Kush e djallëzon Shqipërinë etnike?

0
929

Gani MEHMETAJ, 09/08/2016

Dy shtetet shqiptare i bëmë me ndihmën e Perëndimit (të parin Austro-Hungaria, të dytin SHBA-ja), territoret e humbura në luftërat Ballkanike mund t’i kthejmë prapë me pëlqimin e ndihmën e Perëndimit. Turqia e Serbia me ndërmjetësimin e Rusisë po i ripërtërijnë aleancat e vjetra për të shkombëtarizuar shqiptarët. Që t’i nxjerrim shqiptarët e Maqedonisë nga bataku nuk mjafton t’i ndihmosh vetëm në kohë vërshimesh, por duhet t’u japim dorë, që t’i shpëtojmë nga turqizimi e riislamizimi.

Është qasje e gabuar, ndonjëherë e paragjykuar nga disa portale sikur Turqia me jeniçerët e vet bëjnë përpjekje të krijojnë Shqipërinë etnike! Programi i osmanistëve të rinj me mykun e krimet e vjetra, nuk do të prishin kufij, sepse s’kanë fuqi as guxim, por do të përpiqen që në emër të fesë myslimane të shtrijnë ndikim në territoret shqiptare, që i okupuan dikur, për të bërë tregti me shtetet sllave në kurriz të shqiptarëve. Lëvizjet e tilla synojnë shkombëtarizimin e shqiptarëve të kësaj hapësire etnike.

Së pari shqiptarët në Luginën e Preshevës mund të mbetën edhe më tutje nën okupimin e Serbisë, por nuk do të kërkojnë të drejta kombëtare as liri të shprehjes, do të kërkojnë frymën anadollake të islamizmit me një mori xhamiash. Jeniçerët, të cilët do të flasin në emër të shqiptarëve të shkombëtarizuar, do të kërkojnë ta ngulfasin shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar me mejtepe guleniste e erdoganiste, ndërsa Serbia do t’ua plotësoj këto kërkesa. Është në interesin e Serbisë që popullatën shqiptare ta paraqes islamike, ndërsa popullata islamike nuk është autoktone, prandaj mund ta dëbojnë kurdo, ashtu sikurse bënë gjatë historisë.

Serbia nuk përton t’ua plotësojë kërkesat fetare, as nuk i dëbon emisarët e Edoganit a Gulenit, i dëboi dhe i arrestoi emisarët shqiptarë, i ndaloi librat shqip, i dëboi pjesën më të madhe të intelektualëve nga Lugina e Preshevës, ndërsa ata që mbeten ua ka nxirë jetën, apo i ka shty në gjirin e osmanistëve. Sjellje të vrazhdë kundër intelektualëve shqiptarë të Luginës së Preshevës kanë veçmas jeniçerët shqipfolës, që i ndihmon Serbia.

A i shiten interesat shqiptare të Luginës, Tirana e Prishtina?

Jeniçerët e Anadollit kanë nisë t’i bindin shqiptarët e Luginës të mos dalin në mbrojtje të shtatores së Gjergj Kastriotit që ua rrënuan, por të ngriten më kërkesa për pushtuesin e vjetër. Shqiptarët e shkretë të Luginës dolën në mbrojtje të kryetarit turk, kur ai ishte në vështirësi. Dhe bota po qesh. Bota mund të heq dorë nga shqiptarët, sepse ata në vend ta mbrojnë vetën, po bëhen jeniçerë mizorë të kërkesave antishqiptare.

Jeniçerët në Luginën e Preshevës kanë nisë fushatën e egër për shami grash, duke propaganduar kinse shami nuk mbajnë vetëm shkinat, ndërsa e shpërfillin faktin se shami nuk mbajnë gratë shqiptare, franceze, angleze, amerikane etj. Me shkina, jeniçerët shqipfolës nuk nënkuptojnë serben, sepse jeniçerët shqipfolës me Serbi i kanë punët në vijë, por me shkina i mendojnë jomyslimanet. Këtë term po e përdorin gjithnjë e më dendur në kuptimin e jo myslimanes edhe në Maqedoni e në Kosovë. Ata nuk flasin më urrejtje e përbuzje për serbët, por për jomyslimanët, e për intelektualët.

Fryma e re, që po përvijohet në Luginën e Preshevës është frymë ku Tirana e Prishtina nuk kanë asnjë ndikim, as mundësi ndërhyrje. Fryma e re po ua lë hapësirën anadollakëve të kontrollojnë e shkombëtarizojnë faktorin shqiptar, duke e bërë faktor Turqinë e objekt tregtie me Serbinë, Preshevën e Bujanovcin. Kështu, sipas strategjisë ekspansioniste të Ankarasë, Turqia do t’i paqësojë deri në zhdukje shqiptarët në Luginë. Nishin, Prokupljen, Vrajen, Kurshumlinë shqiptare, dikur, i shkombëtarizoi Serbia me ndihmën e madhe të Turqisë.

Me shkombëtarizimin e ri turk, Serbia do ta shpërblejë Ankaranë më një varg koncesionesh, ashtu sikurse e shpërbleu për Sanxhakun e shkombëtarizuar, ndërsa malësorët e shkretë shqiptarë as të gjallë, as të vdekur janë në kërkim të identitetit. Këtë fatkeqësi do ta përjetojnë edhe në Luginën e Preshevës brenda disa vjetësh, nëse nuk mobilizohen, por edhe nëse Tirana e Prishtina nuk i kanë shitur interesat shqiptare të Luginës në Turqi e Serbi! Shpërfillja e dy shteteve shqiptare ndaj Luginës le për të dyshuar në gjëra të frikshme.

