Me poeten Lumturi Ymeri (Bersava)

0
836

Lumturi Ymeri (Bersava)
Lindur e rritur në Tiranë
Mësuese dhe autore e katër vëllimeve poetikë:
NATË MBI GJYSMËBOTË 2011
QIELLI NË QELI 2012
DRITËHIJE DASHURIE 2013
KLITHMA FRYME 2014

Bashkëautore në disa Antologji Poetike:
NË GJURMËT NAIMJANE 2015
MUZGU 6, 9, 11, 12. 2014 – 2015
100 POETË PËR DASHURINË 2016

Bashkëpunëtore me Gazetën Intervista 1998; Nacional (2012- 2016) Tirana Observer (2013) Revistën OBELISK (2011 – 2017)

CIKËL POETIK

1

TOKA


Prap, po thoni, Toka është e rrumbullakët?
Harruat inkuizicionin e Romës
në sheshin Dei Fiori, mes flakësh?

Absurd…
Toka është copëza të rrjepura gjurmësh
të ngjitura pas shputësh
zbathjesh,
ik’ e jakjesh,
askundësh
Dhe opingash…S’ka? ! Kush tha? !
Ju, që ngjeshni by**ët makinave luksoze
e këpucët firmato
s’kanë shansin e puthjes së tokës?

Toka është tastjerë gurësh
të bardhë e të zinj
ku lypsarët shkelin, sjellin e vjellin
muzikën funebre të shekullit
më të çmendur se të Stravinjskit…

Toka, ah, toka!
Me aromën e djegur të pyjeve
bashkë me kujtimet e shenjta të etërve…
Të arave të grunjta, të përmbytura
nga rrebeshet që zbrazën qiejt
dhe lotët që bastisën shpirtrat e nënave…

Toka e rrëfimeve, mendimeve
më të skajshme
ku groposen epokat, revoltat
dhe mbërrin
syri im…
Toka e lumenjve të hidhërimit, pa brigje
e deteve të derteve
mbi eshtrat thërrmuar në rërë…
E plantacioneve me cannabis
ku ngulin kthetrat për rrënjë…
Toka e ç’virgjëruar betonimeve
të ngrihen gradaçelat
të zënë qiellin, edhe frymën…

Toka, eh, tokë e ngratë!
Ngre padi për çdo pëllëmbë
e imja
e jotja
me thika
me krisma
me e pa gjyqe…
e pirgje mbi pirgje
në krye ngul kryqe…

Kryqe që zgjaten e bëhen rrugë
ngecur të gjallët semaforëve te kuq
Sirena fantazmë lajmëron “SOS”… !

Toka është e rrumbullakët?
Oh, poo!
Po rrokulliset…

2

DIMËR ARKAIK

Dikur
ishim të tërë
ne dhe zjarri në vatër
bashkë me përrallat dhe historitë…

Me gaz të bardhë iku motra
me vaj e kuje, babai
Vatra e zjarri ftoheshin përditë…

Nëpër jetët tona shkuam të gjithë
Në mure varëm zërat, kujtimet
t’i bënin shoqëri Nënës mbetur vetëm…
Me ikjen e saj krisen muret, dritaret
dhe trarët
u shembën…

Kam ndezur zjarrin sot
Si dimrit dikur
dhe jemi të tërë
ne dhe flaka në vatër
ku digjen vitet me aromë malli
Më rrethojnë ca sy
të ngrohtë, kureshtarë
E zë fill historitë
ku i lane Ata, së gjalli…

3

DUART E TIM ETI…

Është ca e vështirë
të mbërrij stepave të largët
të kohës e kujtesës.
Për të parë mirë
duart e tim Eti
Në mure, kalldrëme
në arë, në lodhje…
Sa më dhembin!
E kam më të lehtë
të lëvrij nëpër gjak
ta ndjej atë zemër, ata sy, atë zë…
të shoh, të dëgjoj
mençuri shkruar në ballë, sy e fjalë
Të përlotem mungesës së gjatë
oh, si ligjëron nëpër këngë, im Atë…
Por,
duart e ashpra
të pandalura, të palodhura
zënë gjithnjë me punë
humbën ngjyrën e gjakut
e morën atë të tokës
rrudhosur si ajo
plasaritur si ajo…
Pastaj për fare pak
vijat e vuajtjes u bënë të buta
ç’sëmundje i lëmoi aq të paqta
mish e kocka…?!
Këputur një gisht
më pikon në shpirt…
Me ngjyrë të dheut
të Shenjta Ato Duar
i përkitën tokës
ndaj i mban shtrënguar…
Sa më kanë munguar…!

