Motivet e trajtuara në përmbledhjen “Për Ty” tëm poetit Esad Mekuli

0
1128

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Poeti Esad Mekuli është poet i popullit dhe i problemeve të tij më qenësore, poet i problemeve historike dhe shoqërore.
Poezia e Mekulit “është protestë për gjendjen e mjeruar dhe thirrje për luftë e përpjekje, dhembje për vuajtjet e padijen e gëzim për ditët e agimet e reja”. Ajo mbart brenda ngjarjet dhe trazimet që kaluan shqiptarët në luftën e tyre për ekzistencë në trojet e veta. Ato në përmbledhjen “Për Ty” trajtojnë anë të ndryshme të jetës duke filluar nga ajo sociale, morale, ekzistenciale etj., prandaj për t’u dhënë jeta në tërësinë e saj, për t’u krijuar iluzioni i vërtetësisë dhe bindshmërisë së saj, në to çdo gjë motivohet.

Motivet më të shpeshta në vëllimin “Për ty” janë motivi social, ekzistencial, psikologjik, motivi i lirisë, i dashurisë, antifetar etj. Brenda gërshetimeve të këtyre motiveve qëndron njeriu, fati i tij, populli, fati i tij midis jetës e vdekjes, midis ndjenjës dhe detyrës, midis dashurisë dhe urretjes, midis frikës dhe idealit, midis veprimit dhe ndërgjegjes etj., këto situata përcaktojnë gjendjen jetësore dhe ekzistenciale të njeriut.

Motivi qendror dhe i vazhdueshëm i përmbledhjes “Për ty”, me të cilin lidhen edhe motivet tjera është motivi social, lufta për të jetuar. Motivi social shërben si një agens që e vë në lëvizje jetën. Shqiptari i ndjekur nga pushteti antipopullor jugosllav pa shtëpi dhe pa tokë, lufton për të jetuar, për të ekzistuar brenda raporteve të shtypjes dhe shfrytëzimit klasor, shoqëror dhe kombëtar. Motivi i këtillë është përsëritur shumë herë në përmbledhjen në fjalë, për ta vënë sa më të plotë gjendjen e vështirë sociale të shqiptarëve brenda asaj atmosfere të caktuar të kohës. Mjafton të përmendim poezinë e tij të njohur dhe me vlera antologjike “Kush i pari bani…” të shkruar me 1936, në të cilën poeti ynë do të këndojë për hallet e shqiptarëve që jetonin në qendrat e ndryshme botërore gjithmonë të përvuajtur dhe të shtypur nga regjimet antinjerëzore.

Në qytetin e bardhë, që në realitet është Beogradi, jetonin me mijërsa gurbetqarë Esad Mekuli do të ndeshë shqiptarët me sharrë në krahë duke kërkuar punë që të mbajnë familjen e tyre, në mëngjesin që është zgjim i ithët, plot ëndërrime për bukë, “do ta shohë kurbetçiun, vllaun tim kurban mjerimi”. Siç u tha kjo poezi është shkruar në vitin 1936 dhe është padyshim një ndër poezitë më me frymëzim dhe me ndjenja të fuqishme sociale, morale e mbi të gjitha humane. I shtyrë nga ky motiv vepron punëtori shqiptar, i cili në asnjë mënyrë nuk mund ta sigurojë ekzistencën, prandaj duhet të bredhë rrugëve të Beogradit me “sharrë në krah”:

“Po të shoh prap – me duer t’mërdhime nën sjetull, me sharrën e stërlashtë mbi krah dhe sopatën e mpreftë të rrasun në shokë (…bishti i saj ka dalë mbrapa setrës dhe duket… Vallë mos për këte na quajten “njerëz me bishta”?!

pyet poeti i trishtuar nga këto pamje të bashkëvendësve të tij duke u endur “rrugëve të këtij qyteti të bardhë”.
Motivi i ruajtjes së dinjitetit, i veçorive të traditës kombëtare, bëhet shkak i një vargu ngjarjesh tjera, të cilat të kthyera në pasojë shtrihen në tërë përmbledhjen. Dëbimi i shqiptarëve nga Kosova për në Turqi, kushtëzohet nga ky motiv.
E njëjta gjë do të përsëritet edhe pas Luftës së Dytë Botërore, më konkretisht në vitet e pesëdhjeta, kur shumë shqiptarë u detyruan të deklarohen si turq me qëllim që të shpërngulen për në tokën e premtuar në Anadoll:

“O kun a sjellin-përcjellin?
O kun a çojnë-dëbojnë?
Ku e pritëm këtë ditë-ligë…”

Ndërsa fati i popullit shqiptar është i lidhur ngusht me motivin e ruajtjes së qenies fizike dhe morale të njeriut, me ruajtjen e traditës dhe të dinjitetit kombëtar.

