Profesor Sami Repishti çoi zërin e Kosovës në Uashington

0
567

Që nga momenti kur profesor Sami Repishti u vendos fizikisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mendja dhe shpirti i tij ishin gjithmonë te shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë. Në një kumtesë me rastin e 90-vjetorit të humanistit, dijetarit dhe avokatit të çështjes shqiptare Sami Repishti, Dr. Elez Biberaj flet për rolin ndër vite të tij.

Profesor Repishti gjithmonë ka theksuar domosdoshmërinë që shqiptarët të shfrytëzojnë mundësitë, të konsolidojnë orientimin e tyre perëndimor, të ruajnë dhe forcojnë harmoninë fetare dhe t’i kundërvihen çdo shenje të ekstremizmit fetar”, shkruan Biberaj. Ai tregon angazhimin e paepur të profesor Sami Repishtit për të dëgjuar zërin e Kosovës në Uashington, ai ndërgjegjësoi publikun amerikan e perëndimor për situatën ku ndodheshin shqiptarët dhe mjerimin e tyre.

Sami Repishti arriti të bindte, falë një lobimi të fuqishëm, vendimmarrësit amerikanë mbi nevojën e ngutshme të veprimeve të rrepta për të shmangur një konflikt të armatosur mes shqiptarëve dhe serbëve. Edhe sot, profesor Repishti vazhdon të frymëzojë brezat e shqiptarëve në kërkim të një shoqërie më demokratike dhe më të drejtë. Më poshtë një pjesë nga kumtesa e Dr. Elez Biberajt.

DR. ELEZ BIBERAJ

Është kënaqësi e veçantë që marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme për nder të Profesor Sami Repishtit. E kam njohur Profesorin që kur kam ardhur në këtë vend në vitin 1968 dhe jam me fat që kam ndjekur nga afër shumë prej veprimtarive dhe angazhimeve të tij. Kam punuar ngushtë me të për çështjen shqiptare, një kauzë shumë e dashur kjo për të dy ne.

Gjatë katër dekadave të fundit kemi mbajtur kontakte të rregullta, jemi këshilluar dhe kemi bashkëpunuar për shumë çështje. Gjatë gjithë këtyre viteve, ne në Zërin e Amerikës kemi përfituar mjaft nga intervistat dhe komentet e tij të vyera mbi një gamë të gjerë temash. Personalisht, unë gjithmonë kam patur mbështetjen dhe inkurajimin e Profesor Repishtit, tek i cili kam vlerësuar edhe rolin prej mentori dhe për këto i jam mirënjohës.

Profesor Sami Repishti ka pasur një karrierë të gjatë, të shquar dhe shumëplanëshe: Ai është mbrojtës i madh i të drejtave të njeriut, luftëtar për demokracinë, dijetar i shquar, shkrimtar pjellor dhe avokat i dalluar i çështjes shqiptare.

Profesor Repishti ka shfaqur një angazhim të paepur për vendosjen e një rendi demokratik në vendlindjen e tij Shqipëri, për vetëvendosjen dhe lirinë e shqiptarëve të përjashtuar padrejtësisht nga vendi i tyre amë dhe, vitet e fundit, për krijimin e shoqërive demokratike të gjalla e gjithëpërfshirëse në trojet shqiptare.

Sot dëshiroj të përqëndrohem te ndihmesa e Profesor Repishtit në luftën e gjatë dhe të vështirë të Kosovës për liri e pavarësi. Veprimtaritë e tij për Kosovën shtrihen në mbi pesë dekada, duke filluar nga koha kur ai sapo kishte mbërritur në Shtetet e Bashkuara e deri në ditët tona.

Ai e promovoi çështjen e Kosovës me forcë, me kurajo të patundur, me përkushtim të thellë dhe me një qëllim moral. Komuniteti shqiptaro-amerikan ka nxjerrë shumë veprimtarë të shquar, por pak mund të krahasohen me ndihmesen e shquar dhe aftësitë e jashtëzakonshme intelektuale dhe diplomatike të Profesor Repishtit.

