PËRDITSHMËRI DHE POLITIKË, PRILL 2017 (II)

1
153

[ PËRDITSHMËRI DHE POLITIKË, PRILL 2017 (I) ]

Dionis Xhafa

Data 14 prill 2017

Ditë shumë e bukur kjo, me diell dhe hera e parë ishte që flisja me kushëririn edhe për femrat. Hera e parë që bija dakord me të se ka një luftë mes brezit të vjetër dhe të ri në perceptimin e realitetit sa i takon çështjes së dashurisë. Dhe kjo është e vërtetë. Brezi ynë, i riu është duke vuajtur jo pak, për shkak se përballë ka një brez të vjetër, që ka mentalitet thuajse të lashtë. E kështu u argëtuam disi, duke shëtitur nëpër qytet. Bisedova sërish me vajzën që gjithashtu shoh se ndihet e lumtur. Po po kemi them të përbashkëta fort. Kryesorja e përbashkët madje po del se është fakti se të dy kemi qejf kafenetë shumë. Ka qenë ky fakt autobiografik përse personalisht më ka pëlqyer gjithmonë Kamyja, sepse kanë thënë se ai rrinte nëpër kafene shpesh dhe aty nxirrte fletore, stilolaps e niste të shkruante. Sot u bëra disi edhe më familjar meqë e kisha pushim, pasi shkëputja në të tillë mënyrë nga familja nuk shërben dhe aq fort mirë.

Edhe sot ndjeva paksa dëshpërim, si të ngazëllyer në shpirt, por se jeta nuk ka kuptim pa trishtim, thotë Albert Kamy. Bëmë diçka të veçantë me kushëririn. Pasi shëtitëm disa kafene ashtu si shushatur, si ata njerëzit që dalin e bëjnë gjithçka iu del përpara syve me sa lekë kanë në xhep, më tej u ulëm në një loto dhe vendosëm një llotari. Vumë tri ndeshje. Të parën në kohë e kapëm dhe ishte një skuadër në fushë kundërshtare, me shumë koeficient. Ndërkaq, që dy të tjerat zhgënjyen që në pjesën e parë, meqë i kishim vënë me pjesë, dolën barazim, teksa kishim vënë fitore. Nga 50 lekë secili hodhëm për 4 mijë lekë të vjetra gjithsej, por gjë nuk kapëm. Kështu vazhdon edhe jeta, me 50 lekësha në xhep vazhdohet ndonjëherë dhe gjithmonë kemi shpresë se mos na bie ndonjë bonus, fat i madh nga qielli për të marrë direkt shumë të madhe, por shpesh, në shumicë nuk del. E jeta vazhdon, me shpresën e marrë se një ditë do të bëhet më mirë, pa përfunduar në varrezat e qytetit.

Data 15 prill 2017
Sot prisja të kisha shumë punë, mirëpo doli se nuk kisha fort, për shkak se u shty “radari”, rubrika e gazetës që mbuloj një ditë në javë. Ditë e bukur disi, flas akoma me atë vajzë që dua ta nxjerr për kafe, ndërsa keq më erdhi për një djalë të ri, vdekur në Itali në një aksident të frikshëm, në moshë shumë të re. Ditët po ftohen disi, pasi fillimisht u besua se po vjen bash vera.

