para, që gjendej në krye të “tezgjahut”.

Shtëpinë e kishim “Te Vozi”, ngat “Namazxhahut”. Nga dyqani e deri në shtëpi më qëllonte ta rrahja atë rrugë pale sa e sa herë në ditë. Nga dyqani në “Pazarin e Vogël”, e s’andejmi, nëpër “Okol”, buzë lumit dhe përskaj “Mazxhahit” – në shtëpi.

…Pse po ju tregoj këtë? Sepse, po të mos kish zbritur babai im në Pejë, unë sot do të isha një bari, çoban, në ato bjeshkë duke ruajtur delet e lopët nëpër kodra e shpatije të Drelajve të Rugovës.
Për pandehmën demokleiane

Do të realizohej pandehma demokleiane: kish shumë të ngjarë se do t’i ngjaja tim et, Jakup Rugovcit, të bëhesha edhe unë një – hamall. Si ai dikur. Dhe, do ti, kur humba çdo shpresë, mora vesh se në Prishtinë, në dalje të qytetit, qenkërka hapur një shkollë e mesme, ku nuk u kërkuaka fare “Karakteristika” monstër. Me dy të veçanta, secila më e keqe dhe më e palakuar meje. Shkolla: bujqësore. Mësimi: serbisht!

Trokita, edhe pse pa dëshirë, dhe – më pranuan…

Profesor Hasan Mekuli për babain si personazh letrar

Ndërkaq, qysh në tregimin N j e r i u me s a m a r (“Jeta e re”, 1955) Kelmendi dëshmon talentin e tij të jashtëzakonshëm të tregimtarit dhe observatorit social, prirjen për portretizimin psikologjik dhe për një kredhje më të thellë jokonvencionale në psikën e njeriut. Heroi i tij në këtë prozë, Sadik Hamalli është personazh autentik dhe origjinal artistik i prozës në gjuhën shqipe, i jashtëzakonshëm si personifikim i një ideje të caktuar dhe shembull uniteti dhe flijimi të njerëzve tanë në luftë kundër okupatorit. “Ka llojlloj vdekjesh”, thotë Sadiku. Sepse, vërtet, dikush vdes në shtrat, dikush në beteja të rrepta, e dikush prapë, në ndonjë mënyrë tjetër. Sadik Hamalli vdiq në mënyrë të vet të posaçme dhe, duke u rrëfyer “pas vdekjes” shpjegon shkakun dhe filozofinë e vdekjes së vet. E tërë jeta e tij e vogël është, në fakt -vetëm një histori e dhembshme, e përmbushur me pikëllim, me hidhërim të jetës dhe punës së rëndë, me përbuzje dhe jetë sa të gjallojë, sot për nesër. Në Luftën e Parë Botërore ai humbi prindët.

Dikush e mori dhe e rriti si jetim. E pastaj, që nga mosha dymbëdhjetëvjeçare, nisi të punojë, madje edhe punët më të rënda, duke jetuar pa kulm mbi kokë, pa plang e pa shtëpi, hamall dhe lumpenproleter. Tashti ka shkelur të dyzetat, por duket sikur është mëse gjashtëdhjetëvjeçar. Rrëfimi i tij, është pra, një rrëfim “njeriu me samar”, i cili vdiste shumë gjatë e jetoi fare pak. Duke e treguar shkakun pse e vrasin gjermanët, ai rrëfen të vërtetën mbi këtë vdekje të vet të gjatë, mbi fatin e hidhur dhe tragjik të njeriut, mbi eksploatimin, vuajtjet dhe mjerimin, si dhe mbi të drejtën e natyrshme të pa tjetërsuar të njeriut, Sadikut dhe hamajve tjerë si ai e të të varfërve, që në luftë për liri, jo vetëm kundër okupatorit, të japin gjithë ç’kanë dhe që munden. Sadik Hamalli pati vetëm jetën e tij lakuriqe. Dhe – e flijoi, jo rastësisht, madje qëllimisht, pa rezervë. Aq më i gatshëm, sepse me sa duket nisi të kuptojë disa nga caqet, ndjeu një pjesë të vërtetës së madhe se vendi i tij është ngritur i tëri në këmbë, se është ngritur i madh e i vogël.

Sadiku, më pastaj, e kuptoi në mënyrë të vet specifike kush dhe pse i rrjep lëkurën, si dhe kush do t’i zgjasë dorën dhe do t’i ndihmojë në luftë kundër fajdexhinjve të ndryshëm, tregtarëve dhe pasanikëve. Mirëpo, në çastin e caktuar, për të ka më shumë rëndësi vetëdija se gjermanët, si okupatorë dhe dhunues, po i vrasin vëllezërit e tij, njerëzit e pafajshëm dhe skamnorët, se këtë e bëjnë me gjakftohtësi dhe pa shumë arsye; se pikërisht ata kanë mbjellë vdekjen dhe mjerimin, dhe se tashmë nuk ka dilema mbi atë se edhe ai, Sadiku, një hamall i varfër dhe i dërmuar nga jeta e vështirë, e ka për borxh të japë kontributin e vet, pikën e vet të gjakut njerëzor dhe liridashës, kundër vdekjes dhe së keqes.

Gjermanët, natyrisht, sipas shprehisë dhe zakonit të tyre gjakpirës, pa hetime e gjykim, e vrasin, pasi zbulojnë plot habi, se si edhe një hamall i tillë i shkretë, ka vjedhur, shenjimisht ka rrëmbyer prej tyre municion dhe armë. Sadiku është krenar. Vdes pothuaj gjakftohtë, duke urryer vdekjen. Sepse ai pikërisht tashti, në vdekjen që ka kuptim, pandan jetës që ka qenë vdekje e pakutim, përjeton një rreze lumturie të vet, një çast kënaqësie pse ka jetuar dhe ka mundur të vdes pikërisht ashtu si ka vdekur. Sepse, urrejtja kundër okupatorit, ndjenja e dobishmërisë dhe e njëfarë barabarësie për kontributin dhënë luftës e bëjnë sinqerisht njeri të lumtur, një thërrime të lëvizjes dhe rezistencës kryengritëse.

Ky tregim i shkurtër është, pa dyshim, një nga realizimet më të bukura të këtij shkrimtari në atë periudhë dhe një nga tregimet më karakteristike jokonvencionale me temën e luftës dhe të rezistencës kundër okuptaorit në gjuhën shqipe, një rrëfim interesant edhe si rrëfim i njeriut nga “shtresat e ulta” dhe si portret psikologjik i njërit nga shumë të ashtuquajtur “heronj të panjohur” në luftën kundër së keqes dhe, njëherit, si tregim ku është realizuar me sukses Sadiku si personifikim dhe si figurë e jashtëzakonshme që simbolizon turmën e të shtypurve dhe të varfërve nga odisea jonë e jetesës dhe e përjetimit tonë aq të shpeshtë të ferrit.

