LUMTURI PLAKU: KAM NJË JETË TË NGJESHUR, ME NGJARJE, PUNË, SHKRIME E BOTIME, POR EDHE ME VEPRIMTARI…

0
360

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1. Kam kënaqësinë të kujtoj, se jemi njohur bashkë, kur ti do të shkoje në një emision për bashkatdhetarët, në Radio-Tirana, me gazetar e moderator Jaho Margjekën…Sigurisht, atje ke folur gjerësisht për jetën dhe krijimtarinë tënde letrare. Megjithatë, a mund të tregosh edhe në këtë bisedë tonën: diçka për prejardhjen, fëmijërinë e shkollimin?

– Mbas njohjes virtuale në fb, arriti dhe çasti që të takoheshim në jetën reale, pra për një kafe me ju, prof. Murati. E ndodhi pikërisht atë ditë, që gazetari Margjeka më kishte thirrur për një intervistë në Radio-Tirana. Tani, ndjehem më mirë, kur ju më keni dërgur pyetjet, se në këtë mënyrë limitohem vetëm te përgjigjet, përndryshe…

Siç thash edhe te Radio-Tirana, unë kam shumë argumente, të pafundme, të ndryshme, mijëra ngjyrash e kjo sepse kam pasur një jetë të ngjeshur. Kështu: eskploroj, kuriozoj, zbuloj, përjetoj e mbaj gjallë çdo grimcë të jetës sime edhe pse e pata të vështirë, si pesha e një mali, të ngarkuar, që në kockat e njoma të fëminisë e në vazhdim.
Erdhi, si erdhi, e dua shumë jetën time, siç shprehem edhe në këtë poezi:

O, JETA IME !

I thith asaj çdo pikë nektar,
kur është nervoze, o e qetë si vaj,
por dhe kur është shumë e trishtuar,
thith prap nektar dhe pse i thartuar.
Ja thith… ja thith… ja thith njëlloj,
dhe e shijoj !

E thur e çthur pa u ndaluar,
e si merimangë, ndër skutat e saj
me kënaqësi e vizitoj;
edhe një ditë, ja kthej në javë,
i shtoj jetën, jetës, se është e imja;
erdhi, si erdhi, e dashuroj dhe e jetoj.

(Nga libri “Unë jam shkronjat”)

Kur mendimet i dërgoj larg në të kaluarën, shoh me keqardhje e dhimbje: prishje, copëtime, shqyerje, mosarritje të shumë ëndërrave, që në fëmini, në rini e pak të realizuara, deri më sot. U rrita në kohë të vështira e ëndërrat e mia ishin të ndaluara, të trembura, lënë mënjanë, qosheve strukura, vende-vende prej viteve të zbrujtura, të çngjyrosura, të mykura….
Të gjitha këto, sepse prejardhja ime ishte nga një familje fisnike, e ndershme e me vlera, familje e njohur prej gjithë krahinës e në të gjithë etapat, për atdhetarizëm të lartë, me luftëtarë e heronj, të pakursyer për Atdheun. Por që, ai regjim i kaluar, do t’i persekutonte, do t’i zhdukte dhe do t’i dënonte, siç u bë me shumë familje të tilla.

Që në moshën dhjetëvjeçare, më lanë jetime, pa baba. Atë hero të luftërave kundër grekut, italianit e gjermanit, me shpirt të madh demokratik, e arrestuan, e gjykuan me dyer mbyllur dhe e dënuan me pushkatim!? Vetëm me emrin, “Bija e një të pushkatuari”, mund ta kuptoni shumë mirë jetën time. Mua nuk më lejohej të shkoja në universitet, të mësoja në shkollën, që dëshiroja edhe pse mund të dëshmoja aftësi e talente të rralla. Me sakrifica të mëdha ekonomike, munda të mbaroja vetëm gjimnazin. Por, t’ua them të drejtën, për këto diskriminime, shpirti më ka vuajtur shumë, e… Ja, si jam shprehur në këtë poezi timen:

OH, SA KAM QARË!

A ke provuar,
prej moshatarëve tu të jesh i ndarë ,
ngelur mënjanë e t’i shohësh nga larg,
që të qeshur e hareshëm,
hynë e dalin si delfinat në detet e oqenet e fëminisë,
që fluturojnë si zogj lart drejt qiellit të lumturisë
e ty, egërsisht, me dhunë,
të të mos lejojnë?

