KRONIKË E DITËVE, ME FLAMURIN KOMBËTAR SHQIPTAR

0
704

Në Filadelfia, SHBA

Nga LAVER NIKU

Pesëmbëdhjetë vite më parë e elektronike, te ndërtesa e lartë e PECO-s, me urimin për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe, më e rëndësishmja, ngritja e Flamurit tonë Kombëtar te sheshi i Bashkisë së qytetit, filluam me një mbrëmje festive për Ditën e Flamurit. Kështu vazhduam për disa vite me radhë, por me ndryshime nga viti në vit.

Pastaj erdhi viti 2012, 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe diçka më shumë ndryshoi. Shoqata Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes”, në qytetin e Filadelfias i nisi më herët përgatitjet. Porositi më shumë flamuj, jo vetëm për manifestimin dhe mbrëmjen festive, por edhe për t’i shpërndarë ndër familjet e bashkatdhetarëve tanë. Bluzat e kuqe, me shqiponjë, flamuj sticker për mbrëmjen dhe manifestimet dhe realizimi i një reklame ishin të rejat, që e pasuruan këtë ditë të shënuar për Kombin tonë. I njëjti skenar edhe për dy vite të tjerë që pasuan.

Dhe erdhi 2016-a, më e pasur me veprimtari:
1) 20 Nëntor: Parada e Thanksgiving-ut, me Flamurin tonë
Ajo zhvillohet rregullisht, për 40 vite me radhë, në Northeast të Filadelfias. Ne do të merrnim pjesë për herë të parë. Ishte nisma e antarit të Këshillit Drejtues të Shoqatës, Sadik Elshani, pjesëmarrja jonë në këtë veprimtari dhe mbështetja nga të gjithë antarët e këtij këshilli, realizimi i kësaj veprimtarie, që ishte edhe një risi për vetë këtë paradë, ku marrin pjesë, çdo vit, me dhjetëra e dhjetëra organizata, shkolla dhe institucione të tjera të ndryshme. Shoqata jonë do të merrte pjesë me nxënësit e Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë”, mësues dhe prindër të fëmijëve dhe antarë të Këshillit Drejtues të kësaj Shoqate etj. Fëmijët ishin veshur me kostume kombëtare dhe ndër duar mbanin flamurët e vegjël të Amerikës dhe Shqipërisë.

Të rriturit, me flamuj të mëdhenjë të dy vendeve, ecnin pas fëmijëve. Dy ditë më parë, nënkryetari i shoqtës Dritan Matraku kishte siguruar një numër të mirë flamujsh shqiptarë dhe amerikanë, të mëdhenjë dhe të vegjël. Në krye të grupit tonë printe makina e kuqe, me një shqiponjë të madhe, të pikturuar në kapakun e motorit dhe në dy anët e saj ishin shkruar dy emra të dashur: SHQIPËRIA dhe KOSOVA. Labinot Zogaj, një i ri 17-vjeçar, i sapo ardhur nga Prishtina, ishte shoferi dhe përgjegjësi i muzikës, që do ta shoqëronte grupin. Bashkë me të ishte i vëllai, Arlindi dhe shoku i tyre nga Vlora, Elion Meminaj, me detyrën e flamurmbajtësëve.

Ishte një ditë shumë e ftohtë për Filadelfian. Temperatura i afrohej zeros Celsius. Por të gjithë, të mëdhenjë dhe të vegjël, sikur ngroheshin nga këngët dhe marshet atdhetare dhe valëvitja e flamurëve, shqiptarë dhe amerikanë.
Shikuesit, në të dy anët e Frankford Ave., të tërhequr nga muzika, kostumet kombëtare dhe flamurët e shumtë mbi kryet tona, herë pyesnin dhe herë thërrisnin: “Albania, Albania !”

2) 25 Nëntor: Ngritja e Flamurit tonë Kombëtar
Bashkia e Filadelfias caktoi datën 25 Nëntor për ceremoninë e ngritjes së Flamurit tonë Kombëtar. Ai do të qendronte i ngritur deri më datën 29 Nëntor 2016.

Që në mëngjes herët, anëtari i Këshillit Drejtues të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, Haki Çollaku kishte vendosur dekorin festiv, të përgatitur nga ai prej ditësh më parë, një kopyim flamurësh, shqiptarë e amerikanë dhe në mes të tyre portretet e heronjëve tanë kombëtarë, Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Ismail Qemali.