Ai krijoi një rrjet të gjerë kontaktesh profesionale dhe u njoh personalisht me zyrtarë të lartë të administratës amerikane, anëtarë të shquar të Kongresit, ekspertë të politikës së jashtme dhe përfaqësues të mediave. Thellësia me të cilën ai e kuptonte politikën e jashtme amerikane dhe funksionimin e Uashingtonit si dhe shkalla e lartë e ndërgjegjësimit të tij politik kanë qenë të pakrahasueshme. Të gjitha këto ai i përdori me shumë efektivitet për Kosovën.

Profesor Repishti vepronte në disa nivele paralelisht. Ai angazhonte shqiptaro-amerikanë të tjerë të shquar, mobilizonte komunitetin për çështje me rëndësi të veçantë, ndihmonte krijimin e organizatave lobuese, shkruante, mbante ligjërata dhe kultivonte marrëdhënie me njerëz kyç të administratës amerikane e të Kongresit, me institucione studimore, me mjete të komunikimit si dhe me organizata të demokracisë e të drejtave të njeriut.

Ashtu si edhe shumë grupe të tjera etnike, komuniteti shqiptaro-amerikan ishte politikisht i përçarë. Profesor Repishti shfaqi aftësi për të punuar me njerëz nga i gjithë spektri politik – me udhëheqës të partive politike, klerikë, studiues, studentë dhe biznesmenë – dhe arriti të krijojë mbështetje të konsiderueshme brenda komunitetit. Ai luajti rol të dorës së parë në krijimin e tri organizatave me rëndësi kritike: Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë, Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.

Nëpërmjet veprimtarive të tij të shumta shkencore dhe lobuese, Profesor Repishti u përpoq të arrijë disa objektiva të rëndësishëm:

Së pari, të ndërgjegjësonte publikun amerikan dhe perëndimor për gjendjen e mjeruar të shqiptarëve dhe kërkesat e tyre, duke iu kundërvënë rrëfimit konvencional negativ dhe paragjykimeve të dëmshme për shqiptarët që përhapte me mjaft agresivitet makina propagandistike jugosllave.
Së dyti, të dokumentonte dhe demaskonte shtypjen sistematike të të drejtave të njeriut dhe atyre kombëtare të shqiptarëve.
Së treti, t’u bënte thirrje Shteteve të Bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar për të vendosur sanksione mbi qeverinë jugosllave për shkeljet prej saj të të drejtave të njeriut.
Së katërti, të bindëte vendimmarrësit amerikanë mbi nevojën e ngutshme të veprimeve të rrepta për të shmangur një konflikt të armatosur mes shqiptarëve dhe serbëve, duke paraqitur argumentin se, në rast se nuk veprohej, kjo do të sillte rreziqe afatgjatë për paqen dhe qendrueshmërinë në rajon dhe do të minonte interesat strategjikë të SHBA.
Dhe së fundi, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të nxiste zhvillimin e një shoqërie të drejtë dhe të një demokracie të gjallë me institucione të fuqishme demokratike, me shtet ligjor dhe mediume të lirë.
Kjo ishte një detyrë e vështirë, por Profesor Repishti dhe veprimtarë të tjerë të shquar që punuan me të i ndoqën këto objektiva me vendosmëri të patundur. Ndihëmesa e tyre është edhe më e madhe po të merren parasysh sfidat e shumta me të cilat ata ndesheshin dhe mjedisi politik në të cilin vepronin.

Deri në fund të viteve 1980, Jugosllavia gëzonte mbështetje të gjerë perëndimore. Nuk iu kushtohej vemendje e dukshme mbrojtjes se të drejtave të njeriut dhe nxitjes se demokracisë dhe pikëpamjet e Beogradit për ngjarjet në Kosovë pranoheshin gjerësisht. Politika amerikane ndaj Kosovës formulohej mbi bazën e pikëpamjeve kryesisht pozitive për Jugosllavinë dhe për rolin e saj ndërkombëtar.

