Mbi nocionin “Rugovizëm”

0
482

PERSIATJE

Shkruan: Shefqet Dibrani

Sivjet u bënë dhjetë vite nga vdekja e presidentit historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugova, kurse mungesa e tij vazhdimisht po thellohet, jo vetëm në zemrat dhe mendjet tona, por edhe në zemrat e atyre që e kanë kundërshtuar e penguar për të gjallë. Ndoshta kjo ka ndodhur pasi situata politike në Atdhe është degraduar tej mase, ndërsa popullit ia ka shtuar dashurinë për të, ndërsa konceptit politik dhe vizionit të dr. Rugovës duke ia rritur vlerën.
Në këto dhjetë vite ne kemi parë se edhe kundërshtarët e rreptë të tij, madje edhe ata që për të gjallë silleshin me armiqësi, sot po flasin me admirim, sepse edhe atyre po iu mungon Rugova?! Po ashtu injorantët flasin për filozofinë e tij, duke pranuar se Dr. Ibrahim Rugova i ka sjell më së shumti suksese dhe fitore Kosovës.
Tashmë kanë mbetur pak inatçor të cilët nuk e pranojnë si njërën nga figurat më të ndritura që i pat Kosova në veçanti, dhe kombi shqiptar në përgjithësi. Por ne nuk duhet të shqetësohemi sepse s’ka kristali që i bie shkëlqimi, s’ka ari që i bie vlera, prandaj me kalimin e kohës edhe ata të pa bindshmit do të kthehen, do të pranojnë, ndonëse kjo koha e pasrugovizmit e ka dëshmuar një gjë të tillë!
Tashmë mungesa e tij fizike, ua ka hapur shtegun të gjithëve edhe për të folur, por edhe për të rrahur gjoks se janë politikan më të mirë, kurse koha në mënyrë të pamëshirshme i qiti në pah të gjitha, ashtu siç e vërtetoi kjo kohë, se vizioni i tij ishte vlerë kurse mënyra e sjelljes ishte virtyt. Kot kanë gërmuar e kot paskan shpifur, çka mos e çka kanë ditur, por vlera e Njeriut të mençur është përfaqësuese e dijes së shoqërisë shqiptare, pasi ka buruar nga tradita popullore, pjellë dhe pjesë e të cilës kulturë ishte edhe vet dr. Ibrahim Rugova.
Por për Ne Rugovistët që i ndenjëm besnik konceptit të tij filozofik, qysh për të gjallë politika e tij ishte e qartë, andaj lum ata që patën rastin ta takojnë dhe të punojnë me te, por edhe më të lumtur duhet të ndjehemi sot, Ne të cilët ia pranuan vlerat dhe e respektuam, duke bërë gjithçka për Kosovën, sa ishte ai gjallë, sa ishte dr. Rugova në mesin tonë.
Ne jemi dëshmitar të këtyre zhvillimeve dhe kemi qenë të lodhur, nga sulmet e gjithanshme, duke shpifur e sharë pa karar, vetëm e vetëm që në Kosovë të ngadhënjej e keqja, të ngadhënjej një koncept i cili po ia rrezikon lirinë Kosovës. Kjo kastë politike e kanë sjellë në këtë gjendje të mjerë Kosovën, dhe përditë janë duke i degraduar të gjitha vlerat morale të një shoqëria e cila nxori nga gjiri i saj dr. Ibrahim Rugovën, koha e qiti në ballë të proceseve dhe vetëm me te, populli ynë i ndërtoi me mund dhe sakrifica vizionet për Kosovën e pavarure siç e përsëriste refrenin e tij “të hapur për fqinjët dhe në miqësi të përhershme me vendet e Bashkimit Evropian dhe me Amerikën”.
