Në kujtim të Imzot Nikollë Kaçorrit, atdhetarit që projektoi pamvarësinë e atdheut…

0
1689

Nga Pjetër Logoreci

Sa herë që afrohen përvjetore apo data jubilare të jetës apo aktivitetit të Imzot Nikollë Kaçorrit, më vjen natyrshëm dëshira për ta kujtuar këtë burrë të madh të pamvarsisë së atdheut, në mënyra të ndryshme, me foto, dokumenta mbi jetën e aktivitetin e tij, ngjarje të ndryshme, apo thënie e kujtime të atyre që e njohën nga afër. Këtë vit, me 29 maj, është 99-vjetori i vdekjes së tij në Vjenë të Austrisë dhe dëshiroj të publikoj një fotografi të marrë nga fondi fotografik i fototekës Marubi në Shkoder, një foto që flet shumë historikisht dhe që do të kënaq familjarët e dashamirët e arkitektit të pamvarsisë, Imzot Kacorrit.

Siç dihet nga shkrimet e hershme, Imzot Kaçorri kishte lidhje miqësore me familjen e famëshme të Marubve, e falë natyrës së tij komunikuese dhe sociale, ai mbante kontakte të ngushta edhe me shumë figura të njohura të politikës, fesë, diplomacisë apo ato ushtarake. Në këtë shkrim po paraqes një foto të pabotuar me parë, ku Imzot Kaçorri shihet përkrah kolosit tjetër të atdhetarisë, Imzot Luigj Bumçit. Fotoja është fiksuar në studio nga Kel Marubi, por nuk ka shënim një datë egzakte.

Me sa shihet, kjo foto duhet të jetë e përiudhës kur kleriku Don Luigj Bumçi është shuguruar ipeshkëv i Lezhës, në dhjetor 1911. Të dy klerikët ishin e shumë aktivë në bisedimet për marrëveshjen në mes malësorve dhe qeverisë turke. Imzot Kaçorri si përfaqësues i Arqipeshkvit Bardhi dhe Imzot Bumçi anëtar i komisionit që kryesonte Imzot Serreqi.

Në një referencë të po këtij viti, që konsulli i përgjithshëm Zambaur, nga Shkodra, i drejton ministrisë së jashtme në Vjenë, për Imzot Bumçin shkruan këto fjalë: …”Kooperatori (ndihmësi) Don Luigj Bumçi është një burrë inteligjent, me personalitet të fortë, i durueshëm e i qetë, i cili në lidhje me postin që merr (Ipeshkëv), ka nji aftësi të shprehurit, të vepruarit shumë të respektueshme, prandaj është shumë popullor dhe e duan të gjithë…”

Me 10 dhetor 1911, në katedralen e Shkodres, u bë shugurimi i tij dhe i Imzot Kolecit si ipeshkëv të Lezhës dhe Sapës, në praninë e klerikve të lartë, popullit të Shkodres, të Valisë, personelit të Konsullatave dhe Konsullit Zambaur…

Në realitet, Imzot Kaçorri ka lindur në vitin 1862 ndërsa Imzot Bumçi në 1872-shin dhe kanë 10 vite diferencë. Siç mund të shihet edhe në foto, është perafërsisht në moshën 38 vjeçare, kur don Luigj Bumçi, është shuguruar ipeshkëv. Edhe Imzot Bumçi ashtu si Imzot Kaçorri, ka një biografi të pasur me aktivetite në të mirë të atdheut e shqiptarëve. Ai ka qënë autor i disa memorandumeve për autonominë e Shqipërisë, po ashtu në krah të Gurakuqit, punoi për të organizuar malsorët në kryengritje kundër pushtuesve. Nga përkushtimi i tij për atdheun, përsonalitetet e kohës e zgjodhën kryetar të përfaqësisë së shqiptarve në Konferencën e Paqës në Paris (ku pat sekretar Fishtën).

Me tagrin e klerikut, por i shtyrë nga atdhedashuria, ai ndërhyri me forcë në Vatikan, pranë Papa Benediktit të XV, që Korça dhe Gjirokastra të mos i shkëputeshin Shqipërisë (sipas paktit djallezor, Itali – Greqi, ose siç quhet, marrëveshja Tittoni – Venizelos). Mori pjesë në Kongresin e Durrësit, ku u zgjodh anëtar i qeverisë së Turhan Pashës, si ministër pa portofol, ndërsa anëtar i Rregjencës, u zgjodh si përfaqësues i komuitetit katolik shqiptar, në Kongresin e Lushnjës. Si shumë burra të mëdhenj shqiptar, për t’i shpëtuar përndjekjes së politikës së kohës, iu desht të mërgonte në vitin 1922 deri 1924-shin. Vdes nga dhuna e komunistave dhe sigurimit të shtetit në kuvendin e fretërve në Troshan, me 1 mars 1945 dhe u varros në kishën e Kallmetit.

Ndërsa, Imzot Kaçorri, kreu të njëjtën shkollë fillore në fillimet e tij si klerik dhe me vonë mori pjesë aktive në organizimin e malësorëve në kryengritjet e Kurbinit. Arkitekti i pamvarësisë Nikollë Kaçorri, mori pjesë në Kongresin e Manastirit 1908, si dhe atë të Elbasanit 1909. U aktivizua në krah të Isamil Qemalit në shpalljen e pamvarsisë së vendit, duke marrë përsipër rolin e zevendës kryeministrit në qeverinë e parë historike shqiptare. Ashtu si Bumçi edhe Imzot Kaçorri, i përndjekur nga forcat e errëta të kohës, u detyrua të largohet nga Shqipëria dhe të jetoi në Austri, ku pas tre viteve vdiq.

Ai nuk arriti (si Bumçi) të njohë komunizmin, por figura e tij e njohu diskriminimin komunist që u distancua ndaj tij, si klerik. Edhe në ditët e sotme, vazhdon përsëri mungesa e vlerësimit për figurën e Imzot Kaçorrit, për të cilin nuk u organizua asnjë pritje zyrtare me rastin e ardhjes së eshtrave të tij nga Vjena. Nuk egziston akoma sot një shtatore, që të jetë e vendosur në një vend qendror, siç ai për aktivitetin e tij e meriton. Vazhdohet gabimisht të shihet si prift katolik edhe pse aktiviteti i tij ishte në të mirë të pamvarësisë së vendit.

Dy vjet më parë, personalisht fillova të interesohem dhe të kontaktoj me personalitete apo nënpunës të lartë të shtetit shqiptar, që të organozohej një vizitë zyrtare e qeveritarëve, ditën e festes kombëtare, tek varrit ku ndodhen eshtrat e kolosit te lirise e të pamvarësisë, në Durrës. Sic duket, ai vazhdon të shihet përsëri me skepticizëm, pasi asnjë personalitet i lartë nuk ka shkuar për të vendosur një kurorë me lule, apo të bëjë homazhe nderi pranë varrit të këtij burrë të madh.

Si rrjedhojë, dëshëroj t’i bëj thirrje politikës shqiptare, që ta shohë me objektivitet këtë problem dhe të vlerësojë siç i takon figurën madhështore të Imzot Nikollë Kaçorrit, i cili u sakrifikua për atdheun me motivacionin: … më parë Atdheu … pastaj Feja.

Vjenë, me 1 maj 2016

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here