Mekuli në poezinë e tij ka lajtmotiv rininë. Edhe në pikëpamje të stilit Esad Mekuli është unikat. Ai nuk e ka limuar sa duhet vargun e tij dhe vjershat mbajnë më tepër material se ç’mund të durojnë. Në fillim të krijmtarisë së tij shfaqet romantik, për t’u paraqitur më vonë analizues i plagëve sociale e morale të shoqërisë. E kështu edhe Mekuli u bë poet i tragjikes historike, i mërgimtarit, i lypësit, i skamnorit, i fshatarit të shfrytëzuar e të rjepur nga polici, etj. Tematika e tij është tematikë e vlimeve dhe e kthesave të mëdha në jetë. E midis tyre spikat vjersha “Kush i pari bani”, e cila, sipas R. Qosjes “…me poemën e Migjenit kushtuar mjerimit janë dy kryevepra të literaturës sociale shqipe”:

“- O si me dashtë me u shembë çdo gja në këtë natë t’mnershme!
Kujisin bagllamet e ndryshkuna në kapakët e dritareve ku me hov sulmon shiu, Frushkullon erë e furishme… Lebetisin kunorat e pemëve, ulurojnë me za vajtues… E drita e zbetë dridhet në dhomzën e errët plot myk, Ku gyrbetqarët t’rrasun fyshek, ndër skuta ku nuk pikon, Andrrojnë shtretnit e ngroftë, trupat e lodhun me i çlodhë…”

Motivi për liri, tokë, barazi shoqërore dhe kombëtare, drejtësi, ekzistencë të sigurtë, janë kthyer në një gjakim që vazhdon.
Madje, edhe pse baza e rrënuar materiale ka vënë në pyetje anë të ndryshme të jetës, ajo s’e ka lëkundur traditën e lashtë, sepse njeriu i nxitur nga këto motive do të gjejë forcë për ta përballuar dhe për ta kapërcyer gjendjen e fatit të rëndë historik.

Në përmbledhjen “Për ty” është edhe poezia “Popullit tim”, që në njëfarë mënyre është edhe poezi programatike e këtij krijuesi. Aty poeti ynë ka kënduar për popullin e vet të shumëvuajtur, ka kënduar për te edhe atëherë kur ka qenë e ndaluar, me qellim që ta trimërojë, që të nxjerri nga fundi i shpirtit të tij fjalën e ndrydhur dhe ta zgjojë nga gjumi, që të kacafytet me rropatjet e jetës, që të bëhet i barabartë me të tjerët në rruzullin tokësor:

“Ke dhanë, i dashutun… Dhe sot, në liri- Kur themra e gjakësorit s’na shkel dhe dora pa pranga mbeti, Me ty këndoj mbi fuqinë e ngjallun nën yllin që na pri’ -unë biri yt besnik dhe – poeti”127 do të këndojë Mekuli i bindur se vuajtjet dhe traumat e popullit shqiptar kanë marrë fund njëherë e përgjithmonë. “Për këtë poeti këndon me një lirizëm të hollë.”

Esad Mekuli si poet shquhet për temat që trajton në poezitë e tij, e që janë të lidhura ngushtë me fatin e popullit shqiptar, fatin e të cilit ai e përcjellë nëpër valët e jetës. Poezia e tij është karakterizuar si poezi sociale dhe patriotike në të njëjtën kohë si poezi në të cilën i është kënduar fatit të popullit të shtypur shqiptar, qoftë nën regjimin e mbretërisë jugosllave apo edhe nën sundimin e fashist.

Te poezia e Mekulit e gjejmë edhe një element tjetër karakteristik, atë që ka të bëjë më me përkatësinë kombëtare të njerëzve për të cilët shkruan ky:

“Shikoni plisat tanë:
si zbardhin në qendra punimi…
Po- dhe na, popull i gjallë-
Rritemi nën kupën qiellore,
Në kolektive t’fuqishme njerëzore”!

