NA BASHKUAN DY LIBRA, NË GJIMNAZIN “SAMI FRASHËRI”…

0
1418

(Përurohen botimet e autorëve, Eglantina Mandia e Bedri Alimehmeti)

Nga: Murat Gecaj

Kisha disa kohë pa e vizituar Gjimnazin e kryeqytetit “Sami Frashëri”, megjithëse nuk e kam larg nga vendbanimi. Por ishte kolegu e miku im, mësuesi veteran Bardhyl Selimi, që u bë fjalëmirë ta realizoja këtë gjë. Ai njoftoi se aty do të organizohej një takim i bukur dhe mbresëlënës, si pjesë e veprimtarive me bashkësinë e kësaj shkolle të mesme. Kështu, maturantët e parë të vitit arsimor 1962-1963, do të takoheshin me brezin e e sotëm të nxënësve të saj. Për ta bërë sa më tërheqës takimin, ishte menduar që të përuroheshin dy libra. I pari, “Sonata e Hënës” i kushtohet martires Musine Kokalari dhe ka autore ish-mësuesen e shkrimtaren e njohur Eglantina Mandia, tani me banim në Kanada. Ndërsa libri tjetër ishte “Kjo këngë për ju”, me autor një nga maturantët e parë të kësaj shkolle, Bedri Alimehmeti, i cili është nderuar me titujt “Mjeshtër i Madh” e “Fisnikëria tiranase”.

Përveç mësuesve, nxënësve e prindërve, në këtë veprimtari ishin pjesëmarrës :mësuesja veterane Nafije Fani (Ciu), drejtori i shkollës 9-vjeçare “Musine Kokalari” të kryeqytetit, Besim Cengu; mësuesi veteran i shkollës së parë shqipe në Suedi dhe autor i disa fjalorëve e librave tjerë, Sadulla Zendeli-Daja, kryetar i Unioit të Shoqatave Shqiptare në Mbretërinë e atij vendi skandinav; drejtoresha e Gjimnazit, Teuta Dobi e zv.drejtoresha Bruna etj. Ndërsa, nga ish-maturantët e parë të kësaj shkolle, merrnin pjesë: Heroina Deliu, Nazmije Saraçi, Filloreta (Bebeka) Buxhuku e Sotiraq Findiku, të ftuar nga Përmeti etj.

Pata kënaqësinë që, në këtë veprimtari, takova Edith Nishanin, e cila banon në Firence të Italisë, bashkëshorte e kolegut e mikut të paharruar, të ndjerit agr.Tomson Nishani dhe ish-kolegen e punës në Ministrinë e Arsimit e Kulturës, Shqipe Abdihoxha etj.

Moderatore e kësaj veprimtarie ishte nxënësja e vitit të tretë, Nadia Guni. Me rastin e përurimit të këtyre dy librave, u bënë paraqitje grafike në ekran, recitime, këngë dhe ekzekutime me instrumente muzikorë nga nxënësit, si Edison Lika, Mira Tafa etj. Për përmbajtjen e librit të E.Mandisë, foli një nga ish-maturantët e parë të kësaj shkolle të mesme, Bardhyl Selimi. Ndërsa për librin tjetër foli vetë autori, B.Alimehmeti dhe mesuesja N.Fani. Me këtë rast, u shkëmbyen mendime të vlefshme rreth këtyre botimeve dhe u nënvizua fakti, se është diçka e bukur e domethënëse, kur shohim që brezi i sotëm i nxënësve është i intersuar për librat, të cilët u kushtohen traditave tona atdhetare, arsimore e kulturore etj.

Në mbyllje të kësaj veprimtarie mbresëlënëse, të dy autorët e librave të përuruar, pra Eglantina Mandia e Bedri Alimehmeti i falënderuan përzemërsisht, si folësit dhe gjithë pjesëmarrësit e u dhuruan atyre botimet e tyre, me nënshkrime dashamirëse. Gjithashtu, u bënë mjaft fotografi të përbashkëta, për t’i patur kujtim të paharruar nga ky takim.

Tiranë, 14 qershor 2016

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here