Pëllumb Xhufi: Ky është shteti esadist i fanatikëve, i njerëzve të liq, që thërrasin “dum babën”

0
509

Historiani i njohur, Pëllumb Xhufi, shprehet pesimist për situatën në Shqipëri.

Ai thotë në një intervistë për gazetën Dita, se ky është një shtet esadist dhe i njerëzve që thërrasin “dum babën”.

Me përjashtim të reformës që ju përmendët të fundit, asaj në polici, së cilës qytetarët ia shohin efektet, reformat e tjera janë vrarë që në embrion nga paqartësia, paaftësia e pavendosmëria e qeverisë, nga refuzimi i tërbuar i opozitës për të pranuar edhe ndryshimin më të vogël dhe nga shteti paralel që drejtohet nga ish-Kryeministri dhe që është mbjellë prej tij me kujdes maniakal në të gjitha institucionet publike përgjatë këtyre 25 vjetëve të tranzicionit. Ky është shteti esadist i fanatikëve, i të paditurve, i njerëzve të liq, pa ndërgjegje e pa atdhe, që vazhdojnë edhe pas 25 vjetësh të thërrasin “dum babën”, pavarësisht se ndërkohë “baba” e ka djegur dhe e ka pjekur nja tre herë Shqipërinë, e ka varfëruar, degraduar e shpartalluar shtetin dhe i ka shkaktuar një krizë identiteti të pashembullt qytetarit shqiptar, të cilit i merret goja kur i duhet të pohojë identitetin e vet.”

“Por, mos harrojmë që ngërçi në realizimin e reformave vjen edhe nga politikat e gabuara, me bazë antipopullore e antidemokratike të mishëruara në ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, të bëra kokë më kokë, buzë më buzë e vesh më vesh me “anti-shtetin”, d.m.th. me Sali Berishën. Nëse sot qeveria e Edi Ramës nuk bën dot një hap përpara në reformën në drejtësi, kjo vjen ngaqë atë e pengojnë një president, një KLD, një Prokurori apo një Gjykatë që janë pjellë e drejtpërdrejtë e atyre ndryshimeve kushtetuese, me të cilat Berisha, e jo Edi, e kapi shtetin në të gjitha hallkat e tij. Nëse tek ne zgjedhjet nuk pasqyrojnë vullnetin sovran të popullit, nëse parlamenti është shndërruar në një palestër harbutërie, nëse partitë politike janë shndërruar në detashmente besnike të kryetarëve të tyre, kjo ka ardhur gjithashtu nga flirti pranveror i vitit 2008, kur vesh më vesh e buzë më buzë u sajua një kod zgjedhor e një sistem zgjedhor, që i bënte dy kryetarët e partive të mëdha titullarë të vullnetit e të sovranitetit të popullit”, thotë profesor Xhufi.

Në lidhje me thirrjen e Berishës për të rrëmbyer armët kundër qeverisë, Xhufi shprehet:

“Që mos ta fsheh, kur dëgjova piskamat për armatosje të popullit, aty për aty mendova se z. Berisha po zbatonte porosinë e radhës. Pastaj, me mendje më të ftohtë, solla ndërmend se në ditët e fundit të prillit 1945, Hitleri pati një “ndriçim hyjnor”, që i pëshpëriti se faji për humbjen e Gjermanisë qëndronte tek ushtria dhe tek populli gjerman, të cilët nuk kishin luftuar e nuk kishin sakrifikuar sa duhet për atë, Hitlerin. Atëhere, ai filloi të shohë ëndrra me armë të tmerrshme, që do të shkrinin planetin e gjithë njerëzimin, duke filluar nga gjermanët e tij. Kështu, gjykoj unë, edhe zotit Berisha nuk i del inati që populli shqiptar u tregua “mosmirënjohës” ndaj tij, duke i treguar derën disa herë në këto 25 vjet. Dhe si njohës i mirë i letërsisë serbe mbi shqiptarët, ka mësuar prej Gjeorgjeviçëve e Tomiçëve të saj, se për të zhdukur popullin shqiptar nuk është nevoja të shpiken armë të shkatërrimit në masë: Mjafton t’i armatosësh të gjithë, e vrasin njëri-tjetrin. Diçka nuk funksionoi në vitin 1997 dhe shqiptarët nuk e vranë plotësisht njëri-tjetrin. Siç duket, kësaj radhe z. Berisha ka gjetur formulën e duhur për ta zbatuar siç duhet idenë serbe të tij”, thotë Xhufi.

Ndërsa për reformën në drejtësi, ai shprehet se ka frikë se mund të mbyllet me ndonjë pazar:

“Nëse shohim pikën nga nisi reforma në drejtësi, dhe pikën ku ka mbërritur, mund të konstatojmë rënien në pikiatë të saj dhe, ka të ngjarë që kjo reformë të përfundojë në xhepin e atyre që parashikohej të ishin objektivi dhe viktima e saj. Përfundimisht, kjo klasë politike nuk e do reformën në drejtësi, ajo nuk do të bëjë harakiri duke shkruar ligje e duke ngritur struktura që godasin atë vetë. Në këto kushte, më ngjalli shpresë thirrja e kryeministrit për t’iu drejtuar referendumit popullor. Por me sa duket, ishte një thirrje sa për të larë gojën, sepse nuk po e dëgjoj më. Dhe më duket se edhe kjo histori do mbarojë me një nga ato pazaret “buzë më buzë e gojë më gojë”, ku për faj të miopisë e paburrërisë së shumicës, edhe njëherë Berisha do imponohet mbi të gjithë: mbi vullnetin popullor për t’i dhënë fund pushtetit të padrejtësive e të zullumeve, mbi dëshirën e mazhorancës për ta realizuar, gjithsesi, këtë reformë jetike dhe “estetikisht” të dobishme, dhe mbi vetë vullnetin e ndërkombëtarëve për ta konsideruar reformën në drejtësi një kusht të pakapërcyeshëm për progresin e mëtejshëm të Shqipërisë në procesin e integrimit. Shpresoj që referendumi popullor për kalimin e variantit fillestar të reformës, të atij që nuk është bërë pis nga Berisha, vazhdon të jetë një opcion i mazhorancës”.

Marrë nga TemA

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here