LUMNI BARBARE!

0
469

Berlin, kallnor 2016

(Një ndarje folklorike brezash të heronjëve)

1.
Koha rrjedh pa fill e fund dhe, ashtu si lindja e diellit, ndërrimi i stinëve, lulet a vyshkja e gjethnajës – pa pyetur për asgjë, vjetron sistemet, shoqëritë, idealet…
Çdo gjë që ndodh, ndaj, ka një qëllim. Dhe vdekja. Vdekja për liri, mbase, më t’sublimtin gjithësesi!

2.
“Mjafton perandorinë të kqyrësh nga ky vend i lartë: duket si një makth ku zotëron i ligu ndër të liq…
Një vjedh kopena, tjetri edhe gra,
shandan, kungajkë e kryqin n’altar
dhe mburret që ka bërë e pa ndëshkim shpëton…
Paditësit n’gjykatë turren
e gjyqtari veç krekoset n’seli,
ndërsa furtunë e kryregritjes përhapet me furi…”!
Kështu thotë Kancelari tek “Viset e bukura” në Faustin e Gëtes. Ky fragment dëshmon për rrëzoma të rënda që kanë jetuar dhe popuj historikë. Veçse, ndryshe prej tyre, në Kosovë klientelizmi dhe nënshtrimi popullor i mbyll despotisht shtigjet “furtunës kryengritëse që përhapet me furi”!
A ishte, vallë, ky qëllimi, që të rënët në fushëluftën e mbramë të Kosovës, do ta gravonin plumbash, si një ëndërr të ndaluar, në gjokset e tyre?
Një nga fyerjet e pafundme, që u bëhet atyre dhe miqëve të armës, por të tillëve që nuk u kontrabanduan në oligarkë frymëmbytës të Republikës foshnjore, është poshtërimi i ndarjes…
Ndarja, madje, nuk shenjohet sipas brezave, por dhe brenda një kohe a emblemës së saj. Sidomos do të sythojë kjo, lodhshëm e pikëllimtë, në sistemin e ri të partive, klaneve, oxhaqeve, kooperativave, flamurëve, kartelave, mandej të nëntokës, vegëzimit mafiokratik, trafikut të përtejdhéut a kupolës që mentoron gjithëçka… Dhe në përkitje të këtij reliefi, ata përvetësohen: për mburrje mejhanesh apo për investurë ngjitjeje në nomenklaturën pushtetare…
Të pafaj gjithësesi, këta do t’jenë heronjët e motit tonë: të shkrirë në buste apo të ngujuar në kasolla vorfnore. Ndanë tyre, ndërkaq, hierarkët tinzarë, kanë një qasje ndryshmore. Të parët glorifikohen sepse nuk mund të flasin, kurse të dytët poshtërohen, sepse më keq se vdekja është humbja e statusit skamnor. Ka, mjerisht, një tjetër rrokullimë akoma më të tmerrshme e t’paderë: është unaza ftyrëverdhë e urisë.
Pastaj, nëse ndër ata që i ka mbuluar pluhuri, do të ketë patur dhe të tillë që ose nuk patën idenë e fisme të luftës për pavarsinë ose do të vriteshin pas krahëve, për ti hapur udhë atyre që ky truall do ti mallkojë si bastardhët e saj të shekullit – të dytët do të mbeteshin gjallë. Mirëpo në këmbim të jetës, duhej përfillur paktin e pashkruar: të heshtnin duke marrë më vete andej të fshehtat e komandantëve të shumtë, si laraskat pas stuhisë…
Dhe së fundmi, ndërsa të dytë bashkë bëjnë brejën e përjetshme të ndërgjegjes kombëtare – është një galeri tjetër që desh të gëzonte: edhe Lavdinë, edhe Fuqinë! Janë uzurpatorët e vlerës çlirimtare: manipulatorë, sehirbërës, spijuj, profiterë, trafikantë armësh, dhuntarë të çdo pasioni, ordinerë që kapën çastin…

