KUSH DHE PSE SPONZORIZON SHKATËRRIMIN E INSTITUCIONEVE SHTETËRORE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS ?

0
532

Opozitë e tërbuar apo shkatrrimtarë?!…

Gjithkund në botë, institucionet ligjvënëse dhe ekzekutivet e shtetit i udhëheqin ata që kanë fituar votat e popullit. Në Dardaninë tonë të quajtur Republika e Kosovës opozita dëshiron t’i rrëzojë institucionet me dhunë dhe ta marrë pushtetin me çdo kusht. Athua kush po i sponzorizon – kriminelët e Beogradit, apo kriminelët tanë të frikësuar nga flaka e Gjykatës Speciale Ndërkombëtare?

Shkruan: Engjëll KOLIQI, Stubëll, shkurt 2016

Edhepse kam jetuar shumë vite jashtë në mërgim, ushtrimi i gazetarisë ma ka imponuar t’i njoh të gjitha lëvizjet dhe hilet politike. Prandaj, nga eksprienca ime dhe nga ajo që po përjetoj në këto tri vitet e fundit që po jetoj dhe punoj në Kosovë, dua ta them fjalën time analitike, por njëkohësisht edhe t’i akuzoj ata që po sponzorizojnë shkatërrimin e Dardanisë sime, të Republikës së Kosovës.

Në mbarë botën demokratike pushtetin e marrin ata që fitojnë votat e popullit dhe udhëheqin me institucionet shtetërore ashtu si dijnë, normalisht që mundohen të qeverisin mirë, duke ditur se nëse nuk qeverisin mirë e humbin pushtetin. Te ne, mjerisht po ndodhë e kundërta. Pushtetin po duan ta marrin partitë opozitare, që nuk i kanë numrat e zgjedhësve.

Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës, të Dardanisë sonë të shtypur e të martirizuar për shumë shekuj, nga të gjitha anët, të gjithë ne kemi të drejtë të jetojmë në demokraci. Duhet ta ndërtojmë dhe ta kultivojmë demokracinë, duke i patur të gjitha të drejtat, por në masën derisa të mos i pengojmë të tjerët. E thash edhe më herët, se pushteti merret përmes votave të zgjedhësve, të popullit. Tashmë dihet, në mbarë botën, çdo parti politike lufton për të ardhur në pushtet, siç luftojnë edhe partitë tona, që janë të shumta, për të mos thënë të tepërta.

Cili është realiteti ynë, që po më mundon mua dhe të gjithë ne?

Duhet thënë të vërtetën, nuk e simpatizoj Partinë Demokratike të Kosovës dhe mendoj se në dy mandate të qeverisjes së saj në Kosovë, më shumë na ka shkaktuar dëme se sa dobi. Mirëpo duhet thënë edhe të vërtetën tjetër, se kjo parti sërish edhe në zgjedhjet e treta me radhë doli e para dhe do të duhej të qeverisë me vendin. U bënë bashkë partitë tjera (LDK, AAK dhe NISMA), për të mos ia lënë pushtetin kësaj partie e për të mos e lënë Z. Hashim Thaçin kryeministër edhe në mandatin e tretë. Ky koalicion anti PDK, u quajt LAN, për të ndërruar pas aderimit aty edhe të Vetëvendosjes, në VLAN.

Mes VLAN-it dhe PDK-së kishte shumë fërkime, shumë batica e zbatica, derisa u desht sygjerimi i ndërkkombëtarëve për një zhurmë të matur, sepse Vetëvendosja nuk do të mund të vijë kurrë në pushtet, për shkak të disa qëndrimeve tepër absurde kundrejt politikave ndërkombëtare dhe kundrejt globalizmit përgjithësisht. Me formulën se çdo parti lufton për pushtet e edhe me bekimin e ndërkombëtarëve, lideri i LDK-së e që ishte edhe lider i VLAN-it, Akademik Isa Mustafa, u shkëput nga VLAN-i dhe u radhit me PDK-në e Z. Thaçi, për të krijuar institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, që mungonin për disa muaj. Ishte më se e nevojshme, sepse pa miratimin e ligjeve në Kuvend e pa funksionimin e Qeverisë, në shumë aspekte shteti ynë do të rrezikonte në dështim e deri në falimentim. U konstituua Kuvendi i Kosovës, u zgjodh qeveria, me kryeministër Isa Mustafën e me zëvendëskryeministër e ministër të jashtëm Hashim Thaçin.

