Përurimi i librit “Adem Demaçi – Ura mbi të cilën kalon liria e Kosovës”

0
440

Prishtinë, më 1 tetor 2016

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Instituti Albanologjik i Prishtinës

Në lokalet e IAP, u bë përurimi i librit “ Adem Demaçi-Ura mbi të cilën kalon liria e Kosovës”, të cilin e botuan basharisht Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës dhe Fondi “Nderi i Kombit-Adem Demaçi” me seli në Zurich (Zvicër).

Në këtë eviment kishte një pjesëmarrje të jashtëzakonshme, saqë një pjesë e mirë e pjesëmarrësve patën kurajon që të qëndrojnë në këmbë. Të pranishëm ishin pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve, familjarë të bacë Adem Demaçit, ish-të burgosur politikë, bashkëveprimtarë të Adem Demaçit, profesorë, studentë, gazetarë, publicistë, qytetarë nga çdo cep i atdheut dhe mysafirë të tjerë.

Takimi filloi me një lexim artistik të një fragmenti të nxjerrë nga romani “Gjarpinjtë e gjakut” të Demaçit e pastaj fjalën përshëndetëse e mbajti veprimtari Selatin Novosella, që i përshëndeti të pranishmit, në veçanti familjet e dëshmorëve në emrin e tij dhe të Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës. Më pas me një fjalë rasti në auditor u paraqit z. Valon Murati, ministër i Ministrisë së Diasporës, i cili foli për rolin e diasporës shqiptare që nga Rilindja Jonë Kombëtare e deri në ditët e sotme.

Ai në fjalën e tij konstatoi se diaspora shqiptare ishte boshti kurrizor i kombit shqiptar për realizim të interesave kombëtare, siç ishte Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 1912, që u kurorëzua me ndihmën e mërgimtarëve shqiptarë në botë, sidomos në Rumani e deri te akti i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 janar 2008. Ai foli për rolin e diasporës shqiptare edhe në ndihmën e UÇK-së dhe për rolin kryesor të bacë Adem Demaçit në rezistencën tonë kombëtare.

Në podium u ftua për ta lexuar kumtesën e saj “ Adem Demaçi dhe liria” e bija e ish-të burgosurit politik, Bali Dervishit, Prof. Afërdita Dërvishi, e cila theksoi shumë gjëra që nuk i kemi ditur për veprimtarinë e Adem Demaçit.

Me një fjalë rasti, para mysafirëve u paraqit edhe Shefi i Degës së Historisë pranë IAP, z. Memli Krasniqi, që foli me pietet për figurën e Adem Demaçit dhe rolit të tij në rezistencën tonë kombëtare, qoftë ilegale, qoftë legale.
Edhe veprimtari i çështjes kombëtare z. Hydajet Hyseni shpalosi disa faqe nga e kaluara atdhetare e Adem Demaçit për çlirim, duke i uruar shërim dhe rehabilitim bacës Adem.

Në emër të Fondit “Nderi i Kombit-Adem Demaçi” me seli në Zurich të Zvicrës, u paraqit z. Sejdi Gega, i cili theksoi rolin vendimtar të Adem Demaçit në lëvizjen tonë kombëtare, duke siguruar se diaspora shqiptare prore do të jetë e gatshme për ta ndihmuar çështjen tonë deri te Ribashkimi Kombëtar.

Me kaq ky takim u përmbyll.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here