Ashtu si për Luginën e Preshevës, përpjekja për Çamërinë, territor shqiptar, që e goditi zjarri i gjenocidit grek, ka rrezik të paraqitet sajesë e Turqisë për Shqipërinë etnike, sepse flitet që partitë çame marrin ndihma nga Turqia, apo dalin në mbështetje çmendurake të islamizmit. Lojtari i kombëtares shqiptare me prejardhje nga Çamëria, apo ata nga Kosova kanë shenjën kombëtare të shqiponjës, pse çoroditën shëmtueshem kur e bëjnë shenjën islamike me një gisht, kur këtë shenjë nuk e bëjnë as lojtarët e vendeve islamike.(?!) Janë arabë a shqiptarë ata? S’do ta dëmtonte as armiku më i egër çështjen çame më shumë se sa mbështetja te Ankaraja. Athina e Ankaraja janë shkaktarët e kësaj tragjedie.

Shqiptarët në Maqedoni shitën e blihen!

Në Maqedoni gjendja është më e rëndë, lufta më e egër, sepse janë mbi një milion shqiptarë, për të cilët Maqedonia e Turqia kanë program shkombëtarizimi. Tirana e Prishtina i braktisën, i lanë jetimë, kështu që turma e pa tru iu ngjitën shtetarëve të huaj, që vetëm fatkeqësi do t’u sjellin. Turqia me ndihmën e Maqedonisë po përdorin metodën e blerjes së kombësisë: një pjesë e shqiptarëve e shitën kombësinë, duke u deklaruar turq për ca lira turke e disa privilegje të qeverisë maqedonase.

“Turqit” në Maqedoni janë të privilegjuar, përderisa shqiptarët janë të diskriminuar. Të privilegjuar janë edhe ata që deklarohen myslimanë maqedonas. Shqiptarët ishin të persekutuar në njëqind vjet okupimi sllav, ndërsa të deklaruarit turq i kishin të gjitha të drejtat: të drejtën e shkollimit në gjuhën turke, të drejtën e fesë etj. Ndërkaq, shqiptarëve ortodoks e atyre katolik kishat ua mori sllavi i Maqedonisë, kurse shqiptarëve myslimanë xhamitë ua ripushtoi Turqia e Arabia saudite me hoxhallarë-jeniçerë. Më parë një pjesë jo e vogël e hoxhallarëve ishin spiunë të Jugosllavisë, që iu shitën arabëve e turqve.

Faza tjetër e shkombëtarizimit vazhdoi më ndryshimin e emrave shqiptarë me emra arab e më mbaresa sllave. Kështu, në territorin e Shqipërisë etnike synohet të krijohet një sajesë e kombit të shpërfytyruar: nga ish shqiptarët bëhen turq agresivë e myslimanë edhe më agresivë, që e luftojnë gjenin e tyre shqiptar më keq se sa armiku më i egër. Më këtë shërbim që Ankaraja ia bënë qeverisë sllave, do të marr koncesione ekonomike e privilegje. Prandaj Turqia ka investuar vetëm në pjesën sllave të Maqedonisë, prandaj më islamizim e turqizim po i jepet goditje e pariparueshme konceptit të Shqipërisë etnike.

A do të zhbëhet qenia shqiptare në Maqedoni? Varët nga vet shqiptarët, pjesa më e madhe e të cilëve janë për shqiptarësi, por pjesa e jeniçerëve, janë shumë agresivë. Zhbërja e qenies shqiptare do të varët edhe nga Tirana e Prishtina, sepse ka dyshime sikur elita shtetërore i ka shitur bashkëkombësit tonë. Tirana e Prishtina kanë hequr dorë tërësisht nga shqiptarët në Maqedoni, duke i lënë në (pa)mëshirën e pushtetit sllav, në egërsinë e jeniçerëve të Anadollit e beduinëve të Arabisë.

Jeniçerët e Kosovës

Strategjia e shkombëtarizimit është e egër edhe në Kosovë. Megjithëse punëdhënësit e jeniçerëve po bëjnë dëme të mëdha, e kanë kot, sepse kurrë s’do t’ia arrijnë qëllimit. Shumica absolute janë kundër kësaj loje të ndytë, pavarësisht që qeveritë e disa parti politike janë të korruptuara e të kapura nga mafia islamike. Shqiptarët e Kosovës janë arrë e fortë që s’do ta thyejnë aleancat turko-serbe, nuk e kanë thyer as në të kaluarën, por duhet ta pranojmë që e kanë dëmtuar dhe po e dëmtojnë rëndë.

Shqipëria etnike, është gjakim i natyrshëm i shqiptarëve, pavarësisht që Beogradi e bëri tmerr të Gadishullit Ilirik, ia mbajti ison Shqipëria komuniste, nuk i mbeti prapa as Shqipëria e demokracisë, janë duke e djallëzuar edhe sot e kësaj dite disa portale në mungesë informacioni, apo pse nuk i kapin fijet e holla të dinakërisë anadollake e serbe.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here