Kriminelët në pietestal

0
534

Dionis Xhafa

Në truallin tonë ballkanas, ne i duam fort kriminelët. I dashurojmë ato dhe i puthim nga mëngjesi deri në darkë. Ne flejmë me kriminelët, të cilët edhe gjumin na e diktojnë, për të mos na lënë të qetë. Kjo tokë ka heronj të së përditshmes kriminelët, gjakësit e grykësit politikë dhe social. Këtë realitet e dinë thuajse të gjithë, por pak ose aspak e flasin. Në këtë këndvështrim, në atë se kriminelët e bëjmë hero, dua të sqaroj edhe disa deklarata të politikavë serbë në Beograd.

Lideri i socialistëve të Serbisë, që në fakt më shumë ngjan sikur të jetë fashist i fshehur, Ivica Daçiç ka hedhur në opinionin publik serb idenë se Slobodan Millosheviçit i duhet ngritur bust në mes të kryeqytetit të Serbisë. Iniciativën e paprecedentë të Daçiç, e mbështeti me zell edhe presidenti, Tomislav Nikoliç. Ky i fundit madje shkoi shumë larg, duke thënë se Millosheviçi ishte figura që përbashkon popullin serb. Kjo iniciativë nga liderët e shtetit serb, erdhi menjëherë pasi Gjykata e Hagës dha vendimin se Millosheviçi nuk ishte fajtor mbi krimet e popullatës civile në Bosnjë.

Ndërkaq, Millosheviçit i rëndon zyrtarisht mbi kurriz, akuza e tentimit të gjenocidit mbi popullin shqiptar në Kosovë dhe njihet si luftënxitës në mbarë ish-Jugosllavinë. Ai, madje për krimet e kryera mbi popullatën civile jo serbe në mbarë ish-shtetin jugosllav, mori edhe nofkën “kasapi i Ballkanit”. E pra, Beogradi, më 2016, dëshiron të dekorojë, të ngrejë në pietestal, kryekasapin e popullit shqiptar të Kosovës dhe kriminelin me damkë të luftës. Nëse në Beograd ngrihet statujë për Millosheviçin, kjo dëfton se kemi të bëjmë me një shtet e komb, që nuk mëson nga gabimet e së shkuarës.

Por, e përparon nacionalizmin e fashizmin e vet të shfrenuar. Statuja e mundshme e Millosheviçit në Beograd do të ishte thikë pas shpine për shqiptarë, kroatë, por edhe serbë, që e përbuzin nacionalizmin e shovinizmin si doktrinë. Përderisa në Serbi po tentohet të ngrihet statuja e një krimineli lufte si Millosheviçi, kjo tregon se klasa politike serbe ka mbetur nën batakun e së shkuarës, e se e përligj krimin e mizorinë e përbindshme. Millosheviçi nuk është politikani i vetëm serb, që elita politike në Serbi tenton ta ngrejë në pietestal. I tillë është edhe Car Llazari, që ka luftuar për qëllime ekspansioniste të Serbisë.

Nacionalizmi nuk qëndron i ngulur thellë vetëm në shtetin serb, por edhe në Maqedoni, ku jetojnë shumë sllavë. Mjafton të vizitosh Shkupin e aty gjen ndonjë figurë të dyshimtë dhe ndoshta edhe gjakësore. Por, mbi të gjitha këtu mund të gjendet falsifikimi më i rëndë i historisë. Këto janë kriminelët e kasapët e Ballkanit, që shtetet fqinje në fjalë i mbajnë për heronj. Në truallin ballkanas ka edhe kriminelë social. Të tillë janë ata që vrasin, përdhunojnë e dhunojnë, të cilët policia tenton në disa raste t’i bëjë sikur janë të mirë. Qytetaria në Ballkan triumfon kur të përbuzet krimi, pushteti gjakësor e kur çdo gjë te tentojë të shkojë sa më pranë njerëzores.

SHKRUAJ NJË KOMENT