Unë, po …
E provova dhe e vuajta shumë!
E strukur në gjirin e trishtimit,
ndën çizmen shtypëse, në lakuriqësinë e çdo të drejte,
rrija e shikoja fluturimin e tyre
e si një zog i plagosur rëndë, për mos t’u ngritur kurrë,
ëndërrat e shpresat, maçalisja më tëposhtë
e i gëlltisja, bashkë me lotë.
Në heshtje, me zemër e shpirt të vrarë,
oh, sa kam qarë!

Sa keq është, kur je njëlloj
apo, ndoshta, dhe me mirë se të tjerë,
por me dhunë të bëjnë të ndjehesh asgjë, sikur s’ke asnjë vlerë!
A ma kupton, o mik i mirë…
ç’të them?

(Nga libri me lirika, “Si gjithë stinët”, shtator 2016).

2. Po pastaj, si rodhën ngjarjet, për ty dhe tërë familjen tuaj, në ato rrethana aq të vështira, që u krijuan për ju, gjatë regjimit monist?
– Të shkruaj si rrodhën ngjarjet, më duhen volume, mbushur me dhimbje. Mjafton t’u them që jetova jetën e një të persekutuareje, jetë pa lirinë, që mungonte si fryma… Një jetë pa të drejtat, që ka nevojë çdokush… Një jetë, kur duhej të luftonim me thonjë e dhëmbë, për të mbijetuar.

Na u rrëmbyen shtëpia e gjithë pasuritë, na u hoq edhe buka e gojës. Na mbajtën pezull, për një kohë gati prej dy vjetësh, në Kavajë, që atëherë, ishte një qytet, ku internoheshin shumë famije të kategorisë sonë. Edhe pse me shkollë, të gjithë familjarët kemi kryer punë nga më të vështirat, të lodhëshme, të pavlerësuar. E duhej të kishim kujdes, për çdo hap që bënim. Duhej të kishim kujdes për çdo fjalë, që flisnim, sepse mund të interpretohej në mënyrë të tillë, që do t’i vuanim të tjera pasoja edhe më të tmerrshme.

Këtë jetë të egër e përballuam, duke qenë një familje e bashkuar për çdo gjë, me përkujdesjen e porositë e më të mëdhenjve dhe bindjen, pa diskutim, prej më të vegjëlve. Ato vështirësi pa fund, duhej t’i përballonim me kokën lart e dinjitet, por me sytë pa lotë, edhe se me dhimbje, në shpirt e në zemër. Nuk kishim kohë për të qarë. Do përlesheshim me të sotmen, duke u përegtitur për të nesërmen, që nuk kursehej me të tjera përplasje.

Megjithatë, për fat të mirë, patëm një fitim. Ajo jetë shumë e vështirë na dhuroi shumë forca. Nëqoftëse të shkuarën e shikoj me mjaft dhimbje, te pasqyra e të tanishmes shoh fytyrën e buzëqeshur prej kënaqësisë, që mësova prej përvojave, mundimeve e sakrificave, më shumë se sa disa universitete … E shoh veten të fortë, mbushur me energji, këmbëngulëse, mostërheqëse dhe, në disa aspekte, shumë të realizuar.

3. Ardhja e demokracisë në Shqpëri solli hapësira të reja edhe për ty…Çfarë udhe zgodhe, në ato kushte?
– Vendosja e demokracisë më ringjalli. M’u duk se isha ajo vajza e re, plotë energji, që do të plotësoja magësitë e ngelura, ndër vite. Por, në befasi, timoni i jetës sime mori një drejtim të paplanifikuar edhe gjithmonë të ëndërruar.
Vërshimi i “hemoragjisë” së emigracionit, më mbështolli me vete djalin 16-vjeçar, që iku për në Itali. Kjo gjë ishte një tronditje e fortë, dhimbje e papërshkrueshme, por edhe e papranueshme prej të dy ne, prindërve të tij, për ta lënë vetëm në atë moshë, në dhe të huaj.

Atë natë, pa djalin në shtëpi, e kaluam tej e tej zgjuar. Unë, sikur ta kisha humbur përjetë, s’pushoja duke qarë e numëruar me fjalë, para fotografisë së tij. Krahërori më dukej një kafaz, i ngelur bosh, sikur djali më kishte marrë me vete edhe zemrën. Të nesërmen të tre, bashkë me vajzën dhjetëvjeçare, u gjendëm para portit. Ikja ishte dhimbje, shumë e vështirë, por meraku i djalit ishte mbi gjithëshka. Në çastin, kur vapori “Tirana” u shkëput nga moloja… Oh, o Zot!