Mekuli merr frymëzim nga brengat sociale të jetës drejtpërdrejt.
Ai po ashtu këndoi për rininë e venitur në rrugë të madhe, për lypsët “dhe qafat e tyne të holla e të pafuqi”, për “ëndrrën e vajzës”, për kurbetçarin e gjorë, për format despotike të pushtetit policor mbi fshatarin tonë.

Esad Mekuli do të shkruajedhe poezinë e bukur “I varruni i këndon lirisë”në hyrje të së cilës lexojmë edhe këtë shënim të autorit “Gjatë t’ashtuqujtunit “akcion për mbledhjen e armëve” i torturuan për me dorzue pushkën që nuk e kishte – e vari vetën nji njeri…Burrat në kalim, e vjedhin me sy dhe shpejt kalojnë”.

“… e laku rreth qafës –
ku mbarojnë vuejtjet
për jetën ma të mirë
në këtë ditë të lirë,
në këtë ditë të lirë”!

Kjo poezi dëshmon për përkushtimin e përhershëm të Esad Mekulit që të trajtojë temat më të ndjeshme nga realiteti i hidhur i bashkëkombasvet të vet. Poet që përpiqej gjithnjë për të mirën e popullit të vet, Esad Mekuli, siç u tha edhe më lartë, do t’i këndojë lirisë, asaj që e ëndërronin shqiptarët shekuj me radhë. Kështu që në vitin e largët 1942 ai do të shkruaj edhe këto vargje:
“Hej, çoji grushtat populli im ndër pranga! Coptoj kafazet dhe dyert e burgut thyeji; shembi muret me duar të përgjakuna e zemër shqiponje – vorrose përgjithmonë të kaluemen dhe të tashmen!
Shko në rrugën e gjakut:
– Ja vdekje, ja Liri!”

Në shikim të parë kjo duket si parullë, çka në të vërtetë e tillë edhe është, por ajo paraqet esencën e problemit, që i ka preokupuar shqiptarët nëpër shekuj, kur u ka munguar liria, të cilën është dashur të paguhet me më të shtrenjtën, me gjakun e delmeve më të mirë të kombit. Lirisë si diç që i mungonte popullit të tij, Mekuli i ka kënduar në disa krijime të tij, për të shprehë botën e vet prej revolucionari, prej njeriut që vazhdimisht është përpjekur ta ngris moralin e popullit. Herë herë edhe ai u mashtrua si shumë të tjerë, duke menduar se shqiptarët fituan lirinë me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, parandaj edhe do të shprehet:

“Shikoni se sa mirë Shqiptari në Liri marsho:
me zemër plot, balli tue shëndritë, nga terri në të bardhën ditë! Rrjedhat e jetës dhe të bëmat e pushtetarëve bënë që edhe poeti ynë që kishte luftuar për të mirën e popullit të zhgënjehet dhe të t’i kthehet edhe njëherë këngës për vuajtjet dhe dredhitë që u bëheshin shqiptarëve.

Përfundimi
Të shtojmë në fund se Esad Mekuli botoi këto përmbledhje poezish:

1. “Për ty”, 1955 , 1963, dhe 1967 në Prishtinë, që u ribotua edhe në Tiranë më 1970;
2. “Dita e re”, vjersha për të rinj, më 1966;
3.”Avsha Ada” 1971;
4.”Vjersha” 1973;
5.”Brigjet” më 1981 dhe 1985;
6.”Rini e kuqe” më 1984;
7. “Në mes të dashurisë dhe urrejtjes” botuar në Tiranë, 1986 dhe
8.”Dita që nuk shuhet” më 1989.

Poezitë e tij janë përkthye në disa gjuhë si në atë serbokroate, sllovene, maqedone, hungareze , italiane dhe janë përfshirë në shumë antologji të poezisë shqipe. Madje mund të themi lirisht se nuk mund të mendohet asnjë antologji e kësaj poezie, në të cilën nuk do të gjendeshin edhe poezitë e Esad Mekulit.

LITERATURA:
Ali D. Jasiqi, Shfletime, Shkup, 1972;
Vehap Shita, Gjurmave të letërsisë, Rilindja, Prishtinë, 1980; Esad Mekuli, Për ty, Rilindja, Prishtinë, 1967; Esad Mekuli, Poezi, Faik Konica, Prishtinë, 2006

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here