4

HESHTJE BLU…

Heshtja me aroma
të kaltra e të gjelbërta
si valët e liqenit
e shushurima e plepave,
bën joga
nëpër kthina shpirti
Trazon hirin e viteve
skutave të fshehtësive
gacës ku ka mbetur
pakëz dritë e mekur…

Ashtu si perëndimi
shkrin diell sipërfaqes ujore
luhatet puhizës valore
E dalëngadalë thyhet,
përthithet thellësive të Lihnidës
atje ku nisin vajin Sirenat
të ringjallin legjendat…

Heshtja përpëlitet qerpikëve
magjepsës në përkundjen e ëndrrave
edhe të lotëve
Mburoja të smeraldëve
më të thellë se blu
moteve, po aty…

Një jetë e zbraza heshtjen
e s’ia nxora dot fundin
kaq mbushur me ty…

5

MIDIS’JE GRUA’JE…

Është një midisje
mistike e mistershme
krejt e pamatshme
Si mjegulla,
reja,
rrufeja
mes qiellit dhe tokës
Si muzgu i bronxtë
mes ditës dhe natës
si çasti mes çastesh
me pritje shekujsh…

Është ajo gjendje e midistë
ngjasuar mëdyshjes
si zgrip
mes ferrit a parajsës
Si frikë
për diçka prej diçkasë
nga asgjë dhe gjithçkasë
Si fije e hollë ekuilibri
ku varet shpirti…

Kjo e midisme
si etje, mekje
dhe jetë, dhe vdekje
Si vjolë e kryqëzuar
mes të kuqes e blusë
Si hapi
i thembrës tek pragu
e tjetrës në buzë
Si ajri
që shtypet ndë lëkurë…

Një midis
i shenjtë sa jeta
i truar si jeta
ku krijohet e flijohet bota…

6

AJO DO TË VIJË…

Nesër
Oh, nesër është e premtja e lutjes, e faljes
Si e Kremtja e madhe e Pashkës, ringjalljes
Ajo do të vijë
Ti
vendosi çarçafë të rinj shtratit
ose
tendosi zhubrat e natës
të mos i lënë shenjë lakuriqësisë
si dëshmi e mëkatit…
*
Ajo do të vijë
puplore, rrezëllitëse
me dritë smeraldësh përthyer qerpikëve
ka hartat e mishta në mollëza të gishtave
gjithë erërat e përbotëshme flijuar në frymë
trekëndëshat biblikë
tatuar në shpirt…
*
Ajo do të vijë
si premtim, si dhembje, si mall
Si ujëdhesë, si përrua
si lumë pa sht(r)at
pa asnjë vendndodhje në hartë…
*

Prite pa lot
për çastin martir bëhu gati
Mos harro
mer abdes
të vdekurit preken të pastër
E përcillen të premtes
së lutjes
faljes
ringjalljes…
Ajo
po vjen…

7

MALL…

Është fryma jote ky ajër
që ndryj brenda gjoksit
e më piqet brinjëve…

Është zëri yt
i qepur për shpirt
e më mbytet lotëve…

I druhem psherëtimës
me ngjyrë të zemrës
e rënkimin therës,
Se mos mer rropamën
e përgjak qiejt…

Kam frikë, i miri im
te ti mos mbërrin…

Ardhtë veç malli im…

8

HARK’IM…

Nën dritën e abazhurit sonte
Cepin e jorganit tërhiqe
hidhe tej,
mbulomë me frymën tënde…!

Vështromë!
Ndiq udhën e syrit me gisht
nën dredhkën e balukes mbi ballë
Përvijo konturet e lëkurës sime
mbi hundë, mbi buzë
Shtyp lehtas bymimin e tyre të afshtë…!

Ec
zbrit
rrëshkit
rrënqethshëm si gjarpër
nën mjekër, nën gushë…
Zgjidhi fjongot e tejdukshme
nga buisja e shpërthimit
Përdridhu rreth atyre shegëve
që gufojnë fërgëllimit…

Prit, duro!
Nën kërcitjen brinjëve të ndezura
gjakun vlo…!

Rrokullisu në pjerrësinë e përfundme,
hepohu vorbullës së flakës,
ndalu tek ato eshtra të epura
të tërhiqen pranë vetes…

Por,
grise dhe cohën e tyltë të dantellës
harkut të nënbarkut,
mbi rombin epshndjellës…

Gishti yt
mbaron misionin e tij
në fikjen e abazhurit dhe
krater’ i mishtë
magjishëm
ndjell të të gremisë…

@ Lumturi Ymeri (Bersava)

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here