NJË LIBËR QË PREKË PLAGËT MË TË DHEMBSHME TË TRUPIT ARBËROR

0
376

Engjëll Koliqi: Një libër që prekë plagët më të dhembshme të trupit arbëror
Romani “Imazh” i Dr Zef Mulajt

Të lexosh këtë libër, don të thotë të jetosh me përditshmërinë e shqiptarëve dhe të mishërohesh me hallet dhe me vuajtjet e popullit tënd. Të shkruash një libër të tillë, don të thotë të jesh një shpirtmadh që i bart dhe i ndjen të gjitha dhimbjet e bashkëkombasve tu dhe që kërkon të luftohen dhe të zhduken përgjithmonë këto dukuri të zeza, që po e shtypin popullin tonë me shekuj.

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Romani “Imazh” i shkencëtarit Dr. Zef Mulaj, në këtë rast në rolin e shkrimtarit, është një libër, për leximin e të cilit kërkohet një fuqi e mrekullueshme shpirtërore, dhe një vullnet i çeliktë për të kontribuuar në një mënyrë në eliminimin përfundimtar të krimit të organizuar në radhët e kombit tonë, sidomos të trafikimit me qenie njerëzore, që dëmton rëndë, madje deri në shkatërrim, qenien arbërore.

Jo rastësisht, shkrimtari e nis dhe e mbaron romanin me kujtimet e inspektorit Gjergji, nga dosja e tij speciale për tre fëmijët e “zhdukur” (biznesmenët e vegjël të bananeve). Duke e lexuar këtë roman të shkëlqyeshëm, shpesh rrjedhin edhe lotë dhe vetvetiu shtrohet pyetja: Do të ketë përspektivë edhe për popullin tonë? Fjalët dhe veprat e inspektor Gjergjit, plotësisht duken dhe kuptohen si porosi historike të të Madhit Gjergj Kastrioti – Skënderbe, për të ndërprerë trafikimin me qenie njerëzore në radhët e kombit tonë dhe për t’i dhënë fund, një herë e përgjithmonë, korrupcionit dhe krimit të organizuar që po ia han kurrizin kombit tonë.

Edhe titulli i këtij romani – Imazh – nuk është i rastësishëm, por plotësisht i përgjigjet imazhit të shqiptarëve dhe të Shqipërisë në botë dhe përspektivës së saj historike, që ne vetë po e dëmtojmë.

Sidomos alarmant është fakti, se në krimin e organizuar janë të implikuar edhe individë nga garnitura e institucioneve shtetërore, duke filluar nga deputetë e deri te personalitetet e larta policore dhe biznesmenët, që nuk zgjedhin rrugë as kohë për t’u pasuruar, qoftë edhe duke shuar jetëra njerëzish. Kjo ishte dhembja më e ndjeshme e inspektor Gjergjit, të cilit i kushtoi me ndërrim dhe humbje të vendit të punës në polici, deri te mërgimi përmes këtyre kanaleve të trafikimit me njerëz. Por, autori shumë bukur, me plot optimizëm dhe me stil të posaçëm artistik, në fund bën me dije lexuesit e nderuar, se megjithë sfidat dhe dhembjet e vështira, në fund gjithmonë fitojnë drejtësia dhe dashuria e mirëfilltë.

Gjergji, i cili vetë, si i ri axhami, kishte rrezikuar jetën, duke rënë viktimë e trafikantëve të njerëzve kriminelë dhe kishte shpëtuar mrekullisht, vetëm në saje të mosnisjes së barkës gomone për shkak të tërbimit të valëve të tmerrshme të detit. E ëma i kishte vdekur nga trishtimi, kur e kish parë Gjergjin, kur u kthye nga ajo sfidë shumë e rrezikshme, tërësisht të gërvishtur dhe të përgjakur fytyrës. Ajo donte që Gjergji të bëhej mjek e të shëronte njerëzit, por Ai, i sprovuar nga kjo sfidë, mbaroi akademinë e policisë, për t’u bërë mjek që të shërojë sëmundjet e krimeve dhe të korrupcionit e të trafikimeve të paligjshme, me qenie njerëzore. Sapo mbaroi akademinë, u punësua si inspektor në sektorin e antikrimeve, në policinë e Tiranës.

Dosje të parë në këtë drejtim kishte hapur atë të tre fëmijëve të “zhdukur”, të biznesmenëve të bananeve. Gjergji punonte me përkushtim, për t’i gjetur fëmijët, për t’i shpëtuar ata e për t’i kthyer në familjet e tyre, por edhe për të gjetur fillin e këtyre krimeve të rënda dhe për ta këputur e shkatërruar këtë zingjir, që kishte lidhur e mbështjelluar edhe biznesmenë e politikanë, deri në deputetë e edhe zyrtarë të lartë të policisë e të drejtësisë. Inspektori, kishte hetuar me përkushtim të madh dhe me gjithë zemër.