Në një kënd të ballkonit gjigand, përball ndërtesës së adminstratës së Bashkisë së Filadelfias, Dj Ervin Cara dhe kameramani “veteran” Florian Bezhani po përgatiteshin për fillimin e ceremonisë. Nga të gjitha drejtimet vazhdonin të vinin bashkatdhetarë të moshave të ndryshme, të veshur si për festë. Kryetari i Shoqatës sonë,Tajar Domi kalonte sa nga nëra anë në tjetrën, duke takuar të sapoardhurit,duke kontrolluar nëse çdo gjë ishte gati. Në lëvizje ishin të gjithë antarët e Këshillit Drejtues: nënkryetari i saj Bujar Gjoka, sekretari Vlashi Fili, Llazar Vero, Bujar Çela, Bashkim Bërdufi, Suela Teme, Sadik Elshani etj. Ndërkohë, nga një kënd i këtij sheshi vijnë një grup të rinjësh, nxënës të Northeast High School.

Nuk ishin pak, 20-30-40 djem dhe vajza, që na kanë shoqëruar çdo vit në manifestimet e ngritjes së Flamurit, që nga 100-vjetori i festimit të Pavarësisë së Shqipërisë. Të gjithë ndjehemi më mirë, kur kemi këta të rinjë mes nesh. Ata janë të lidhur shpirtërisht me Flamurin, me Shqipërinë, me traditat më të mira të vendit tonë. Para pak kohësh, ata krijuan në shkollën e tyre “Alba Club”, një qendër që do t’i mbajë ata më afër njëri-tjetrit dhe atdhedashurisë. Disa ishin të veshur me bluza të kuqe, ku spikaste shqiponja jonë dykrenare dhe të tjerë me flamujt ndër duar, u futën vrullshëm nën ritmet e valleve tona popullore. Dhe i kërcejnë aq bukur dhe me aq krenari e dashuri, sa do t’i kishin zili edhe profesionistët.

Pastaj erdhi çasti për ngritjen e Flamurit. Pranë shtizës afrohet çifti Elvira dhe Besnik Budo, ndër të parët anëtarë të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Pas nderimit të Himnit të Shteteve të Bashuara të Amerikës, dëgjohen tingujt e Himnit tonë Kombëtar dhe Flamuri ynë filloi të ngrihej lart dhe më lart në shtizë, pranë shtizës së flamurit amerikan. Të gjithë janë të mbushur me emocione në këta minuta dhe me kokën lart shoqërojnë ngritjen e Flamurit tonë. Pas kësaj, të pranishmit i përshëndeti Llazar Vero, anëtar i Këshillit Drejtues të Shoqatës. Në emër të Bashkisë së Fildelfias përshëndeti znj. Hani Vhite.

Festa vazhdoi ndrmjet tingujve të këngëve nga grupi fëmijëve të shkollës shqipe “Gjuha Jonë”.Nën drejtimin e mjeshtrit Hamdi Gjana ata kënduan dy këngë patriotike, si dhe vallet shqiptare kërceheshin aq bukur nga të rrinjtë tanë.
Në mbyllje të kësaj ceremonie të bukur, Tajar Domi i ftoi pjesëmarrësit në mjediset e Qendrës Kulturore të Shoqatës, për të festuar dhe gëzuar së bashku.

Për mbrëmje të tilla Shoqata jonë ka më shumë përvojë. Dritani, Llazari dhe Hakiu me kohë kishin biseduar me drejtues të restorantit për menunë, pijet dhe çdo gjë tjeter të nevojshme, për mbarëvajtjen e kesaj mbrëmjeje. Kryetari i Shoqatës kishte siguruar këngëtarët e njohur: Altin Sulku, Anjeza Ndoi, Nexhip Dida, bashkë me instrumentistët, që ishin të gjithë të mirë. Me zërat e tyre të bukur, ata sollën këngë nga të gjitha krahinat e vendit tonë, duke plotësuar kështu kërkesat e tërë pjesëmarrësve, në këtë mbrëmje.

Por, përveç muzikës, këngëve dhe valleve, mbrëmja kishte edhe një kronikë tjetër. Pas ekzekutimit të Himneve të Amerikës dhe Shqipërisë, nënkryetari i Shoqatës, Dritan Matraku, me një fjalë të shkurtër, i përshendeti tërë pjesëmarrësit dhe u uroi të gjithë bashkatdhetarëve Ditën e Pavarësisë dhe të çlirimit të Atdheut. Më vonë, sekretari i Shoqatës, Vlashi Fili, në emër të Këshillit Drejtues të saj, ndau disa vlerësime. Me vlerësimin “Nderi i Komunitetit” u nderua Tajar Domi; me vlerësimin “Njeriu i Vitit” u nderua Bujar Gjoka, nënkryetar dhe shef i sektorit të financës së kësaj Shoqate; me “Çertifikatë Mirënjohje” u nderuan anëtarët e Shoqatës: Sami Zaimaj dhe Eldjon Pajollari.