Data 16 prill 2017
E njerëzit që si unë, shpesh në jetë dërrmohen, shkatërrohen, rrënohen e thërrmohen, sidomos në ndjenjat e tyre të sinqerta dhe në pafajësinë e vet, duket se një ditë gjejnë ngadhënjimin e vet, teksa rastisin në ata tipa që vërtetë pëlqejnë dhe ata ia kthejnë po ashtu. Epo të tillë tipa si unë kanë zemrën e çelët, shpirtin e tillë sa të meritojnë gonxhen e kopshtit në shoqërinë ku jetojnë. E tillë është Flavia, vajza me të cilën flas kaq kohë. Ajo arrin të më gremisë shpirtin, të harroj të shkuar e gjithçka e në përshëndetje të ëmbla më bën të përhumben krejt, teksa mua, një qenie që shpesh e kam konsideruar veten nënnjerëzore, më thoshte se jam “perëndi Olimpi”. Sikur më godet, më vret e torturon përditë, duke goditur në zemrën e ngratë. Rrokopujat që merr zemra ime ngado përplaset ajo gjejnë prehje te një emër dhe ky emër rastis të jetë Flavia, modern dhe i bukur. Asaj çuditërisht, në bukurinë e saj të mahnitshme e fantastike i pëlqejnë emrat grekë, kultura Helene, letërsia e shtetit fqinj, çuditërisht në shije të njëjta me mua. I pëlqen Kafka, Kamyja dhe i shpjegova se sot ndihesha sikur në bark më kishin mbirë larva e se dukeshin se metamorforizoheshin në flutura e ajrin ma bënin si mente, çëmçakëz me erë. E Flavia, mundet të jetë dashuri e madhe, flamurtare e lirisë sime, po kaq edhe stërmundimi im, me një të ardhme që kurrë nuk e kam aq të sigurt. Flavia është lajtmotivi i ditës së sotme për mua, i kulturës sime, ku arrij të shprehem ashtu siç jam, pa frikë, pa drojë.

E lajmet, po ç’lajme ka sot, kur ndodhia më e madhe po ndodh në thellësi të zemrës sime. Po njëherë dua të them se një koleg pune më kapi duke lexuar Andriçin, nga i cili kam edhe 120 faqe për të lexuar në lloto. Edhe më të qeshur më tha të vërtetën: “Vetëm ty të kam parë edhe libër edhe loto”. E kështu, siç kam emrin jam vërtetë, sa i çmendur, aq lozonjar, sa lajkatar, aq zemërmadh, aq edhe qejfbërës. Lajmet reale vijnë nga bota me trazime. Në Turqi, referendumi i inicuar nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, për të rritur kompetencat e tijat mori 52 për qind të votave ‘pro”, duke e bërë atë një kryetar shteti me shumë pushtet. Erdogan shpalli fitoren dhe se ishte diskutuar deri edhe vendosjen me ligj të dënimit me vdekje, paksa e rëndë kjo. Por unë duke njohur atë popull turk, kontekstin ku zhvillohen ngjarjet mendova se Erdogan do të fitonte me mbi 70 për qind të votave, por çuditërisht nuk ndodhi kështu. Kjo ishte habia. Erdogani fitoi ngushtësisht. Kjo tregon se shumë turq e kanë kuptuar politikën reale të tij, por se janë edhe shumë persona të kapur prej tij ose kanë frikë ligjin dhe pushtetin. Gjithsesi, Erdogani fitoi. Më pëlqe ajo që thoshte Komisioni Europian, që bëri thirrje që të ketë vendime sa më kombëtare në Turqi e kjo sa do të zbatohet pritet të shihet e them se është vështirë, shumë vështirë.

E se desh harrova, kishte edhe Pashkë dhe se shumë shqiptarë kishin dalë për ta festuar atë. Unë them se kishte aty edhe myslimanë shumë, duke njohur si janë shqiptarët, që fort nuk ua kërcet për fenë sesa të bëjnë diçka të veçantë e të bukur. Se ku qenkan kaq shumë të krishterët në Shqipëri. Nuk janë pra, por më tepër si festa bëhen këto që marrin përmasa dhe kushdo bëhet pjesë, me atë festën me qiri nëpër duar e me vezë më tej të lyera. Një burrë më bëri përshtypje sot, kur dola pushim nga puna aty në ish-Bllok. Ishte nga këta që janë trokë. Shau Krishtin dhe Muhabetin, bëri blasfemi të thuash, duke thënë se i duhej punë, bukë, ushqim, jetesë e rregullt.