3.
Ç’t’iu bëhet tani atyre, kandidatëve të ardhmë të busteve? Heronjëve të shpifur të luftës dhe martirëve realë të hajnisë?..
Duke u identifikuar me kombin e historinë, ata kanë dëbuar heronjët e kohëve të ikura dhe kanë uzurpuar sheshet e vogla që presin të tjerë në një kohë të dytë.
Që këndej, nuk bëzanë kush më për heronjët e brezave pararendës. Ata mbështillen nga pelhura e heshtjes e harrimit, për t’mos u bërë hije këtyre të epokës së re. Ç’është ende më zi, do të smirohen, urrehen e dyshohen. Vetë Kryeheroi kombëtar Kastrioti kontekstualizohet fetarisht si hero i të krishterëve, ndërkohë që sakrifica e Luftës së dytë botërore, cilësohet kotnare: një vetëmohin i turbullt për kauzën e huaj sllave…
Ndërkaq, nuk besojnë të vijnë më pasrendës ftomash që s’prajnë kurrë. Zbrazti e terr do pllakosë gjithandej. Vetëm llampa e tyre do ndrijë mbi sfondin e zi e profan…

4.
Por, megjithë pietetin e thellë për fllijimtarët e vërtetë që nuk jetojnë më ose vegjetojnë margjinash sociale, dhe paraardhësit e tyre kjenë përfalur me besë në pragun e atdheut. Ndonëse përpjekjet për liri të çdo populli të nëpërkëmbur, janë pjesë e vetë lirisë së Europës, heronjët e vezullisë së sotme, janë vetëm lokalë. Kundër Serbisë nuk u bashkua e gjithë bota që prirej afeksionesh të teatrit të moçëm, ndërkohë që kundër lubisë naciste kjenë rrjeshtuar të gjithë: nga Uashingtoni, nëpër Londër e Paris, e deri në Vladivostok. E, rrjedhimisht dhe kremta e tyre do të jetë e dyfishtë: nacionale dhe, poashtu, Festë e përbashkët reflektive: Ditë e Europës së lirë!
Ata do t’bënin zgjedhjen e anës strategjikisht tejpamëse e moralisht diellore: anën e përtëritjes së të korrave në fushnajën e djegur, “pëllumbave që prehen në Katedralen e Salzburgut, trëdafilave që sërish çelin në luginat e Shlezisë” dhe, natyrisht, që mes shqiptarësh të mos kishte kurrë më kufi të përgjakur…
Por ishte vetmia, fataliteti gjeopolitik (“është bukuria ime që më vrau”, këlthet Margarita në Ditën e zymtë, prapë tek Patriarku i letrave të Europës,) që mbi idealin e tyre, të binte sërish satra e Rendit të ri botërorë dhe vullneti i hemisferave të interesit duke copëtuar edhe shqiptarët edhe Europën vetë!..
E ky i riu Rend i botës, krejt ndryshe nga të kryehershmit, sikur rezultoi të ishte dhuratë historie në ndërrim mijvjeçarësh. Po më pas do të shpaloste ai sfidat e thonjëta: globalizmin, kapitalin transnacional e rrafshues, shfytyrimin e qetë të individualiteteve të vogla, pushtimin virtual të resurseve, tashmë, pa tanke, çizme a gjeneralë…
Dhe ato nuk gjejnë ndër kastat politike, qendrestari në kufijtë e arsyes a përshtatje konjukturale për interesin e kalvarosur publik. Përkundrazi. Aty prorë strehon një gatishmëri zvarritëse për bashkërrënim dhe, poaq, një snobizëm kolektiv për ti ngjasuar vetëm mimikrisht prurjeve të qytetnisë së re…Është e pagjasë, që këtej, të mos evokosh Sokratin e Apologjisë, tek thotë: “Ju, o qytetarë të Athinës ëndërroni, kurse unë shoh, dhe krejt gjërat i gjej të shëmtuara…”! Dhe ne, mijëra vjet më pas, do gjejmë shëmtinë e lëkurëtrashëve që fjala s’i gërvish e s’i shtyn dot nga e skeptri sundtar, të njëjtësuar me të drejtën atnore mbi truallin e njerëzit e tij…
A nuk është, pra, deshpëruese, si ndjente një tjetër shpirt lashtësie (Glykon), lumnia e të Keqit”?
E, maharagjët e personelit politik të Prishtinës, janë, vërtetë, barbarisht të lumtur..!
R. K.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here