PËRMBLEDHJA “ZOGU DHE KULLA” I SHKRIMTARIT RRAHMAN DEDAJ

4
6861

Shkruan prof. Zymer Mehani

Libri “Zogu dhe kulla” është përmbledhje tregimesh, i ribotuar disa herë e shpeshherë i botuar edhe me titullin “Fshehtësia” apo “Tre Diejt”.

ZOGU DHE KULLA

Ky tregim është ndërtuar mbi dialogun imagjinativ dhe shumë kreativ të vocërrakut me zogun, një formë e njohur e komunikimit, në letërsinë popullore dhe e bartur shumëfish në letërsinë e shkruar. Por, në këtë tregim, ky dialog është më i veantë.
Ideja është realizimi i një transformimi në diçka që ti mendon se është më e mirë, ideja për shkëmbimin e identiteteve, ku zogu do të bëhej vocërrak e vocërraku zog, në një kuptim të lirë- të ndërrohet toka me qiellin. Ky ndryshim me dimensione të pafundme është shumë intrigues. Dëshira e fëmijës është e intriguar nga fluturimi i lartë e i bukur i zogut, mbase dhe ajo e zogut për qëllimin që të bëhet fëmijë, të flasë si ai, të ecë si ai dhe të bëhet i madh si ai.

Këtu diku, në dallimet mes tyre, do të ketë lindur ideja dhe intriga e këtij tregimi. Provokim i mirë për imagjinatën e fëmijës, edhe pse në realitet këta janë të barabartë dhe të njëjtë në kuadër të llojit të tyre: në llojin e shpendëve zogu përfaqëson moshën e vocërrakut, atë që përfaqëson në llojin e njeriut vocërraku. Çfarë do të ndodh nëse ky çun ia fal zogut fjalën dhe zogu këtij ia fal këngën?!

Një shkëmbim i çuditshëm e fantastik Kënga dhe fjala apo fjala dhe kënga janë shenjat identifikuese të këtyre dy miqve të vegjël, të cilët imagjinata e tyre i nxit në një rokadë aspak të rëndomtë. Kjo lojë e bukur imagjinare mes dy të pamundshmeve, mes dy të vegjëlve, është fantastikja e llojit popullor, por e avancuar në kuptimin filozofik e jetësor. Nëse zogu do ta jepte shenjën e vet_këngën, do t’i binin pendlat dhe natyrisht nuk do të ishte më zog, nuk do t’i takonte më as kënga, as kaltërsia e qiellit, as liria e bukuria e fluturimit, dhe si zog që është fjala nuk do të ishte e vlefshme për të, ashtu siç është kënga.

Edhe vocërraku, nëse do ta dorëzonte armën e tij, shenjën e tij identifikuese-fjalën (me këtë rast, mund të jetë aluzioni për fjalën shqipe), do të mbetej pa kullën, simbolin e vendlindjes, do të mbetej pa identitet. Sensi i të ndryshuarit këtu jepet me qëllim të sforcimit të idesë së identitetit, i cili here-herë është aq i brishtë, sa një element mund ta rrezikojë tërësisht. Ideja e zogut që të mbeten ashtu siç janë është një ide e njohur nga letërsia botërore, të cilën e kanë shfrytëzuar edhe shkrimtarët tanë. Dedaj me kreacionin e tij këtë ide e rindërton, duke krijuar një tregim shumë të rrallë.

ÇUPA DHE HËNA

Është një tregim shumë emotiv. Vasha e brengosur për shëndetin e nënës niset pyllit për të kërkuar ilaçin për të. Autori dëshiron të mësojë se dashuria nuk është vetëm ndjenjë, por edhe përkushtim, obligim e kujdes. Me këtë rast, obligimi i bie vashës. Në realitet, këtu autori dëshiron të tregojë vlerën e fëmijëve për prindërit dhe ndihmën që ata mund t’ua japing prindërve të tyre. Të çmuarit e punës së fëmijëve është parim i krijuesit të mirë për fëmijë.

Tregimi “DIELLI ËSHTË IMI” ka një ide universale, duke thënë se Dielli nuk ka pronar, ai është i të gjithëve, duke aluduar se edhe jeta u përket të gjithëve, si edhe liria, për çka edhe asocon figura e diellit. Simbolikën e diellit autori e përdor edhe në tregimin tjetër “TRE DIEJT”.