Falë hetimeve të tij profesionale, kishte gjetur fillin e rrjetit të rrezikshëm, që për përfitime të tyre po mbysnin njerëz, po zhduknin qenie njerëzore, pa shenjë as pa gjurmë… Kur grumbulloi faktet, memzi e bindi komisarin që të denonconte një rrjet në prokurori, por mbeti i tmerruar kur pa se atje më shumë vlejti korrupcioni nga ana e kriminelëve, se sa argumentet e hetimeve të tij dhe të padisë së policisë. Kriminelët u liruan nga padia, ndërkaq Gjergjit iu ndërrua vendi i punës dhe e dërguan si polic të thjeshtë në policinë kufitare, në portin e Durrësit. Edhe aty Gjergji ishte tmerruar me korruptimin e kolegëve të tij, prandaj të vetmen rrugëdalje e gjeti në rënien në duar të rrjetit të trafikimit të qenieve njerëzore, kësaj radhe duke mos rrezikuar jetën.

Ai kishte vendosur që të paguajë një vizë shengen dhe së pari kishte shkuar në Greqi, pastaj në Itali. Në Greqi kishte gjetur djalin, që shiste cigare, bashkë me dy vajzat që shisnin banane, i cili kishte rënë në duar të mafias dhe kishte përfuduar si tosikodipendent. Njëra nga dy vajzat e “bananeve” kishte vdekur në bregdet, ku në çastin e nisjes së gomones, ishte lënë e sëmuet dhe e shtrirë në shkëmbinj nga kriminelët, kurse tjetrën Sofinë, e kishte gjetur në një qytet të jugut të Italisë, në ditën kur kishte mbaruar studimet në drejtësi, me specializim në psikologjinë e kriminalistikës. Ajo, mrekullisht ishte adaptuar në një familje italiane, ku përfundimisht po jetonte mirë.

Gjergji, duke shfrytëzuar një ligj të Italisë për sistemimin e klandestinëve dhe mirësinë e tij, ishte rregulluar me dokumente në këtë shtet dhe po punonte në një restaurant si kamarier. Duke i shërbyer, aty, njoftohet me dekanin e fakultetit të drejtësisë të atij qyteti, dhe regjistrohet e, krahas punës, përfundon studimet me sukses të lartë. Kur po mbaronte specializimin në psikologjinë e kriminalistikës, duke studjuar në bibliotekën universitare, njoftohet me një bukuroshe të rrallë dhe shumë inteligjente – Francesca, bijë e një italiani me origjinë nga Torino dhe e një shqiptareje, me origjinë nga Kruja. Dashurohen dhe fejohen. E ëma e vajzës, i kishte premtuar të bënin një dasmë me daulle e surla, sipas traditave shqiptare.

Duke i përshkruar besnikërisht dhe shumë rrjedhshëm peripecitë e Gjergjit, autori i romanit IMAZH – Dr Zef Mulaj, bukur, edhe artistikisht, shpjegon se megjithë peripecitë dhe dhembjet e mëdha, në fund gjithherë fiton drejtësia dhe dashuria. Autori, përmes këtij romani, si kryemjeshtër i mirëfilltë i fjalës së shkruar artistike, si patriot i mirëfilltë që do t’ua hapë sytë dhe zemrën shqiptarëve dhe t’ia rikthejë fatin e lumturinë e edhe dinjitetin popullit tonë, përmes personazhit kryesor Gjergjit na flet dhe na apelon shumë qartë, me një kushtrim shpirti, të shprehur me bukuri të rrallë artistike, na fton që të gjithë të angazhohemi, dhe secili në mënyrën e vet dhe me mundësitë e veta, të kontribuojmë aq sa mundemi, në rikthimin e identitetit tonë kombëtar, të dinjitetit dhe të imazhit të mirë që tradicionalisht kishim në botë, dhe që ky popull i vuajtur në shekuj, plotësisht e meriton. Siç e thashë edhe në fillim, duket se me gojën e inspektor Gjergjit, na flet dhe na thërret vetë i Magji Gjergj Kastrioti – Skënderbe, që të ndërrojmë dhe të jemi gjithmonë dinjitozë, siç na ka hije të jemi ne pasardhësit e ilirëve, protagonistë të historisë së vjetër. Veç vlerave të larta letrare e artistike, në romanin IMAZH, Zef Mulaj na del edhe guximtar i madh, që i shpall luftë të hapur mafias shqiptare dhe ndërkombëtare, që mjerisht po e shkatërron qenien arbërore.

Duke pasur parasysh gjendjen e mjerueshme të popullit tonë, të rrezikuar skajmshërisht nga mafia kriminale, me plot të drejtë dhe me gjithë zemër ftoj regjisorët shqiptarë, që nga ky roman me vlera të larta, ta bëjnë një skenar dhe ta xhirojnë një film. Besoj se me realizimin e këtij projekti, do të kontribuohej dukshëm në asgjësimin dhe eliminimin e mafias kriminale që po dëmton rëndë qenien arbërore, por edhe do to pasurohej shumë arti ynë skenik-filmik. Edhe titulli i romanit është shumë domethënës dhe kushtrim për të gjithë ne, që të bëjmë edhe të pamundurën e ta shpëtojmë përfundimisht qenien arbërore dhe Shqipërinë dhe ta ngrisim imazhin tonë historik!!!

Stubëll (Kosovë)

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here