M’u duk se zemra m’u nda në dy pjesë: Njëra protestonte me dhimbje, se po braktisja jetën prej aq vitesh, që kisha kaluar në vendim tim; po braktisja vllazëri, miqësi, gjithësinë e deriatëhershme. Pjesa tjetër, më gërrthiste të nxitoja, mos të mendohesha dy herë, por me urgjencë ta arrija djalin atje, ku ishte. Kjo ndjenjë ishte më e fortë, ishte lidhja nënë-fëmijë. U nisa, por edhe sot zemrën e kam “të ndarë”, pa mjekim. Tashmë, jam një “dopio” qytetare, shqiptare e italiane, por në dhe të huaj, gjithnjë e mallosur.

4. Sigurisht, jeta në një vend të huaj, siç ishte Italia, ka patur vështirësitë e veta…Çilat ishin përpjekjet tua, për t’i tejkaluar ato? Me çfarë punësh u more dhe a u shkollove ose a u kualifikove, atje?

– Mbusha 25 vjet, qëkur banoj në Itali. E vërtetë, që jeta e emigrimit është shumë e vështirë. Askush s’të pret “me tufa lulesh”. Do ta filloja një jetë të dytë, ku u gjenda në një errësirë të plotë: për gjuhën, traditën, kulturën e vendit, ku erdha. Ashtu si oksigjeni, që është i domosdoshëm për jetën, kur arrihet në një vend të huaj, mjeti më urgjent për komunikimin, është gjuha dhe, për këtë arsye, fillova me këmbëngulje ta mësoja.

Si nënë, më duhej të përkushtohesha për edukimin e fëmijëve. Ishte shumë e nevojshme të punoja me kujdes dhe, si një qëndistare e mirë, të mbuloja çarjet e të zbusja ndryshueshmërinë e dy kulturave …Të mundohesha t’i gërshetoja dy kulturat, pa dëmtuar asnjerën prej tyre. Dëshiroja që fëmijët e mi të mbanin gjuhën dhe vlerat e kulturës sonë. Por, në të njejtën kohë, të integroheshin e pasuroheshin me vlerat e kultures, ku kishim ardhur. Kjo ishte një përpjekje për punën edukative të fëmijëve, por ende më e rëndësishme ishte dhe ajo ekonomikja.

Punët, që më ofroheshin sapo arrita, ashtu si gjithë emigrantëve, ishin nga më të rëndomtat, ato që ngeleshin. Absolutisht, nuk flitej për pretendime, sepse ishin urgjente nevojat ekonomike familjare. Bëra punë nga më të ndryshmet, por dinjitoze dhe, krahas tyre, vazhdoja disa kurse kualifikimi. Në ato kurse, përveç profesionalitetit, përvetësoja edhe më mirë gjuhën e huaj.
Në vitin 2005, u diplomova mediatrice interkulturore, një kualifikim ky, që e kisha në zemër dhe, ndoshta, kisha lindur për të. Mediatorët gjinden kudo, ku është nevoja: për përkthim, për shuarje konfliktesh, për ndihmën e të porsa ardhurve, që të integrohen, pranë zyrave të emigrimit, ndër qendrat interkulturore dhe për ndihmën e gërshetimit të dy kulturave.

Krahas lëndve shkollore, si mediatore, me krenari e kam paraqitur kulturën shqipëtare. E, në këtë mënyrë, ngrihej lart prestigji i fëmijëve shqiptarë. Nxënësit tanë nuk mundnin që t’ua shpjegonin italianëve, se edhe ata kanë kulturën, këngët, historitë, vallet, kostumet dhe legjendat e popullit të tyre. Veshur me figurën e mediatores interkulturore, kam ndjerë shumë e shumë emocione, duke shikuar sytë e fëmijëve shqipëtarë të shkëlqenin prej lotëve të krenarisë, për kulturën e tyre dhe sytë e fëmijëve italianë, të mahnitur prej pasurive tona kulturore.

Kam punuar në sportele të sindikatave italiane për emigracionin, operatore në qendrën interkulturore të qytetit dhe kam kryer të detyra të ndryshme, për emigracionin.

5. Edhe në biseda të tjera me mike krijuese, kam vërejtuar se është zgjedhur si rrugëzgjidhje ose qetësim shpirtëror, për brengat e së kaluarës, krijimtaria letrare, në poezi ose prozë…Po ti, kur ke filluar të shkruash dhe cilët janë librat, që ke botuar e si janë pritur ata?

