Përse këto sulme histerike kundrejt Alma Lamës?

0
1375

Nga Arben Çokaj

Kryeministri Mustafa shkruan në Facebook-un e tij se: “Në Itali do të kemi një ambasadore të shkëlqyeshme. Një intelektuale, deputete që ka njohuri të thella për vendin e saj, njohëse të thellë të ekonomisë dhe kulturës italiane, të Vatikanit dhe Maltës. Asgjë më shumë, veç se do të vazhdojmë të mburremi me ambasadoren e ardhshme, Alma Lama!”

Por gazetarja e njohur e veprimtare e të drejtave të grave, Arbana Xharra, nuk është dakord: “Alma Lama, a po te vjen turp ta shesësh votën për një pozitë??? Deri këtu paska ra pazari??? Ku mbeti gjithë ajo zhurmë e moral politik, që me vite na ke shitur. Me befasoi lajmi, kur lexova se ti ke rënë në këtë nivel, e aq më shumë kur tash po kujtoj gjithë atë përpjekje, që ke bërë, gjoja për të mirën e këtij vendi. Te gjitha kauzat tuaja, paskan qenë për një post diplomatik!”

Të duket sikur Alma Lama ka kryer një tradhti. Ose Kosovës i duhet aq shumë, sa nuk duan ta lënë të ikë?… Po në një post diplomatik more po shkon, ku është e keqja këtu? E reagimit të papritur të Arbanës, i shtohet edhe reagimi i Donika Gërvalla-Schwarz, e cila çuditërisht për një zonjë me kulturë evropiane, që presupozon të përmbajë ndjenjat, ajo poston statusin e të ndjerit “e shokuar”. Pse kaq reagime emocionale, për një emërim të tillë? Duhet ta ketë një sqarim…

Zilia dhe smirëzia – dy ndjenja nekrofile të një shoqërie orientale në zhvillim

Reagimit negativ të këtyre dy zonjave të nderuara iu shtuan edhe reagime të tjera, ku shumica e tyre ishin dashakeqëse dhe përpiqeshin ta paraqitnin Alma Lamën si të “shitur”, për një post diplomatik. E kjo sikur nuk është mirë. A nuk mund të marrësh një post diplomatik në Kosovë, pa u shitur?! Kaq keq qenka gjendja në Kosovë?

Mos kemi të bëjmë me një mbi-reagim të disa njerëzve, të cilët politikisht duan ta sulmojnë znj. Lama, dhe paralelisht me këto, kemi edhe sulme, habi, apo kritika, që vijnë nga zonja të angazhuara në jetën publike të Kosovës, që papritur provojnë ndjenjën e pavetëdijshme të zhgënjimit: Pse ti? Pse jo ne? Na e hodhe! Kështu bashkë, ato mblidhen në një histeri kolektive dhe fusin ndjenjën e ligë ndër-shqiptare, ku nuk përjashtohet mendësia provinciale në disa raste, e egoizmit banal, ku cenohet egoja e sëmurë, që shqiptarin e Kosovës e quan më afër shqiptarit të Shqipërisë.

Sulmet me sfond politik

Duket se ikja e deputetes Lama nga Lëvizja VV ka krijuar disa pakënaqësi tek ‘rrënjët e barit’ të kësaj lëvizje dhe më pas sulmet ndaj saj nuk ndaluan. Rrjetet sociale e ulën nivelin e diskutimit dhe gjeneruan fyerje deri edhe banale. Nuk ia vlen as të lexohen, e jo më të referohen. Aty mund të shikosh se si shoqëria shqiptare e Kosovës e ka të vështirë të pranojë zgjidhje racionale e të arsyeshme në strukturat drejtuese të saj. Gjithçka paragjykohet, gjithçka përdhoset dhe ndyhet. Pse?

Nëse znj. Lama deri në këto momente luftonte për disa ideale të drejta, si respektim të të drejtave të grave, luftën kundër ekstremizmit, përpjekjet për më të mirën e vendit, etj., menjëherë, sapo ajo u vlerësua me një post diplomatik, që e nderon edhe Kosovën, ajo filloj të anatemohet. Duket sikur Kosova ka nevojë të marrë, më shumë se të japë… Dhe një dukuri e tillë del në dritë edhe në këtë rast. Por nëse në poste të tilla nuk dërgohen njerëz të aftë, kush duhet të dërgohet atëherë?

Me ato që pashë e lexova në lidhje me këtë reagim disi histerik ndaj znj. Lama, si e emëruar për postin e ambasadores së Kosovës në Itali, nuk gjeta askund një shkrim të argumentuar e korrekt, ku bëhet një vlerësim profesional për cilësitë personale e profesionale të kandidates për ambasadore dhe aftësitë e kualifikimet, që kërkohet nga një person, që emërohet në një pozicion të tillë.