Pikëpamjet mjaft të favorshme për Jugosllavinë ishin në kontrast me ato kryesisht negative mbi shqiptarët e sidomos mbi regjimin totalitar të Enver Hoxhës. Mbështetja zyrtare dhe publike për Jugosllavinë në Shtetet e Bashkuara ishte e madhe dhe perëndimorët prireshin të ishin thellësisht skeptikë ndaj kërkesave të shqiptarëve. Shumica e mjeteve të informimit ishin në favor të Jugosllavisë dhe rrallë publikonin kritika për Beogradin. Për më tepër, ndikimi i komunitetit shqiptar në politikën amerikane ishte i papërfillshëm.

Shqiptarët në SHBA nuk formonin një bllok të madh votuesish që të mund të ndikonte ndjeshëm në zgjedhjen e ndonjë kandidati në një post zyrtar. Prandaj, udhëheqësit shqiptaro-amerikanë u përballën me një betejë të vështirë në përpjekjet për të fituar mbështetjen e politikanëve amerikanë.

Profesor Repishti shkroi me dhjetra raporte dhe artikuj, dha leksione dhe intervista, mori pjesë dhe organizoi panele, seminarë dhe konferenca të shumta, formuloi skicë-ide dhe drafte politikash për zyrtarë të lartë amerikanë si dhe dëshmoi përpara Kongresit.

Në vitin 1982, profesor Repishti, së bashku me profesor Arshi Pipën, organizuan një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, ku morën pjesë studiues të shquar amerikanë, evropianë dhe shqiptarë, si Nicholas C. Pano, Martin Camaj, Safete Juka, Peter Prifti, dhe Anton Logoreci. Shumica e kumtesave janë përfshirë në përmbledhjen Studime mbi Kosovën, botuar në vitin 1984. Ky ishte një libër jashtëzakonisht i dobishëm dhe lexim i domosdoshëm për studiuesit dhe politikëbërësit.

Vëllimi hedh dritë të re mbi çështjen shqiptare dhe marrëdhëniet e nderlikuara mes shqiptarëve dhe serbëve. Në kumtesën e tij, Profesor Repishti analizonte evolucionin e marrëveshjeve kushtetuese të pas Luftës së Dytë Botërore, që u mohonin shqiptarëve të drejta të barabarta me grupet e tjera etnike dhe në thelb i kthenin ata në qytetarë të klasës së dytë. Ai eksploronte marrëdhëniet midis të drejtës së shqiptarëve për vetëvendosje dhe këmbënguljes së Beogradit për një kornizë kushtetuese që do t’u mohonte shqiptarëve vetë-qeverisjen e vërtetë dhe të drejtat demokratike.

Profesor Repishti bëri paralajmërimin e rreptë se konflikti do të ishte i pashmangshëm nëse Beogradi vazhdonte të mohonte kërkesat e shqiptarëve për barazi kushtetuese me grupet e tjera të mëdha etnike të Jugosllavisë.

Memorandumet e përvitshme që shkruante Profesor Repishti drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në emër të Rinisë Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë, paraqisnin një histori të plotë të çështjes kombëtare shqiptare dhe një kronikë të detajuar të shkeljeve të të drejtave të njeriut në ish-Jugosllavi. Këto ishin raporte të dokumentuar mirë dhe shërbyen si këmbanë alarmi për shkeljet sistematike të të drejtave të shqiptarëve.

Profesor Repishti bashkëpunoi ngushtë me organizatat që merreshin me të drejtat e njeriut dhe me nxitjen e demokracisë, si Freedom House, Amnesty International, apo Human Rights Watch si dhe me Zyrën e të Drejtave të Njeriut në Departamentin e Shtetit, duke u bërë një burim autoritativ për këto organizata. Ai botoi gjithashtu artikuj të shumtë në shtypin amerikan dhe në gazetat e emigrantëve shqiptarë.

Me analizën e tij të mençur, të hollësishme dhe të balancuar, Profesor Repishti u përpoq t’i kundërvihej rrëfimit negativ të nxitur nga Beogradi dhe t’i bënte njerëzit ta kuptonin më thellë natyrën e ndërlikuar të çështjes së Kosovës. Ai shfrytëzoi në këtë diskutim publik një kombinim të veçantë: njohuritë e tij personale e shkencore mbi marrëdhëniet shqiptaro-serbe me punën si një ndër zëdhënësit kryesorë të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Në shkrimet dhe deklaratat e tij publike Profesor Repishti hodhi rekomandime politike konkrete me shpresën që të ndikonte në formulimin e politikave amerikane për këto çështje. Para viteve 1990, ai argumentoi nevojën për sanksione kundër Jugosllavisë dhe kërkoi hapjen e një konsullate amerikane në Prishtinë.

