NË “FESTËN E SHKRONJAVE”, ME MËSUESE MERITËN…

0
1861

Skicë:

Nga: Murat Gecaj

1.

Kur në mëngjesin e ditës së djeshme po udhëtoja me autobusin e linjës Qendër-Kamëz të kryeqytetit tonë, mendjen e çova dhjetëvjeçarë më parë. Ishin vitet e pasçlirimit dhe prindërit më dërguan të ndiqja mësimet në klasën e parë të shkollës fillore të vendlindjes, pra Bujan i Malësisë së Gjakovës (Tropojë). Nuk po tregoj imtësira tjera, vetëm se nuk kishim libra as fletore, por shkruanim në një pllakë(rrasë) të gurtë. Kështu, pra, ne nuk përdornim Abetare dhe ajo e kryente atë funksion. Nuk më kujtohet mirë, nëse mësuesi ynë Rifat Domi, na organizoi ndonjë festë, kur ne i mësuam shkronjat e alfabetit të shqipes. Megjithatë, ai mbeti gëzim i paharruar për ne tërë jetën. Ato shkronja të bukura na i hapën udhët e gjëra të jetës, për t’u bërë pastaj edhe me shkollë të lartë, në fusha të ndryshme të dijes…

Mësuesja e klasës I-A, në shkollën 9-vjeçare “Azem Hajdari”, në Zall Mëner i Ri, Merita Gjoni-Gjoka e shprehu kënaqësinë e saj, kur pa që iu përgjigja ftesës dhe arrita në oborrin e asaj vatre diturie e kulture. Pa humbur kohë, ajo më paraqiti edhe drejtoreshën, Lumturie Kurti e zv.drejtoreshën Merita Hoxha, të cilat me kënaqësi uruan mirëseardhjen.

Vërejta se tëra mjediset e brendshme të shkollës gumëzhinin nga zërat gazmorë të vogëlushëve, të veshur me rroba feste dhe që mezi prisnin ta jepnin shfaqjen e tyre të bukur, para mësuesve, prindërve dhe të ftuarëve të tjerë. Dorë për dorë, ata bënë një “parakalim” nëpër korridorin e shkollës dhe pastaj hynë në sallën, ku të pranishmit i pritën me duartrokitje. Në sy e në zemra, sikur u lexoje fjalët e vjershës, që kishin mësuar: “Abetare-abetare,/sillma diellin në dritare!/Rrjedh në fjalët plot kuptim,/gjuhë e lashtë e vendit tim…”.

2.

Plot emocione, mësuese Merita i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në “Festën e Shkronjave”. Por as përshëndetja ime, ajo e drejtorshës dhe as fjalët falënderuese të dy-tre prindërve, nuk ishin “fjalime”, që t’i bezdisnin vogëlushët apo të ftuarit e tjerë. Ndërkaq, shoqëruar me muzikë të këndshme, sytë e të gjithëve u drejtuan në një ekran, ku u projektuan pamje nga jeta mësimore dhe veprimatritë e kësaj klase të parë.

Por, siç është e kuptueshme, të gjithë prisnin që vetë fëmijët ta nisnin festën e tyre, sipas programit të hartuar nga mësuesja e pasionuar, Merita Gjoni-Gjoka. Secili prej tyre, kishte në kokë kapelën, me një shkronjë të Alfabetit të gjuhës sonë amtare. Pastaj, njëri pas tjetrit, ata nisën të recitonin, të sigurtë e me zërin si cicërima zogjësh. Tematika e tyre ishte e larmishme, si për Atdheun, Nënën, Pranverën dhe për shkrimtarët tanë kombëtarë: Naimi, Mjeda, Fishta etj.

Në këtë klasë janë 33 veta dhe pati ndonjrin nga ata që, edhe pse ishte me pak temperaturë, nuk mungoi, por erdhi me gëzim në këtë festë të paharruar. Sigurisht, këtu nuk mund t’i përmendim emrat e të gjithëvee dhe për këtë gjë u kërkojmë ndjesë, si vetë atyre dhe prindërve. Megjithatë, u duartrokitën nga të ftuarit edhe recitimet e Orgis Vatnkaj, Mikaela Mexhaj, Ali Shahu, Samanta Hoxha, Agron Dunga e të tjerë

Pjesë e rëndësishme e këtij program artistik, që i emocionoi edhe mësuesit e prindërit, ishin këngët dhe skeçet, loja muzikore e kërcimet, të përgatitura me aq kujdes, nën drejtimin e mësueses së tyre të dashur.

Nuk e “harrova” edhe një detaj tjetër të kësaj feste gazmore, por qëllimisht e lashë për në fund të kësaj skice modeste. Tërë verprimtaria u filmua, por dhe ishin të shumtë fotografët amatorë, sidomos prindërit, që fiksuan çaste të bukura të saj. Sigurisht, ndër ta isha edhe unë, me një aparat të vogël fotografik, me të cilin patën mirësinë të fotografonin edhe djem ose vajza, të cilëve u kërkova ndihmë.

3.

Nesër, pasnesër dhe deri në mbylljen e këtij viti arsimor, vogëlushët e klasës I-A të shkollës “Azem Hajdari” të Kamzës nuk do ta “harrojnë” Abetaren e tyre, me të cilën i mësuan shkronjat e gjuhës sonë të bukur. Ndërkohë, do të kenë pranë një tjetër libër, po aq të dashur, “Këndimin”. Me librat ndër duar, të gjithë ata do t’i shtojnë dituritë dhe, hap pas hapi e klasë pas klase, do të aftësohen dhe do të bëhen të zotë për jetën, që t’i shërbejnë sa më mirë ardhmërisë së tyre, të familjes dhe tërë shoqërisë shqiptare, me synimin për një vend të përparuar dhe demokratik europian.

Prandaj, nga kjo ditë e shënuar për këta nxënës të klasës së parë, nga zemra e të gjithëve na del urimi i bardhë: Rrugëtim të mbarë, drejt majave më të larta të diturisë!

Tiranë, 30 prill 2016

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here