MOTIVI I DASHURISË NË ROMANIN “LUMI I VDEKUR”

0
2207

Përgatitur nga Zymer Mehani

Motivi i dashurisë në romanin “Lumi i vdekur” është si një forcë shtytëse, motivuese për ta përballuar jetën, botën dhe për ta ndryshuar atë. Personazhi i Vitës është një tërësi ndjenjash, prandaj gati receptohet nëpërmjet ndjenjave të saj si një heroinë sentimentale. Ajo më tepër përjeton dashurinë sesa jeton me mundimet dhe vuajtjet e përditshme. Prania e saj ndihet e fortë në krejt romanin, kurse bëmat dhe sjelljet shihen më pak.

Zgjimi i ndjenjave dashurore shkon krahas zhvillimit femëror dhe zbukurimit të saj, aq sa duket sikur dashuria e zhvillon dhe e zbukuron atë. Përshkrimet për zgjimin e saj dashuror dhe zhvillimin femëror janë ndër më emocionueset dhe të rralla në prozën shqipe. Edhe marrëdhëniet e saj me të tjerët, kryesisht, janë marrëdhënie ndjenjash. Si bijë vuan dhimbjen e madhe për vdekjen e parakohëshme të së ëmës, si motër provon herëtdhembshurinë për vëllanë dhe motrën e vogël jetime; si vajzë e sinqert dhe pa paragjykime përjeton thellë dashurinë erotike për Adilin.

Dashuria për Adilin njëjtësohet me vetë jetën e saj, me kënaqësit sublime, me bukurinë dhe lumturinë e jetës.
Vita, gjithashtu, është simbol i pasioneve rinore të vrullshme dhe të pandalshme, është simbol i dashurisë që çel edhe në kënetën e jetës, edhe në mes të fanatizmit, symbol i gëzimit dhe i përtëritjes së jetës; simboli i femrës që ngacmon erotikisht njerëzit dhe poetizon krejt mjedisin.

Në karakterizimin tepër dallues të personazheve një rol të madh luan gjuha dhe e folura e tyre. Si fjalori që përdorin, ashtu edhe mënyra e të folurit, përputhet me botëkuptimin dhe gjendjen e tyre shoqërore, me veprimtarinë jetësore, me ndjenjat, mëndësitë, karakterin, pasionet e tyre etj.

Figura e Adilit është dhënë në disa momente dramatike dhe të rëndësishme për strukturën e romanit. Mbi fëmijërinë e tij shkrimtari fare nuk hedh dritë. Figura e tij shpaloset në raport me rrethin e ri jetësor dhe në marrëdhënie me dashurinë ndaj Vitës.

Ai provon mallin ndaj vendit (Kosovës), që e shpreh nëpërmjet të këngës, provon dashurinë ndaj Vitës dhe flijohet nëpër çdo hap për hir të dashurisë jo vetëm ndaj Vitës, por edhe ndaj vendit dhe jetës që e gjakonte.

Familja e Shpiragajve mbetet tërësisht pa mjete për të jetuar. I shtyrë nga rrethana të këtilla, Piloja si kryefamiljar detyrohet të mbështetet prapë te beu. Vitën e dorëzon në sarajet e tij.

Arratisja e Vitës me Adilin, shpreh mohimin e një bote, e cila nuk u kishte ofruar dy të rinjve mundësi për të jetuar.
‘’Edhe dashuria e Adilit me Vitën, edhe pengesat e shumta në realizimin e saj, na e kujtojnë atë heroin e dikurshëm të epikës sonë legjendare, sepse figura e Adilit ngjan me ndonjë hero nga këngët tona kreshnike. Mbase ngjan me atë të Halilit edhe përnga bukuria, edhe përnga madhështia shpirtërore. Dashuria e madhe që e lidh me Vitën posa e takon, ngjan me situatat dhe qëndrimit e heroit epik, Halilit. Premtimi që duhet realizuar me çdo kusht, edhe nëpërmjet shumë sakrificash, apo vendosmëria që në kulmin e pamundësive për t’u realizuar dashuria, mendon të rrëmbejë Vitën, prapë na kujton figurën e rrallë dhe simpatike të Halilit.

Ballafaqimi me rrethin e ri, me forcat e mëdha kundërshtare, rënia në burg, dalja prej andej në çastet më vendimtare për fatin e vajzës që dashuron, pastaj ardhja në ndihmë Vitës në situate të vështira, ngjan me gatishmërinë e Halilit kreshnik, për t’i ardhë në ndihmë dhe për ta shpëtuar vajzën që e dashuron, Tanushën, apo Dilberen e Bardhë.”

Edhe vetmia e Adilit si hero kundër realitetit të caktuar na e kujton vetminë e ndonjë heroi nga epika jonë legjendare. Adili, sillet, qëndron dhe formësohet në rrethana konkrete dhe të ashpra të jetës. Ai është simbol i guximit dhe i bukurisë fizike, i shpirtit të pastër dhe i frymës luftarake që buron nga tradita e mirëfilltë e jetës së brezave.