Kosova në këto dhjetë vjet nga mungesa e tij fizike, është në një krizë të thellë politike, po më shumë morale, pasi tashmë ka degjeneruar çdo gjë, madje kemi dëgjuar gjithfarë glorifikimesh për te, madje tanimë gjithkush po thotë se paskan qenë bashkëpunëtor dhe miq të afërm me dr. Ibrahim Rugovën. E ne që ishim pranë tij dhe në LDK, tani të nënçmuar si atëherë, pikërisht nga këta që sot thurin elozhe për të. Na akuzonin atëherë pse i ndihmonim, po më shumë pse i besonim vizionit të tij. Tanimë të injoruar pse me kaq xhelozi e ruajmë me përkushtim mendimin e mirë për të – këtë vlerë kapitale që Zoti si shpërblim ia dërgoi Kombit tonë këtë Misionar!…
Por shtrohet pyetja çfarë kuptojmë me shprehjen Rugovizëm si koncept politik dhe si nocion filozofik që po e hasim kudo dhe po e dëgjojmë nga gjithkush. Me vend e pa vend, sa jo pak njerëzit e dijes dhe të shkencës dhe miq të tij sikur janë zmbrapsur, janë mbyllur duke ndenjur në distancë ose kanë mbetur nën hije, jo vetëm atëherë kur organizohen akademitë përkujtimore, por edhe në mediat e shumta të cilat tashmë janë nënshtruar një politike servile, prandaj edhe ata që japin deklarata dhe flasin kryesisht për dr. Ibrahim Rugovën, janë ata që dje e shanin atë dhe na shanin neve pse iu besonim pikëpamjeve dhe vizionit të tij largpamës.
Pavarësisht se si shprehemi, të gjithë njerëzit e ndërgjegjshëm dhe veprimtarët e devotshëm, kryesisht nga LDK-ja me «Rugovizëm» nënkuptojnë një Vlerë. Kurse nocioni Rugovizëm nuk është as më pak dhe as më shumë se sa një Vlerë, në kuptimin më pozitiv të kësaj fjale.
E, ne e dimë fort mirë se Vlera është Dije, e të dyja bashkë përbëjnë Rugovizmin! Ndërsa sot po flasin kryesisht analfabetët që s’kanë as dije dhe as namuz, kurse intelektualët e mirëfilltë dhe atdhetarët e ndërgjegjshëm duhet të struken nga ky invazion i pakontrolluar fjalëformimesh të neveritshme.
Jo vetëm kaq por Njeriu i ditur është edhe guximtar dhe ka trimëri, prandaj Rugovizmi është trimëri dhe guxim. A keni parë ndonjëherë një budalla të ditur dhe a keni parë një “idiot” që ka guxim dhe ka trimëri. Kurrë në historinë e njerëzimit nuk ka ndodhur kjo! Prandaj shtrohet pyetja si ka mundësi të udhëheqin Kosovën të padijshmit dhe vendi ynë të përparoj?! Ndërsa ky krahasim nuk është im, fajtor janë këto dhjetë vjet që na mungon dr. Rugova dhe janë këto degradime të cilat na kanë shqetësuar tej mase.
Pa dyshim njeriu guximtar është më atdhetar dhe më patriot, prandaj ai njeri ka vlerën që quhet patriotizëm, e kush ka qen më patriot se sa dr. Ibrahim Rugova? E kundërta e këtij nocioni janë Ata të cilët e vjedhin Kosovën, dhe ata që duan ta vrasin edhe Lirinë e Kosovës?! Derisa patriotit Ibrahim Rugova, populli i Kosovës ia kanë ngritur shtatoren në mes të Prishtinës, shtatore të tjera iu kanë ngritur në zemrat tona, në zemrat e gjithë shqiptarëve që ia duan të mirën Atdheut tonë Etnik. Koha e ka dëshmuar se vetëm këto shtatore do t’u rezistojnë kohërave, kurse shtatorët e diktatorëve dhe tradhtarëve, përmendoret ua ka rrezuar vet koha, të tjerët koha i ka kalbur nëpër burgje për tradhtinë që ia kanë bërë kohës dhe vendit të tyre.
Tash, në Kosovën tonë përditë po shohim se ata që ishin tradhtar në kuptimin më të shëmtuar të kësaj fjale, ata janë duke i tradhtuar idetë e mira të dr. Rugovës, sot po flasin edhe për patriotizëm por edhe për Rugovizëm, ndërsa po mendojnë se në demokraci mund të mbllaçitin sa të duan të gjithë ata të cilët të kaluarës së tyre në komunizëm, nuk ia heqin asnjë prese?! Prandaj mendjet e tilla e kanë sjellur Kosovën në këtë gjendje, ku po rrezikohen vlerat e mirëfillta që i ndërtoi kolosi i historisë dr. Ibrahim Rugova.
