Nëndega e LDK-së në Solothurn kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit President i Kosovës

0
521

DEKLARATË PUBLIKE:

Kryesia e Nëndegës së LDK-së në Solothurn, në mbledhjen e mbajtur ditën e premte, me datën 15.01.2016 e në të cilën morën pjesë më shumë se ¾ e anëtarëve, pasi shqyrtoj disa pika të rendit të ditës në lidhje me situatën politike në Kosovë si dhe për shqetësimet e arsyeshme brenda anëtarësisë së LDK-së në Kosovë e së këndejmi edhe në Degën e LDK-së në Zvicër, ajo debatoi edhe për gjendjen në Nëndegën e LDK-së në Solothurn dhe vendosi njëzëri të lëshojë një deklaratë publike për gjendjen e krijuar në LDK në Zvicër dhe për elektoratin e LDK-së në Kosovë:

Të nderuar anëtarë të LDK-së, simpatizantë dhe përkrahës të LDK-së,
Siç e kemi parë kohëve të fundit, vlimet politike në Kosovë kanë hyrë në një fazë sa kritike po aq edhe të komplikuar, ngaqë pozita dhe opozita e kanë degraduar dialogun për zgjidhje politike; me ç’rast – problemet, në vend se të zgjidhen në Parlament përmes debatit e dialogut, ato janë zhvendosur në rrugë, ku edhe po ndodhin skena të dhunës e cila po sundon me gjithë shëmtinë e saj.
Frikësohemi shumë se kjo situatë po rrëshqet drejt një përkeqësimi dhe hasmërie e cila nuk dihet se ku ka të ndalur.
Në shikim të pa anshëm, kjo gjendje ka simptome ndjellakeqe: si duket të dyja palët janë duke pritur viktimën e parë, qoftë nëse demonstruesit do të vrisnin ndonjë polic ose dikush nga policia të qëllojë një demonstrues, shkas ky për një gjakderdhje me përmasa të paparashikuara: Kjo pastaj do të mbillte zi e kob të pa fund për popullin dhe shtetin të cilin e kanë kapur zaptuesit e demokracisë, duke kriminalizuar çdo pore të jetës ku pothuaj se asgjë më nuk funksionon.
Verbëria e kësaj klase politike, pra e Qeverisë Mustafa, u shpërfaq me të gjitha ngjyrat dhe nuancat e errëta, ku prioritet janë grabitja, hajnia, korrupsioni, postet dhe pasuria, e jo funksionimi i shtetit ligjor. Ky turravrap për të rehabilituar klanet, së pari brenda LDK-së, e pastaj kriter e pa kriter për të punësuar nëpër institucione shtetërore, ka sjellë Kosovën në këtë gjendje çfarë është momentalisht, madje deri në atë masë ku pothuaj se nuk funksionon qoftë edhe një segment i jetës normale e institucionale.
Vota është e shenjt dhe si e tillë duhet edhe të përdoret e të jetësohet, e jo të manipulohet me të – siç ka vepruar Kryesia Qendrore e LDK-së. Ne diaspora që ia kemi dhënë këtë votë LDK-së, këtë e kemi bërë me shpirt e zemër, besa edhe me infuzione financiare, pra pa asnjë lloj interesi, vetëm e vetëm për një jetë të dinjitetshme dhe prosperitet të familjarëve dhe më të dashurve që i kemi në Kosovë. Prandaj ju bëjmë thirrje publike që ta ndryshoni komplet kursin e veprimit, sepse ne jemi këmbëngulës dhe të vendosur si kurrë më parë, që vota jonë nuk do të lejojmë që edhe më tutje të keqpërdoret.
Po u bëjmë me dije se duhet të mësoheni një herë e përgjithmonë se edhe në demokraci ka një minimum të moralit politik, kufi ky të cilin çdo lider obligohet të mos e kaloj. Në rastin e votës tonë, ju e keni kaluar çdo limit dhe atë jo për shtet e demokraci, por për klane dhe për pushtet, andaj ne jemi të zhgënjyer deri në pafundësi.
Kryesia e Nëndegës së LDK-së në Solothurn, shprehë zhgënjimin e saj në udhëheqjen e LDK-së e cila votën tonë e ka marrë me deklaratat e përsëritura se kurrë nuk do të ketë koalicion me PDK-në, ndërsa për personin që sot po trumbetohet se me votën tonë do të zgjidhet President i Kosovës, na duket formë skajshmërisht antidemokratike, pavarësisht se është një pazar i bërë pa hanxhiun!…
Kryesia e Nëndegës së LDK-së në Soluthurn ua tërheq vërejtjen se ne nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë, dhe me asnjë çmim që edhe më tutje të manipulohet edhe vullneti ynë, pasi në demokraci ka rregulla të cilat ma së shumti i ka abuzuar vet kryesia qendrore e LDK-së dhe kampioni i kurtheve, uzurpimeve e mashtrimeve Isa Mustafa.
Prandaj ne anëtarët e kryesisë së Nëndegës së LDK-së në Solothurn, në përputhje me statutin dhe programin e LDK-së, deklarojmë se as Isa Mustafa dhe asnjë organ tjetër i LDK-së nuk e ka mbështetjen tonë, në këtë rast votën tonë dhe të familjarëve tanë në Kosovë që për kandidat të propozuar për President të vendit të jetë një individ tepër përçarës e me bagazh kriminel; dëshmi kjo edhe e një tendence tjetër shkatërruese. Kryetari i LDK-së po tallet keqas e paturpshëm me elektoratin dhe me Kosovën!…
Po ashtu, njoftojmë anëtarësinë e LDK-së dhe opinionin se z. Salih Morina nuk ka qenë në Solothurn dhe as nuk është takuar me ndonjërin nga anëtarë e kryesisë së nëndegës sonë, prandaj shprehim habinë tonë si ka pasur mundësi të manipulohet opinioni publik me një të pavërtetë kaq të paskrupullt.
Nëndega e LDK-së në Solothurn apelon tek kryesia e Degës së LDK-së dhe iu bënë thirrje edhe nëndegëve tjera që të shprehen publikisht kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit President i Kosovës, kurse për kryetarin e LDK-së z. Isa Mustafa kemi këtë thirrje publike: t’i realizojë reformat e premtuara brenda LDK-së dhe të funksionalizojë e zbatojë kodin e përgjegjësisë, i cili i detyron nga LDK-ja të ikin të gjithë ata që kanë procese të hapura, i kanë duart e përlyera dhe kanë humbur radhazi.
Këtë gjë duhet t’a bëjnë edhe ata të cilët janë treguar të dobët në këtë periudhë.
Sa më parë të bëhet kjo, aq më mirë për LDK-në, për demokracinë dhe për Kosovën!

Solothurn me 15.01.2016.

Pjesëmarrës në këtë tubim ishin :
Dr.Shaqir Shala
Musa Sylejmani
Fitim Maliqi
Palush Thaqi
Bajram Rexhepi
Driton Sadiku

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here