Një sqarim publik për zëvendësimin tim si kryeredaktor në Top Channel

0
343

Mentor Kikia

Nga sot, dt 21 Shtator, unë nuk jam në drejtimin e edicionit të lajmeve të orës 15.00, në Top Channel. Me pak fjalë, nuk jam më kryeredaktor, detyrë të cilën e mbaj që prej hapjes së këtij televizioni, Maj 2001. Në respekt të audiencës së Top Channel, në respekt të lexuesve të mi në median e shkruar dhe atë sociale, por edhe për të sqaruar njoftimet e publikuara sot në mediat online, dua të qartësoj atë çka ka ndodhur. Duke i lënë komentet dhe përfundimet për herë tjetër. Jo për Mentor Kikinë, por për kryeredaktorin e lajmeve të televizionit më të madh në vend dhe institucionit më të rëndësishëm të informimit.

E vërteta është se unë nuk kam asnjë vendim të drejtuesve të kompanisë, apo administratorit të përgjithshëm, për shkarkim nga detyra, apo propozim për lëvizjen në ndonjë detyrë tjetër. Ka vetëm një komunikim verbal të drejtorit të informacionit Sokol Balla, në mbledhjen e redaksisë, i cili njoftoi se nga sot drejtimi i këtij edicioni, që nënkupton punën që nga mbledhja e mëgjesit e redaksisë, i kalon një redaktori tjetër.

Ndërkohë që një ditë më parë, në një bisedë informale, Balla më komunikoi se mua më ishte hequr e drejta e “editimit politik”, pra linja editoriale e edicionit, (të cilën nuk është se e kam patur ndonjëherë ekskluzive) sepse me qëndrimet e mia, si brenda, e veçanërisht jashtë redaksisë, me komentet dhe shkrimet në median e shkruar e atë sociale, apo qëndrimet në studio të ndryshe debatesh, kisha dalë shpesh jashtë linjës editoriale të televizionit.

Dhe se ky ishte edhe mendimi dhe vendimi i administratorit të përgjithshëm. Duke më përmendur si aktin e fundit, edhe debatin publik me një mjeke. Ndërsa si akt të parafundit, më përmendi një artikull mbi rrezikun e kanabizimit të vendit. (Unë nuk di që televizioni të ketë ndonjë linjë editoriale për të mbrojtur mjekët, që marrin para, apo ata që mbjellin hashash).

Edhe pse nuk ka një linjë editoriale të komunikuar, unë e kuptoj dhe respektoj atë, brenda dhe jashtë redaksisë, e njoh parimin e moscenimit të interesave të kompanisë ku punoj, dhe ky është parim universial që funksionon nga këtu deri në Uashington. Në ato çfarë unë kam shkruar, kam qenë kritik shpesh, por jo ndaj kompanisë, interesave të saj dhe partnerëve të saj, por ndaj klasës politike në tërësi, fenomeneve negative sociale e shoqërore, ku sundon denoncimi i ndotjes së mjedisit.

Kjo nuk është dëshmi e cënimit të linjës editoriale, por tregues i pavarësisë time si gazetar. Por, edhe nëse diku, brenda apo jashtë redaksië, mund të kem prekur diçka, më shumë mendoj se kam prekur ndonjë axhendë private, politike e financiare, dhe jo linjën editoriale të televizionit. Unë mund të kem bërë shumë gjëra gabim në jetën time, madje edhe me pasoja dramatike. Por një gjë e kam bërë mirë në çdo orë, çdo ditë, çdo muaj e çdo vit: Profesionin e gazetarit, që nga vitit 1993 kur e nisa, shumicën e të cilit e kam bërë në Top Media.

Ndaj mënjanimi im nga detyra e kryeredaktorit, nuk duhet parë si shkarkimi rëndom i një gazetari nga puna. Pasi në Shqipëri media është tregu më kaotik dhe të paktë janë ata që nuk kanë ndërruar nga 3-4 redaksi. Por kjo ka të bëjë me parimet e pavarësisë së gazetarisë.