Sakrifica është sfidë, e kush e sfidoi kohën dhe prapështitë e saj më mirë e më saktë se sa dr. Ibrahim Rugova. Tashmë ata që shanin dhe sabotonin po shkojnë te varri i tij për të bërë selfie por edhe flasin me admirim nëpër mitingje dhe akademi përkujtimore kushtuar dr. Ibrahim Rugovës, pikërisht teknokratët dhe kundërshtarët e dikurshëm të Ibrahim Rugovës.
Durimi është një element tjetër që e ka përshkruar dhe karakterizuar filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës, e kush ka duruar ma shumë se sa dr. Ibrahim Rugova, ai i duroi edhe serbët bashkë me dhunën dhe gjenocidin, por më shumë i duroi edhe “serbet që i flisnin shqip”, qoftë në LDK, e qoftë në shtetin e tonë.
Ai duroi shumë sa ishte gjallë, por po duron edhe sot për së vdekuri, i duron edhe ata që shkruajnë, i duron edhe ata që po flasin sot, kurse dje të tillët e kanë lënë rrugëve pa e shoqëruar, nuk ia kanë paguar hotelet dhe biletat e aeroplanit, sidomos kur shkonte për Amerikë, tek miqtë e Kosovës për t’iu treguar se çfarë bënte serbi në Kosovë, dhe për ofsharë edhe për zullumin që ia bënin ministrat e kryeministri i Qeverisë së Tij në ekzil.
Tashmë jemi dëshmitar të kohës se të njëjtit ministra që talleshin dhe e përbuznin dje dr. Ibrahim Rugovën, sot po e përbuzin Diasporën, madje nuk i pranojnë as në “dialog”, kurse refreni i tyre për dialog është neveritës, është mashtrues dhe është i dëmshëm, por ma shumë është antirugovizëm i kulluar.
Deri sa dr. Rugova vlerësonte dhe respektonte kontributin dhe angazhimin e diasporës, janë ata që dje na e mohonin sikurse edhe sot që po e mohojnë kontributin e diasporës, e të njëjtit. Me emër e mbiemër janë po ata që fëmijët dhe të afërmit e heronjve dhe dëshmorëve të Kosovës nuk i pranojnë në Kuvendin e partisë, janë ata që erdhën dhe e pushtuan LDK-në, madje po synojnë ta pushtojnë edhe tanë Kosovën: janë ata që dje i bënë një mijë e njëqind të zeza kundër dr. Ibrahim Rugovës dhe kundër LDK-së, tashmë po flasin për dr. Rugovën me pietet dhe udhëheqin edhe LDK-në.
Rugovizëm është fjala dhe falja, jo hakmarrja dhe injorimi!
Rugovizëm është fjala e lënë peng, por jo tradhtia e thika pas shpinës,
Rugovizmi është fisnikëri por jo servilizmi dhe fudullëku.
Rugovizëm është gjithë përfshirja por jo edhe përjashtimi!
Andaj duke i shkelur këto vlera që i ndërtoi dr. Ibrahim Rugova në Epokën e Tij, Kosova ka ardhur në një pikë kritike, ku ata që e pengonin dje dr. Rugovën, sot po ata e pengojnë edhe zhvillimin dhe përparimin e Kosovës.
Rugovizëm janë punët e mira, është zhvillimi dhe përparimi i Kosovës. Jo hajnia, jo shëmtia, jo as vjedhja dhe as dallaveret.
Vërtetë jemi në një krizë të thellë morale, sepse pikërisht ata që nuk lanë gjë pa thënë kundër dr. Rugovës, madje edhe ata që tentuan ta vrasin, sot i kemi në sfond të parë duke u pozuar duke derdhur lot krokodili, për të e për Kosovën, ndërsa veprimtarët e devotshëm, ata që i ndenjën afër dr. Rugovës, sot vazhdimisht përbuzën dhe nënçmohen.