– Kur arrita në Itali, na mbajtën katër muaj në Taranto dhe pastaj na shpërndanë në qytetet të ndryshme. Liria, që më përqafoi sapo arrita, aq sa e ëmbël, delikate, e profumuar, ishte edhe shumë e fortë. Më hapi portat e kyçura të shpirtit e mendjes sime, ku kisha konservuar mijëra e mijëra ide shumëngjyrëshe. Kështu, e fillova me shkronja, që t’i hidhja me vrull nëpër vargje. Xhepat e përparseve të mia ishin gjithëmonë me një stilolaps e me copa letrash, në të cilat, shkronja-shkronja, stisja poezitë. Nuk e mohoj, se poezitë e librit të parë, “Brigjet e Mia”, kanë lotë, mall, trishtim, dhimbje, ankesa, ribelim, protesta për jetën skëterrë, kaluar në Mëmëdhe.

Jam e kënaqur sepse, në shtator të këtij viti, u botua libri im i dhjetë. Kam shkruar pesë libra me poezi:” Brigjet e Mia”, “Syri i Botës Sime”, “ Unë Jam Shkronjat”, “ E Imja Lirike”, “ Si gjithë Stinet”. Kam botuar edhe një roman jetëshkrimor, “ Kronika e Dënimit Me Vdekje”. Një libër në prozë, me proverba, e kam titullur “Floriri Në Fjalë”. Në këtë të fundit dialogojnë një bijë me nënën dhe kjo e fundit i përgjigjet, gjithëmonë me fjalë të urta, proverba të popullit tonë.

6. A ke shkruar dhe botuar ose a e ke në plan të botosh diçka, nga krijimet tua, në gjuhën italiane a në ndonjë gjuhë tjetër të huaj?
– Puna si mediatore interkulturore më nxiti të shkruaj të parin libër të vogël italisht, “ Le Riccheze della natura”(“Pasuritë e natyres”), ku paraqes mjekime të ndryshme popullore shqiptare.

Vitet e para të mbërritjes, për faj të një përqindjeje të vogël të bashkatdhetarëve, që na paraqisnin, jo ashtu si ishim, u krijua një opinion shumë i keq. Siç thotë populli, “Me barin e thatë digjet dhe ai i njomi” dhe unë e vuaja shumë këtë gjë…Nuk e harroj një ditë, kur një zonjë italiane më drjetohet me një frazë, që për mendimin e saj, ishte një kompliment; “ Ju jeni një zonjë e vërtetë, nuk dukeni si shqipëtare”. Ndoshta, kjo persone priti që unë, e ekzaltuar prej komplimentit, të lumturohesha. Por ngeli syshqyer, kur pa sytë e mi të egërsuar, fytyrën si ditë dimri, me erë e shi dhe me nofullat, që më lëviznin prej shtrëngimit të dhëmbëve. Pa menduar, ajo vazhdoi: “ Nuk më kuptuat ç’ju thashë…Ju bëra një kompliment?!”

Ndërsa unë, shumë e prerë, ashtu si e kemi të folurën, ne shqipëtarët, kur dikush na prek në kallo, iu përgjigja: “ Zonjë, nuk e kuptoni, që fraza juaj nuk është kompliment, por ofezë? Ju nuk e njihni shqipëtarin e vërtetë dhe flisni para kohe. Ju më prekët rrënjët e mia e më dhëmbi shumë. Duhet ta dini që… unë, para se të jem zonja Lumturi, jam e bija e prindërve të mi, jam bija e asaj toke, që quhet Shqipëri e unë quhem shqipëtare”. Nuk pipëtiu, por u largua menjëherë.

Kur të bëhet gjykimi si nacion, ështe shumë i rëndë e dërrmues. Nuk mund të gjykohet një popull, për faj të një numri të vogël. E, për këtë gjë, duhej të përleshesha me atë opinion të krijuar. Njihja kulturën, traditën, moralin, edukatën shqipëtare dhe për shumë çështje ndjehesha superiore dhe me to, si armë, doja të nxirrja në dritë fytyrën e pastër të vendit, të popullit tim. Nuk mjaftonte, që pasuritë kulturore të vendit tim, t’ua tregoja nxënësve ose atyre, që më rrethonin, por mbarë qytetarëve, kështu që vendosa të shkruaja librin dygjuhësh, italisht-shqip, të titulluar “Valori Come Oro”(“ Vlerë Flori”), ku paraqita legjenda dhe histori të popullit tonë. Në shqip, i thura poezi, ndërsa në italisht, për t’i shpjeguar sa më mirë vlerat e tyre, e shkrova në prozë. E titullova “Vlerë Flori”, sepse ato legjenda e histori , kanë përballuar shekuj me luftëra, tërmete, furtuna e janë të gjalla edhe sotë, si floriri .