Shkrimtari Reshat Sahitaj për babain dhe të birin

Tani në moshën 77-të vjeçare, Ramiz Kelmendi ndjen një krenari për rrugëtimin e tij krijues. Në moshë të thyer Ramiz Kelmendit do t’i kujtohen ditët e vështira të fëmijërisë dhe shkollimi i tij me njëqind vuajtje. Për çdo gjë që kishte vepruar dhe përjetuar gjatë jetës, Ramiz Kelmendi është ballëhapur, por në thellësinë e shpirtit të tij e ka vetëm një zbrazëtirë, në thellësinë e zemrës e mbanë një peshë që e rëndon. Edhe ne terrin e natës kur tjerët bëjnë gjumë të rehatshëm, Ramiz Kelmendi e ka një dëshirë që kurrë nuk arriti ta plotësojë. Ah, vetëm edhe kjo dëshirë të ishte plotësuar dhe Ramiz Kelmendi do ta ndjente vetën njeriun më të lumtur në botë. Dhe, një ditë, më i mërzitur se kurrë, Ramiz Kelmendi pa i treguar askujt do të dali për të ecur i vetmuar. Në vetmi mund të fliste me veten e me tjerët. Ne vetmi mund të komunikonte mbase edhe me shpirtëra të vdekur. Ne ecje e sipër rruga e shpuri në varreza.

Nuk e dinte nëse rastësisht u gjend para varrit të babait apo qëllimisht ishte nisur për të komunikuar me prindin që tani bënte gjumin e amshuar. U ndal. U gjunjëzua. I rrodhën dy pika loti Ledhatoi barin mabi varrin dhe ndjeu sikur para tij iu paraqit vetë babai. “Ah,babë! Sa do dëshiroja që të ishe i gjallë e të shihje suksesin e birit tënd. Babë, unë jam Ramizi që dikur merakoseshe për fatin tim e tani shiko se ku kam arritur. Jo vetëm qe e kam kryer fakultetin por edhe e kam krijuar fakultetin tim”. U ngrit dhe sikur fytyrës ndjeu një përkëdhelje të lehtë. Ishte përkëdhelje e dorës së shpirtit të babait apo ndoshta vetëm një përkëdhelje e erës së lehtë, që përshkoi fusha e bjeshkë, këtë Ramiz Kelmendi kurrë nuk do ta dinte. U nis në drejtim të qytetit, më i lehtësuar dhe më i gëzuar, ngase kishte përshtypjen se fjalët e tij i kishte dëgjuar prindi që aq shumë kishte dëshiruar që fëmijet të kryejnë studimet.

VIII

KRONIKË NË GURRË

Jakup Brahimi e Zake Zhuji

JAKUP BRAHIMI

Nëpër vijat dhe vrragat e jetës, shkrimtari Ramiz Kelmendi ka shpalosur kujtimet e thadruara në mendje e në shpirt, që nga fëmijëria e tij, duke kujtuar me krenari dhe nostalgji: “Babën e dojsha ma shumë se çdo gjë në botë.”

“Kafshata e lame me gjak” dhe sfidat e pamëshirshme të një jete e cila me valët e saj premton shumë e ofron pak, siç do të thoshte Ernest Koliqi, bëhen vetvetiu pjesë përbërëse të një jete plot vuajtje e ndeshtrasha.

E në mendjen e shkrimtarit, më tej shfaqej pandehma demokleane se mos vallë fati do të ishte i njëjtë? Pandehma se a do të zbres nga bjeshka njeriu që shëmbëllente në qëndresën e tij me Anteun mitologjik, apo ardhmëria do të varet në një fije peri të hollë: A do të këputet ardhmëria apo do të buzëqeshë fati?

Sakaq, si një ogur i bardhë që di të falë vetëm e bardha e shamive të lokemadheve të Rugovës, një zë i cili sikur vinte nga thellësitë e zemrës, që dilte nga gjiri i bjeshkëve e që bëhej gjithmonë më i qartë e më i thekshëm, do t’i thërriste njeriut që nuk jepej, që nuk dorëzohej në sfidat dhe ndeshtrashat e jetës: Zbrit nga bjeshka!

Dhe Jakup Brahimi zbriti nga bjeshka për t’u ngjitur bjeshkëve dhe majave edhe më të larta që jeta vinte përpara tij: shkollimin e fëmijëve të tij.

Gjashtë djem e dy vajza.
Edhe bjeshka sikur fliste në kujtesën e saj të thellë:
Jeta do dritë.
E ardhmja do dije.

Jakup Brahimi, i cili herë si Jakup Ferri në epikën historike, e herë si Idriz Guri – që hiqte zorrët zvarrë tek Kryengritja Shqiptare e Mihal Gramenos, por që nuk e linte pa e bërë Shqipërinë me hir o me pahir, nuk i la pa i shkolluar fëmijët.

Kjo etje për dritën, kjo dashuri për dijen do të shfaqej edhe kur koha ishte e pamëshirshme, kur netët ishin të gjata e kur herë nën dritën e hënës e herë nën dritën e zbehtë të kandilit, ëndërrohej për më shumë dritë.

Ky gjakim për dritën ishte trashëgimi e brezave, gjakim ky që një ditë në penën e shkrimtarit Ramiz Kelmendi do të bënte thirrje për ta çelur shtegun e dritës, për të heshtur armët e për t’i hapur dritë librit, shkollës dhe arsimimit kombëtar.

Një ditë koha do t’i jipte të drejtë etjes për dritën.

Është thënë me të drejtë se pa Ernest Koliqin vështirë se do të kishim Universitetin e Prishtinës. Pa Jakup Brahimin nuk do të kishim kurrë Fakultetin e Gazetarisë “Faik Konica”. Prandaj edhe zemër-klithja shfaqet si një kronikë në ballin e kohës: “Babën e dojsha më shumë se çdo gjë në botë!…”

I biri ia kishte kthyer borxhin babait të tij: “Njeriut më të dashur e më të shtrenjtë në jetën time.”

Dhe se Jakup Brahimi ishte në gjendje të shiste shtëpi e katandi, vetëm e vetëm që ta shkollonte të birin, që ai të pajisej me dritë e me dituri.

ZAKE ZHUJI

Kujtesa shpaloset më tej, dhe nga kronikat e saj sërish vijat dhe vrragët në ballin e shkrimtarit:

“Nana ishte çue at mëngjes edhe para babës dhe kishte shkue te “Hanmi” në punë. E dijsha se shkon heret atje, mbasi kurr s’e gjejsha në shtëpi, në mëngjes, kur çohesha.

