NË VEND TË NJË REÇENCE PËR LIBRIN “NJË JETË NË 36 SHKRONJA”

0
456

Dr. Gëzim Alpion

Birmingham, 14 Qershor 2016

___________________________________________________
Hatixhe Erebara, “Një jetë në 36 shkronja”, Tirane: M & B, 2011
___________________________________________________

Të dashur profesorët e mij fisnikë Hatixhe dhe Ismail Erebara,

U gëzova shumë që u takuam në Hotel Tirana pas afro 40 vitesh dhe që jeni mirë me shëndet. Ju jam shumë mirënjohës që ndoqët aktivitetin për Nënë Terezën më 26 Maj. Po kështu, ju falenderoj për librat që më dhuruat.

Gjatë udhëtimit për Londër më 27 Maj isha në shoqërinë e librin tuaj autobiografik “Një jetë në 36 shkronja”, që është edhe monografia juaj e parë. E lexova me një frymë, gjë që nuk më ka ndodhur shpesh kohët e fundit. Sa prekëse, sa sublime, sa frymëzuese dhe sa kuptimplote jeta e familjes tuaj dhe veçanërisht dashuria dhe mirëkuptimi juaj për njëri tjetrin në këtë rrëfim të sinqertë prej 178 faqesh.

Në autobiografinë tuaj ju detajoni me realizëm Zolaesk sfidat e fatit, të traditës zakonore dhe veçanërisht të poshtërsive institucionale që u përballuan me stoicizëm dhe fisnikëri nga familja juaj dhe të afërmit tuaj, por veçanërisht nga tre matriarkë – gjyshja juaj, nëna juaj dhe ju – të përshkruar njëkohësisht me liricizëm dhe patos.

Por libri juaj nuk është thjesht një autobiografi. Ky libër plotëson historinë e Dibrës dhe veçanërisht të Peshkopisë që nga fillimi i shekullit të njëzetë. Kjo është një nga arsyjet se përse ky libër duhet të lexohet gjerësisht nga lexues të moshave të ndryshme, veçanërisht në Peshkopi, në këtë vatër qytetarie ku në vitet e diktaturës shpesh të qënit qytetar përbënte një sfidë jo të vogël.

Megjithëse ju njoh dhe respektoj familjarisht që në femijërinë e hershme, u desh të kalonin afro pesë dekada nga momenti kur si mësuesja ime e parë më mësuat ABC-në që tju njoh më nga afër. Dhe kjo në sajë të librit tuaj për të cilin ju jam mirënjohës që e shkruat. Tani ju njoh dhe ju admiroj edhe me shumë jo vetëm ju të dy, një çift kaq simpatik, po edhe Peshkopinë tonë me hallet, mëkatet, fisnikërinë dhe shpresat e saj.

Edhe një herë, ju falenderoj për kënaqësinë e veçantë që ndjeva nga prania juaj në leksionin publik për Nënë Terezën dhe për pesë librat që patët mirësinë të më dhuronit. Çfarëdo që të bëni, mos pushoni së shkruari pasi ju keni dhuntinë për t’i thënë gjërat me një çiltërsi dhe freski që nuk hasen shpesh në letrat shqipe këto ditë.

Ju përshëndes familjarisht dhe ju uroj jetë të gjatë dhe gjithmonë mbarësi.

Përqafime,

Juaji,

Gëzimi

SHKRUAJ NJË KOMENT