Data 17 prill 2017
Flavia është dhimbja e ëmbël e momentit. Ajo di që të më vlerësojë shumë. Po vështirë se më ka ndodhur që me një vajzë të këmbejmë kaq shumë pikëpamje. Ajo në fakt kishte shkrimtar të preferuar Erik Maria Remark, që unë e di se ka kryevepër “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” dhe se flet për dramat e njerëzve gjatë luftrave, duke qenë kundër dhunës e barbarisë. Po Flavia është magjepsëse, ia njoha edhe familjen pak a shumë, se kishte vëllezër njërin 22 vjeç dhe tjetrin 17. Sa do zgjasë kjo magji pritet të shihet. I kam dërguar një fletë ditari ku i flisja për ndjenjat e mia, atë të datës 16 në fakt dhe pres përgjigjen e saj. Për nga lajmet vazhdojnë trazimet e përditshme, ku opozita nuk hyn në Kuvend dhe qeveria thotë se do të hyjë në zgjedhje edhe pa opozitën. Bota është e trazuar. Donald Trump do të shkatërrojë komunizmin diktatorial të Kim Jong Un, kurse në Penjan tregojnë dhëmbët me raketa e me armë bërhamore, të cilat shpesh nuk dihet nëse janë të vërteta apo lodra, me të cilat duan të gënjejnë mbarë rruzullin tokësor. Po ditët ecin lodhshëm, rrokopujë ikën, me zallamahi plot e lloj-lloj historish tragjike që vijnë nga Republikat e Çmendurisë. Vështirë se gjen republika të pastra edhe sot e kësaj ditë në këtë tokë.

Data 18 prill 2017
Vazhdoj të mbetem fort mirë nga ana e gjendjes shpirtërore, me siguri për shkak se kam gjetur vetëm përgjigje pozitive te Flavia edhe në gjëra të cilat unë thuajse shprehja hapur dashurinë time ndaj saj, shpesh shumë të sinqertë. Po Flavia unë mendoj se është vajza e ëndrrave të mia, aq sa ia shpreha troç se nëse do të bëhesha bashkë me të do ta çdoja në shtëpi, do ua prezantoja të afërmve, familjarëve dhe do t’iu thosha: “Ja, kjo është lepurushja ime”. Por me humor e buzëqeshje ma kthen se unë shumë isha duke ëndërruar. E unë sinqerisht fare duke i thënë se kam bërë gati kolegë e çdo gjë nëse do të kisha përgjigje pozitive. Po aq gaz kam sa ndihem shumë i lumtur. Mirëpo, këtë gaz të madh që kam mundohem ta mbys, sipas mënyrës sime, sepse edhe gazi i tepërt shpesh të del prej hundësh e bëhesh pishman fort. Flavia është këtu, për kafe s’po më del por me buzëqeshje më orvatet, sikur të thotë se “unë nuk jam kaq e lehtë”. Nuk di si do të shkojë kjo punë, por fort më rreh në zemër, që unë një shpirt shumëngjyrësh artistik do të doja që më në fund të ndihesha rehat e dikë që më mirëkupton, edhe pse profesioni im më shumë merret me zemrën sesa me paratë. Për fat të keq vajzat e tilla, që vlerësojnë zemrën përpara parasë, sot janë pak, vërtetë pak. E Flavia duket ndryshe, një vajzë që edhe punon vetë, ka rreth shoqëror, më ndez thellë në shpirt. Por duhet të përmbahem pasi nëse shkoj në majë të piramidës, përmbysja mund të jetë tragjike.

E lajmet këta ditë këtu po i shënoj vetëm se duhet tradita, pasi për mua Flavia mbetet ajo për të cilën ëndërroj këtu e ka sa kohë. Nëse do të veçoja ishte replika në distancë mes kryeministrit Edi Rama me disa liderë politikë serbë, që shprehën mendimet e tyre. Ishte fillimisht Rama që lëshoi deklaratën provokuese. Rama deklaroi se nëse BE refuzon Shqipërinë dhe Kosovën, këta të dyja mund të bashkohen, si presion ndaj BE-së që të pranojë dy shtetet e banuara kryesisht nga shqiptarët. Edhe kjo që kërkon Rama paksa e tepruar. Dy shtete copë – copë që mezi mbahen në këmbë, në paradhomën e Evropës të thuash se duhet të bashkohen si presion ndaj ndërkombëtarëve vetëm që të hysh në BE për ta shitur si sukses personal, nuk shkon. Edhe liderët serbë, që provokohen si përherë reagojnë. Ivica Daçiç që ka qenë edhe kryeministër i Serbisë, tanimë ministër i Jashtëm në shtetin serb ishte ai që tha se Rama ka lëshuar një deklaratë aspak diplomatike dhe kishte të drejtë. Problemi qëndron në faktin se kush e tha. Kjo gjë bën që deklarata e Daçiç të mos marrë fort kuptim. Daçiç është një njeri që ngjan sikur ka lindur me kostum, sikur ka lindur për të pasur poste shtetërore si kryeministër, ministër i Jashtëm, një qen pushteti që nuk e ka lëshuar atë, që bhëhet palë me këdo në Serbi, me Millosheviçin e me Vuçiçin, mjaft të jetë mirë vetë.