M’u kujtuen fjalët e nji shkrimtari të madh: “Sado të rij që të jemi, atë ditë që e shofim të vdekun nanën tonë fillon – pleqnija”. Atë ditë, pra, t’atij agu mëngjesor, të cilin e shënuen krismat e tmerrshme, nisi edhe pleqnija ime në moshën njimbëdhetëvjeçare…”

Në mënyrë të veçantë, tek ky shkrimtar dashuria për nënën lidhet pashmangshëm edhe me dashurinë e madhe ndaj gjuhës shqipe:

“Ndërkaq, sa i përket shkollimit tim, flet vetë, jo pak dhe jo vetëm për mua, shkollimi im, sepse: edhe u fillorova, edhe u shkollëmesmova, edhe u fakultetova – pa shih ironinë! – fillim e mbarim serbçe! Serbisht! Mbase mu këtu, edhe pse, them, jo vetëm këtu, unë qysh me gji të nënës rugovase dhe me të folmen rugovase të babait, të njeriut më të dashur e më të shtrenjtë në jetën time, u dashurova çmendurisht, rrënjësisht, shpirtërisht dhe moralisht, me gjuhën shqipe, dhe s’e flaka kurrë, derisa të vdes.

Më përvetësoi, që të mos them më magjepsi, më i pari Migjeni. Sidomos me prozat e tij. Pastaj Nonda Bulka. Pastaj Naimi. Pastaj Lasgushi. Se më Fishta! E Mjedja. E Ernest Koliqi. E Lumo Skëndo. E Vinçenc Prenushi, vjershën e tij aq të bukur “Am’e bijë” e kam të vetmen që e di përmendësh sot e kësaj dite. E kështu me radhë…Pse, ç’shpjegim i veçantë u dashka për të dëshmuar dashurinë ndaj gjuhës amtare, ndaj gjuhës së nënës?!”

Dashurinë e tij proverbiale për gjuhën e nënës, shkrimtari e ka gjithmonë të gjallë, në mendjen dhe në zemrën e tij:

“Në atë ditë të parë të “çlirimit” nga ai okupim, kur për herë të parë zura të ndjek shkollën në gjuhën e nënës, kur për herë të parë mësova kush jam, nga vij dhe cilët janë të parët e mi, kur për herë të parë dhe me knaqësinë më të madhe mora vesh se atdheu im nuk ishte ai që na kishin mësuar gjatë shkollimit fillor, d. m. th. Jugosllavia, por Shqipëria. Se edhe unë nuk isha pa nënë e pa babë. Kisha mëmëdheun tim. Kisha Atdheun tim. Edhe historinë time. Edhe gjeografinë time. Edhe gramatikën e sintaksën time.”

Rrjedhin vitet. Moti e stina rendin në ritmin e tyre. Koha lë gjurmë e gdhend vija dhe vrragë në ballin e njerëzve tek rendin për në shtegun e dritës. Malli shuan etje. E udhëtari që ndalon për pak në rrugëtimin e tij, pi ujë nga krojet me burimet prej kristali që ka natyra e mahnitshme e Rugovës në gjirin e saj.

Shkrimtari ka gdhendur kronikat e kohës së tij. Në vijat e thella të ballit të tij, koha ka lënë kujtime të pashlyera të një jete gjithë sfida dhe ndeshtrasha. Vija dhe vrragë.

Tek ky shkrimtar shumëçka lidhet me vendlindjen, me dheun e të parëve, me fushat e bukurive të pafund dhe me bjeshkët krenare.
Dashuria për gjuhën, tek ky shkrimtar është dashuria për nënën, për atdheun, për kulturën, për djepin dhe për vatrën stërgjyshore.
Pena e tij shumë shpesh ka shkruar, ashtu siç ia ka ndier zemra e tij:
“Nëna gjithmonë dëshirohet…Nëna, gjithmonë duhet dashur. Këtë nënë, pra këtë atdhe, unë e kam dashur gjithmonë.”
Nëna.

Zake Zhuji dhe bardhësia e shamisë së Rugovës. Shpalosur si një bekim i bardhë drejt qiellit. Herë si zemër-thirrje e herë si zemër-klithje.

Zake Zhuji dhe mermeri monumental i perëndive ilire:
Shamia e bardhë shpalosur si vetë zemra e saj, përmbi Bjeshkët e Rugovës.
Një bekim epik. Pastaj një krua që rrjedh në këngë e ligjërime. Më tej: një penë e bardhë.
Zake Zhuji.

Një thjeshtësi prej shpirtit engjëllor.

Zake Zhuji.

Zemërbardhë e zemërdjegur.

Zake Zhuji dhe bekimi i shamisë së bardhë shpalosur viteve, ardhur moteve.

Marin Barleti na la kronikat për rrethimin e Shkodrës. De Rada na la kronikat për epiqendrën e frymëzimeve të tij: Makin, një fshat i bukur arbëresh. Ndoc Nikaj na la romanet e tij – kronika për Shkodrën.

Po për Pejën? Kush do të shkruante kronikat në kështjellë të kujtesës? Kalldrëmeve të kohës, cila penë do ta shkruante kronikat e një kohe me ngjarje të vrullshme, të stuhishme?

Peja që frymëzuar kishte edhe Jahja bej Dukagjinin, edhe poetin me nam Mehmet Akif Ersojin, edhe poetin patriot Emrush Miftarin (i cili vihej në kërkim të Beatriçes së tij, maleve dhe fushave të Rugovës). Peja e penës dhe Peja e pushkës. E luftës për dritë dhe e luftës për dituri. Për dije dhe për kulturë. Për artin e së bukurës dhe së madhërishmes. Peja dhe Rugova. Lahuta dhe këngët e Arif Zhujit. Pena dhe libri. E në sfond: një retrospektivë e përgjakur. Levendët e lirisë. Zhuj Selmani e Sali Ukella. Pastaj kronika e kujtimeve: “të thadruara në mendje dhe në shpirt”.

Gjithmonë në retrospektivë:

Të mahnitshme janë kujtimet e Shqipërisë!

Rugova: zjarri epik i saj. Ndezur herë si eshkë e herë si unor. Ndezur edhe si stralli. Gjithsesi, edhe zjarri që ra prej koncertit dramatik që luajtën kancelaritë e mjekrrave të thinjura në teatrin tragjik të diplomacisë së tyre hijerëndë, një diplomaci sa hileqare po aq dhe ziliqare.

Kronikë kohe e kronikë në gur:

“Letrat janë një burim mrekullie. Ja që gudulisin jo pak kërshërinë tonë.”
Kronikat e një pene “me talentin e vet epik”.
Kronikat që Ramiz Kelmendi na la me “penën e tij të artë”.
Pastaj mendimi i përmallshëm për Jeronim de Radën:
De Rada s’e pa atdheun kurrë me sy-por me zemër.
De Rada, me atë zemë-r-klithjen e tij të njohur:
“Përse të venë nga deti, mendimet? Zemra ime!”
Sërish De Rada: “Ka duvak, qiellin me yje!”
Edhe Rugova, ka duvak, qiellin me yje!
Në sfondin e kohës sërish shkrimtari.
Shkrimtari dhe kronikat e shkruara me shi shpirti.
Shkrimtari që e sheh atdheun, edhe me sy e edhe me zemër.
Shkrimtari që përjetësoi të vërtetat e kohës së tij.

Zake Zhuji.

Nëna dhe Atdheu.

Atdheu një emër me zemër në atentate!
Zake Zhuji.