Ata që në vitin e largët 1982, kanë ngritur dolli dhe kanë mbajtur fjalime komunistësh, madje edhe kanë shkruar nëpër gazeta për vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës, në përvjetorin e tij, më 17 janar 2016, folën me fjalë të ëmbla, me fjalë të bukura të cilat u shpërndan në eter, e morën dhen duke i mbushur letrat dhe gazetat përplot çyfyre, e në anën tjetër, po të njëjtën ditë, nuk ishin në gjendje ta durojnë vajzën e Heroit Donikën, madje nuk patën kuraje as ta ngushëllojnë atë.
Po në këtë janar i pamë në Strellc, pran varrit të kolonel Tahir Zemajt, i pamë edhe në Bradash tek varri i Enver Malokut, apo i ndeshëm tek shtatorët e tyre e në akademinë kushtuar komandantit të Rugovës Smajl Hajdaraj, etj. etj.
O Zot çfarë po ndodh me Ne, me Kombin tonë i cili po i shëmton vlerat qytetëruese, po shkel besën dhe burrërinë e Rugovasve me ta cilat na edukoi dhe na e emancipoi heroi ynë Ibrahim Rugova, madje ai arriti për të gjallë ta emancipoj edhe Epokën tonë, të cilën injorantët e kanë stërkequr.
Natyrisht, sot Kosova është në krizë, dhe në saje të kësaj krize kanë lulëzuar antivlerat të cilat janë shtrirë kudo dhe kah do.
Prandaj është detyrë e jona, është detyrë e secilit qytetar dhe intelektual që në qenien e tij ka një Vlerë, ka dije, ka fjalë e ka besë, të afrohen dhe të bashkohen, nëse duam ta parandalojmë shkatërrimin e vlerave të cilat me mund e sakrifica të shumta i kemi ndërtuar dhe i kemi përparuar.
Pa dyshim, është emri i dr. Ibrahim Rugovës që na frymëzon dhe na jep kuraje që edhe në këto kohë të qëndrojmë dhe të mos thyhemi, sepse vet dr. Rugova ka qëndruar e ka duruar shumë, në kohëra të pista duke i tejkaluar rreziqet e mëdha, po duron tashti edhe varri i tij kur aty po bëjnë selfie injorantët dhe tradhtaret e idealeve të Tij!…
Është emri i tij që na jep forcë, dhe na ka edukuar Durimin si shkollë, e bashkë me te na ka brumosur me guxim e dije për t’u përballur me të këqijat, për ta mbrojtur prakun e shtëpisë.
Andaj përmes kësaj përpjekje, ju bëjë thirrje për një mobilizim masiv, për të punuar edhe ma shumë dhe për të rezistuar, pasi gjatë këtij viti priten ndryshime rrënjësore në skemën politike në Kosovë dhe po shpresojmë se edhe elita patriotike dhe ajo Rugoviste që është brenda LDK-së, do të del nga letargjia, për të rilindur, për tu ringjallur nga kjo vdekje klinike që e ka pllakosur LDK-në dhe elektoratin e saj.
Një mobilizim i gjithanshëm, është mbase i domosdoshëm, prandaj duhet që edhe kësaj radhe Degën e LDK-së në Zvicër ta mobilizojmë, pasi Kosova pret nga Dega e LDK-së në Zvicër. Kosova edhe kësaj radhe ka nevojë për Ne – diasporën!
Gjithsesi ne duhet ta falënderojmë Zotin që mbi qiellin e Kosovës e dërgoi dr. Rugovën, tashmë shpirti i tij nga lart po frymëzon gjeneratat e reja për dije e kulturë, të cilat me vlerat e tyre, me dijet e tyre, me dinjitetin e tyre do të përfaqësojnë Rugovizmin e vërtetë, Rugovizmin, në kuptimin ma të mirë të kësaj fjale, të këtij nocioni, të kësaj filozofie dhe të veprimit pragmatik ashtu siç ishte dhe bënte vet dr. Ibrahim Rugova në Epokën e Tij!….

Sursee, 24.01.2016.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here