Për krimin grabovcian

0
529

AUTORI: ARBEN IDRIZI, GAZETAEXPRESS13 gusht 2016

Administrata publike është parajsa e krimit të tillë grabovcian. Krimi grabovcian është në të vërtetë universal dhe sa duket i përjetshëm

Prore kam qenë dhe vazhdoj të jem i prirë ta shoh PDK-në dhe AAK-në (pra, në përgjithësi krahun politik të luftës) si një bandë mafioze, gangsterë rrugësh. Ndërsa LDK-në (me demek krahun paqësor) si një bandë mashtruesish perfidë, gjoja të ngritur, tinëzarësh dhe hipokritësh, një lloj pedofilësh.

Krejt në anën tjetër është Vetëvendosje, banda ideologjike, dmth. tepër më e rrezikshme dhe monstruoze. Po aq sa ekstremizmi islamik në tentim të ngritjes dhe fitimit të terrenit dhe fashizmi serb në kërkim të ruajtjes së fuqisë së vet në vend.

Prandaj, kur i dëgjoj përgjimet që po bëhen publike, me kryepersonazh Adem Grabovcin, nuk gjej asgjë më shumë se një gangster rrugësh të rëndomtë, të cilin rasti (ka që e besojnë të kundërtën, e ndoshta me plot të drejtë) e ka sjellë në ulësen e deputetit dhe për pasojë i ka dhënë mundësinë të ‘vrajë e kthjellë’ si t’ia dojë i lumi qejf.

Gangsteri, në filmat homonim, iu gjen punë bashkëbanorëve, të afërmeve dhe tërë atyre që mbarë atyre që duan ta gëzojnë “të mirën” e tij. Ai kujdeset që ata të kenë të hanë, të kenë siguri dhe të bashkëjetojnë në komunitet në harmoni gangsteroze. Të pranuarit në familje nuk kanë nevojë më për shtetin, që t’iu gjejë punë as për forcat e rendit që t’i sigurojnë. Është banda ajo që i kryen të gjitha. Banda i ndihmon të varfrit. Shpërndan ndihma. Dhurata. Për familjen. Për ata që e përkrahin dhe mbështesin bandën. Kundër rendit, ligjit, demokracisë dhe humanizmit.

Duke qenë se për bandën e gangsterëve, të avancuar në skenën politike, veprimet e tilla janë krejt normale, është e kuptueshme pse Grabovci nuk ndihet aspak i shqetësuar nga publikimi i përgjimeve dhe skandali që shkaktojnë te ne, vetëm te ne. Ai thjesht mburret. Ai e ka një shpjegim prej gangsteri: «Unë po punësoj njerëz». A nuk është kjo që e duan të gjithë? A nuk kemi një papunësi skandaloze? A nuk po presin qytetarët tonë prej vitesh e vitesh, në mjerim e dëshpërim, të gjejnë një vend pune?

Që i bie sikur po na pyet neve: e ju çfarë dreqin po bëni për njerëzit tuaj, ose për këdo në përgjithësi?

Sepse, në të vërtetë, nuk ka rëndësi, për bandat mafioze, si e bën, por a e bën.

Një element tjetër habitës, por krejt i natyrshëm, është gjuha.

Gangsteri, pa e mohuar assesi faktorin injorancë, nuk shqetësohet të komunikojë “i pispillosur”. Ai flet gjuhën e rrugës, popullit. Ai është i gjithi pjesë e masës. Gjuha e bën një me të, pavarësisht “profesionit” që e përjashton. Ai i i ka të gatshme dhe të natyrshme të gjitha batutat, klishetë dhe shakatë popullore.

Jo që pastaj ka ndonjë kujdes gjuhësor edhe në parlament, konferenca mediesh apo debate televizive e publike. Dallimi është shumë i vogël dhe hipokrit. S’ka asnjë vështirësi për ta dalluar.

Sidoqoftë, administrata publike (dhe institucione të tjera, që në mënyra të ndryshme varen prej saj) është parajsa e krimit të tillë grabovcian. Krimi grabovcian është në të vërtetë universal dhe sa duket i përjetshëm. Sidomos në vende dhe shoqëri që mbesin të prira të lëshohen në korrupsion, nepotizëm dhe shkelje të tjera.

I kam cituar disa herë Çehovin dhe Flavio Santin që shpjegojnë mrekullueshëm, në dy tregime të shkurtra, procesin e punësimit korruptiv, me anë rekomandimi. Është një proces i njëjtë në të gjitha shoqëritë. Secilit prej jush, nëse ende s’ju ka ndodhur, nëse dëshironi ta provoni, do t’ju ndodhë në të njëjtën mënyrë.

Por, ka edhe një trajtim më moral të problemit.

Te diatriba e tij e njohur ‘Kundër atyre që iu rekomandojnë persona filozofëve’, Epikteti citon Diogjen cinikun, që i përgjigjej njërit që i kërkonte një letër rekomandimi: “Se je njeri, do ta kuptojë duke të të parë: se je i mirë apo i keq, nëse është ekspert në dallimin e të mirëve nga të këqijtë, do ta kuptojë vetvetiu; nëse, nga ana tjetër, nuk është ekspert, nuk do ta kuptojë, edhe sikur unë t’ia shkruaja mijëra letra”.

Këtë po përpiqem të them: tek administrata publike dhe vendet e tjera ku krimi grabovcian rekomandon njerëz për një vend pune, nuk ka probleme morale as nevojë ekspertësh. Nëse krimi grabovcian rekomandon njërin, zyrtari që do ta pranojë në punë as nuk shqetësohet moralisht as ligjërisht. Ose, që të mos iu hyjmë të gjithëve në hak, nuk ka fuqi as guxim të shqetësohet. Nuk po dërgohet i rekomanduari në vendin e punës që të kryejë punë, duke pasur një përgatitje profesionale përkatëse; po dërgohet që të përfitojë nga “e mira” e rekomanduesit gangster, kriminelit grabovcian. E thjesht dhe e qartë.

Dhe, për fatkeqësinë tonë, prokuroria po e ka tepër të vështirë të gjejë vepër penale në tërë këto veprime joligjore.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here