Edhe një dëshmi se atdheu fillon tek zemra e nënës:
“Nëna gjithmonë dëshirohet…Nëna, gjithmonë duhet dashur. Këtë nënë, pra këtë atdhe, unë e kam dashur gjithmonë.”
Epika legjendare, siç thoshte Lasgushi, ka një prej vargjeve të saj më të bukura: Rënka Diell!

Në një ditë gushti, në një ditë që përcëllonte nga vapa, Rugova hapi arkat ku mbajtur ka gjithmonë thesaret e shekujve si një thesar të trashëguar brez pas brezi.

Rugova!

Rugova e valles së saj të njohur, Rugova e valles e cila shpalos forcën epike të tokës, së bashku me bardhësinë e shpirtit, Rugova e ngritur si një digë e pakalueshme përballë armiqve të pabesë, Rugova e veshur me kostumet e saj më të bukura, nxori nga arka shaminë e saj të bardhë.

Si në mitet dhe në legjendat, edhe Rugova e edhe dita, që të dyja ishin veshur njëlloj, si për të nderuar dy-vargëshin e madh lirik të poetit e të patriotit shqiptar, Pjetër Bodanit:

Veshur me Diell. Mbathur me Hënë!

Rugova, duke shpalosur të bardhën e mermerit të saj monumental, po përcillte poetin e vargut të gjakut:

Lamtumirë Poet! Të qoftë i lehtë dheu! Dhe Paqja: E Amshueshme!

Asnjë mermer nuk do të ishte më monumental. Asnjë ceremoni mortore nuk do të ishte më denjë. Asnjë komb nuk do të ndinte të nderonte më shumë, më bukur:

Një Poet!

Edhe një dëshmi se Rugova është shamibardha jote Shqipëri:

Zake Zhuji.

E bardha e lokemadheve të Rugovës shpaloset përmbi kreshtat, tek u çon mesazhe paqeje, dashurie dhe përjetësie bardhësive të pafundshme të atdheut si dhe hapësirave të pafundshme të universit.

Kronikë në gurrë.
Një krua që rrjedh e nuk shterron kurrë!

Sërish edhe një dëshmi më shumë se Rugova është Shamibardha jote Shqipëri.
Zake Zhuji.

Edhe një dëshmi se: Atdheu fillon tek Zemra e Nënës!
Shqipëria.

Zake Zhuji.
Përjetësia!

IX

NJË FAMILJE EMBLEMË NË GAZETARINË SHQIPTARE

Në historinë e përpjekjeve të parreshtura të popullit shqiptar për liri e pavarësi kombëtare, fletorarizma shqiptare zë një vend ballor. Ishin gazetat shqiptare ato që e shtruan dhe e afirmuan çështjen shqiptare në të drejtën e saj legjitime, prandaj edhe themeluesi i shtetit shqiptar Ismail Qemal Vlora, duke e ditur rëndësinë e tillë të shtypit, pat thënë: “Më jepni një gazetë që ta shpallë Pavarësinë e Shqipërisë!”

Nuk do mend se në historinë e gazetarisë shqiptare, dy janë familjet ndër më emblamatiket, familja Qiriazi dhe familja Kelmendi.

Pyetjes së gazetarit Shaqir Foniqi: Megjithatë, ende mbani emrin e të parit të familjes gazetare Kelmendi, ikona e gazetarisë Ramiz Kelmendi, i është përgjigjur duke përmbledhur gjithë përpjekjet familjare në fushën e gazetarisë:

“Edhe mua më duhet të mendohem. Po, jam unë veterani; Qazimi ishte vëllai im, Migjeni është djali im, Nahirja është vajzë e vëllait tim më të madh, Adriatiku është djalë i vëllait tim më të vogël, Sara dhe Tefta janë bijat e Migjenit, Lumira dhe Arbresha janë bijat e Qazimit…”

X

QAZIM KELMENDI

BABAI IM ËSHTË HEROI IM. Është motivimi im, është jeta ime…

Lumira Kelmendi, 23 gusht 2011

Nga plaga e jetës së re që hap terrin e trazuar dalin shpirtra të zjarrtë si himne që mbushin atmosferën e besimit të tyre, oshëtima e të cilëve gjëmon mjaft kohë edhe pasi të kenë shkuar këta njerëz.

Romen Rolan

Atëherë m’u kujtua Qazimi. Qazimi është vëllai im….Shfletova fjalorin dhe: Qazim. ‘Që fashit pezmin’, ‘që nuk e shpreh hidhërimin’, ‘i qetë’ ‘i matur’. Pikërisht ai…

(Ramiz Kelmendi, Shtatë persona ndjekin autorin, Kapitulli II, fq. 56)

Qazim Kelmendi ishte njeriu fisnik dhe bujar i cili mbahet mend nga ata që kanë punuar me të, për punën, përkrahjen dhe përkushtimin e tij, sepse nuk e kanë thënë kot latinët e moçëm: çka ka në emër ka në zemër!

Emisionet Pasqyra Televizive dhe mëpastaj Bujku, janë dy emisione që në të kaluarën na kanë shoqëruar shpesh dhe që kanë mbetur në mbamendjen tonë. Për aq hapësirë sa kishin aty, gazetarët e atëhershëm të Radio Televizionit të Kosovësës (TVP-ës), mëtonin që ta përçonin mesazhin e tyre dhe fjalën shqipe tek audienca televizive, ndonëse shumëçka shikohej nën thjerrëzat e mbikqyrjes së rreptë.

Një shembull krejtësisht i veçantë në punën dhe në përkushtimin e tij, në prirjen dhe në pasionin e tij, ishte ai i gazetarit shumëvjeçar të RTK-ës, Qazim Kelmendi.

Ai ishte njeriu sa finsik po aq edhe modest, sa profesional po aq edhe parimor, sa i përkushtuar në profesionin e tij, po aq edhe i nderur për punën e tij, i mbrujtur me tipare dhe virtyte për të cilat kujtohet me respekt të thellë dhe admirohet edhe sot, kurdoherë i gatshëm për të ndihmuar e edhe për të këshilluar me përvojën e tij të pasur profesionale.

Nuk është një koincidencë pse fjala vjen, tek rastisi që në orët e një mëngjesi të hershëm, një roje që dukej sikur po përfundonte ndërrimin e natës, që në fillim të bisedës, sa ra fjala – ndonëse në mënyrë indirekte, sikur kërceu nga gëzimi por edhe nga krenaria se po e kujtonte gazetarin e moçëm: E kam pasur shok! Madje, një gjë e tillë e thënë dhe e shprehur me një ndjenjë të theksuar të krenarisë së ligjshme, por edhe të mallëngjimit (gjë që vërehej qartë në sytë e bashkëbiseduesit, por edhe në fytyrën e tij, pamja e të cilës të linte përshtypjen se gazetarin e kishte aty, mu përpara syve) si për të plotësuar pjesën tjetër të bisedës, e edhe për të përkujtuar se bujaria ishte mbi çdo gjë tipar thelbësor i shumicës së atyre njerëzve, që mbi shpatullat e tyre mbajtën barrën e rëndë të informimit në kushtet e shtetrrethimit të hekurt të falangave serbe, shtonte: A dëshironi ta pimë nga një kafe?