E vërteta është se unë nuk jam larguar nga Top Media, me të cilën kam në fuqi një kontratë si kryeredaktor prej 16 vjetësh. Dhe, nëse do më duhet ta bëj, nuk do të iki kokëulur, e aq më pak fshehurazi, si një hajdut që e kanë kapur duke vjedhur dhe lutet të mos i nxjerrin fytyrën në lajmet e kronikës së zezë. Kam punuar këtu me më shumë përkushtim e ndershmëri sesa ndaj familjes time, sepse e adhuroj ende këtë profesion dhe fjalën e lire dhe e çmoj shumë këtë media. Mbi të gjitha Top Media nuk është pronë e asnjë drejtori, e madje as edhe e vetë pronarit. Ajo është një aset i madh publik, një vlerë e madhe e shoqërisë dhe demokracisë sonë.

Unë pres të sqaroj më tej pozicionin në raport me kompaninë, për të mbajtur qëndrimet e mia të mëtejshme.


Mentor Kikia flet sërish për largimin nga TCH: Më hoqën me një fjali

Dita, 23 shtator 2016

Gazetari dhe ish-kryeredaktori i lajmeve në “Top-Channel” ka folur sërish për largimin e tij nga kjo media, ku ka punuar për më shumë se 15 vjet.

Në një postim të ndjerë për ata që e mbështetën, Kikia thotë se 15 vjet punë e përkushtim u hodhën në rrugë me një fjali të vetme.

Kikia duket i prekur thellësisht nga kjo ngjarje e paprecedentë, por më tepër është prekur nga solidarizimi i miqve dhe vetë opinionit publik.

“Dreqi ta hajë, ia vleka edhe të “vdesësh” ndonjëherë për të parë se çfarë ke ndërtuar në jetë e sa vlen. Ose më saktë, ndodhka që edhe pa vdekur mund ta mësosh se sa vlen në shoqëri dhe se sa të vlerësojnë ata që nuk kanë asnjë interes e as të njohin personalisht. Dhe unë mësova se ajo që kisha ndërtuar s’mund të shembet nga askush dhe në asnjë lloj mënyre”, shkruan Kikia në “Facebook”.

STATUSI

Jo gjithmonë duhet të “vdesësh” për të mësuar se sa vlen!

Kur dikush vdes, në ditën e vakisë, njerëzit i thonë fjalë të mira. Edhe nëse nuk i ka merituar. Por edhe më të ligut, në i kursefshin lëvdatat, të paktën nuk do ta shajnë. Ndërsa ndodh shpesh që fjalët e mira, edhe kur meritohen, ruhen për t’u thënë pikërisht kur nuk je më në këtë botë.

Megjithatë, asnjëri nga ne nuk e di se çfarë do të na thonë as ditën e funeralit e as kohë më pas. Pasi nuk do të kemi mundësi t’i dëgjojë dhe lexojmë vlerësimet e të tjerëve. Nuk do të mësojmë dot nëse do të thonë: “Ishte njeri i mirë” apo “Shyqyr që iku dhe një qelbësirë”.

Por unë pata fatin të dëgjoj dhe lexoj opinionin e shumë njerëzve. Shumë… Të njohur e të panjohur, të dëgjuar e të padëgjuar, personazhe publikë, zyrtarë të lartë dhe shumë qytetarë të tjerë. Nuk pashë ndonjë ëndërr me njerëz që mbanin fjalime në funeralin tim, por përjetova një ndjesi të madhërishme në një ditë të vështirë, në ditën e zhgënjimit më të madh në tërë karrierën time profesionale 25 vjeçare si gazetar, kur vetëm me një fjali më hodhën poshtë e më zhbënë tërë mundin, përkushtimin dhe pasionin me të cilin punova për më shumë se 15 vjet në televizionin Top Channel.

Por mesazhet, telefonatat, interesimi i jashtëzakonshëm në mediat online dhe rrjetet sociale, vlerësimet thuajse tërësisht pozitive për punën dhe kontributin tim në gazetari, më bënë ta harroj zhgënjimin. Asnjëherë s’kisha patur kaq shumë lexues njëherësh në karrierën time.

Dreqi ta hajë, ia vleka edhe të “vdesësh” ndonjëherë për të parë se çfarë ke ndërtuar në jetë e sa vlen. Ose më saktë, ndodhka që edhe pa vdekur mund ta mësosh se sa vlen në shoqëri dhe se sa të vlerësojnë ata që nuk kanë asnjë interes e as të njohin personalisht. Dhe unë mësova se ajo që kisha ndërtuar s’mund të shembet nga askush dhe në asnjë lloj mënyre.

Faleminderit të gjithëve për çdo fjalë inkurajuese dhe çdo vlerësim.

Është pasuria ime e vetme!

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here