Popull që qan për telenovelat dhe jo për fëmijën e vet

0
484

Nga Etleva Bragjeçi

Është e çuditshme sesi jemi shndëruar në një popull, përveçse politik, edhe në një popull telenovelash. Është e çuditshme sesi shoqëria jonë, e mbi të gjitha rinia jonë, fle gjumë e nuk “bërtet” për padrejtësitë që i bëhen, nuk ulëret për prekjen e interesave vetjake e publike, por qan për “Sadnën” e Bidait dhe kërthet në shesh për partitë politike.

Teksa shihja portalet me lajme në faqet e para se personazhi kryesor i një prej telenovelave më të ndjekura në Shqipëri vdes, mendova: Kaq keq është katandisur media jonë, apo kaq keq është katandisur shoqëria jonë që është konsumatore e lajmeve të tilla dhe media vetëm sa i përshtatet ‘shijes’ së konsumatorit?! Si një person që është nga radhët e medias e di fort mirë se ky është një rreth vicioz: Media prodhon çfarë kërkon konsumatori dhe konsumatori merr dhe përtyp atë që i ofron media.

Kaq me rëndësi qenka lajmi se ky personazh i kësaj telenovele ka vdekur (si personazh e jo realisht) saqë u tërbuan njerëzit e gumëzhinin lokalet dhe kafet nga biseda të tilla? Si ka mundësi që një ‘lajm’ i tillë shkakton ‘reaksion’ tek shoqëria shqiptare dhe vjedhja e parave publike, e parave tona që çdonjwri prej nesh nxjerr nëpërmjet taksave, nuk përbën ndonjë hata për qytetarët? Si ka mundësi që për një telenovelë dynden të gjithë nëpër rrjetet sociale me statuse pa fund, dhe kur gjysma e Shqipërisë ishte nën ujë nga përmbytjet, as që donin t’ja dinin shqiptarët? Si ka mundësi që kur fiton kombëtarja jonë të gjithë bëhemi patriotë e shkruajmë ku të mundemi nëpër media apo rrjete sociale, përfshirë edhe veten këtu, dhe kur ndodh një fatkeqësi secili prej nesh shikon vetëm pragun e derës? Si ka mundësi që kur ndodh një akt terrorist në Francë të gjithë ne solidarizohemi me “Je suis français” dhe kur ndodh tragjedia në vendin tonë, vetëm pak metra larg shtëpisë sonë, nuk shkruan njeri “Edhe unë solidarizohem me dhimbjen tënde”?!

Shqiptarët shqetësohen për telenovela, por nuk shqetësohen për rritjen e çmimit të biletës së autobuzit; Shqiptarët shqetësohen se kush do të emërohet në krye të X apo Y partie politike, e nuk shqetësohen për rritjen e çmimeve të ushqimeve që konsumojnë çdo ditë e mbi të gjitha për cilësinë e tyre; Shqiptarët shqetësoheshin për armët kimike që mund të vinin apo kalonin në Shqipëri e nuk shqetësohen për ndotjen mbi normat e lejuara nga BE të shumë prej qyteteve tona, ndotje e shkaktuar nga mbeturinat që digjen vend e pa vend, nga mbetjet inerte, qarkullimi i makinave të vjetra, prerja e pyjeve e për pasojë mungesë gjelbërimi etj, etj; Shqiptarët dalin në shesh për të protestuar që të ikë një qeveri e të vijë një tjetër, por nuk ngrenë zërin për bombolat e gazit, që të mos dalin në qarkullim pa kontrollet e nevojshme teknike, sepse po marrin jetë njerëzish çdo ditë e më shumë. Për shkak të bombolave humbi jetën një fëmijë 4-vjeçar pasditen e së martës, për shkak të bombolove të pakontrolluara u plagosën 30 persona pasditen e së hënës ku 9 prej tyre janë në gjendje kritike për jetën, ishte sërish bombola e gazit që plagosi rëndë 21 persona në gusht të vitit që lamë pas në zonën e “Don Boskos”, e shumë e shumë raste të tjera me pasojë plagosje dhe humbje jete njerëzish.