Një njeri aq i thjeshtë por aq zemërbardhë, i cili me sjelljen e tij nuk kishte sesi të mos linte mbresa e të ngjallte emocione….

Shumëçka që definohet si thjeshtësi e lartësive e ka sfiduar përherë madhështinë mospërfillëse. Këta njerëz të thjeshtë, të gazetarisë e të informacionit, të mbrujtur me tiparet dhe virtytet e atyre që punën dhe vlerat i kanë çmuar dhe i çmojnë përherë, me dijen dhe me vullnetin e tyre, ndonëse shumë shpesh në kushtet e një mbikqyrjeje të rreptë, nuk ka sesi të mos na e kujtojnë thënien e njohur se Greqia e pushtuar e mundi pushtuesin e pagdhendur!

Qazim Kelmendi, njeriu fisnik e bujar, me pamjen e një intelektuali të formuar dhe të një gazetari të sprovuar me reportazhin e me kronikat televizive në terren, me një ngrohtësi dhe afri bashkëbisedimi, me një vëmendje të përqëndruar në të biseduar, me një përkushtim të gjithanshëm e me një motivim të posaçëm për ta pasqyruar punën e atyre që tokën e donin mbi çdo gjë, arriti të krijonte afërsinë me teleshikuesit, por edhe të ngjallte kërshërinë me veçantinë e qasjes së tij, madje në përmasat e atilla sa emisioni i udhëhequar prej tij, kërkohej me një ëndje të veçantë, flitej dhe komentohej me pietet dhe me respekt të theksuar.

Ai ishte bërë kështu prej kohësh sinonim i një njeriu, sa fisnik e po aq edhe të dashur për audiencën televizive, sepse i përzgjidhte temat e tij me një shije të theksuar, sepse i përgatiste me një përkushtim të veçantë kronikat e tij; hynte dhe dilte në fushat dhe në vendet e caktuara për ta sjellur të gjallë ambientin e tokës nënë, bukurinë dhe hijeshinë, larminë, madhështinë dhe shumëllojshmërinë e natyrës së Kosovës, e cila po e shoqëronte prej vitesh në sfondin e ekranit televiziv.

Qazim Kelmendi po mishërohej gjithnjë e më shumë me kërkesën e teleshikuesve për ta parë emisionin e udhëhequr nga ai, sepse me punën dhe me përkushtimin e tij, ai ishte bërë kështu pjesë përbërëse e së pritmes që në një orë të caktuar me padurim donte të takohej me shpresën e vet, me aspiratën për diçka të veçantë, shumë më ndryshe se uniformiteti, shumë më ndryshe se ngurtësia dhe stereotipet e imponuara nga politikat redaktuese që vinin nga lart.

Ai ishte bërë kështu një figurë sa e dashur po aq edhe e admiruar, sepse ai ishte njëjtësuar me dëshirat e atyre që në shirat që binin mbi tokën mëmë, shihnin frytet e punës së tyre. Dhe jo vetëm kaq. Sfondi i fushave me grurë, përcëllimi i diellit mbi kallinjtë e grurit, duart që tokës i jepnin gjallëri e i falnin edhe dashurinë e tyre, shpaloste një prizëm të ri, një dritare të re, një hapësirë të re, e cila përkonte aq shumë me ëndrrën për lirinë e shumëpritur.

E përderisa letërsia shërbehej me metafora, emisioni i përgatitur nga gazetari Qazim Kelmendi shërbehej me melodinë baritore të fyellit që ngjallte emocionet por edhe shpresat dhe ëndrrat; shkëlqimi i arave me kallinjtë e grurit dhe hapësirat e pafundshme të fushave, perëndimi i diellit në mbrëmje dhe gishtërinjtë e trëndafiltë të poemave të Naimit po shfletonin palë – palë “fushat e gjëra me lule”, si në një parandjenjë të çuditshme sa dhe të mahnitshme, se nën tingujt magjepsës të fyjeve e në rrjedhën e krojeve me ujin prej kristali – ku bënin hije zanat me shtojzovalle, diçka do të vinte, diçka do të ndodhte, herët a vonë, mu ashtu siç e kishte parathënë Naim Frashëri:

Shkëndijë e Diellit ndaj Manushaqes!…

Në idilën e një jete të thjeshtë por që në vetvete mbarte thelbin e dashurisë për tokën, një metaforë e madhe po shaplosej si një simfoni hyjnore.

Nuk është pra rastësi se tokës në letërsinë dhe në kulturën tonë i është kushtuar një vend i posaçëm. Toka ka frymëzuar poetët, shkrimtarët, intelektualët, gazetarët, kompozitorët, artistët, këngëtarët, studentët, punëtorët, minatorët e thellësive të Trepçës, shtresat e gjëra të popullsisë, por mbi çdo gjë toka shqiptare ka frymëzuar luftëtarët e lirisë, ata të cilët i ka lindur dhe rritur, ata të cilët i ka mbajtur gjithmonë në gjirin e saj të ngrohtë.

E larë shpesh me lot (siç e thotë edhe kënga popullore: Moj Fusha e Korabit…), por edhe me gjak: “Është toka jonë, t’parët na kanë lanë” (siç do të lëshonte kushtrimin Pashko Vasa në obeliskun e tij madhështor O Moj Shqypni), Toka Jonë si dramë dhe si vepër baleti – e Kolë Jakovës, apo edhe klithja e Dritëro Agollit: “Takoj shokët, miqtë dhe farefisin/Menkulasin tim, s’e ndërroj dot, me Romën, as me Parisin!”; Toka dhe dashuria për te, në emisionin Bujku, ishte preludi i një dashurie që nënkuptonte lirinë e saj, dashuri që e kishin ushqyer breza dhe gjenerata të tëra atdhetarësh shqiptarë.

Qazim Kelmendi është njeriu dhe gazetari, i cili më kujton diçka nga thënia e shkrimtarit Ismail Kadare për Lasgush Poradecin, se ai ishte njeriu më modest që kishte ecur ndonjëherë në rrugët e Tiranës!

Modestia në të vërtetë, është shenjë të cilën e shpalos madhështia e njerëzve që me urtësinë e tyre lënë gjurmë të pashlyeshme, që flasin pak e punojnë shumë.

Qazim Kelmendi ishte njeriu i fjalës së urtë e i shembullit të mirë, i përkushtimit por edhe i parimit, i gdhendur në kujtesën e shikuesve me portretin e tij që shpesh mishërohej me sfondet e natyrës dhe horizontet e saj, e ku shquhej figura e një njeriu sa fisnik po aq edhe bujar, me një të folur të qëlluar e të qartë, të rrjedhshëm e tepër të natyrshëm, me supet e drejta e me rrobet e mbajtura me një pedantëri të veçantë, me një lëvizje të shkathët duarsh, të cilat në pëllëmbët e tyre mbanin dashurinë për tokën nënë por edhe që shpalosnin horizontet diellore të natyrës së bukur, gjithsesi si një prelud të atyre horizonteve që doemos do të vinin në shtigjet e së ardhmes.

