NAUM VEQILHARXHI-PIONIERI I PARË I RILINDJES KOMBËTARE SHQIPTARE

0
1014

(1797 – 1846)

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

Autori i « ABETARES » së parë të gjuhës shqipe

Naum Veqilharxhi është njëri ndër figurat e para të Lëvizjes sonë Kombëtare të shekullit XIX.

U lind në fshatin Vithkuq të Korçës më 1797. Në rrethanat e atëhershme, për shkak të veprimtarisë së tij patriotike, kishte rënë në sy të pushtuesit. Ai ndiqej kudo. Kështu që u detyrua që përkohësisht të largohej nga vendi dhe të mërgoi në Rumani.

Atje takohet me patriotë shqiptarë që kishin mërguar për të njëjtat arsye. Naumit iu shtua edhe më shumë dëshira për veprimtari. Atje e filloi hartimin e një alfabeti të gjuhës shqipe, me të cilin do të shkruheshin libra për t’u përhapë në tërë Shqipërinë. Veprat e tij, mbetën të pambaruara sepse ai u helmua nga patrikana greke, siç dëshmonin bashkëkohësit.

Më 1846, vitin që lindi poeti i madh Naimi, Veqilharxhi kishte lëshuar në lexim një « Qarkore » letër, në të cilën, i jepej rëndësi themelore ngritjes së arsimimit (shkollimit) të popullit.
Pra, shkollimi i shqiptarëve në gjuhë shqipe, do t’i hapte rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.
« Qarkorja » vlerësohet sot si manifesti i parë i lëvizjes sonë kombëtare.

Naum Veqilharxhi botoi në vitin 1844 « Abetaren » e parë në shqip të cilën e titulloi « Evëtari », e cila u prit me kënaqësi ndër shqiptarët. Miqtë e tij nga Korça, e përshëndetën për këtë punë dhe shfaqnin besimin se së shpejti arsimimi në gjuhë shqipe do të përhapet në të gjithë Shqipërinë.

VEPRAT
Më 1824 nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes me 33 shkronja, të pranueshëm nga të gjithë për të kapërcyer dasitë që lidheshin me alfabetet e tjera. Synoi që sistemi shkrimor t’u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes.
Me këtë alfabet botoi më 1844 të parën abetare të shqipes, Ëvetarin. Abetarja u prit me entuziazëm dhe u përhap në krahinat jugore të Shqipërisë. Për të plotësuar kërkesat e ribotoi më

1845 me titullin “Fare i ri ëvetar shqip”, të shoqëruar me një “E parathënme për djemtë e rinj shqiptarë”. Përgatiti gjithashtu një gramatikë dhe libra e dorëshkrime të tjera, që nuk janë ruajtur. Më 1846 hartoi një Qarkore (Enciklikë) greqisht drejtuar bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri dhe po atë vit i dërgoi një letër të gjatë polemizuese një nipi të vet, Jani Calit, që u ishte kundërvënë përpjekjeve të tij për çështjen shqiptare.

Parathënia e abetares, qarkorja dhe letra e vitit 1846 janë dokumentet e para ideologjike e programatike të njohura deri më sot të Lëvizjes kombëtare shqiptare. Në to formulohen kërkesat kulturore të lëvizjes. Si iluminist revolucionar, Naum Veqilharxhi mendonte se mësimi i shqipes dhe ngritja e kulturës mund ta vinin atdheun në radhët e vendeve të qytetëruara. Pa çlirimin kulturor nuk mund të arrihej as çlirimi politik. Duke u nisur nga pikëpamjet racionaliste, i shihte shqiptarët si komb me karakter të veçantë, me gjuhën e zakonet e veta, me një thesar kulturor të trashëguar.

U bëri thirrje shqiptarëve të hapin sytë, duke kërkuar zgjimin e ndërgjegjes kombëtare. Kishte besim te aftësitë dhe virtytet e popullit të vet dhe fshikulloi ata që ishin vënë në shërbim të të huajve.

Naum Veqilharxhi e kuptoi rrezikun e madh të shkollave të huaja dhe punoi për një shkollë shqipe, me përmbajtje laike dhe për të gjithë fëmijët e popullit. Dha ndihmesë e shfaqi mendime të reja edhe për lëvrimin e gjuhës. U mbështet te gjuha e popullit, përdori fjalë të vjetra e të rralla dhe u shpreh për pastrimin e shqipes nga fjalët e huaja. E pasuroi shqipen me një varg termash të kulturës e të dijes.

Naum Veqilharxhi u përpoq edhe të krijonte një shoqëri kulturore dhe të organizonte atdhetarët e tjerë, prandaj e helmuan në Stamboll. Me veprën e tij u bë shprehës i një kthese me rëndësi në historinë e popullit shqiptar.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here