NDERIM PËR DY MËSUES E KOLEGË TË PAHARRUAR

0
461

Në prag të Festës së 7 Marsit:

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1. Mesud Abule, mësuesi e pedagogu dhe miku i shtypit tonë

Në korrik të këtij viti mbushen 11 vjet, nga dita kur u nda përgjithnjë nga jeta mësuesi e pedagogu, studiuesi e botuesi dhe veprimtari i dalluar, arsimor e shoqëror, ish-sekretari i Shoqatës ”Bashkësia Dibrane”, Mesud Sulejman Abule.

Lindi në Tiranë, më 21 prill 1932, në një familje atdhetare nga Dibra e Madhe, që trashëgoi e zhvilloi traditat e virtytet më të mira të shqiptarizmës. Shkollën fillore, 7-vjeçare dhe të mesme i kreu në kryeqytet. Më tej, vazhdoi studimet e larta në Beograd dhe i përfundoi me nota shumë të mira, në vitin 1955, në degën matematikë-fizikë, të Institutit të Lartë Pedagogjik të Tiranës.

Me njohuritë e fituara në bankat e shkollës, me pasionin, talentin dhe energjitë e tij djaloshare, Mesudi shërbeu me përkushtim, mësues dhe edukator i nxënësve në shkollat e mesme më në zë të Tiranës, si ”Qemal Stafa”, ”Çajupi” e ”Partizani”. Mbas një pune të gjatë e të pasur pedagogjike, ai u përzgjodh për të punuar pedagog në Shkollën Ushtarake ”Skënderbej” dhe në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, në kryeqytet. Aty shërbeu dhjetëra vjet me radhë, mësimdhënës e përgjegjës katedre, duke dhënë një ndihmesë të çmuar në modernizimin dhe zbatimin e matematikë-fizikës, në të gjitha lëndët e përpikta të fushës ushtarake. Breza të tërë kuadrosh të Ushtrisë sonë gjetën te ai specialistin e talentuar në lëndët që jepte dhe njeriun me virtytet më shembullore.

Studimi dhe puna me librin ka qenë një ndër fushat më të pëlqyera për Mesud Abulen. Në gazeta e revista të ndryshme ka botuar dhjetëra artikuj e studime, sidomos nga fusha e shkencës së fizikës, të cilët janë pëlqyer nga lexuesit e moshave të ndryshme. Mori pjesë dhe drejtoi disa sesione shkencore, ku vetë lexoi punimet e tij të thelluara dhe tërheqëse për dëgjuesit, në fushën e mësimdhënies, pedagogjisë etj.

Përvojën e tij të pasur, Mesud Abule e la të pasqyruar në libra shkencorë e shkollorë, si: ”Toka dhe historia e saj”, ”Leonardo Da Vinçi”, ”Astrologjia”(për shkollat e mesme), ”Mbi optikën”, ”Fjalori i astronomisë” (bashkautor) dhe në botime të tjera për maskimin në ushtri, kurs fizike për shkollat ushtarake etj.

Për shumë vite me radhë, ai ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i redaksisë dhe autor i sa e sa shkrimeve, të botuara në faqet e gazetës ”Mësuesi”, organ i MASH. Po kështu, ishte bashkëpunëtor i revistës kulturore e shkencore ”Univers”, u aktivizua në borde të ndryshme të shoqatave kulturore e shkencore etj.

Por, mbi të gjitha, Mesudi mbeti i gjallë në kujtesë për familjen, nxënësit e kolegët dhe të gjithë ata, që e njohën, njeri shumë i dashur e gojëmbël, i sinqertë e i respektueshëm, i matur e i papërtuar, shembull për t’u ndjekur, në fjalët dhe veprimet e tij. Prandaj, me të drejtë, të gjithë e thërrisnin ”Profesor”. Ai pati gjithnjë pranë bashkëshorten Bukurie, me të cilën rritën dhe edukuan djalin Admir e vajzën Eliana, me virtytet e cilësitë tona më të mira.

Për familjen, kolegët, nxënësit e prindërit dhe gjithë të njohurit, Mesud Abule mbetet i paharruar; jeta dhe veprimtaria e dalluar e tij në fushën e arsimit tonë kombëtar, do të jenë të pashlyera e frymëzuese për breznitë e reja. Ne gjithnjë përulemi përpara kujtimit të tij!