“UNAZA” është tregimi që ka një diskurs historik. Kjo është unaza e mbretëreshës ilire, Teuta, e cila është e fshehur në kështjellë. Unaza ishte e dekoruar me ngjyra që bartin simbolikën e tyre, siç e paraqet e verdha ngjyrën e kallirit, meqë mbretëresha kishte edhe shqetësimin e sigurimit të bukës për popullin e saj dhe kalliri i vizatuar në unazën e saj paraqet simbolin për bukën. Në këtë tregim është edhe figura e Skënderbeut dhe e kalit të tij, i cili, gjithsesi, si vetë heroi, është mitik, vrapon më shpejt se era. Janë këto hiperbolat e letërsisë së traditës, kur kemi të bëjmë me figurën e Gjergj Kastriotit.

“DUART MË TË BUKURA” është tregim që ka një motiv të njohur popullor. Esenca e temës që autori akcepton është diferencimi i së bukurës dhe krijimi i definicionit për të, një definicion tjetër nga të gjithë. E bukura tek autori me këtë rast ka të bëjë me utilitaren, të bukura nuk janë duart me unaza, ato të butat dhe të bardhat, por janë duart që shpërndajnë dashuri gjatë përqafimit, siç janë duart e nënës, që janë të bukura edhe kur janë të vrazhdta nga puna. Ky mesazh i autorit del pas dialogut të dy vashave, Antigonës dhe Tinës.

Tregimi “TRI VASHAT” ka një ndërtim popullor, sikurse edhe temën që e ka popullore. Vasha e parë i përngjan diellit, e dyta hënës dhe e treta yllit të mëngjesit. Të triat kanë një fat të përbashkët e të rëndë. Ato Bajlozi i Zi i mbyll në një kullë.
Këtu Bajlozi si personazh është i marrë nga proza popullore, i cili është personazh edhe i tregimit popullor GJERGJ ELEZ ALIA.
Natyrisht se është i zi, sepse sjell fatkeqësi. Por, autori, si në përralla, e ndryshon shpejt situatën, duke krijuar befasinë se jo një Gjergj Elez Ali, por një vëlla i vogël, me të cilin talleshin vashat, i liron ato nga Bajlozi.

Kultivimi i dashurisë ndaj kafshëve shtëpiake është temë e tregimit “RONI E PONI”, dy qen që i donte shumë Xha Poli.
Në lojë e sipër qentë ia grisin kapelën pronarit të tyre, por ai nuk i rrah, nuk i ndëshkon, sepse kjo ka ndodhur në lojë, ai e di se kapela ka plot për të blerë e dashuria nuk blihet kund, qoftë ajo që vjen edhe nga kafshët. Ja si thotë Xha Poli:

“Atëherë plaku i urtë mori dy pjesët e kapelës së kaltër dhe i buzëqeshur tha: Në qytet mund të blejmë me mijëra kapela. Por dashuria nuk blihet, ashtu si mendonit ju.”

Në tregimin “RRUCI E PUCI” dy vogëlushë Rruci e Puci dëshirojnë të ndërtojnë një radiostacion, ta vendosin në një rrugë që mban në vend të emrit numrin 777. Edhe këtu autori nuk pajtohet me idenë e fëmijëve, sepse ata për ta realizuar këtë ide kanë ikur nga shtëpia pa treguar, ndërsa familja është e shqetësuar. Ky tregim është i veçantë me formën e shkrimit, një miniditar, një aventurë vetëm 7-ditëshe, por me plot ide origjinale që i bartin personazhet. Tregimi është mjaft poetik dhe ka një fund të lumtur: ata me 2 tetor lajmërohen nga pylli, ku natën u duket fëmijëve se është shkrirë një yll. Tregimi “LUNDRIMI” është tregim mjaft poetik. Një vocërrak e mbush anijen e blertë me buzëqeshje, këngë e aromë lulesh.

Mbushja e anijes me këta emra abstraktë, me këto materie abstrakte është shumë poetike për fëmijët. Ata mund të provojnë të parafytyrojnë një anije “plot” këngë e buzëqeshje.

Autori krijon një atmosferë shumë lirike në anijen që lundron me vela të bardhë nëpër liqenin e kaltër.

4 KOMENTE

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here