Pushtimi virtual

0
518

Rexhep Kasumaj

Prishtinë, fundverë 2016

(Kjo vdekje e paemër)

Në një ndarje përgjithësore, pushtimi i një toke të huaj, e si pasojë, skllavnimi i një populli, bëhet dy udhësh.
Njëra, ndaj, është klasike me ushtri, marshim perandorak, shpatarë, kështjella që digjen, pastaj tanke, gjak, kampe, robër e mort. Dhe tjetra – virtuale, e kjo domethënë, e fshehtë që mbulon ftyrën e vërtetë pas një ideje madhnore: asistencë ndihmëtare, afrimitet historik a shpirtëror, përkitje interesash, aleancë natyrale…

Nuk dëgjohen më rropamë kalorsie, karro të blinduara që shkallmojnë udhët, avionë mbi kulme ku ritmon butësia e jetës… Rrjedhimisht s’do ketë as burgje, flamuj tek valojnë sundueshëm, përsekutim, vrasje, dyndje biblike. Të moderuarit duan një t’vetme gjë të thjeshtë: dorë mbi pasuritë, resurset dhe fuqinë e lirë punëtore.

Dhe shtypja ngjan, ashtu, e shtruar, madje e kadifenjtë, kurse gjunjëzimi i pavërejtshëm, elegant dhe flladitës. Veçse më pas vjen mekja e frymës që shuan ngadalë si një vdekje pa emër…

Por, megjithë ndryshmërinë, ato kanë një tipar të përbashkët: renegatët. Një racë, kurrizi i së cilës në të dy mënyrat e kohët krruset përdhé, për t’u bërë urë kalimi apo flamur justifikimi i Fuqisë hegjemone. I Fuqisë së huaj!

R. K.

SHKRUAJ NJË KOMENT