Libri tjetër italisht është “ Mi Manchi”, me 100 poezi e 100 faqe në prozë. Aty tregoj për vuajtjet e popullit tim, për situatat, kushtet e vështira të jetës, që i kanë detyruar ata të emigrojnë dhe përvoja të ndryshme, të miat, në Itali. Për këtë gjë, falënderoj nga zemra, mike e miq të ndryshëm, që më janë ndodhur pranë, në çaste të ndryshme.

Në se ndër poezitë jam unë, me gjithë shpirt, te librat italiane është populli im, me vlerat e vuajtjet e tij. Librat italisht janë pritur me shumë entuziazëm e popullaritet, në Itali. Kanë shkruar gazeta të ndryshme të qytetit, kam qenë e ftuar në disa takime në qytete tjera të Italisë dhe janë duke u përegatitur përurime të tjera, në vazhdim.

Jam ftuar në vende të ndryshme, për librat e mi, duke filluar nga qytete të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë. Atje kam qenë shumë e nderuar dhe jam larguar e mbushur plot emocione. Më kanë dhuruar disa “ Mirënjohje” e, me këtë rast, dëshiroj t’i falënderoj të gjithë! Ndërsa televizioni i qytetit, ku jetoj, paraqiti, në mbi 20 minuta, librin e ri, “Mi Manchi”, duke theksur që emigrimi është edhe një pasuri intelekturore për vendin, ku banojmë.

Tani, jam duke përkthyer në italisht romanin biografik “Kronikë e Dënimit Me Vdekje”. Gjithashtu, kam disa tregime e poezi, po ashtu në italisht, për një libër tjetër, në të ardhmen.

7. Po me veprimtari shoqërore a je marrë dhe në cilat drejtime?
– Kam pasur një jetë shumë aktive. Dy vjet rrjesht kam paraqitur në një program televiziv të qytetit për të huajt, rubrikën “Kultura, Kostumi e Tradicione”. Përveç intervistimeve të njerëzve të kombësive të ndryshme, u paraqisja qytetarëve italianë kulturën tonë:Histori, legjenda, këngë, valle, tradita, kostumet, qytetërimin e popullit shqiptar. Me lumë fjalësh, e shpjegoja plot dashuri e pasion, Atdheun tim.

Siç ju thashë, kam një jetë të ngjeshur: me ngjarje, punë, shkrime e botime, por edhe me veprimtari vullnetare e njerëzore, në mjedisin, ku jetoj. Vazhdimisht kam ndihmuar në botën e emigracionit dhe, për këtë arsye, jam vlerësuar prej Bashkisë së qytetit, me çmimin e titulluar: “ Grua guximtare dhe e pakursyer, për ta ndihmuar pjesën nevojtare të shoqërisë”.

Kohët e fundit, në Itali janë mbledhur intelektualë e atdhetarë të ndershëm, me dëshirën që të demostrojmë që, në këtë vend mik, jemi edhe ne me vlerat tona. Është themeluar “Federata Nacionale e Asociacioneve”, në Itali, Në të marrin pjesë shoqata shqiptare prej qyteteve e krahinave të ndryshme, që nga veriu e gjerë në jug të Italisë. Kjo Federatë dësmon pëër një figurë dhe paraqitje dinjitoze, këtu në vend të huaj. Ajo tregon se shqipëtarët nuk janë vetëm njerëz për punë, por përfaqësojnë një popull që, në vetëvete, ka një kulturë të lashtë e të pasur.

Po ashtu, para dy vjetësh, kemi krijuar “Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve”, e cila, nga dita në ditë. vjen duke u rritur me pjesëmarrjen e talenteve, nga gjithë Italia. Si Federatë e si Lidhje, organizojmë takime të ndryshme, me një nivel të lartë kulturor.

8. Ndoshta, kam harruar të pyes për diçka tjetër…
– A mos do të dëshironit të dinit vazhdueshmërinë time letrare?
Jam duke shkruar një roman, me një temë të larmishme. Për të hequr pakëz kërshërinë, aty ka edhe pasion e dashuri…Kam, pothuajse gati, një libër me poezi për legjendarë të vdekur e të gjallë, kampiona e kampionate etj…Kam shkruar disa poezi për fëmijë dhe shpresoj, me disa tregime po ashtu për fëmijët, ta nxjerr në dritë një libër tjetër. Kam edhe disa poezi të dielektit çam, që dëshiroj t’i plotësoj dhe t’i botoj.

Së fundi, dëshiroj t’u falënderoj unë, prof. Murat Gecaj dhe shumë respekt, për nderimin dhe kohën, që më kushtuat, për ta zhvilluar këtë bisedë të përbashkët!

Tetor, 2016

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here