POEZI, DASHURIE E MALLI, PËR VENDLINDJEN…

0
1194

Nga: VJOLLCA KONI

Miqtë e mi! Vij e nga vij rrotull dhe nuk më ndahet shpirti nga fshati im!
“E po, fshatare ngele, moj vajzë!” Ju përshendes me këto vargje, që i laga me lotë!?

MË PRIT, O GREVA IME, MË PRIT!

Më prit, o Greva ime, më prit!
m’u dogj ky shpirti, më zhuriti ky mall;
të dëgjoj qukapikun te viziton çdo pemë,
nën hijen e thanës një sy gjumë të marr.
Më prit, se na mbyti largësia jonë,
të pi ujë te Popçja, që ditë – natë gurgullon;
pangopshëm këngën e zogjëve ta dëgjoj,
me gjithë mushkëri erëmim lulesh të frymoj.
Më prit, që të përkëdhelem si llasticë;
të shkoj në shkollë, ca vargje të shkruaj;
të eci këmbëzbathur, me shoqet në arë,
edhe pse tash m’është bërë çupa për në kalë.
Më prit që të vij atje, në Dumbravë,
të shoh nëse lulet qilim kanë shtruar
e një kurorë të bukur, për flokët ngjyrëar,
ta thur me larushi lulesh, në maj.
Më prit, që të shoh atë lumë kryeneç,
që Tomorricën e ndan në dy pjesë;
të ngopem me mare, udhës përpjetë;
e dehur prej tyre, ta marr cep më cep.
Më prit, që të shoh majën e Tomorrit,
me qylafin dimër – verë borë të bardhë;
të hedh sytë mbi Korçë, Gramsh, Skrapar,
mbi krejt Shqipërinë, si Naimi në vakt.
Më prit, pra, se do të vij sa më parë,
të shoh rezhdat e lajthatës udhës mënjanë,
misërin, bishtajat, perimet në arë
e pjergullën me rrush, mjaltë ngarkuar.
Të marr disa vile korith kokërrmadh
e në odën për miq, me kujdes, t’i var;
po edhe të mbledh lende lisi e arrë
e të luajmë guramac, gjatë dimërit acar.
Të marr disa pika, nga loti i hardhisë,
lule të çelura shtogu, murrizi, shege zjarr;
t’i përziej me borzilok, trëndelinë e thanë
e parfumin “Made in Greva” ta bëj me këto duar.

Austri, nëntor 2016

Dërgoi për publikim, Murat Gecaj

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here