E për çfarë nuk protestojnë shqiptarët, vetëm për të drejtat dhe interesat e tyre nuk protestojnë. Nuk arrij dot të gjej një përkufizim për shoqërinë tonë, ose më mirë nuk dua ta gjej, teksa shoh një apati totale ndaj ngjarjeve apo fenomeneve që prekin jetën e secilit prej nesh.

Këtë apati e pashë edhe më datën 1 të këtij muaji, kur bileta e autobuzit u rrit nga 30 lekë në 40 lekë dhe asnjë nuk kundërshtoi për asnjë moment, qoftë edhe një qytetar i vetëm i Tiranës të refuzonte të mos paguante biletën. Them Tiranës, duke marrë parasysh që në Tiranë jetojnë më shumë se 1 milion banorë dhe se ku shkalla e edukimit dhe reagimit presupozohet të jetë më e madhë sesa në qytetet e tjera. Por jo, nuk është e tillë!

Pashë vetëm një grup të vogël qytetarësh, aktivistë të të Drejtave të Njeriut që kishin dalë përpara Bashkisë së Tiranës për të protestuar, ndërsa me mijëra banorë që e përdorin çdo ditë transportin urban ishin krejt indiferentë, a thua se i kishin xhepat plot e nuk donin t’ja dinin për këtë rritje “të papërfillshme”. Personalisht nuk e përdor shpesh shërbimin urban, për shkak se shtëpinë e kam shumë pranë punës dhe nuk përtoj të eci në këmbë, ndaj mund edhe të mos më rëndojë kjo rritje e çmimit të biletës, por me mijëra qytetarëve të tjerë, të cilët e kanë punën në cepin tjetër të kryeqytetit apo qytetit ku banojnë pa dyshim që u rëndon. Çmimi i një vajtje-ardhjeje me autobuz është i barabartë sa me çmimin e një buke në Shqipëri!

Ku është shoqëria civile apo organizatat, pse nuk reagojnë teksa dëgjojnë se babai vrau vajzën burri vrau gruan apo vëllai vrau vëllain? Pse nuk dalin e të përçojnë zërin e qytetarëve sindikatat e punës teksa pushohen punonjës nga puna për bindje politike? Pse kur zhvillohen mitingje elektorale mbushen sheshet e qyteteve plot e përplot dhe kur protestohet për prishjen e hapësirave të gjelbërta shohim vetëm një grup shumë të vogël aktivistësh, të cilët me të drejtë bëjnë thirrje që qytetarët të zgjohen nga gjumi e ti bashkohen atyre për të mirën tonë dhe të brezave që do të vijnë?

Ashtu sikundër ka thënë Joseph De Maistre: “Çdo popull ka atë qeveri që meriton”. Me plot të drejtë përdoret kjo thënie e famshme dhe si duket për ne shqiptarët ka qenë gjithmonë aktuale dhe na është përshtatur më së miri!

Qytetarë të vendit tim, qani për hallet që keni e jo për politikën; Bashkëmoshatarë, qani për vendin e punës dhe shkollimin e jo për politikën; Shqiptarë, qani për rritjen e çmimit të biletave apo shërbimeve të tjera publike e jo për politikën, qani për shumë padrejtësi që ju janë bërë ndër vite e që do të vazhdohet t’ju bëhen nëse nuk zgjoheni nga gjumi letargjik që keni rënë dhe kemi rënë të gjithë si popull; Nëna të vendit tim, qani për fëmijën që ju digjet, qani e ulërini për shumë fëmijë të këtij vendi që nuk kanë me çfarë të ushqehen e mos qani për telenovelat, se jeta në Shqipëri nuk është një telenovelë por një dramë e vërtetë!

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here