POEZIA NË MUZIKË

0
492

Ndue Lazri

Mbresa nga një koncert në teatrin prestigjioz “BIBIENA” në Mantova

Në një nga teatrot e bukur e prestigjiozë të qytetit të Mantovës (këtë vit i shpallur kryeqytet i kulturës italiane), bëhet hapja e serisë së spektakleve “Mantovamusica”, që vazhdojnë për tërë vitin. Është teatri “Bibiena”, në zemrën historike e artistike të qytetit. I ndërtuar në shekullin e 18-të, ai mbetet një nga monumentet e kulturës së qytetit dhe në spektaklet që organizohen këtu nuk gjen thuajse kurrë vend bosh në platenë apo në katër katet e balkonadave.
Vetëm pak kohë pas inaugurimit, në skenën e këtij teatri debutoi me një koncert për piano gjeniu i muzikës, Moxart, që nuk i kishte mbushur ende të 14 vitet. I ati, i entuziazmuar e i magjepsur nga bukuria e teatrit i shkroi të shoqes që nga Mantova: “Në jetën time nukë kisha parë ende një gjë të tillë kaq të bukur”. Kjo skenë shënoi rrugën e fatit të Moxartit. Në hyrje të teatrit është një bust i vogël i kompozitorit të madh austriak dhe një pllakë që përjetëson kujtimin e debutimit të artistit të ri me famë botërore.
Në mbrëmjen e hapjes së aktiviteteve jepet koncerti “Ditët e pamundura” i kompozitorit dhe instrumentistit virtuoz Stefano Gueresi, i organizuar në një trio perfekte, ku ai vetë është pianist nën shoqërinë e violinistit Carlo Cantini dhe violonçelistit Massimo Repellini. Gueresi është një autor dhe instrumentist shumë i njohur dhe ka dhënë shumë koncerte në qytete të ndryshme në Itali dhe nëpër botë. Pjesa e tij “Leda dhe mjellma” është luajtur nga balerinë të teatrit “La Scala” të Milanos. Por edhe dy bashkëpunëtorët e tij janë të magjishëm në instrumentet e tyre. Carlo ka bashkëpunuar me artistë të famshëm nëpër botë si Rostropoviç, Andrea Bocelli, Stevie Wonder, Astor Piazolla dhe ka dhënë koncerte në Nju Jork e Toronto, Berlin e Tokio, Rabat e Lisbona etj. Ndërsa Massimo ka luajtur në orkestra të famshme sinfonike si ajo e teatrit “La Scala” të Milanos, apo në atë të Zvicrës italiane etj. Vetëm tek njihesh me këtë curriculum, të mbulojnë emocione kur ata dalin në skenë dhe përshëndesin publikun.

Pastaj fjalën e merr muzika. Një muzikë e mrekullueshme e një kompozitori të madh dhe e ekzekutuar nga instrumentistë po aq të mëdhenj. Tek dëgjojmë pjesët njëra pas tjetrës, të tëra kompozime të Stafanos, ndjen që në piano është ulur njëherësh poeti, piktori e muzikanti, që derdh mbi tastierë poezinë e vuajtjeve apo të entuziazmit të shpirtit, bukurinë e pejsazheve, ndal mbi telat e violinës cicërimat e zogjve e bën erën të vërshëllejë në telat e violoncelit. Muzika është romantike dhe e kalon spektatorin nga një emocion në tjetri, nga njëra gjendje shpirtërore në tjetrën. Vetë titujt e pjesëve e shprehin poezinë që kërkon të transmetojë autori tek spektatorët. “Në linjën e horizontit”, “Përtej dimrit”, “Lule në mjegull”, “Drita dhe koha”, “Jo më lot në lindje”, “Histori fjalësh e perëndimesh”, “Ne poshtë një qielli të pafund”, janë vetëm disa nga titujt, që të bëjnë të mendosh se autori ka marrë një vëllim poetik dhe e ka derdhur nëpër nota. Muzika e tij të fut në fantazi, zgjon imagjinatën. Dëgjon pjesën “Përtej dimrit” dhe autori sikur të fton të dalësh jashtë sallës së teatrit, të hedhësh tej pelerinën e mjegullave dimërore që mbulojnë shpesh herë Mantovën e liqeneve të bukur e të shkosh fushave, ku rend një kaloshin nën rrugën e mbuluar me pemë të cilat i krehin rrezet e diellit nën këngët e zogjve që zgjojnë stinën e re, ndërsa tej nga malet në horizont ndihet afrimi i një stuhie pranverore.

Nga pjesa në pjesë muzika zgjon emocione të forta. Ajo është herë e shtruar e përkëdhel si puhiza e lehtë e herë e vrullshme si ujvarat e bjeshkëve e duket e habitshme që tre instrumente e mbushin për më shumë se një orë sallën e teatrit me një atmosferë magjike, që edhe në fund të koncertit nuk të lë të shkulesh nga poltrona. Spektatorët e emocionuar i ftojnë sërish e sërish artistët në skenë dhe ata tregojnë bujarinë e ture duke ekzekutuar edhe një pjesë, edhe një tjetër, edhe një tjetër. E pastaj e mbyllin me nje pjesë gazmore e ritmike, e cila, e shoqëruar nga duartrokitjet e publikut, të kujton mbylljen e Koncertit të Vienës me Marrshin e Radeckit.
Falënderoj miken dhe kolegen e aktiviteteve në Federatë, Anila Kaja dhe familjen e saj për ftesën dhe mundësinë e krijuar për ndjekjen e këtij kjoncerti, duke shpresuarqë të jemi shpesh herë këtë vit në kryeqytetin e kulturës italiane, madje edhe me aktivitete të programuara nga Federata që të mbajnë vulën e muzikës e artit shqiptar, gjë që është vënë në rrugë të mbarë.

Komente:

Adi Adivije Hoxha
Duke lexuar këto informacione dhe mbresa kaq të hollësishme, mu duk sikur i përjetova real emocionet e muzikës, ku ndjenjat bëjnë “furtunë” dhe pranverojnë, njëkohësisht.
Ju falenderoj Ndue, me urimet më të mira për ju!
Ju përshëndes! 🙂

Herman Cuka Zeka
Një shkrim Virtuoz, që kënaq sytë e lexuesit të apasionuar ,me informacionin për Artin.
Përgëzime !

Bruna e Irina Diko
Shum bukur

Mark Zefi
Falemnderit për këtë përcjellje aq mbresuese për ju që, ashtu si tingujt muzikorë ju emocionuan ju, ashtu më emocionoi dhe më emocionon fjala juaj artistike për atë veprimtari. U ndjemë të lumturuar bashkë me ty dhe të falenderoj nga zemra që i ndatë b…Altro…

Grigor Jovani
Mrekulli! U konfiksua!

Alketa Stefania Caca
Ti jeton në një vënd ku kultura të magjeps dhe padyshim muzika është shpirti i tij.
Përsëri ja arrite qëllimin pozitiv për të rrëmbyer komplimenti të përzemërta për prezantimin e radhës.
Brenda një reportazhi të shkurtër përjetime të gjata e spontane të cilat bëhen interesante edhe nga takimet e veçanta. …Altro…

Adriana Pelinku
I lidhur fort me artin.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here