Përmbi çdo gjë ai ishte njeriu fisnik, dhe se një gjë të tillë sikur ia kishte parathënë ajo që proverbi i lashtë latin e ka përmbledhur aq bukur: çka ka në emër, ka në zemër!

Emri i tij, pa dyshim se zë një vend nderi në familjen emblemë të gazetarisë shqiptare, e ku Ramiz Kelmendi e zë vendin ballor, traditë kjo që vazhdon edhe me brezin më të ri.

Një fjalë e urtë thotë se tradita e njerëzve të mirë është traditë e Perëndisë. E tillë është edhe tradita e atyre që e mbajtën ndezur pishtarin e dritës e të diturisë, pishtarin që i priu lirisë sonë…

QAZIM KELMENDI.
RAMIZ KELMENDI.

DRITË U BËFTË SHPIRTI!

Lum ata që nga breznitë orëmira, kujtohen për të mirë dhe si të tillë nuk harrohen kurrë!

XI

EMISIONI KULT
NJË HIMN PËR LIBRIN
DHE
NJË NESTOR I URTË E MENDJEHOLLË:
RAMIZ KELMENDI

Në një rubrikë të shkurtër televizive të emisionin KULT, të transmetuar në Radio Televizionin e Kosovës, më datën 17-të janar 2012-të, të premten në mbrëmje, e të udhëhequr nga gazetarja e talentuar sa dhe e përkushtuar Lumira Kelmendi, Ramiz Kelmendi po fliste me shumë pietet dhe gjithë respekt në përkujtim të aktorit të madh Kadri Roshi.

Pamja e tij, më kujtonte Nestorin e urtë e mentarin e hollë, e që në horizontin mendor dhe dituror të kulturës shqiptare shfaqet aq shpesh me flokët e bardha e me moshën biblike.

Bujaria dhe fisnikëria që shfaqej në zërin, e përmbi çdo gjë sfondi i librave të Ramiz Kelmendit prapa krahëve të tij, sfondi i librave që ka gaditur dhe edukuar breza të tërë, më ka kujtuar esenë e famshëm të shkrimtarit të madh Stefan Cvajg: Libri është Porta e Botës, në të cilin ai u ngriste një himn të vërtetë lexuesve, të cilët i quante “banorët e mbretërisë së lashtë të shkrimit”, duke iu drejtuar atyre me thirrjen e vet se “sa më ngusht të jesh i lidhur me librin, aq më e thellë shpaloset jeta”, prandaj e përmbyllte thirrjen e tij duke pohuar se “asnjë burim energjie nuk ka mundur deri më sot të krijojë një dritë të tillë” – si libri.

Ndërkaq, në esenë tjetër Falenderim librave, Cvajg u kushtonte librave një poemë në vete:

“O pjesëza të pafundësisë! Kurdoherë prisni të rreshtuara në raftet e mbështetura pas mureve. Kurdoherë modeste dhe kokulur prisni që të vijnë t’ju marrin. Por me t’ju prekur dora e njeriut, zemra e tij u përpinë dhe ngazëllehet, si qerre e zjarrtë hyjnore e lartësoni shpirtin e njeriut, e nxirrni nga ngushticat e rëndomësisë, e çoni drejt hapësirave të amshuara të përjetësisë.”

Për aq pak minuta të asaj kronike, më është kujtuar edhe eseu i njohur i Faik Konicës, në të cilin ai shkruante se pasi që ishte duke pirë një çaj kinez, kishte vendosur ta shfletonte një libër të rrallë sa edhe të lashtë, Prometheun e lidhur të Eskilit:

“Një libërth i hollë, që e ngre me një gisht, madje edhe me gishtin e vogël të dorës, por që jetonte edhe pas 2500 vitesh!”

Nuk ishte e rastësishme pse Faik Konica e fillonte esenë e tij pikërisht me thënien e poetit francez Stefan Mallarme:

„Jeta është pa gëzim, dhe librat i kam lexuar të gjitha. Me këtë rradhë nisë një nga vjershat më të bukura të poetit frënk Stefan Mallarme. Edhe të rrojturit e edhe këndimit vjen një orë që të lodhin e të mërzitin…Por le të tingëllojë jashtë zëri i një vajze që shkon, gishtërinjtë e fshehtë le të kthejnë fletët e harruara të një libri të dashur, dhe menjëherë muzika e jetës dhe e artit na zgjon zemrën dhe na ngjallë përsëri mendjen.“

Përmbi çdo gjë, ai sfond librash më sillte në mendje, thënien lapidare të atdhetarit dhe të dijetarit të Beratit e të gjithë Shqipërisë, Islam Vrionit:
„Është e vërtetë, bir, që njeriu është një libër i plotë, më me kuptim, më me detaje të ndritshme fenomenale për gjithë misteret e krijimit, është i vetmi libër që na mëson tjetrin, na mëson gjithësinë, e gjithashtu na shpjegon edhe vetë fuqinë supreme hyjnore-superhumane, gjithënjiherit edhe qenien e njeriut’.

Që në vitin 1953, në katër shkrimet e tij të njëpasnjëshme, Ramiz Kelmendi do ta vinte qëllimisht librin në thelb të artkujve të tij: Libri i parë i prozës origjinale te na, Një libër i ri për fëmij, Disa margina tue lexue librin e Sitki Imamit, Një libër i bukur për fëmijët tanë.

Dhe prapë në vitin 2012-të, Ramiz Kelmendi do të dalë në mbrojtje të librit dhe të kulturës ndaj librit: “Ruajuni prej njeriut i cili e ka lexuar vetëm një libër…apo siç thoshte ilirologu Aleksander Stipçeviq: Asgjë nuk e prish njeriun më shumë se libri i keq, prandaj porosiste ai: Armatosne mendjen me arsye.”

Apologjia që Ramiz Kelmendi ia ka bërë në vazhdimësi librit, ma kujton më tej poezinë e nobelistit Çeslav Milosh, me titullin Lexime:

Më pyete ç’të mirë ka t’i lexosh n’origjinal
shkrimet e shejta.
Dije, pra, se është më mirë t’i fërkojmë gishtërinjtë
Përgjatë germave më jetëgjata se ato të gdhendura në gur,
Dhe se po ta shqiptojmë ngadalë çdo rrokje,
Zbulojmë krenarinë e vërtetë të gjuhës.

Spërdredhjet, shkuma e gojës, mprehja e dhëmbëve
Nuk quheshin dëshmi e dhuntisë.
Të çmendurit nuk i pranonte kush për punë e libra,
Shumë rrallë merreshin me art e letërsi,
Po krahu i fjalës së shenjtë mbetet i fortë:

E kësisoj në çdo shfaqje një lexues punëshumë
I sheh njëzet shekuj si njëzet ditë
Në një botë që dikur do të marrë fund.