Figurën e Adilit kosovar e plotëson ajo e Vitës, vajzës muzeqare.
Po ka një dallim të dukshëm në ndërtimin e këtyre dy figurave.
Deri sa Adili si karakter është krijuar nëpër situata reale, të vështira dhe bindëse, figura e Vitës shpeshherë del edhe nga rrethana, situata jo reale, që i afrohen iluzionit artistik, madje ndonjëherë nuk del edhe bindëse: ‘’Figura e bukur, e dashur, dhe, përgjithësisht, e realizuar e Vitës, qoftë në vetvete, qoftë në marrëdhënie me të tjerët, përmban disa elemente që e kanë dëmtuar natyrën e përgjithshme e realiste të veprës.

Vitën, atë vajzë të thjeshtë myzeqare, të cilën ne e përfytyrojmë si të gjallë konkrete, si një qenie që gati hyn edhe në jetën tonë, më kot dhe pa menduar, autori e ka vënë në marrëdhënie eskluzive të heroinës së përrallave popullore, rreth së cilës vërtiten të gjithë, të mirë e të ligj. Formësimin e karakterit të saj e karakterizon elementi i përrallës sonë, sidomos lidhur me vënien në jetë të së mirës dhe të së drejtës që e mundon njeriun.

Vita në kontekst të ngjarjeve të romanit jipet me ngjyra romantike.
Besimin e saj nuk e mposht asgjë, as dashurinë e saj nuk mund ta pengojeë asgjë. Ka një bukuri të rrallë dhe specifike, një sjellje karakteristike femërore. Ajo pak a shumë mbetet si hije përtej kundërthënieve të realitetit. Në moshë të re, kur i vdes e ëma, ajo e takon Adilin, i lind dashuria. Ajo që në rini të hershme jeton në mes të dy ndjenjave të tilla, të cilat e hutojnë dhe e nxisin në udhën e jetës. Varfëria e madhe jetësore nuk e ka penguar të rritet, të zhvillohet, të zbukurohet, të zgjojë lakminë apo xhelozinë e njerëzve.

“Vita, si të gjitha vajzat e bujqve myzeqarë, ishte rritur në mes të pocaqisë dhe varfërisë. Po jeta ka rrugën e vet, që e ka filluar kushedi se ku e kushedi se si, saqë njeriu ngre supet përpara çudisë së saj. Grizarakja ishte zhvilluar aq mirë sa që të kujtonte atë lakonin e bukur të kënetës, që del si për mrekulli mbi ujin e pocaqësur të moçalit. Dy janë rrethanat kyçe që e ngatërrojnë jetën e saj: përkatësia klasore, shtresa e varfër të cilës i takonte, dhe dashuria specifike, e ndaluar, me një djalë kosovar dhe të një besimi tjetër. Këto edhe i kanë dhënë dimensione dramatike, jo vetëm figurës së saj, por edhe gjithë veprimit, gjithë konfliktit, shtrirjes së linjës, ku shquhet prania e saj si femër, vajzë fshatare dhe personazh që ka gëzuar posaçërisht simpatinë e shkrimtarit.

Fati i saj ishte vështirë të qëndrojë e të ndryshohet, dashuria ishte vështirë të realizohet, jo vetëm nga aspekti i jetës sociale, por edhe nga rrethanat tjera të moralit të kohës. Nëpër çdo hap ngatërrohet nga paragjykimet, nga thashethënat, xhelozia, mëria, por ngjarjet e romanit, përspektiva e tyre, i japin besim, e mbushin jetë, guxim, që ajo të ecë dhe të ngadhnjejë në fund mbi gjithë atë botë të vjetër, e cila duhej të përmbysej për t’u zhdukur edhe pasojat e saj. Pesha e jetës rëndon shumëfish mbi të: është e një familjeje të dëbuar nga beu, ka mbetur jetime, e përcjell mëria e vëllait, Llazit, e lakmon beu, i cili e ka në dorë ekzistencën e tyre, e dënon fshati duke e akuzuar si shkaktare të shumë të këqijave që ndodhin në jetën e tyre. Vita, ndoshta është simbol i rinisë që duhej të vijë.

Ajo vazhdon drejt një kohe tjetër, drejt së ardhmes, andaj dhe ngjan me një heroinë romantike, e cila nuk zmbrapset, por bashkë me Adilin arratisen duke mohuar çdo gjë të botës së vjetër, për t’u flijuar në emër të një bote më të mirë, më të drejtë e më të denjë, në emër të një jete që nuk e patën etërit e tyre. Gjakimi i tillë jetësor realizohet pjesërisht në këtë vepër e do të vazhdojë të sendërtohet në veprat tjera të autorit.

LITERATURA:
Ismajli, Rifat, Poetika e prozës së Jakov Xoxës, Rilindja, Prishtinë, 1991; Brahimi, Razi, Artikuj dhe studime mbi romanin, Tiranë, 1977; Velça, Kudret, Vëzhgime kritike, Prishtinë, 1978; Xoxa, Jakov, Lumi i vdekur, Tiranë, 1980.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here