Në fillim dhe në mes të viteve 1990, Profesor Repishti ngriti argumentin që SHBA dhe NATO-ja të ndërhynin në Kosovë, duke theksuar se po të mos veprohej, kjo do të çonte në mënyrë të pashmangshme në një konflikt të armatosur me rreziqe afatgjatë për paqen dhe qendrueshmërinë në rajon, duke dëmtuar interesat e përgjithshëm strategjikë të Shteteve të Bashkuara.

Në një kohë kur Kosova nuk kishte ndonjë përfaqësim të mirëfilltë zyrtar në Shtetet e Bashkuara dhe as mundësinë apo mjetet për ta ngritur çështjen e saj përpara qeverisë dhe publikut amerikan, Profesor Repishti promovoi dhe mbrojti të drejtën e Kosovës për vetëvendosje në mënyrë të shkathët, dinjitoze dhe të efektshme. Ai ishte gjithmonë i kujdesshëm për t’u dhënë bashkëbiseduesve informacion të besueshëm dhe objektiv.

Kjo e ndihmoi të ndërtonte marrëdhënie besimi me njerëz të rëndësishëm, duke u bërë kështu një burim autoritativ. Ishte kryesisht rrjedhojë e punës së Profesor Repishtit dhe veprimtarëve e udhëheqësve të tjerë të shquar shqiptaro-amerikanë që bëri të mundur dëgjimin e zërit të Kosovës në Uashington.

Aty nga viti 1990, Jugosllavia filloi të humbasë mbështetje dhe imazhi i saj pësoi dëme të pariparueshme, ndërkohë që Kosova përjetoi lindjen e një udhëheqjeje të vërtetë përfaqësuese me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe partive të tjera.

Këto zhvillime u pasuan nga ndryshime graduale, por të rëndësishme në qëndrimet amerikane ndaj shqiptarëve. Megjithëse kjo kthesë ishte pasojë e politikave shtypëse të Beogradit dhe e ndryshimit të shpejtë të peizazhit politik pas rënies së komunizmit në Evropën Lindore, fushata e suksesshme e Profesor Repishtit dhe e veprimtarëve të tjerë shqiptaro-amerikanë ishte një faktor i madh kontribues.

Komuniteti ishte mobilizuar dhe shqiptaro-amerikanët, duke punuar me organizata të shumta, si Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe Vatra, po fitonin pak nga pak vëmendjen e anëtarëve me ndikim të Kongresit dhe të politikëbërsve në rangje të larta. Vitet 1990 mund të konsiderohen si epoka e artë e aktivizmit dhe e efektivitetit shqiptaro-amerikan.

Gjatë konfliktit në Slloveni e Kroaci dhe më vonë, gjatë luftës në Bosnjë, profesor Repishti vazhdimisht bënte thirrje që Shtetet e Bashkuara të ushtronin trysni politike dhe ekonomike për ta detyruar Beogradin të ndryshonte kursin e tij të rrezikshëm në Kosovë.

Ai besonte fuqimisht se ndërhyrja ushtarake në Kosovë ishte absolutisht e nevojshme për të shmangur një zjarr të madh ballkanik. Profesor Repishti parashikoi saktë se përjashtimi i Kosovës nga procesi i Dejtonit do të kishte pasoja të rënda: nga njëra anë do të trimëronte Sllobodan Millosheviqin dhe nga ana tjetër do të bindëte shqiptarët se gjendja nuk mund të vazhdonte më si më parë, prandaj ata duhet t’i merrnin punët në duart e tyre.

Profesor Repishti u bë një mbështetës i patundur i udhëheqësve të Kosovës, veçanërisht i presidentit Ibrahim Rugova. Një pjesë e mirë e aktiviteteve të tij më pas u përqendruan në ndihmën për udhëheqjen e Kosovës që ajo të artikulonte qartë politikat dhe kërkesat e saj në takimet me zyrtarët e lartë amerikanë dhe në njoftimet e saj publike.