Data 19 prill 2017
Me Flavian flas gjithmonë dhe më dendur. Ajo tanimë duket më serioze dhe ia kam shpjeguar edhe planin që unë kam për të. Nuk e di nëse do të na ecte në rast se bëhemi bashkë, por se i thashë se në një vend si Shqipëria ndjej frikë nga e ardhmja, por shpresoj e dua të besoj se do ta kaloj frikën e tmerrin.

Data 20 prill 2017
U çova shumë herët në mëngjes, me një ndjenjë të mrekullueshme, sepse Flavia, njeriu që është duke ma copëtuar zemrën këta ditë më kishte shkruar: “Mirëmëngjes” dhe fjalë të tjera të ëmbla. Derisa Flavia më shkruan që në mëngjes, më përshëndet, ky është padyshim tregues se ajo ka interes për lidhje. Por ndërkaq nuk jemi takuar për kafe, por me bekimin e saj shkova në një konferencë që trajtonte të drejtat e gruas. Aty flitej në fakt për të drejtat e grave, për rolin e tyre në vendimmarrje dhe për kuotat e grave në politikë, që aktualisht është 30 përqind. Unë bëra një pyetje që u lexua pubnlikisht nga ana e panelistëve dhe se ajo ishte: “Për momentin kemi 30 për qind kuotën e grave në politikë. Dhe kjo shifër është e imponuar, gjithashtu në krye dalin gratë që lyhen e përlyhen dhe jo realisht ata që e meriojnë, shpesh këta gra që shiten si model suksesi kanë edhe historira për atë sesi janë ngritur. Por shgifra 30 përqind edhe është shumë madje, e jo më të bëhet 50 përqind, Kjo sepse në shoqëri nuk është aspak realitet që gratë të kenë të drejta 30 për qind. Madje, gratë nuk kanë as 30 për qind të drejta. A mendoni edhe ju njësoj?” Kjo ishte pyetja dhe gjeta veten te përgjigjet e politilogut Afrim Krasniqi, por edhe te përgjigja që dha sociologu i mirë Gëzim Tushi. Ky i fundit tha se gjendja e grave në vend është e tmerrshme dhe bie shumë dakord me të. Gratë në Shqipëri janë të keqtrajtuara, dhunohen fizikisht por edhe keqtrajtohen në vend pune e çdo gjë tjetër e mua më duket se me këtë psikozë të egër që ka ky popull as për tu rregulluar nuk ka ky lloj problem.

Ndërkaq, që ky vend nuk është normal u mor vesh edhe sonte në mbrëmje. Në Vlorë, 1 i vdekur e 3 të plagosur në lokalin ‘Fiks Fare”, ku këndohej live muzikë. U trondit Vlora dhe mëson përnjëmend se jeton në vend të çmendurish, pasigurish të mëdha, jetë sociale e trishtë, që sado përpiqesh ta bësh realitetin e botën tënde të bukur, nuk shpëton dot nga kjo zallumahi e tmerrshme, lemeritëse që na rrethon përditë. Thjesht e tmerrshme që vdes njeriu si pulë. E kur po vija në shtëpi me makinë të punës, pranë Yzberishtit vija re ca pallate të vjetra të kohës së Enver Hoxhës. Mu duk Shqipëria aty tamam e vjetëruar, e masakruar, një kufomë që tanimë krimbat i janë sulur dhe e hanë ngadalë. Realitet i egër. E dua ta prish këtë lloj imazhi të keq. Po iki të fle. Flavia më tha se të hënën do ta takoj në kafe. Ajo është zemra ime, jeta ime, kështu kemi thënë në “Facebook” së paku por sesa do të jetë realitet, kjo pritet të shihet. Një gonxhe në një kopsht të egër si ky, një njeri që porsi unë ka ”botën e vet”, të largët nga kjo e trishta dhe lemeritësja e, bota jonë.

1 KOMENT

SHKRUAJ NJË KOMENT