Filloi miratimi i shumë ligjeve dhe ecja përpara e jetës së shtetit dhe popullit tonë, por adoleshenca politike-partiake e NISMËS, AAK-së e sidomos e Vetëvendosjes filloi me bllokimin e Parlamentit, me masa më perfide, duke hedhur ve e gjësende të tjera mbi deputetë, ministra e mbi kryeministrin, madje edhe duke fishkëlluar e duke hedhur edhe gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit, duke rrezikuar kështu jetën dhe shëndetin e deputetëve dhe të punonjësve të Kuvendit. Dhe kjo, jo një herë, por shumë herë, secilën herë që kishte seanca Kuvendi. Kështu bënin deputetën opozitarë në Kuvend e argatët e tyre jashtë hedhnin gurë e gjësende të rrezikshme mbi policinë tonë, thyenin xhamat e dyert e ndërtesave qeveritare dhe të Kuvendit, thyenin automjete shtetërore, madje edhe lëndonin qytetarë e policë. Jo një herë, por secilën herë që organizonte protesta opozita, ndodhte kështu, përveç në protestën e fundit. Madje u shkua aq larg në absurd, sa që festat tona historike – kombëtare dhe shtetërore – 28 Nëntori dhe 17 shkurti, u caktuan ditë protestash. Kur të gjithë, me gëzim festoinim, ata protestonin dhe shtetin e Kosovës donin ta shkatërronin.

Unë, përmes këtij shkrimi i akuzoj organizatorët dhe aktorët e kësaj dhune. I akuzoj edhe institucionet tona shtetërore, që të tillëve ua paguajnë rrogat e majme të deputetit, atyre që nuk kontribuojnë, por në çdo mënyrë e me çdo kusht pengojnë punën e Kuvendit, madje edhe thyejnë xhama, duke i shkaktuar këtij shteti qindëramijëra €uro humbje, në çdo protestë publike. Në vend se t’i gjobisin edhe me pagesa të dëmeve, atyre iu jepen rroga të majme. Të tillëve, propozoj, që pa vonuar t’u merren mandatet e deputetit dhe të zëvendësohen me të tjerë, derisa të ndalojnë dhunën dhe shkatërrimin e shtetit tonë.

Njëkohësisht pyes: kush i sponzorizon këto akte të dhunshme, për shkatërrimin e Kosovës sonë? Duke e kërkuar përgjigjen në këtë pyetje, dyshimet më shkojnë gjithkah, madje deri në Beograd e në Moskë. Mos e thashtë Zoti të jenë të lidhur me atë bosht?! Nganjëherë dyshoj se mund të jenë edhe kriminelët e palës sonë, që të frikësuar nga flaka e Gjykatës Speciale Ndërkombëtare, sponzorizojnë dhunën dhe rrëzimine institucioneve të Kosovës, për të zvarritur sadopak funksionimin e kësaj gjykate, duke e ditur se nuk kanë shpëtim prej saj. I akuzojn edhe ndërkombëtarët, që nuk ua ndalin hovin këtyre shkatërrimeve të dhunshme, sepse në kuadër të EULEX-it mund ta bëjnë këtë, me prokurorë ndërkombëtarë.

Në fund ç’të them tjetër, pos të uroj: Zoti pastë mëshirë për ne dhe për Dardaninë tonë e na e sjelltë sa më parë mrekullinë shpëtimtare, të daljes sa më parë nga kjo krizë e rrezikshme institucionale! Po uroj me gjuhën e Presidenti Historik Rugova: Zoti e bekoftë Dardaninë e Re, Republikën e Kosovës! Zoti na bekoftë të gjithë ne farën e shenjtë arbërore!

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here