Përsëri këngë dhe valle nga të gjitha krahinat dhe, ndërmjet tyre, njoftime e falenderime të tjera. Një nga këto ishte dhe falenderimi që Llazar Vero bëri, në emër të Shoqatës, për djemtë dhe vajzat e Northeast High School, që manifestuan me këngë dhe valle gjatë ceremonisë së ngritjes së Flamurit në qëndër të Filadelfias. Pranë tij ishin dhe dy nga pjesëmarrësit në këtë manifestim, Arjol Shpuza e Toni Hasani, dy nga valltarët më të mirë dhe më të palodhur të këtij grupi. Në fund të falenderimit të tij, në shënjë mirënjohjeje, ai tha se Shoqata jonë, me ndihmën e bashatdhetarëve, do të sigurojë 20 kostume kombëtare shqiptare, për grupin e vallëtarëve të kësaj shkolle.

Mbrëmja festive dukej sikur nuk do të kishte fund. Shumë vonë, pas orës 23.00 filluan largimet e para. Bashkatdhetarët tanë ishin më të gëzuar, më të dashur dhe të ngrohtë me njëri-tjetrin. Ishte Flamuri, që i kishte bashkuar.

3) 28 Nëntor: Përsëri për Flamur, në Harrisburg
Ditën e hënë, në mëngjes herët, një varg makinash, me drejtues dhe anëtarë të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, nisen nga Filadelfia, drejt Harrisburgut, kryeqytetit të shtetit të Pensilvanisë. Ndërmjet tyre ishte edhe makina e kuqe, me shqiponjën dykrenare. E drejtonte Labinot Zogaj, që udhëtonte me mikun e tij, të riun vlonjat, Elion Meminaj dhe të të vëllanë, Arlind Zogaj.

Në bashkëpunim me zyrën e Zëvëndësgovernatorit, Departmentit të Shtetit dhe Shoqatës së Trupave Konsullore në Harrisburg, do të organizohej ceremonia e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Ceremonia do të zhvillohej në Harrisburg Capital East Ëing Rotunda. Mjedisi qe zbukuruar me flamurët e Shqipërisë, Amerikës, Shtetit të Pensilvanisë etj. Në krahë të tyre ishin vendosur dy tavolina, që paraqesnin në foto kostumet tona kombëtare dhe punime artistike tradicionale shqiptare.

Pas përshëndetjeve të rastit, fjalën e mori z. Pedro Cortes, Sekretar i Shtetit të Pensilvanisë. Pasi ua uroi mirëseardhjen të pranishmëve, foli për Ditën e Pavarësisë së Shqipërise dhe marrëdheniet miqësore ndërmjet dy vendeve tona dhe për emigrantët shqiptarë në Pensilvani, që japin ndihmesën e tyre të vyer në këtë vend etj. Pas kësaj u ekzekutuan Himnet Kombëtare të Amerikës dhe Shqipërisë. Më tej, e mori fjalën Jimmy Daku, përfaqësues i Shqipërisë në Shtetin e Pensilvanisë, i cili foli shkurt për peshën e Ditës së Pavarësisë, në historinë e Shqipërisë.

Fjala e tij u pasua nga përshëndetja e kryetarit të Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes”, në Filaddelfia, Tajar Domi. Shkurtimisht, ai paraqiti rrugëtimin historik të popullit tonë për pavarësi dhe ndihmesën e Amerikës për mbrojtjen e saj nga fqinjët grabitqarë. Pasi theksoi se kjo ndihmesë konkretizoi edhe pavarësinë e Kosovës, ai dha disa shembuj të ndihmesës së emigrantëve shqiptarë në Amerikë, në të gjitha fushat: Arsim, kulturë e art, shkencë dhe biznese.

Ceremonia vazhdoi me paraqitjen e dokumentit, për kremtimin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, të dalë nga Zyra e zëvendës Governatorit Mike Stack. Dokumentin e lexoi z. Matthe Franchak, shef i Personelit të kësaj zyre.

Ceremonia vazhdoi me përshëndetjen e z. Peter Longstreth, President i Shoqatës së Trupave Consullore të Filadelfias dhe Consull Nderi i Republikës së Uruguajt. “Unë jam president i konsujve të 44 vendeve -tha ai me mënçuri dhe humor,- por asnjë nuk është më i rëndësishëm se Shqipëria.”

Veprimtarinë e mbylli, midis një atmosfere me të vërtetë miqësore, sekretari i Shtetit të Pensilvanisë, z. Pedro Cortes. Ndërkohë, u shkëmbyen dhurata simbolike.

Pastaj për pjesëmarrësit u organizua vizita në zyrat e Zëvendësgovernatorit, Mike Stack, të sekretarit të Shtetit Pedro Cortes, në sallat e Kongresit dhe të Senatit të Pensilvanisë etj.

…Ishte një ditë e bukur dhe e mbushur me mbresa të bukura dhe ndjenjë krenarie për mikun e madh, Shetet e Bashkuara të Amerikës.
Një vit i madh na pret përpara: 105-vjetori i Pavarësisë së Atdheut tonë të dashur.

Filadelfia, Nëntor 2016

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here