Mund të ndodhë që një fjalë, një fjali e vetme e fshehur në trupin e një libri, të jetë për te si një vulë e mistershme, do të shkruante Jean-Louis Jacques.

Dhe se ishte libri ai që e bënte Omar Kajamin ta shijonte jetën më ndryshe sesa njeriu që jeton mes mëkatit dhe pendesës, sepse libri e bënte atë që të shkruante në përmasat e tilla poetike, duke shkruar: “Me devotshmëri, duke shenjtëruar ndërgjegjën time.”

Omar Khajami i falej poezisë, muzikës dhe atronomisë, do me thënë e kishte privilegjin e rrallë që t’i falej tri botëve: botës mendore, botës shpirtërore dhe botës qiellore.

E në gjithë këtë univers ku letërsia është princesha e qytetërimeve, pa dyshim se libri përherë e ka bekimin e vet të veçantë dhe se libri është vetë pavdekësia e shpirtit.

Pra, ja që kishte arsye të mjaftueshme Roman Rolan, kur thoshte:

Të krijosh do të thotë ta mundësh vdekjen!

Nikolla Leonik Tomeu (1456-1531), ky erudit shqiptar i kohës së tij kishte një bibliotekë të veçantë ku i ruante me aq kujdes veprat në origjinal të Plutarkut, si dhe dorëshkrimet e Ciceronit e të Aristotelit, kurse piktori Viktor Karpaçi (1455-1526) , e kishte punuar portretin e dijetarit të shquar ilir të shekullit IV-të, Portretin e Jeronimit me fytyrën e kthyer kah dritarja (çuditërisht profil ky që shëmbëllen aq shumë me pamjen e Jeronim De Radës të kthyer me fytyrë kah Arbëria matanë detit: “Përse të venë nga deti,/mendimet, zemra ime?”) por edhe të rrethuar me libra të shumtë.

Mes librash dhe dorëshkrimesh të shumta e kishte kaluar jetën edhe Ismail Pashë Vlora, i cili do të vritej në vitin 1764 me ferman/urdhërin perandorak.

Në pallatin e tij verues ai kishte pasur një sfond prej 8000 dorëshkrimesh, fati i të cilave nuk dihet, ashtu siç nuk dihet çuditërisht as fati i librave/bibliotekës aq të përzgjedhur të Faik Konicës, ashtu siç nuk dihet se si ka humbur dorëshkrimi i Divanit të poetit Sylejman Naibi, për të cilin thuhet se ka pasur në dorë për herë të fundit studiuesi i zellshëm i letërsisë shqipe, Namik Resuli!

Sami Frashëri ka pasur një sfond prej 20.000 librash, të cilat iu shitën së bashku me shtëpinë për të shlyer borxhet e shumta që kishte pasur -sepse qe dhënë aq shumë pas nxënies së dijes dhe bërjes së Shqipërisë me hir o me pahir.

Mithat Frashëri, thuhet ta ketë pasur një ndër sfondet më të mëdha të librave në Ballkan, shumica e të cilave iu kaluan Bibliotekës Kombëtare në Tiranë.

Mes librave e kishin nxënë dijen edhe Hoxhë Hasan Tahsini e Sami Frashëri.

Librat i pat ruajtur si një theasr tejet të çmuar edhe profesori Hasan Efendi Nahi, madje mes 70-të dorëshkrimeve të vjetra orientale, ai kishte ruajtur edhe një libër të lashtë 754 vjet, e mirësia e familjes së tij e deshti që ato t’i dhurohen Bibliotekës Kombëtare në Kosovë.

Për librat i shpenzonte gjithë ato para që kishte edhe Mustafa Kruja, ndonëse këshillohej nga Imzot Bumçi e Luigj Gurakuqi që t’i kursente të hollat…

Ai sfond librash dhe ajo kronikë e shkurtër e emisionit Kult (sot KultArt), ma kujton sot e mot shkrimin e Ernest Koliqit me titullin tejet domethënës Malli i Atdheut e Librat (një reminishencë me eseun e njohur të Faik Konicës Mallí i Atdheut), ku shkruante:

“Një ditë, qi kishim mbetë vetëm në shtëpi, m’a ndrydhi e m’a shtrydhi zemrën një mall i papritun për Shkodër. E ndjeva veten të mjeruem, të zezuem, të dërrmuem. Shikova librat shqip rrjeshtue në lëpizë si me lypë ndihmë e ngushllim. Zgjata dorën e nxora nga lëpiza nji prej tyne; cilindo, pa i a vu menden titullit. E hapa dhe fillova me lexue. E nji freski e ambël m’a flladiti mallin qi më kishte kapërthye. Jo se ai mall u shue, mun ndoshta e shtue, por tashti at mall e mbëshillte në shpirt nji mallëngjim i kandshëm ku pluskojshin hiret e moshës fmijnore”, për të përfunduar ma mallin e thekshëm se: “Librat shqip m’a sjellin Shqipnin mbrenda banesës s’eme në vis të mërgimit. Bajnë me qarkullue nëpër dhoma të shtëpis s’eme në vend të huej frymën e qiellit dhe të tokës shqiptare dhe përtrijnë rreth meje tingullin e zanave ma të dashuna të vend-lindjes. Nuk e shujenë, kuptohet vetvetiu, krejt dishirin e kthimit, por mallin e atdheut e ambëlsojnë. A je edhe ti i këtij mendimi?“

Gjithsesi, ai sfond librash ma kujton mendimin që vetë Ramiz Kelmendi ka shprehur në mbrojtje të librit dhe nga dashuria e tij e veçantë për librin:

„Them që edhe mjedisi ku lind e rritesh nuk është pa ndikim, s’do mend. Ja që më të madhin NDIKIM unë e kam pasur tërë jetën -LEXIMIN. Shkurt: LIBRIN. Gjithçka që kam arritur në letra është, po, “ndeshja” ime me jetën dhe njerëzit. Por, edhe më shumë se kaq janë librat dhe leximi i tyre. “Sfida” ime me vetveten: pale a di dhe a mundem të shkruaj edhe unë një tregim, se jo më-një roman…Po thonë që digjitalizimi sikur edhe do ta “vrasë” librin. Mbase brezat që vijnë pas meje do të pajtohen edhe me këtë. Unë, hëpërhë, jo.“

