Më dhemb zemra

0
1288

Dionis Xhafa

Kishte disa ditë që në rrugë, në punë, kudo ku shkoja me dhimbte zemra. Çuditërisht, edhe pse jam kaq i ri, vetëm 25, sërish më dhemb zemra. Në fakt, dhimbjen e zemrës e kam pasur qysh i vogël, por se atëherë nuk shqetësohesha kaq shumë, por se di se nga vjen, pasi nuk kam asnjë sëmundje të zemrës, prej vërteti. Ndoshta ka ardhur nga ftohja që kam marrë, që kur kam qenë fëmijë. Kur ne luanim te fusha e Besnikut, që i thonim ne, merrnim ftohje. Mbaj mend, që pas lojës së fuqishme të futbollit, ashtu të bërë ujë në djersë dhe të lagur në fanella, pinim ujë te tubi. Uji ishte shumë i ftohtë dhe ne ftoheshim përnjëherë. Por atëhere ishim të vegjël dhe nuk e ndjenim. Një burrë diku te 50 vjeç, mbaj mend se na tha: “Jeni të vegjël dhe nuk e ndjeni. Kur të rriteni do ta shikoni”.

Dhe vërtetë që fjalët e atij burri të mençur i kam akoma vath në vesh. Më dhimbte zemra me pak fjalë, tani i ri, aq sa mendoja me vete shumë gjëra negative. “Po sikur të vdes? Ja tak-fak ma dha zemra, infarkt dhe kaq e ka njeriu, ikën në botën tjetër”, mendova. Këtu m’u dhimbs vetja, shumë. Edhe ai momenti kur mendon se për një çast mund të jesh në fundin e jetës tënde është i tmerrshëm. Me këtë dhimbje të zemrës, që ma jepte si therje në mënyrë të keqe, ika edhe në shtëpi. Pasi fjeta atë natë, u zgjova në orën 11.00. U çova, u lava, hëngra dhe bëja që të ikja sërish në punë, jo pak i trullosur.

Gjyshja, që këta ditë ka sëmundje të zemrës dhe që kam frikë se është në fundin e jetës së saj, më tha: “Çfarë ke nuk ndihesh mirë?”, “Jo. Nuk ndihem mirë. Më dhemb zemra”, ia thashë copë. Gjyshja u trishtua atëherë dhe i erdhi keq për mua, duke ma bërë me dije se edhe vetë vuante fort. “Mua më dridhet gjithë zemra. Dhe, pas kësaj, më dridhet edhe trupi i gjithi”, më tha gjyshja. Më erdhi shumë keq për të. Njeriu, në fund të jetës kushedi sesi ndihet. Me siguri që nuk ka moment më të trishtë dhe më të keq sesa ajo moshë. Më erdhi keq deri në vuajtje. Unë pastaj, këtë fakt, që më vinte keq për gjyshen, ia servira me humor: “Po ç’e do jetën?”, i thashë. I shtova se jeta është më shumë dhimbje e trishtim, sesa lumturi. I theksova se lumturia në jetë është shumë e rrallë dhe se unë që jam i ri kam shumë pak gëzime, edhe prej faktit se mendoj shumë. “Aa moj nënë”, më tha.

Nuk kishte më keq. U mundova ta ngushëlloj, por prapë ajo e di se do të jetë e afërt dita kur do ta ketë fundin e jetës së vet. Ajo e di se nga momenti në moment, edhe nesër mund të mos jetë. Ajo e di se sot mund të jetë dhe nesër, mund të përcillet në varrezat më të afërta të fshatit, për të mos qenë më kurrë në ketë jetë. Ajo i di të gjitha këto dhe mua mu këput shpirti për këtë fakt. Kështu bëja humor të zi, sa për ta ngushëlluar, por vetë më vete e di se sa e rëndë është të jesh në fund të jetës, apo ta humbësh atë.

Dhimbje zemre ndjeva, kur u ndava nga gjyshja ime. Ah, ajo gjyshe, sa vuajtje ka pasur dhe me guxim i ka kaluar të gjitha. Ajo gjyshe, që gjithmonë në pamje fizike kam parë se ka ngjashmëri me Nënë Terezën. Me siguri, që kur ajo të ndërrojë jetë, në varrin e saj do të them: “Më dhemb zemra gjyshe!”. Zemra më dhemb për ty dhe do më dhembë tërë jetës, prej brengave dhe halleve të shumta. Zemra, do të them, pushonka, teksa mbulohet me dhé. Ah, zemra!

D.Xh.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here