Analisti Jon Leka u përpoq të bënte një shkrim disi më të ekuilibruar, por as ai nuk i iku politizimit të çështjes, ndoshta për realizëm e ndoshta ngaqë konjukturat politike në Kosovë janë të tilla. Alma Lama dyshohet pa fakte se ka shitur votën, në favor të Presidentit Thaçi. Dhe sapo ajo u vlerësua me një pozicion diplomatik, menjëherë filloi hamendësimi absolut, i formës: “unë ia fus kot, prandaj kam të drejtë!” Por kështu nuk shkon. Nuk është diskutim serioz. Prandaj diskutimet serioze në një shoqëri serioze, nuk duhet t’i lënë hapësirë mendjes së zezë, spekulimeve dhe hamendësimeve, sikur në këtë rast “Alma u shit, për një pozicion diplomatik”. Alma e meriton një pozicion të tillë dhe nuk është se Kosova po gëlon nga njerëz super të aftë, që mund ta bëjnë atë punë më mirë se ajo.

Mendja dyshuese – mendimi destruktiv në Kosovë

Pse nuk i shkon mendja dikujt për mirë në këtë rast? Pse Arbana Xharra psh. nuk kërcen përpjetë nga gëzimi, mirë që u zgjodh një ambasadore që ia vlen dhe një politikane e aftë, që do e nderojë Kosovën në postin e ri? Pse i ka ikur mendimi pozitiv atij vendi, dëshira për të parë mirë?! Në një shoqëri demokratike duhet patjetër të gjenden ekuilibra, në mes të mirës dhe të keqes. Njeriu ka nevojë të shpresojë te e mira, të mendojë pozitivisht, jo gjithmonë me mendje dyshuese e mendim destruktiv, rrënues. Se edhe njerëzit më të aftë në Kosovë, si në Shqipëri, mendjen e kanë më shumë për zi. E kjo nuk është se po na i zgjidh punët pra, apo jo? Më shumë po na i rëndon.

Kuptohet që Kosova është një vend post-traumatik, nuk është se atje po lulëzon ekonomia e se problemet e njerëzve janë zgjidhur. Por nëse nuk punohet në atë drejtim, që të mendohet pozitivisht dhe të zgjidhen njerëzit e aftë, shqiptaret e shqiptarët e pakorruptuar e profesionalë, si zonjat e nderuara Alma Lama e Donika Gërvalla apo Arbana Xharra, në poste drejtuese të shoqërisë, që të ngjallin shpresën, atëherë shoqëria jonë shkon vetëm drejt regresit, drejt rrënimit, drejt së keqes. Ashtu edhe siç ka shkuar pak a shumë deri tani. Por në rastin konkret, fatkeqësisht, zonjat e nderuara bien viktimë e mentalitetit provincial dhe nuk është se po afirmojnë vlerat e njëra-tjetrës, ato po i paragjykojnë… Po përpiqen ta fundosin njëra-tjetrën.

Brishtësia e falsiteti në ndjenjën e përbashkët të shqiptarëve

Në dekadat e fundit, bashkëpunimi ndër shqiptar është rritur ndjeshëm, por vërehen edhe problemet e rritjes së këtij bashkëpunimi. Shqipëria ishte skeptike me Kosovën në fillim, por ndërsa kuptueshmëria e shqiptarëve brenda Shqipërisë për shqiptarët e Kosovës dhe luftën e tyre të drejtë për shtet të pavarur e demokratik erdhi duke u rritur, së bashku me shkëmbimet politike e bashkëpunimin tregtar, ekonomik, sportiv e kulturor, dalin edhe skeptikët në dritë. Nga Kosova, dikush i shfrytëzon dobësitë e shtetit shqiptar, për të dalë me ide, “kombi kosovar”, ose të një distancimi me vendin amë, përkundër atyre përpjekjeve të vazhdueshme që bëhen për bashkim.

Edhe në rastin e emërimit të znj. Lama si ambasadore e Kosovës në Itali, u vërejt në ndonjë rast pakënaqësia, se kjo deputete e disa legjislaturave në Kuvendin e Kosovës, një grua me aktivitet politik e shoqëror dhe e papërfolur për akte korruptive apo abuzimesh, qenka pra nga Shqipëria. Po tani, nëse refuzojmë shqiptarët e aftë, që të marrin poste drejtuese e të ndërtojmë shtetet tona, atëherë lihet hapur mendimi se ne nuk dimë t’i vlerësojmë njerëzit e aftë, dhe pranojmë vetëm turkun a serbin të na tërheqin për hunde. Unë mendoj se pavarësisht keqkuptimeve, përpjekjet tona duhet të jenë të përbashkëta, të vëmë shqiptarin e merituar në vend të parë, pavarësisht nga vjen ai.

Intervista – INTERAKTIV ALMA LAMA, 06.07.2016:

Shkrimi është botuar edhe në këto media:
1. Gazeta Dita
2. BotaSot.info
2.1. BotaSot.info
3. Botapress.info
4. IndeksOnline.net

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here