XII

THIRRJE
PËR BOTIMIN E PLOTË
TË VEPRËS LETRARE DHE PUBLICISTIKE
TË SHKRIMTARIT RAMIZ KELMENDI

Me përkushtimin e tij të veçantë, Ramiz Kelmendi përveç tjerash, ka përpiluar veprën letrare të Josip Relës – në dy vëllime, veprën letrare të Fran Anton Santorit – në dy vëllime, veprën e Shtjefën Konstantin Gjeçovit – në katër vëllime, veprat e plota të Sterjo Spasses – në tetë vëllime; veprën e Marin Barletit “Historia e Skëndërbeut”, veprën e ilirologut Aleksandër Stipçeviq “Ilirët”, veprën e shkrimtarit Ali Harshova “Bashkëluftëtarët e Skëndërbeut”, serinë e botimeve Biblioteka e Xhepit – në 20 vëllime, serinë Romani Shqiptar – në 10 vëllime, si dhe kompletin e veprave të shkrimtarit të madh anglez Uilliam Shekspirit – në 10 vëllime.
Mjaftojnë këto fakte për të dëshmuar se Ramiz Kelmendit i kemi borxh. Prandaj, BOTIMI I PLOTË i veprës letrare dhe publicistike të Ramiz Kelmendit është domosdoshmëri, sepse kjo vepër paraqet një thesar të madh letrar e kulturor, dhe se duke shpresuar në përkrahjen institucionale për këtë nismë, kjo VEPËR E PLOTË do të mund të botohej, pak a shumë me këtë renditje:

I
Vepra letrare dhe publicsitike e Ramiz Kelmendit
1. Vija e vrragë & Dy rrëfime
2. Ahmet Koshutani & Njerëzit dhe kërmijtë
3. Heshtja e armëve
4. Shtatë persona ndjekin autorin
5. Kapuç me mëngë
6. Letra prej Ulqini & Suzana
& Tregimi ynë humoristiko-satirik
7. Kokrra kripe
8. Fytyra dhe turinj (Polemika në letrat shqipe)
9. Kritikë letrare
10. Publicistikë & Kolumne
11. Këshhtu foli Kadareja
12. Fejtonistikë (Rilindja Kombëtare Shqiptare)
13. Rrugët
14. Shtegtimet e mia
15. Shqipëria e Marie Shllakut
16. Radiodrama & Drama televizive
17. Kulturë shkrimi dhe të foluri shqip (I-II)
18. Antologji (Përkthime, Përpilime, Parathënie)
19. Intervista
20. Nga ditari im (Kujtime)

II
Vepra të përkthyera nga Ramiz Kelmendi

Vëllime me tregime

21. Ernest Heminguej: Plaku e deti dhe tregime të tjera
22. Tregime moderne amerikane
23. Xhejms M. Bari: Pjetër Pani
24. Prezhihov Voranc: Mundqarët
25. Xhek London: Jehu i egërsisrës
26. Juri Kazakov: Adami dhe Eva
27. Danillo Kish: Enciklopedia e të vdekurve

Romane

28. Franc Kafka: Procesi
29. Mihail Sadoveanu: Dega e artë
30. Gabriel Garsia Markes: Njëqind vjet vetmi
31. Milan Kundera: Shakaja
32. Xhorxh Oruell: 1984
33. Gynter Gras: Daullja e llamarintë I-II
34. Oskar Daviço: Fshehtësitë
35. Karlos Kastaneda: Dhuntia e shqiponjës
36. Ernesto Sabato: Mbi heronjtë dhe varrezat
37. Hana Dalipi: Një fundjavë te nëna
38. Natali Sarot: Portreti i të panjohuri

Drama

39. Zhan-Pol Sartër: Duart e ndyta
40. Zhan-Pol Sartër: Katër drama
41. Albert Kamy: Kaligula
42. Domenik Smole: Antigona

Publicistikë

43. Karlo Shtajner: Kthimi nga Gulagu Përpilime
44. Tregime të sotme shqiptare
45. Femrat shkruajnë
46. Adelina Mamaqi: Ëndrra vashërie
47. Ismail Kadare: Qyteti i jugut
48. Teodor Laço: Tregime
49. Thoma Kacorri: Tregimet e jugut
50. Anastas Kondo: Kio
51. Josip V. Rela: Vepra I-II
52. Frano Anton Santori: Emira & Lekë Dugagjini

III
Studime për veprën letrare dhe publicistike të Ramiz Kelmendit

53. Prend Buzhala: Klasiku modern i tekstit (Letërsia e Ramiz Kelmendit)
54. Hashim Baftiari: Ramiz Kelmendi (humorist dhe satirik)
55. Xhemail Peci: Ramiz Kelmendi-Sokol Halili i letrave shqipe
56. Xhemail Peci: E bukura dhe e madhërishmja në penën e Ramiz Kelmendit
57. Xhemail Peci: Ramiz Kelmendi dhe Sibila e Ulqinit
58. Xhemail Peci: Ramiz Kelmendi dhe porosia e tij e madhe (Faik Konica)
59. Xhemail Peci: Ramiz Kelmendi për shkrimin dhe shkrimtarët
60. Xhemail Peci: Ramiz Kelmendi dhe pagëzimi më i bukur në letrat shqipe
61. Ramiz Kelmendi: Një shekull dije dhe drite
62. Nga nëntori në nëntor. Një përvjetor arbëror
63. Ramiz Kelmendi dhe Rugova
64. Shkrimtari dhe sytë e Mona Lizës
65. Ahmet Koshutani: (Vështrim krahasimtar: Kelmendi, Kafka, Konica, Kuteli, Kadare, Kavabata. Moravia, Pirandello, Dostojevski, Markezi)
66. Biografi dhe bibliografi

Qofshim të denjët e asaj dite që do të vijë:

Në 90-të vjetor, në Njëqindvjetor e në çdo Përvjetor të Ramiz Kelmendit!

Qofshim të denjët e asaj dite kur do të kujtojmë për Të, fjalët e shkrimtarit të madh austriak Stefan Cvajg për Volterin:

„Nuk e meritojmë lirinë në qoftë se nuk do të dijmë ta nderojmë si duhet Volterin!“

Qofshim të denjët e asaj dite që do të vijë, ditë për të cilën breznitë orëmira, të cilat do të vijnë pas nesh (sipas porosisë së Balzakut për francezët: “Ruajeni artin dhe gjuhën, sepse, edhe kur të mos jemi gjallë, do të vazhdoni të jetoni me krijimet tuaja, të cilat kurrë nuk vdesin, bile edhe sikur të zhduket vendi ynë, njerëzit do të thonë: këtu ka qenë Franca.”), do të thonë me krenarinë e tyre të ligjshme, sot e mot, se këtu ka qenë, se këtu është e do të jetë gjithmonë Kosova, Kosova e brezave dhe e gjeneratave të shqiptarëve atdhetarë!

Kosova e mendjeve të ndritura dhe e mentarëve të hollë, Kosova e urtive të larta, Kosova e mendjeve dhe e zemrave të bashkuara për qëllimin dhe të mirën e përbashkët, sepse mendja e njeriut është kurora e kombit.

Sepse ky komb, kjo Republikë e Lirisë e ka edhe një emër emblemë, një emër i cili la gjurmë të pashlyeshme në Republikën e Letërsisë.

Ky emër, të cilin e kemi e do ta kemi sot e mot aq shumë për zemër, me jetën e vet dhe me veprën e vet, me shembëlltyrën dhe me porosinë e tij të madhe, përbën NJË SHEKULL DIJE DHE DRITE: RAMIZ KELMENDI.

Londër, 11-15 janar 2017

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here