ME TAJAR DOMIN, KRYETAR I SHOQATËS “BIJTË E SHQIPES”, NË FILADELFIA…

0
492

Nga: Prof. Murat Gecaj

Siç është e ditur, sidomos gjatë stinës së verës, ka lëvizje të shumta të emigrantëve shqiptarë, që jetojnë në shtete të ndryshme të Evropës, por dhe deri në Amerikë e Kanada. Ata kthehen në vendlindje, si zogjtë shtegtarë, për të pushuar e për t’u çmallur me njerëzit e tyre të gjakut, por dhe me kolegë, miq e dashamirë. Këtu nuk do të rendis emra të atyre, që kam takuar kësaj vere, në Tiranë. Por po veçoj njërin nga veprimtarët më të njohur të Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia të Amerikës, publicistin Llazar Vero. Ai ishte këtu për pushime disa ditë, pimë kafe bashkë dhe, bile, ishim në incizimin e një emisioni në Radio-Tirana, te programi “Larg&Afër”, që e drejton moderatori e gazetari Jaho Margjeka.

Dhe ja, këto ditë pata një telefonatë, me celular, nga një mik tjetër i shquar, Tajar Domi, kryetar i Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes”. Ai do të shkonte në një veprimtari në kryeqytet e kërkoi të isha dhe unë atje. Por nuk pata mundësi e, sigurisht, më mbeti merak kjo gjë. Megjithatë, asnjëri nuk e lamë “pasdore” takimin tonë. Ja, pikërisht sot, ne ishim së bashku për një kafe, në lokalin “Migena”, në qendër të kryeqytetit. Atë e shoqëronte nipi i tij, Bashkim Xhemal Domi, i cili më tha se ndodhet në Angli.

Bisedat tona ishin me temë të shumëllojshme, si për njohjen e njëri-tjetrit, me familjarët tanë, por dhe sollëm në kujtesë veprimtaritë, që ata organizojnë nga Shoqata e tyre, në ditë festash e përvjetorë ditëlindjesh, për shkollën shqipe “Gjuha Jonë” etj. Gjithashtu, përmendëm me nderim disa miq të përbashkët, që jetojnë e veprojnë në Filadelfia, si: Llazar Vero, Vlashi Fili, Hysë Hasa, Sadik Elshani e të tjerë.

Ishte kënaqësi për mua, kur i dhurova Tajarit librin tim më të ri, “Për ju, krijuese” (Tiranë, 2015), me një shënim falënderimi e mirënjohjeje, për kryesinë e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Rikujtoj këtu se, më 30 janar 2015, kryesia e kësaj Shoqate vendosi që të më regjistrojë mua, “Miku i Shoqatës”, me këto fjalë: ”Për disa vite me radhë, ka përhapur, në shtyp e në mediat, brenda e jashtë Shqipërisë, përvojën dhe veprimtaritë e Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia, me artikujt e tij apo të dërguar nga Shoqata”. Dokumenti është firmosur nga kryetari i Shoqatës, Tajar Domi dhe sekretari, Vlashi Fili.

Me këtë rast, kërkoj mirëkutimin e lexuesve të këtyre radhëve, pra ricitimin e këtij dokumenti. Po, me këtë gjë, desha të dëshmoja se drejtuesit e kësaj Shoqate janë shumë të vëmendshëm, jo vetëm për organizimin dhe zhvillimin e veprimtarive të ndryshme, të bukura e mbresëlënëse, me përmbajtje të dukshme atdhetare, por dhe për afrimin e nxitjen e bashkëpunëtorëve të tyre.

Mund të shkruaja edhe më tepër për mbresat e takimit të sotëm, me kryetarin e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, Tajar Domi dhe nipin e tij, Bashkimin. Por nuk dua t’i lodhi lexuesit. Vetëm dëshiroj që t’i përshëndes ata përzemërsisht dhe t’u uroj gjitha të mirat, në jetën vetjake e familjare. Sigurisht, ne do të takohemi përsëri dhe do të njihemi më mirë me njëri-tjetrin.

Shpresojmë që në “karvanin”, nga Filadelfia për në Shqipëri, do të renditen, së shpejti, edhe miqtë tanë, si Hysë Hasa, Vlashi Fili e të tjerë. Ata janë të mirëpritur nga familjarët, por dhe nga gjithë të njohurit e shumtë të tyre. Prandaj, nga zemra i urojmë:

Mirësevini, në Atdhe!
Tiranë, 9 gusht 2016

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here