PËRMBLEDHJA “SHTËPIA IME KA SY” E SHKRIMTARIT PËR FËMIJË, VEHBI KIKAJ

1
5206

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Analizë

Shkrimtari shqiptar i letërsisë për fëmijë, Vehbi Kikaj u lind në Lupç të Poshtëm të Podujevës në vitin 1942 dhe vdiq më 1986 në Prishtinë. Është autor i këtyre librave:

“Gurrat”, “Zogu i argjendtë”, “Shtëpia ime ka sy”. Në prozë ka shkruar romanin për fëmijë “Sarajet e bardha”.

SHTËPIA IME KA SY
Kjo përmbledhje ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë ka 34 vjersha, që kanë tematika të ndryshme. Pjesa e dytë titullohet “Pjesa e larme”, e cila ka pesë tregime dhe pesë vjersha me motive të njëjta ose të përafërta. Gjatë leximit të kësaj vepre neve do të na dalin para sysh ngjarje e ndodhi nga jeta e përditshme dhe nga bota që na rrethon.

Kështu ne do të mësojmë për sjelljet tona, për kopshtin në stinën e pranverës, për rrjedhën e lumit, për pemët në stinët e ndryshme, për zogjtë e bukur, sidomos ata shtegtarë, për detin e liqenin, për lodrat e ndryshme, posaçërisht për kukullat, për mjetet, si radio, televizioni, telefoni etj.,dhe për shumë gjëra të ndryshme që na argëtojnë këndshëm dhe na edukojnë.

Librit “Shtëpia ime ka sy” i prin vjersha ” E nisëm një shtator”. Në këtë vjershë ka motive të ndryshme,

si motivi i natyrës në vjeshtë (strofa e parë):

Erdhi shtatori me erë mollë,
Shtatori mbi qerre me rrush!
N’agim dëgjoj zile shkolle
E rrugës vrapon një vogëlush.

Motivi atdhetar (strofa e dytë):

Romakët sulmojnë me shpatë,
Ilirëve u prin Teuta…
Si ndërrohen dita e nata ?-
Duhet t’flasësh pa u nguta.

Motivi për mësim (strofa e tretë):
Po s’dite Ligjin e Arkimedit,
Merr librat e fle mbi to!
Kimisti s’pyet sipas rendit
Me formula t’veta H2O

Dhe motivin kohë (strofa e katërt):

Një shtator – e nisëm një shtator,
Urë të gjatë duhet kaluar.
E kjo urë e ka fundin n’qershor,
Kur t’kalojmë, përshëndetemi: gëzuar!

Te vjersha “Migjeni” poeti Vehbi Kikaj na e jep portretin e shkrimtarit tonë të njohur, Migjenit:

Kush e ndjen vajin e nënës-
Ta rrëfejë me fjalë të këngës
“Lagjes së Varfër” dikush vjen,
Me gitarë dhimbe – poeti Migjen.

Vjersha “Shtëpia ime ka sy” është mjaft e bukur, e cila i ka dhënë titull lektyrës.
Pse shtëpia “ka sy”? Shtëpia ka “sy”, ka “vesh” etj., sepse në të ka televizor, radio, telefon etj, që na ndihmojnë për të parë, folur e dëgjuar gjëra nga bota që na rrethon, prandaj :

Shtëpia ime ka sy –
Nesër të sheh edhe ty,
Kur të bëhesh nxënës i parë,
Poet a shkrimtar.

Në pjesën e dytë të lektyrës “Shtëpia ime ka sy”, e titulluar “Pjesa e larme”, poeti shkroi pesë tregime, të përcjellura me pesë vjersha. Kjo pjesë fillon me tregimin “Dukati e fjala”, nëpërmes të cilit ne kuptojmë se fjala, kur është e drejtë dhe e vërtetë, e ka vlerën më të madhe se vetë ari. Ky tregim përcillet me vjershën “Cili ka zemër të artë” nga e cila ne mësojmë për mirësjelljen e Lekës së vogël me zemër plot mirësi.

Në pjesën e dytë të kësaj vepre gjindet edhe tregimi “Tri gëzime” dhe vjersha “Kafazet e verës”, pastaj tregimi “Djaloshi i gurtë” dhe vjersha “Ferid Grezda”, më pas pason tregimi “Legjenda për një plak dhe një kojril” dhe vjersha “Kojrilit të humbur”. Më tutje vjen tregimi “Në lundrën “Teuta” dhe vjersha “Në qershor”.

Në tregimin “Në lundrën “Teuta” poeti përshkruan luftërat iliro-romake në kohën e Mbretëreshës Teutë, tradhëtinë e Dhimitër Farit dhe besënikërinë e princit të vogël-Pinit.

Në vjershën “Në qershor”, e cila e mbyll lektyrën “Shtëpia ime ka sy”, poeti jep një moment mjaft prekës të mësuesit gjatë shpërndarjes së librezave nxënësve, te të cilët, nëpërmes të imagjinatës sheh mësuesit, profesorët, mjekët, poetët, inxhinierët e ardhshëm.

1 KOMENT

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here