Ai luajti rol të dorës së parë jo vetëm në lehtësimin e shumë takimeve dhe kontakteve për Presidentin Rugova, por ndihmoi gjithashtu në hartimin e skicë-ideve dhe memorandumeve të rëndësishme politike.

Ndërhyrja në Kosovë e NATO-s nën udhëheqjen e SHBA, çlirimi i Kosovës dhe më pas shpallja e pavarësisë së Kosovës, shënuan kulmin e veprimtarive të Profesor Repishtit dhe realizimin e ëndrrave të tij të hershme për lirinë e Kosovës.

Është për t’u habitur se pas euforisë që pasoi rrëzimin e komunizmit në Shqipëri në fillim të viteve 1990 dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Profesor Repishti nuk e pushoi aspak veprimtarinë e tij. Demokracia, respekti për të drejtat e njeriut dhe pajtimi kombëtar vazhduan të ishin çështje që trajtoheshin në shkrimet dhe veprimtaritë e tij publike. Ai u bë një promotor i fuqishëm për krijimin e demokracive të gjalla në të dy shtetet shqiptare.

Duke njohur sfidat që ato kanë përpara tyre, Profesor Repishti ka theksuar domosdoshmërinë që shqiptarët të shfrytëzojnë mundësitë, të konsolidojnë orientimin e tyre perëndimor, të ruajnë dhe forcojnë harmoninë fetare dhe t’i kundërvihen çdo shenje të ekstremizmit fetar.

Në shumë prej deklaratave të tij publike, ai u ka bërë thirrje elitave të reja qeverisëse në Shqipëri dhe në Kosovë si dhe udhëheqësve shqiptarë në Maqedoni të përballen me probleme të tilla të ngutshme, si korrupsioni dhe krimi i organizuar, që kërcënojnë strukturën e shoqërisë shqiptare; të nxisin rritjen ekonomike; të zbutin pabarazinë; të fuqizojnë rolin e gruas; të krijojnë një qeverisje transparente dhe të përgjegjshme.

Profesor Repishti e shikon fuqizimin politik, shoqëror dhe ekonomik të shqiptarëve si diçka të lidhur ngushtë me marrëdhëniet strategjike dhe aleancën me Shtetet e Bashkuara. Duke njohur rolin vendimtar që kanë luajtur Shtetet e Bashkuara – së pari në mbështetjen dhe afirmimin e pavarësisë së Shqipërisë, në mbështetjen dhe nxitjen e demokracisë në Shqipëri, dhe më në fund rolin mjaft të rëndësishëm që Amerika ka luajtur në çlirimin e Kosovës dhe sigurimin e pavarësisë së saj – Profesor Repishti ka shfaqur një angazhim të fortë për të kultivuar dhe forcuar marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, por duke theksuar se kjo marrëdhënie nuk duhet dhe nuk mund të merret si e mirëqenë. E ardhmja dhe qëndrueshmëria e marrëdhënieve strategjike shqiptaro-amerikane bazohet në vazhdimësinë e vlerave të përbashkëta – respektimin e të drejtave të njeriut, vendosjen e sundimit të ligjit dhe qeverisjen e mirë.

Pas shumë dekadash si udhëheqës në fushën akademike dhe në mendimin e komunitetit, Profesor Repishti vazhdon të frymëzojë brezat e shqiptarëve në kërkim të një shoqërie më demokratike dhe më të drejtë. Ai është një shqiptaro-amerikan i madh, një patriot i vërtetë shqiptar, një dijetar i plotësuar, dhe një njeri i parimeve, i cili nuk e pushoi kurrë luftën në emër të asaj që besonte.

Ka qenë nder i madh për mua që kam patur rastin të bashkëpunoj ngushtë me Profesor Repishtin dhe i jam shumë mirënjohës mbështetjes dhe miqësisë së tij të vazhdueshme. Gëzuar ditëlindjen djalosh! Edhe njëqind!

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here