“ME ÇFARË KUTI MATË DAUTI?!”

0
294
Agim Ramadani - Sali Çeku - Anton Çuni

Heronjtë e kombit Agim Ramadani, Sali Çeku bashkë me Anton Qunin

– Letër dërguar Presidentës Vjosë Osmanit me bashkëpunëtorë –

IDRIZ ZEQIRAJ

Për standartet e dyfishta, populli ka një shprehje: “Me çfarë kuti matë Dauti?!” Lufta e Kosovës, përkatësisht, historia e sotme e Kosovës, trajtohet sikur të këtë ndodhur në lashtësi! Falsifikimet groteske të saj, të lënë pa frymë. Dhe, megjithatë ngulmohet të mos korrigjohet, përkundrazi, të legalizohet ky falsifikim, deri në marrëzi.

“Historia nuk mund të rishkruhet”, – çirrej dëshpërueshëm ish-presidenti aksidental, Hashim Thaçi, për t`u pasuar nga shpura e tij servile e hipokrite. “Komandantët” pa ushtarë, rrjedhimisht, edhe pa beteja, paguan kalemxhinj, për të bërë këngë, tregime, historira imaxhinare të “komandantëve”, të cilat as në ëndërr nuk i kishin parë. “Ju nuk na mbrojtet nga ushtarët perdhunues serbë. Të paktën, mos na përbuzni tani, në liri”, – akuzon e protestron, ngultas e thekshëm, viktima e këtij krimi pështirosës, e lënduara e përjetshme, Vasfije Krasniqi-Godman.

Numërohen 420 masakra, përgjatë luftës së fundit në Kosovë dhe krejt pak beteja! Megjithatë, 65.000 “luftëtarët” e djeshëm, “veteranë” të sotëm,  nuk arritën t`i shmangnin dot! E gjithë kjo ndodhi, përshkak të sabotimit të luftës, nga “komandantët e Rognerit”, të lidhur fort me kryepushtetarët social-komunistë të Tiranës zyrtare, nëpërmes tyre edhe me Serbinë. Ndërkohë, Serbia ishte përkujdesur, ende pa filluar lufta, të ofrojë dhëndurë të saj në Shërbimin sekret DGSE, për instruktimin agjenturor të “kuadrove” të ardhshme brenda LPK-së.

Dhe, kjo strategji funksionoi sipas skenarit serb, paralizoi deri në amortizim UÇK-në e LPK-së, duke pamundësuar futjen në luftë të saj, me formacione të rregullta ushtarake. Këtë të vërtetë absolute e thonë botërisht, të paktën, 4 (katër) nga pretenduesit themelues të kësaj UÇK-je, përfshi edhe vet zëdhënësin e saj, Jakup Krasniqi. Dhe, ai me shokë thonë, se “edhe tradhtia ka emër”, duke renditur 4 (katër) “komandantë” sabotatorë të luftës: Hashim Thaçin, Azem Sylën, Xhavit Halitin, Kadri Veselin. Nëse kujtesa është mjegulluar nga denoncimi fillestar, vite më parë, atëherë referohuni ke deklarimi – reprizë -, në T7, emisioni “PRESSING”, të drejtuar nga Leonard Kërçuku, në pranverën e këtij moti.

Dhe, ishte, pikërisht, ky sabotim, që pamundësoi përballjen me forcat armike, soldateskën serbo-sllave; shmangien e qindra masakrave; mos mbrojtjen e mijëra femrave shqiptare nga perdhunimi. Rrjedhimisht, dështimin e luftës, ekzodin, ikjen masive të popullatës, refuxhimin publik, në prag të pëmbylljes të shekullit 20-të.

Në dështimin e Marrëveshjes, për unifikimin, bashkimin e faktorëve ushtarakë, në Osllo të Norvegjisë, kontribuan:

1) Zyrtarët social-komunistë të Tiranës, me SHISH-in e tyre;
2) Shërbimi sekret francez DGSE, me agjentin e tij Damjan Arnaud:
3) BIA, (UDB-a), me agjentët e hershëm dhe të vonshëm të saj, uzurpues të LPK-së, si Lëvizje dhe Fondin financiar të saj, “Vendlindja thërret”.

Bashkimi i faktorëve ushtarakë, që nuk u arrit në luftë, falsifikatorët majtistë, duan t´i pajtojnë e bashkojnë pas luftës! Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovës, FARK, të themeluar më 28 nëntor 1990; marrëveshja për ushtrimet ushtarake të djemëve të Kosovës në Shqipëri, plus ushtarakët e karrierës, të shkolluar në Akademinë Ushtarake Jugosllave, ishin bërthama e forcës ushtarake institucionale, me eprorin suprem Ibrahim Rugova.

Strategjia e luftës profesionale, e hartuar nga Kolonel Ahmet Krasniqi, me shokë, ishte bazë e betejës fitimtare të Loxhës, nën komandën e Kolonel Tahir Zemaj, Hero i Kosovës. E pasuar nga Lufta e Kosharës, me serinë e betejave të saj, shënon lavdinë e madhe, pas luftës të Shaban Polluzhës më 1944.

Kosova numëron disa gjeneralë, të cilët, qoftë në moshë apo dëshmi të dyshimta luftarake, në raport me ushtarakët e karrierës, anashkalimi i këtyre të fundit në grada, flet për një huqje të madhe, të ish-presidentëve të Kosovës. Ndërkohë, pranohet, botërisht, pavarësisht përkatësisë partiake, se Beteja e Loxhës dhe Lufta e Kosharës, janë legjitimim i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Megjithatë, janë ngritur në gradën e Gjeneralit, vetëm dy ushtarakë meritorë!

Shtrohet pyetja: A mjafton ky numër, për një luftë që ka legjitimuar Ushtrinë Çlirimtare?! Assesi jo. Lufta e Kosharës meriton shumë më shumë. Është komandanti i Kosharës, Kolonel Rrustem Berisha, eprori i parë i kësaj lufte, fillim e mbarim të luftës; Kolonel Anton Quni, gjithnjë në komandë të luftës; major Nazif Ramabaja, shok armësh i Kolonel Tahir Zemaj në Loxhë e gjetkë, të cilët, turpshëm, janë shpërfilluar, duke mos gëzuar gradën e GJENERALIT, të cilën, gjithësesi, e meritojnë.

Me dekorimin e këtyre tre ushtarakëve markantë të Luftës së Kosovës, me gradën e Gjeneralit, do të ishte edhe një përkujtesë nderimi për dëshmorët e Kosharës dhe të Loxhës, të rënë në fushë-betejën e nderit si dhe të gjithë luftëtarët e mbijetuar, të këtyre betejave dhe të tjerave gjetkë në Kosovë.

Dhe, duke u kthye ke titulli i këtij shkrimi, mendoj se kuti i matjes, me dashje apo padashje, ka lënduar bollshëm, jo vetëm heronjtë e gjallë: Rrustem Berisha, Anton Quni, Nazif Ramabaja, por edhe bashkëluftëtarët e tyre dhe më gjerë.

Prandaj, i drejtohem Presidentës Vjosë Osmani, me bashkëpunëtorë, për ta matur e vlerësuar veprimtarinë luftarake të ushtarakëve të cituar, duke i ngritur në gradën e Gjeneralit, për arritjet e tyre domëthënëse, në beteja dhe luftën për çilirim, liri dhe demokeraci.

Urojmë për mirëkuptimin Tuaj me bashkëpunëtorë!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.