Promovohet libri: “Liri Belishova, gruaja që sfidoi diktaturën”

0
1332

Ikona të skenës dhe ekranit në promovimin e librit

Halil Rama promovon librin e dhjetë, monografi kushtuar Liri Belishovës

Nga Sakip CAMI

Libri i dhjetë i publicistit dhe studiuesit të njohur Halil Rama i kushtohet Liri Belishovës, një nga figurat më interesante, përfaqësuese të elitës intelektuale mbarëkombëtare. Në promovimin e këtij libri, pikërisht ditën që Zonja e Rrallë, Belishova festoi 90-vjetorin e ditëlindjes, përveç dhjetra personaliteteve të letrave shqipe, ishin të pranishëm dhe ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, Heroi i Popullit dhe nderi i Kombit, gjeneral rrahman Parllaku, emblema e qëndresës në burgjet serbe, deputetja e parlamentit të Kosovës, Flora Brovina si dhe ikonat e skenës dhe ekranit tonë, Tinka Kurti, Margarita Xhepa e Raimonda Bulku.

I moderuar me mjeshtri të rrallë artistike nga gazetarja e mirënjohur, Tefta Radi, promovimi i librit “Liri Belishova, gruaja që sfidoi diktaturën”, si dhe Akademia Jubilare, organizuar me këtë rast nga OBVL, sollën në vëmendjen e qindra pjesëmarrësve në sallën e Akademisë së Shkencave portretin e kësaj gruaje emblematike, të edukuar, të shkollur, të përkushtuar dhe të kulturuar në shkallën më sipërore. Si e tillë, ajo zë vendin e merituar në panteonin e nderit të kombit shqiptar.

Aktorë, gazetarë e politikanë promovojnë librin për Liri Belishovën

Në këtë libër, i cili është i ndarë në pesë kapituj jepet aktiviteti politik dhe shoqëror i Liri Belishovës, spikatja e saj në luftë, por dhe pas luftës, si një politikane që nisi të dallonte që në rininë e saj nga kontributoret e kohës.

Kryetari i OBVL-së, gjeneral Rrahman Parllaku, evidentoi faktin se një pjesë të rëndësishme në libër, si dhe në jetën e Belishovës, zënë vuajtjet e saj si dhe të familjes pas internimit e burgosjes së bashkëshortit Maqo Çomo, por dhe tregimet e njerëzve që e kanë njohur atë nga afër, disa bashkëvuajtës të regjimit komunist të Enver Hoxhës, por dhe miq të fëmijëve të Belishovës.

Prof.Dr. Ana Lalaj, që ka trajtuar shkencërisht më mirë se kushdo historinë e LANÇ-it dhe të pasluftës, nisur nga trajtimi i fakteve e ngjarjeve në këtë libër, ndër të tjera tha se e sheh jetën dhe veprimtarinë e Belishovës në tri kohë.

Portreti i Liri Beloshovës na shpalos një pjesë të historisë kombëtare që na bën të ndjejmë emocione. Pikërisht këto emocione i përcolli në këtë takim promovues edhe Kryetari i Shoqatës të Veteranëve të LANÇ të Kosovës, z.Zija Mulhaxha.

Nga ky këndvështrim i evidentuan vlerat e këtij libri ish-presidenti Moisiu, Znj.Grida Duma – Sekretare për Marrëdhënjet Publike në PD, si dhe Prof.Dr.Nevila Nika.

Fjalë zemre shprehën gjithashtu për Znj.Liri Belishova në 90-vjetorin e ditëlindjes së saj, artistet e Popullit Tinka Kurti e Margarita Xhepa, si dhe deputetja dhe shkrimtarja disidente kosovare, Flora Brovina. Ata thanë se libri i sapobotuar i publicistit dhe shkrimtarit Halil Rama, me titullinin sinjifikativ: LIRI BELISHOVA – GRUAJA QË SFIDOI DIKTATURËN” vjen si një dhuratë e çmuar për të në këtë ditëlindje të 90-të të saj.

Në këtë libër gjejmë portretin e gruas emblematike, si luftëtare e paepur antifashiste, si diplomate dhe politologe e shkëlqyer.

Në pesë kapitujt e librit gjejmë profilin e kësaj zonje me cilësi të ralla kulturore, komunikative e propagandistike, bindëse.
Në kapitullin e fundit, “Bashkëkohësit për liri Belishovën”, gjejmë edhe vlerësimin e diplomatit Arian Starova – President i Këshillit Atlantik të Shqipërisë. Ndër të tjera ai shprehet: “Liri Belishova do të më befasonte përherë me dijet e saj të gjera e të thella, logjikën e saktë të të arësyetuarit, kujtesën e pagabueshme, interesin e jashtëzakonshëm për zhvillimet demokratikë të vendit dhe sfidat e ndryshme me të cilat përballeshim, si edhe me aftësinë e saj të mrekullueshme për të dëgjuar dhe respektuar mendimin e bashkëfolësit. Aftësitë intelektuale dhe dijet e kësaj zonje janë ruajtur brenda një shpirti të madh që nuk e ka lejuar kurrë të shajë askënd, as përndjekësit e saj të pashpirt gjatë viteve të internimit”.

Në këtë këndvështrim e shohin profilin e Liri Belishovës artistja e Popullit, Rajmonda Bulku, gazetarët e njohur Kozeta Mamaqi e Hyqmet Zane, si dhe Dr.Arta Sakja si pjesë këtij libri. Të pranishmit mirëpritën gjithashtu interpretimin dinjitoz të poezisë “Ditiramb për Liri Belishovën”, nga autori i saj, poeti Naim Berisha që është dhe redaktor i librit.

Një urim të përzemërt në këtë 90-vjetor të ditëlindjes, përcolli dhe mbesa, Daniela Belishova, e cila kishte ardhur nga Italia, ku punon dhe jeton, për ta përshëndetur hallën e saj në emër të familjarëve dhe të afërmëve.

Dergoi per publikim, Gjin Musa, gazetar

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here