2. Lec Zadeja, një jetë në arsim e i lidhur me shtypin e tij

Disa kohë më parë, pra kur nuk shërbeja më redaktor në gazetën ”Mësuesi”, mora një letër të ngrohtë dhe miqësore nga miku e kolegu ynë, Lec Zadeja. Për shumë vite me radhë, ai shërbeu me pasion në fushën e arsimit dhe pastaj ishte në pension, në qytetin e lindjes, aty në Shkodër. Megjithatë, siç shkruante ai në atë letër:

”Unë, megjithëse në pension, nuk rri i qetë, por pasionin që kam pasë për vite, për historikun e arsimit, vazhdoj ta ruaj. Lexoj shtypin arsimor dhe jam informuar se, gjatë kohës që ishit në gazetë, keni përgatitur dhe botuar një libër për historikun e arsimit shqiptar. Por kështu, kur lexova vëllimin e parë të ”Historisë së Arsimit dhe Mendimit Pedagogjik Shqiptar”, vërejta se një ose dy kapituj ishin përgatitur nga ju. Kjo gjë më gëzon, se shoh mikun e kolegun tim të vjetër, që tani ka hyrë në ”vallen” e studimeve për historinë e arsimit”.

Ndërsa, më tej, Leci sillte përsëri ndërmend gazetën e tij të paharruar: ”Ju vetë nuk e dij se me çfarë merreni konkretisht, a shkoni ndonjëherë në gazetën ”Mësuesi” dhe a e takoni Ilirin (i bëni të fala) dhe kolegët e rinj aty. Ua kujtoni atyre se, në shtator të 2006-ës, është 45-vjetori i gazetës ”Mësuesi””. Në fund, ai kërkonte disa libra për historikun e arsimit dhe u përpoqëm t’ia plotësonim dëshirën.

Në arkivin vetjak ruaj një dorëshkrim të vitit 1975, të dy bashkëpunëtorëve të tjerë të rregullt dhe të kahershëm të gazetës “Mësuesi”, Idriz Kali e Muamer Vuci. Ai i kushtohet pikërisht veteranit të arsimit, Lec Zadeja dhe mban titullin “Punëtor i palodhur i arsimit”. Ndër të tjera, aty flitet se ai e nisi punën e nderuar të edukatorit të brezit të ri, në Oblikë të Shkodrës. Në vitin 1948, aty u ngarkua me detyrën e mësuesit dhe drejtorit të shkollës. Me qëllim ngritjen e mëtejshëm të nivelit arsimor e profesional, u regjistrua e ndoqi studimet pa shkëputje nga puna, në ILP “Aleksandër Xhuvani” të Tiranës. Pas shërbimit ushtarak, përsëri Leci ishte në drejtimin e disa shkollave, në fshatrat Gruemirë, Gur i Zi e Mjedë. Të gjithë nxënësit e prindërit e kujtojnë atë për punën shembullore të tij, në shkollë e jashtë saj. Ndërsa arsimtarët e rretheve të Veriut e mbajnë mend atë, si një “arkiv të gjallë”, në qendrën e konsultimeve, pranë ILP të Shkodrës.

Krahas detyrës së përditëshme në shkollë, Lec Zadeja nisi të studiojë historinë e arsimit dhe të bashkëpunojë me shtypin pedagogjik, me gazetën “Mësuesi”, numri i parë i të cilës doli në shtator 1961. Po kështu, ndër të tjera, përgatiti për botim punimin: “Një vështrim historik, rreth punës për krijimin dhe zhvillimin e shkollave, në rrethin e Shkodrës, në vitet 1944-1974”.

Gjatë një periudhe disavjeçare, ai trajtoi në faqet e gazetës “Mësuesi” çështje nga më të ndryshmet, të historisë dhe zhvillimit të arsimit në rrethin e tij. Me informacione, korrespondenca, artikuj problemorë, reportazhe, vëzhgime etj., ashtu serioz dhe sistematik siç është, ai zuri vend ndërmjet bashkëpunëtorëve më aktivë të kësaj gazete dhe fitoi dashurinë e respektin e lexuesve të saj. Shkrimet e tij janë dalluar për saktësinë, thjeshtësinë dhe thellësinë e mendimit, për çështjet e trajtuara.

Për punën e bërë në fushën e arsimit dhe si bashkëpunëtor i shtypit arsimor, Leci u nderua me disa medalje e urdhëra. Ashtu siç e pohon vetë, në letrën e mësipërme,edhe në vitet pasardhëse nuk qendroi duarlidhur dhe e sfidoi moshën e tij, duke u marrë me kërkime, shkrime e studime në fushën e arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar. Ndër të tjera, ai e ndieu veten krenar se, sëbashku me qindra bashkëpunëtorë e korrespndentë vullnetarë, e arriti 1 shtatorin 2011, pra jubileun e 50-vjetorit të krijimit të gazetës së dashur “Mësuesi”, botim i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Lec Zadeja dëshironte të ishte edhe në përvjetorë të tjerë, por fatkeqësisht u nda nga jeta, në ditët e para të marsit të vitit 2012, kur afrohej “Dita e Mësuesit”, Festa e Arsimit Kombëtar Shqiptar.

Në foto: Murat Gecaj me Mesud Abule dhe Lec Zadeja

Tiranë, 4 mars 2016

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here