Përçarjet fetare dhe influencat e huaja

0
470

Nga Alfred Gjini, MBA – 17 shtator 2016Bletashqiptare.com

Herën e fundit gjatë një bashkëbisedimi me një bashkfshatarin tim shkëmbyem një dialog të cilin më duhet tua percjell si më poshtë:

– Si është djali? Çfare bëri me shkollën?
– Mirë është, por jam shumë i mërzitur.
– Përse kështu?
– Beni mbasi iku në medrese ka ndryshuar komplet dhe ne si prindër na shikon me sy të keq.
– Po përse ju shikon me sy të keq?
– shpesh debaton me ne, dhe kërkon që nëna e tij të mbulohet dhe të falemi pesë herë në ditë ose përndryshe thotë do shkojmë në xhehnem.
– Po përse mendon ashtu?
– Sjellja e tij ka ndryshuar si nata me ditën. Tani vetëm lexon libra fetarë dhe falet; madje as të luajë me shokët siç dilte gjithmonë nuk del. I shikon moshatarët dhe i paragjykon për mënyrën e jetesës dhe të menduarit. Na flet rreth vdekjes dhe botës tjetër. Jemi shumë të shqetësuar.
– Po nuk mendon ti ka ndryshuar për mirë?
– Po çfarë mirë! Ai është ende fëmijë. Ai duhet duhet të mendojë për jetën, për të ardhmen, shkollën… Ne si familje nuk kemi menduar asnjëherë në atë mënyrë. Ne e kemi mesuar t’i respektojë njerëzit gjithmonë pavarësisht besimeve apo mendimeve fetare dhe mos t’i gjykojë në atë mënyrë.
– Të kuptoj. Hë se me siguri është momentale. Do ndryshojë me kalimin e kohës.
– Nuk e di! Jemi shumë të shqetësuar!

Mbas rënies së regjimit komunist, shumë grupe dhe klane të huaja lëshuan rrënjë në trojet shqiptare. Normalisht feja ishte një ndër çadrat më të mëdha për mbrojtjen dhe zgjerimin e këtyre influencave. U hapën me dhjetra shkolla fetare turke në Shqipëri dhe Kosovë, dhe kisha Greke padyshim e rriti influencen e saj në jug të Shqipërisë e më gjerë. Besoj shumë mirë ju kujtohet kur shteti Grek filloi të shpërndajë pensione 360 euro për të gjithë ata që vërtetonin ligjërisht se ishin shtetas grekë ose me prejardhje greke. Rrjedhimisht, me qindra shqiptarë ndërruan edhe emrat për të përfituar.

Po ashtu influenca turke ka hapur me dhjetra kolegje dhe medrese në Shqipëri, Kosovë, dhe Maqedoni. Këto institucione përveç edukimit të përgjithshëm, si agjendë të tyren më të madhe kane përhapjen fetare, gjuhën dhe kulturën turke. Këto shkolla dhe veprimtaria e tyre gjendet pothuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Këto organizata kane investuar shuma marramendëse parash dhe kontrollojne biznese të shumta në Shqipëri të cilat marrin në punë vetëm maturantët e dalë nga këto shkolla apo ata që këne mbaruar në Turqi, ata që me dashje apo padashje janë kthyer në simpatizantë të devotshëm të këtyre influencave, dhe nuk ka as dyshim që nesër shumë prej tyre do shisnin edhe idealin kombëtar për qëllime dhe influenca të të huajve.

Po ashtu, numri i shumtë i xhamive dhe hoxhallarëve të cilët frymëzojnë ekstremizmin tek rinia jonë në moshë të brishte është shumë i lartë. Mbi 400 të rinj lanë familjet dhe ikën në një luftë civile fetare në Siri për për të luftuar në emër të Zotit. Shumë prejt tyre që dhe ju lexuesit e mij i dini mirë, u vranë për një kauzë që vetë Zoti e ka mallkuar. Është për të ardhur keq se për çfarë qëllimesh dhe vlerash luftojnë Shqiptarët nga padija dhe fryma e huaj që futet. Në një kohë kur kriminelët, banditët, maskarenjtë, të pabesvt, gjakpirësat pasurohen në kurrizin e tyre, shqiptarët heshtin ndaj tyre dhe ikin të vriten në vende të huaja në luftëra fetare civile. Turp!

Fill mbas grushtit te shtetit, kundra qeverisjes së tanishme në Turqi, shumë prej këtyre shqiptarëve u ndanë në dy fronte, në njërën anë simpatizantë të qeverisë së Erdoanit dhe në anën tjetër kundërshtarët e tij. Të shihje rrjetet sociale, ngeleshe pa mend duke parë reagimet shumë të ashpra të të rinjve shqiptarë, argumenta- kundra argumenta kundër njëri tjetrit në lidhje me grushtin e shtetit dhe politikat e Turqisë, a thua se mbaruan hallet tona dhe ngelën vetëm hallet e Turqisë. Është shumë e qartë se në çfarë lojërash përçarëse jemi futur dhe sa të suksesshëm janë armiqtë e huaj ndër ne.

Është për të ardhur keq që në vendin tonë, në vend që të kemi më shumë shkolla, qendra edukimi, apo librari ku të rinjtë të lexojnë rreth kulturës dhe traditës shqiptare, dijes, shkencës, artit, letërsisë, filozofisë por edhe besimet e ndryshme, ne kemi shume hoxhallarë injorantë që në jetën e tyre nuk kanë bërë asnjë studim shkencor apo analizë; ata i mësojnë të rinjve të duan kulturat e huaja, të duan Turqinë apo Arabinë më shumë se vendin ku kanë lindur dhe ku janë rritur, atë vend që të parët tanë e kanë larë me gjak per t’a mbrojtur. Nëpër institucionet tona fetare predikuesit bëjnë të gjithëditurin, u tregojne njerëzve se si duhet jetuar jeta, si duhen analizuar politika, ekonomia etj., ndërkohë që ata kanë studiuar vetëm për pak kohë një version të teologjisë të cilin nuk e kuptojnë deri në fund për veten e tyre. Vërtetë për të ardhur keq!

Kuptohet, të gjitha këto të këqija janë pasoja e mos funkionimit të shtetit shqiptar. Të gjitha këto perçarje janë pjellë e korrupsionit, mos funkionimit të shtetit dhe mungesës së kontrollit nga shteti. Po përmend fjalën shtet, por në fakt po flas për ata që e kontrollojnë shtetin, për qeveritarët dhe parinë, të cilët jam i sigurtë që në vend që t’i kontollojnë apo monitorojnë të gjitha këto organizata, apo klane të huaja, mbushin xhepat dhe heshtin përgjithmonë, heshtin në kurriz të popullit të cilit i marrin votën me pesë mijë lekë të vjetra. Qeveritarët tanë, dhe shteti ynë i sotëm kanë heshtur përgjithmonë ndaj influencave përçarëse. Në fakt, është shumë e logjikshme të mendosh se ata i përdorin të gjitha grupet, përfshirë këtu dhe ato idologjike fetare për interesa te tyre. Ata janë bërë pjesë e së keqes. Prandaj e keqja do shfaroset vetëm nga dora e popullit. Shqiptarët vetë do t’a shpëtojnë Shqipërinë dhe shqiptarët.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here